E munguara fjali magjike në raportet e ODIHR-it për Shqipërinë

Qysh nga viti 1992, ODIHR-i, zyra e specializuar e OSBE-së për monitorimin e zgjedhjeve, ka publikuar pas zgjedhjeve shqiptare një raport të hartuar nga misioni ndërkombëtar që ka dërguar kjo zyrë në Shqipëri, për të verifikuar nëse zgjedhjet zhillohen në përputhje me angazhimet e OSBE dhe standardet ndërkombëtare për zgjedhje demokratike. Nga të gjitha raportet e derisotme të ODIHR-it për zgjedhjet në Shqipëri, vetëm ai për zgjedhjet e 22 marsit 1992 përmban fjalinë magjike “zgjedhjet u zhvilluan në përputhje me angazhimet e OSBE dhe standardet ndërkombëtare për zgjedhje demokratike”. Në raportet e tjera për zgjedhjet shqiptare, përdoren cilësime si “u cënuan rëndë standardet” (1996), “të pranueshme për kushtet aktuale të Shqipërisë” (1997), “më të mira se zgjedhjet e mëparshme” (2001), “një hap përpara drejt arritjes së standadeve” (2005), “përmbushën shumicën e angazhimeve ndaj OSBE-së, por nuk iu përmbajtën plotësisht standardeve për zgjedhje demokratike” (2009), “konkuruese dhe transparente” (2011). Pas këtyre cilësimeve, renditen zakonisht një sërë vërejtjesh/rekomandimesh që presupozohet të shërbejnë si busull për politikën shqiptare, që Shqipëria të arrijë standardet ndërkombëtare për zgjedhje demokratike. Kështu, raporti i vitit 1992 përmbante numrin më të vogël të vërejtjeve/rekomandimeve ndër të gjitha raportet (gjithsej 12) dhe ato kishin të bënin vetëm me modernizimin e infrastrukturës dhe bazës materiale të zgjedhjeve. Krahasimisht, raporti i fundit, ai mbi zgjedhjet lokale të 8 majit, përmban 27 vërejtje/rekomandime, ndërsa ai mbi zgjedhjet e fundit parlamentare përmbante 30 vërejtje/rekomandime. Rekordin e mban raporti i vitit 1996, me 38 vërejtje/rekomandime. Dhe vërejtja/rekomandimi numër një në të gjitha raportet pas 1992-shit lidhet me mungesën e vullnetit politik për të zhvilluar zgjedhje të lira e të ndershme. E.Z.
Comments
Raportet vene e vijne cdo dy
Raportet vene e vijne cdo dy vjet,por ate "mungesen e vullnetit politik per te zhvilluar zgjedhje te lira e te ndershme" kush e vuan?Njezet vjet mbetes ne klase te pare dhe alfabetin s'e kemi mesuar permendesh akoma,vaj hallit kur te kalojme ne ekuacione...
Add new comment