Fitore me votë ndaj Berishës?

Postuar në 15 Gusht, 2011 17:40
Eduard Zaloshnja

 

Në datën 17 maj 2011, pas një konference të fortë për shtyp të Gramoz Ruçit, numrit dy të PS-së, u duk se opozita do t’i përgjigjej me revoltë popullore ndryshimit të rezultatit të Tiranës në tavolinën e KQZ-së. Por pas dy ditësh të mbushura me protesta, bllokime rrugësh e djegie gomash, Edi Rama dha sinjalin se PS-ja do të ndiqte rrugën ligjore për kontestimin e asaj që po ndodhte në KQZ. Dhe dy muaj më vonë, pasi beteja ligjore u humb, Rama deklaroi në një intervistë për gazetën “Shekulli” se “e mirëkuptonte të gjithë dëshpërimin e njerëzve të revoltuar nga padrejtësia e hapur që u bë në këto zgjedhje, por çdokush duhet ta kuptojë se vjedhjen e zgjedhjeve duhet ta paguajë Saliu duke ikur, jo Shqipëria duke u djegur”. Me fjalë të tjera, Rama i bëri të qartë opinionit publik se është i vendosur që Berishën ta mundë në mënyrë kushtetuese; pra, me votë.

Por sa janë gjasat e një fitoreje të ardhshme elektorale të Ramës ndaj Berishës? Le të analizojmë numrat.

Kur Edi Rama erdhi në krye të PS-së, koalicioni i udhëhequr prej saj kishte regjistruar në zgjedhjet e fundit parlamentare një përkrahje në nivelin 42% të elektoratit pjesëmarrës në zgjedhje. Thënë ndryshe, rreth 570 mijë zgjedhës kishin votuar për partitë e koalicionit të PS-së në 2005-ën. Ndërkohë, rreth 120 mijë të tjerë kishin votuar për LSI-në dhe për disa parti të ekstremit të majtë. Në total, votat e partive që atëherë quheshin të majta, përbënin rreth 51% të votave të vlefshme.

Objektivi i parë që i vuri vetes Rama sapo u zgjodh kryetar i PS-së, ishte që të bashkonte të majtën. Pra, që në zgjedhjet parlamentare të rradhës, koalicioni i PS-së të mos merrte 42% të votave (sa ç’mori në 2005-ën), por të paktën 51% (sa ç’mori e gjithë e majta). Më tej, ai i vuri vetes objektiv që, për koalicionin e majtë, të votonin edhe ish-votues të majtë e të djathtë, të zhgënjyer nga Nano e Berisha.

Në dy vitet e para të mandatit të Ramës si kryetar i PS-së, u duk se objektivi i tij i parë do të realizohej – vetëm Partia Agrare Ambientaliste e Xhuvelit dhe disa parti fare të vogla të ekstremit të majtë nuk ishin pjesë e koalicionit të udhëhequr nga PS-ja. Por me ndryshimin e kodit elektoral sipas recetës së servirur prej Ramës në vitin 2008, LSI-ja dhe një sërë partish të vogla të majta u shkëputën nga koalicioni. Dhe PS-ja u fut në zgjedhjet parlamentare të 2009-ës në krye të një koalicioni që, përveç garës me koalicionin qeveritar prej 17 partish, duhej të përballonte edhe garën e egër brenda llojit - me koalicionin e vogël të majtë të udhëhequr nga Ilir Meta.

Gjithësesi, koalicioni i udhëhequr nga Rama, edhe pse i ndarë nga koalicioni i Metës, arriti në zgjedhje një rezultat shumë më të mirë se koalicioni që kishte udhëhequr Fatos Nano para katër vjetësh. Ai mori rreth 690 mijë vota, ose pothuaj 120 mijë vota më shumë se sa kishte marrë koalicioni i Nanos në 2005-ën. Kjo rritje e votave mund të ndahet përafërsisht në këto tri pjesë: 40 mijë prej rritjes natyrale të popullsisë në periudhën katërvjeçare, 40 mijë prej transferimit të ish-votave të LSI-së (kaq ishte rrudhja e saj në krahasim me 2005-ën), dhe 40 mijë si efekt i sloganit “Përtej së majtës e së djathtës!”.

Megjithë rezultatin e shkëlqyer që arriti krahasimisht me zgjedhjet e 2005-ës, koalicioni i udhëhequr nga PS-ja nuk mori dot më shumë se 66 mandate parlamentare në zgjedhjet e 2009-ës. Por atij iu vodhën disa mandate dhe Kolegji Zgjedhor nuk e zhbëri vjedhjen, mund të bëjë vërejtje shumëkush. E drejtë mund të jetë kjo vërejtje, por le të supozojmë se Kolegji Zgjedhor do të ishte përpjekur ta zhbënte vjedhjen; pra, të supozojmë se do të kishte pranuar kërkesën e PS-së për hapjen e kutive të votimit të qarqeve Berat, Tiranë dhe Shkodër. Në rastin më të mirë, pas hapjes së atyre kutive, koalicioni i PS-së mund të kishte fituar edhe 3 mandate të tjera parlamentare. Jo mjaftueshëm për të arritur numrin magjik të 71 votave në Kuvend!

Vijmë tani te zgjedhjet e 8 majit 2011. Është debatuar shumë se cilat vota duhen analizuar për të matur përkrahjen aktuale politike për secilin kamp. Sipas mazhorancës, vota për këshilltarët shërben si matësja më e mirë e përkrahjes politike në zgjedhjet lokale. Dhe Berisha e kasnecët e tij përmendin pa pushim një avantazh prej 140 mijë votash, që partitë e koalicionit qeveritar realizuan ndaj partive të koalicionit opozitar në votimin për këshilltarët. Por kjo diferencë e trumbetuar me fanfarë nga mazhoranca nuk merr parasysh votat e disa partive të vogla (si PBDNJ etj.), të cilat, për arsye taktike, nuk u bënë pjesë e koalicionit opozitar. Gjithashtu, kjo diferencë mund të ketë brenda edhe faktorë lokalë që kanë të bëjnë me emrat e këshilltarëve dhe jo të partive. Gjithësesi, është domethënës fakti që koalicioni qeveritar mori rreth 52% të votave për këshilltarë në rang vendi.

Sipas opozitës, si matëse e përkrahjes politike në zgjedhjet lokale duhet të përdoret vota për kryetar bashkie/komune. Dhe përfaqësues të saj kanë publikuar llogaritje të bazuara në këtë votë, sipas të cilave, opozita do të kishte siguruar 71 mandate parlamentare, në qoftë se zgjedhjet do të kishin qenë për Kuvendin e Shqipërisë. Por edhe këto llogaritje harrojnë të marrin parasysh faktorët lokalë që kanë të bëjnë me emrat e kandidatëve dhe jo të partive (kujtoni Kavajën, Durrësin, Elbasanin, për shembull, ku garën për kryetar bashkie e fitoi kandidati i PS-së, por garën për këshillin bashkiak e fitoi bindshëm koalicioni qeveritar).

Sidoqoftë, është një qytet i madh në Shqipëri, ku vota për kryetarin e bashkisë dhe ajo për këshilltarët pati një përputhje pothuajse të plotë. Gjithashtu, pjesëmarrja në votim dhe shpërndarja e votës për kryetar bashkie pati një përputhje pothuajse të plotë me votën politike të dy viteve më parë në këtë qytet. Siç mund ta ketë kuptuar tashmë lexuesi, ky qytet është Tirana, e cila përbën rezervuarin më të madh të votave në vend. Për këtë arësye, votimi për Bashkinë e Tiranës mund të analizohet si një proksi e situatës elektorale në përgjithësi.

Në Tiranë votuan për Ramën në 8 maj rreth 125 mijë zgjedhës ose 3,5 mijë më shumë se ç’kishin votuar për koalicionin e udhëhequr prej tij dy vjet më parë. Në qoftë se koalicioni do të kishte mbetur i pandryshuar, ky shtim votash do të mund të shpjegohej thjesht me rritjen natyrale të popullsisë (rritja e numrit të votuesve në listat e Tiranës ishte 3.1%). Por koalicionit të Ramës iu bashkëngjitën edhe disa parti të vogla që nuk kishin qenë me të në 2009-ën (PSV-91, PDK, PLD, etj.), të cilat morën së bashku rreth 3,5 mijë vota. Gjithësesi, duke marrë parasysh dhe numrin më të lartë të votave të pavlefshme në zgjedhjet lokale, krahasuar me ato parlamentare, mund të thuhet se, pak a shumë, Rama e arriti tavanin e votave që kishte marrë në 2009-ën, por nuk u ngjit dot mbi të.

Dhe ky fakt duhet të jetë shqetësues për udhëheqësin e opozitës. Pas dy vjetësh luftë të ashpër politike me një qeveri që ka vrarë protestues paqësorë në bulevardin e kryeqytetit, që është akuzuar për afera flagrante korruptive, që s’është në gjendje të zbutë varfërinë dhe papunësinë në vend, Ramën duhet ta shqetësojë fakti që opozita mbeti përsëri në nivelin e votave të para dy vjetëve. Ky fakt tregon se, në qoftë se gjërat mbeten kështu siç janë, gjasat për ardhjen në pushtet me votë pas dy vjetësh mbeten përsëri të vogla për opozitën shqiptare.

Por a do të ndryshojnë gjërat deri atëherë? Le të presim vjeshtën, për të krijuar një ide më të mirë se si t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje.

Comments

Submitted by Leonardo (not verified) on

Zoti Zaloshnja për të analizuar zgjedhjet si parlamentare dhe lokale është e thjeshtë por si mundë ti analizoshë dhe të nxjerësh një mendimë të saktë kurë komisioni zgjedhorë është i njëanshëm dhe asnjë nuk ndëshkohet për shkeljen eligjit

Submitted by zhozef fushe (not verified) on

Edi Rama edi shume mire qe edhe zgjedhjet e 2013 i humbet por te pakten do luftoje per nje diference te vogel ne humbje dhe do te jete i pranishem edhe ne parlament, do humbi edhe kreun e PS por ka grupin e vet qe e mbeshtet brenda PS keshtu edhe Ilir Meta nuk do arrij dot te marre PS pa nje marrrevshje me Edi Ramen.
Sa per Saliun pas 2013 karrigia e tije do jete edhe me e lekundur pas ndonje lidhje te shkurter midis dy te pareve......

Edi Rama edi mire qe kjo klase politike eshte e zhytyr komplet.....ne llum dhe nuk mund te bej do pastrim ashtu sic pretendon...............
Pra marreveshjet do ti bej po me keta njerez duke futur e edhe Fatosin....

Submitted by Reformer (not verified) on

Zaloshjna je nje drite ne erresire!
Megjithate eshte e tepert te flasesh per humbje te Edi Rames! Statistikisht kemi barazim. Une besoj se betejen tjeter do ta fitoje ai qe do te kete me vete partine e cameve dhe levizjen kuq e zi.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.