Mungesa e stendës “Albania” në panairin e librit në Frankfurt dhe Tetori i Librit në Tiranë
Prej shumë vjetësh stenda “Albania” mungon në Panairin më të madh në botë që organizohet çdo vit në mes të muajit tetor. Është një shpërfillje e përvitshme që shteti shqiptar i bën një ngjarjeje me përmasa botërore në fushë të kulturës. Dhe nuk bën dallim nëse është qeverisje e majtë apo e djathtë, të gjithë e kanë fshirë prej kohësh nga agjenda e tyre njërin nga detyrimet bazë që kanë për mbështetjen dhe promovimin kulturës së vendit.
Kjo mungesë e padurueshme, kjo vetmi e librit shqip, bëhet edhe më alarmuese kur sheh stendat e shteteve që na rrethojnë. Duke filluar me Kosovën, me një stendë impresionuese, e sponsorizuar çdo vit nga Ministria e saj Kulturës. Po ashtu shtetet e tjera, si Maqedonia, Sllovenia, Kroacia, Serbia etj. Por edhe të gjitha shtetet europiane dhe të botës. Nuk e ke të vështirë të lexosh të njëjtat fjalë: Mbështetur nga Ministria e Kulturës x, y, z. Pra, një stendë e veçantë me emrin e shtetit dhe stenda të panumërta të botuesve privatë të po këtyre vendeve. Me një fjalë, shteti merr prodhimin letrar që botuesit privatë e kanë realizuar brenda një viti dhe e paraqet, e përball me kulturat e tjera. Dhe të mendosh për botuesit e huaj privatë, me një përvojë mbi shekullore, të fortë ekonomikisht, megjithatë shteti i tyre u rri pranë. Sepse shteti ka për detyrë që kulturën e tij ta përhapë në të gjitha gjuhët.
Ka me dhjetëra shkrimtarë shqiptarë që janë botuar në gjuhë të tjera, sikundër ka të tjerë, të rinj, që mund të paraqiten në këtë stendë duke u dhënë shansin që të bien në kontakt me botues, agjentë, përkthyes nga gjithë bota. Dhe diçka tjetër: duke mos pasur një stendë “Albania”, a mund të kërkojmë ne që autorët shqiptarë shtetas të Serbisë, Maqedonisë së Veriut apo Malit të Zi, të jenë të përfaqësuar proporcionalisht me kolegët e tyre në këto vende?
Nëse ka ndonjë panair tjetër ku stenda “Albania” mund të paraqitet me dinjitet përballë botës kulturore, cili mund të jetë përveç këtij panairi? Kur Shqipëria pret çdo vit që shkrimtari i saj i famshëm, Kadare, kandidat për Nobel, të marrë me meritë këtë çmim, a nuk është e qartë se stenda “Albania” mund veçohet nga qindra stendat e tjera edhe të vendeve më të mëdha të botës, që nuk e presin një lajm të tillë? Por kjo stendë mungon dhe zbrazëtia nuk mund të mbushet kurrë me veprimtaritë anemike që organizohen nga Ministria e Kulturës në tetorin e librit në Tiranë.
Burimi: Exlibris
Comments
Ne Frankfurt pergjate viteve
Ne Frankfurt pergjate viteve te fundit nga Shqiperia ka qene gjithnje firma private e shitjes se librave Botimpex, e per disa vite edhe Onufri me librat e Kadarese, apo ndonje tjeter private. Nuk e di nese Botimpex-i vazhdon, apo ndonje tjeter! Ndersa shteti shqiptar perzihet ndonjehere ne panairin e Leipzigut, me stenden e vet ose permes Tradukit. Qiraja ne keto dy panaire eshte e shtrenjte. Rreth 300-400 euro per meter katror.
Add new comment