Arsimi si skemë piramidale

Postuar në 19 Maj, 2013 13:09
Pëllumb Karameta

A është efektiv sistemi ynë arsimor? Po lodhemi duke debatuar çdo vit për përmbajtjet e programeve të studimit; për mënyrat se si duhet t’i “zbrazin” dijet nxënësit dhe studentët në provime, për shkollat dhe universitetet, për cilësinë, akreditimin e renditjen e universiteteve etj., por kalon thuajse pa komente dështimi themelor: përgatitja e rinisë për të ardhmen e saj të ndërlikuar dhe të paqartë. Sa të rinj e të reja bëhen të pandjeshëm ndaj ideve dhe sa të tjerë humbasin shtysën për të nxënë për shkak të mënyrës si provojnë të nxënë? Sa prej tyre u kufizohet aftësia për të gjykuar dhe kapaciteti për të vepruar me inteligjencë në situata të reja si pasojë e ushtrimeve automatizuese? Sa e përcjellin procesin e nxënies me mërzi dhe bezdi? Sa prej tyre gjejnë se ajo që nxënë është e huaj për situata jetësore jashtë shkollës dhe nuk u jep aftësinë t’i kontrollojnë këto situata më vonë? Pakënaqësisë për kurrikulat dhe metodat e nxënies tradicionale, problem i mprehtë për momentin, po u shtohen mungesa e kompetencave profesionale dhe papunësia masive me të cilën përballen të rinjtë e të rejat.

Sipas njoftimeve të shtypit, në provimin e shtetit, zhvilluar pak ditë më parë, më shumë se gjysma e të diplomuarve për farmaci kanë rezultuar mbetës. Kryetari i Urdhrit të Farmacistit deklaroi se “52.8% e të diplomuarve kanë mbetur dhe 47.2% kanë kaluar. Rezultatet tregojnë se niveli i studenteve që vijnë nga universitetet private është shumë i dobët. Ka aq shumë universitete private, sa me farmacistët që do të mbarojnë këto universitetet do të furnizojmë të gjithë Evropën dhe të gjithë botën”. Ky nivel kalueshmërie ka rezultuar thuajse në të gjithë edicionet e provimeve të shtetit për profesionet e rregulluara, të zhvilluara vitin e shkuar, sikundër është rritur me vërtik numri i studentëve që po i frekuentojnë këto institucione (sipas pohimeve të zyrtarëve tanë, sot ndjekin arsimin e lartë rreth 120 mijë studentë). Ndërkaq, një sondazh i këtyre ditëve (Indeksi vjetor i Biznesit, që mat perceptimin e anëtarëve të dhomës amerikane të tregtisë për klimën e biznesit në Shqipëri, në të cilën morën pjesë 105 kompani nga 215 që janë anëtarë gjithsej) arrin në konkluzionin se “më shumë se gjysma e këtyre bizneseve pohojnë se është e vështirë ose shumë e vështirë për të gjetur staf vendas të kualifikuar”.

Ju mund ta dini, sikundër e di dhe unë, se këto janë qartësisht situata serioze, që e meritojnë një shqyrtim të mënyrës me të cilën shkollat janë ndërtuar për të dështuar dhe si do duhen rikonceptuar ato për të plotësuar nevojat e botës moderne.

Të dhënat më të fundit, që gjendet në web-in e Instat-it, janë ato për vitin 2009 [http://www.instat.gov.al/al/themes/arsimi.aspx?tab=tabs-5]. Statistika tregon se kanë ndjekur arsimin e lartë (publik dhe privat) 106.647 studentë dhe janë diplomuar 13.311 prej tyre. Nisur këndej, por dhe prej mungesës së shifrave të sakta, mund të supozohet se në periudhën shtatë vjeçare 2005-2012, kanë përfunduar arsimin e lartë, publik e privat, rreth 80 mijë të rinj e të reja. Edhe po të guxoj të supozoj se gjysma e tyre janë punësuar në administratën publike dhe bizneset private, sërish, rreth 40 mijë të diplomuar kanë mbetur pa punë. Sakaq, vijon të rritet me shpejtësi numri i tyre. Statistika e mësipërme më nxit të pohoj, gjithashtu, se është zgjatur tej mase vetë koha e qëndrimit të studentëve në universitetet. Madje, në nivele mesatare, ajo është dyfishuar, duke shkuar në afro 8 vite qëndrimi në auditorët e shkollave të larta. E, nëse u shtojmë këtyre konstatimeve dhe rezultatet e certifikimit nga provimet e shtetit, përftojmë një tablo tejet të zymtë të gjendjes.

Dy nga sfidat (krahas të tjerave) me të cilën po ndeshen aktualisht të diplomuarit me shanse të përgjysmuara për të marrë lejet e ushtrimit të profesionit dhe studentët, që kanë dyfishuar kohën e qëndrimit në universitetet, janë stresi dhe kostot e shtuara në buxhetet e familjeve të tyre dhe shoqërisë në tërësi.

Sot pesha e kërkesave mbi të rinjtë është shumë e madhe dhe ata kanë pak mundësi për ta zvogëluar atë. Ata nuk mund të ndryshojnë strukturën e familjes së tyre; nuk mund të ndryshojnë natyrën e kulturës së rinisë; nuk mund të protestojnë kundër konsumit; nuk mund të ndryshojnë legjislacionin arsimor apo të heqin provimet e maturës dhe të shtetit. Kjo peshë po rritet me shpejtësi nga pamundësia për të gjetur punë. Në tërësi, këto i shtyjnë të rinjtë dhe të rejat të përfshihen në veprimtari që e largojnë për momentin vëmendjen nga gjendja ku ndodhen - pije, fantazi shterpë, zvarritje pa fund, konflikte të dhunshme deri plagosje, vrasje dhe fundamentalizëm. Nga të dhënat që publikohen rregullisht në faqet e shtypit ose edicionet e lajmeve në TV, mund të thuhet se shëndeti mendor i të rinjve është bërë çështje kritike: rastet e ankthit dhe të depresionit janë rritur me 70% gjatë njëzet vjetëve të fundit dhe, siç thonë psikologët, “mbi 60% e adoleshentëve, që përballen me një problem të shëndetit mendor, e bartin atë gjatë gjithë jetës”.

Nga ana tjetër, nëse studentët e përfundojnë arsimin e lartë në kufijtë e moshës 25-27 vjeç, kjo, pa dyshim, është kosto e madhe për familjet e tyre. Dhe, kur pjesa më e madhe e tyre nuk arrin të gjejë punë, kjo, jo vetëm i shton kostot, por rrit kontingjentet për “punë të zezë” të pakualifikuar. Këndej, edhe më fatlumët që mund të arrijnë të punësohen, pa asnjë mëdyshje, po i humbasin pa i kuptuar vitet e sigurimit të jetës. Në këto raste, kostove individuale dhe familjare u shtohet dhe kostua që do të përballoje shoqëria për asistencat sociale. Në kushte të tilla, mirëqenia vetjake dhe kohezioni shoqëror, të dy, janë në pikëpyetje, sikundër aftësia konkurruese e kombit. Ndaj, pa gabuar aspak, çdo student, prind e familje kanë arsye të forta të besojnë se cilësia e formimit profesional në universitetet, veçanërisht në ato private, është skandaloze; se ajo që qeveria Berisha vijon ta trumbetojë si vlerë të shtuar të politikës së saj në arsim, nuk qenka asgjë më shumë se një skemë piramidale; se përfituesit e pakët nga kjo politikë janë iniciuesit dhe ata që po menaxhojnë zbatimin e saj dhe humbësit e mëdhenj janë brezi i ri dhe shoqëria shqiptare.

Të gjitha këto qytetarët tanë i konstatojmë dhe i komentojnë çdo ditë. Përse, atëherë, askush në arsim dhe jashtë tij nuk po flet si do mund të përballemi me këto dukuri shkatërruese për individin, për familjet e tyre, për shoqërinë dhe për shtetin në tërësi?

 

Comments

Submitted by Andon Nuriu (not verified) on

<p>Une vete jam student dhe ju them me 100% siguri se ajo qe thote zoti Karameta eshte shume e vertete dhe nuk i heq asnje presje.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.