Më pak taksa, më shumë vende pune? “Është një gjepur”, thotë W. E. Buffett

Postuar në 15 Gusht, 2011 06:18

Një nga njerëzit më të pasur të botës, industrialisti i njohur Warren E. Buffett, kish shkruar një artikull për të përditshmen amerikane New York Times, me titull “Stop Coddling the Super-Rich” (Mjaft me ledhatimet për super pasanikët). Është pak atipike, apo jo? Ka plot të pasur, që derdhin shuma të mëdha parash për qëllime filantropike, apo në promovim e në mbrojtje të kauzave të tjera me interes nacional, publik apo planetar, por një miliarder që thotë “hej, pse s’na taksoni aq sa taksoni të tjerët, madje edhe më shumë se të tjerët”, është një gjë e rrallë.

Pikërisht këtë thotë Buffett në shkrimin e tij: “Presidenti na kërkoi që të bëjmë sakrifica, por mua, tok me miq të mij super të pasur, s’na ka rënë për hise të bëjmë ndonjë sakrificë. Përkundrazi, ndërsa djemtë që u përkasin shtresave të varfëra apo atyre të mesme janë duke luftuar për ne në Afganistan, e ndërsa shumica e amerikanëve mezi ia dalin të nxjerrin muajin me të ardhurat që kanë, ne vazhdojmë të shijojmë taksa të ulta, që na sjellin fitime të mëdha.”

Mund t’ju duket si gjë krejt e pabesueshme, e prandaj mund të hapni shpejt e shpejt versionin online të NYTimes-it për të verifikuar, nëse gjendet shkrimi apo jo, por aty, brenda shkrimit, do të gjeni të dhëna të tjera shumë interesante. “Barra ime fiskale është në nivelin e 17.4% të të ardhurave, ndërsa ata që punojnë me mua e për mua paguajnë një taksë që është mesatarisht 36% e të ardhurave të tyre”, thotë Buffett.

Dhe më poshtë, ai thotë diçka, me anë të së cilës rrëzon atout-në ideologjike të konservatorëve në planin ekonomik. Këta të fundit thonë, se “biznesmenët e fuqishëm duhen taksuar pak, ndryshe ata nuk investojnë; ndërsa kur taksohen pak, ata investojnë e rrisin punësimin”. Ndërsa Warren E. Buffett thotë (në këtë pikë po e lëmë qasjen perifrazuese, dhe po e përkthejmë fjalë për fjalë): “Kam punuar për 60 vite me radhë me investitorë të ndryshëm, mirëpo nuk kam njohur asnjë që, i trembur nga barra fiskale, të heqë dorë prej investimeve. Njerëzit investojnë pará për të bërë pará, dhe këtë e bëjnë pavarësisht nga niveli i taksimit. Dhe atyre që japin argumenta në favor të tezës, se më shumë taksa do të thotë më pak vende pune, unë duhet t’iu them se janë shtuar 40 milionë vende pune në periudhën 1980-2000. E dimë se ç’ka ndodhur më pas: taksat janë ulur, mirëpo janë pakësuar dhe vendet e punës.”

E.G.

Comments

Submitted by Reformer (not verified) on

Kjo eshte e madhe! Ky njeri do te mbahet mend te pakten per sinqeritetin e tij. Sipas meje ai ka thene te verteten! Nese do qe te pasurit te investojne, thjesht hiqi taksat investimit te tyre!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.