Njëanshmëria e kampionëve të sondazheve në vendet jodemokratike

Pas zgjedhjeve shqiptare të 2009-ës, John Zogby shkruajti një artikull në revistën Forbes, në të cilin sillte shembullin e sondazhit që bëri kompania e tij ditën e votimit në Shqipëri, në bazë të të cilit, parashikoi 69 mandate për mazhorancën. Sipas Zogby-t, ky shembull tregonte se sondazhet mund të funksionojnë edhe në vende jodemokratike. I ngacmuar nga ai artikull, të cilin ma solli në vëmendje një diplomat amerikan në Tiranë, botova një kritikë ndaj sondazhit Zogby në anglisht në gazetën Tirana Times (http://www.tiranatimes.com/news.php?id=7324&cat=6 ). Meqë këto ditë ka patur debate për njëanëshmërinë e mundshme të kampionit të sondazhit të Fondacionit Sorors, po sjell për lexuesin shqiptar një përkthim të asaj kritike.
******
Sondazhet e opinionit në vendet ku demokracia nuk është ende e zhvilluar u shërbejnë politikëbërësve të vendeve të zhvilluara për të taruar politikat e tyre në lidhje me këto vende. Sidoqoftë, një gjë që ata duhet të kenë parasysh është se votuesit në vendet me demokraci ende të pazhvilluar mund të kenë frikën e persekutimit nga autoritetet jodemokratike ende në fuqi. Një shembull që ilustron frikën e votuesve në vende me demokraci të pazhvilluar është sondazhi i ditës së votimit (exit poll) që zhvilloi Zogby International në Shqipëri.
Në ditën e zgjedhjeve [28 qershor 2009], fill pas mbarimit të votimit, kjo kompani parashikoi një diferencë të thellë prej 14 deputetësh në favor të koalicionit të udhëhequr nga Kryeministri Berisha, ndërkohë që 11 mandate i klasifikoi si të papërcaktuara (por që anonin dukshëm nga koalicioni Berisha). Dhe kur votat u numëruan, rezultati përfundimtar tregoi se parashikimi i bërë ditën e zgjedhjeve ishte vite statistikore larg realitetit.
Në pamje të parë, ky dështim spektakolar i një kompanie prestigjioze si Zogby në ditën e zgjedhjeve duket paradoksal. Por, në fakt, paradoksal nuk ishte dështimi i Zogby-t; ishte vendi ku u zhvillua ai sondazh. Le ta sqarojmë se pse.
Për të parashikuar sesi do të ndaheshin mandatet parlamentare mes koalicioneve, Zogby shpërndau ditën e votimit në mënyrë të rastësishme intervistuesit e vet në rreth 500 qendra votimi në të gjithë qarqet e Shqipërisë (minimumi në 25 qendra të qarkut të Kukësit dhe maksimumi në 50 qendra votimi të qarkut të Tiranës). Pastaj, intervistuesit përzgjodhën në mënyrë të rastësishme votues në çdo qendër votimi, dhe u kërkuan atyre të plotësonin fletë të ngjashme me ato të votimit – bash ashtu siç kishin votuar në realitet. Plotësimi i këtyre fletëve të sondazhit u bë në mënyrë të fshehtë, njësoj si në votimin real, dhe u hodhën nga vetë të intervistuarit në një kuti të ngjashme me atë të votimit.
Zakonisht, në raste të tilla, jo të gjithë votuesit e përzgjedhur për sondazh marrin pjesë në të. Kështu, në SHBA, rreth 10% e votuesve të përzgjedhur refuzojnë të marrin pjesë në sondazhin e ditës së votimit (exit poll). Ndërsa në sondazhin shqiptar të Zogbit ditën e zgjedhjeve, rreth 20% e votuesve të përzgjedhur, kryesisht në zonat rurale, refuzuan të merrnin pjesë në sondazh (nga 15 mijë votues të përzgjedhur, vetëm 12 mijë pranuan të plotësonin fletat e intervistave). Dhe pyetja kyç këtu është se përse kaq shumë votues shqiptarë refuzuan.
Në SHBA, refuzimi ndaj exit poll-eve ndodh kryesisht sepse disa votues përtojnë të harxhojnë disa minuta për plotësimin e pyetësorit, dhe jo sepse votuesit e opozitës kanë frikë të anketohen. Ndërsa në Shqipëri, siç edhe mospërputhja e rezultateve të sondazhit me rezultatet zyrtare tregoi, refuzimi u bë në shumicë prej votuesve të opozitës. Si rrjedhojë, edhe kampionët për pothuajse çdo qark rezultuan shumë më djathtas se sa elektorati i qarkut përkatës.
Kështu, në kampionin e Zogby-t për qarkun e Tiranës, koalicioni i Kryeministrit Berisha kishte një avantazh prej 14 pikë përqindje ndaj atij të opozitarit Rama, ndërkohë që rezultatet zyrtare treguan një diferencë fare të vogël prej rreth 1 pike. Dhe mospërputhje të tilla spektakolare u regjistruan edhe në qarkun e Korçës, të Elbasanit, etj. Në rang vendi, sipas sondazhit Zogby, rezultonte se koalicioni i Berishës kishte marrë rreth 60% të votave.
Në qoftë se do të kishte patur një mënyrë sesi Zogby të vlerësonte se sa nga refuzuesit e sondazhit ishin përkrahës të opozitës, mund t’i kishte korrektuar kampionët për çdo qark në mënyrë që t’i afronte ata sa më pranë realitetit. Për shembull, në qoftë se refuzuesit do të ishin shpërndarë në raportin 1 me 3 mes pozitës dhe opozitës, rezultati i Zogbit do të kishte treguar një diferencë mes dy koalicioneve kryesore prej vetëm 3 mandatesh dhe jo prej 14 mandatesh, siç u raportua natën e 28 qershorit.
Dhe pyetja është nëse kishte një mënyrë të drejtpërdrejtë sesi Zogby të vlerësonte se sa nga refuzuesit e sondazhit ishin përkrahës të opozitës? Përgjigjia, fatkeqsisht, është jo. Por kishte ama një mënyrë të tërthortë sesi të vlerësohej se sa të njëanshëm djathtas ishin kampionët e përzgjedhur nga Zogby.
Kështu, në qoftë se në fletët e sondazhit do të kishte edhe një pyetje se për cilin koalicion ishte votuar në zgjedhjet paraardhëse, do të bëhej e mundur të vlerësohej se sa djathtas kampionët anonin. Kjo, duke bërë krahasimin e votimit të kampionit në të kaluarën me atë të shpallur nga KQZ për zgjedhjet paraardhëse. Dhe pasi të bëhej ky krahasim, mund të realizohej edhe korrektimi (ripeshimi) përkatës i kampionit.
Por përse Zogby nuk e përfshiu pyetjen e mësipërme magjike në fletët e sondazhit? Sipas shpiegimit të përfaqsuesit të Zogby-t në Top Channel, ata nuk e kishin quajtur të nevojshme t’i ngarkonin fletët e sondazhit me shumë pyetje. Kjo, sepse kishin prezumuar që votuesit shqiptarë janë si ata amerikanë, të cilët problem kanë vetëm kohën, dhe jo frikën nga pjesëmarrja në exit poll...
Comments
Shumë e drejtë. Në vende si
<p>Shumë e drejtë. Në vende si Shqipëria shumica kanë frikë të thonë atë që mendojnë. Por këtë nuk mund ta dijë një person që nuk e njeh realitetin Shqiptar nga afër.</p><p>Prandaj të përkthesh një pyetësor nga Amerika në Shqipëri, nuk është mënyra e duhur për të bërë sondazhe.</p><p>Nga puna me sondazhe për firma private nëpër gjithë cepat e botës, i bashkohem konstatimit të Z. Zaloshnja. P.sh. Në Kinë, Pakistan, Rusi, Indi, Malajzi sondazhet që realizonte firma tregonin se njerëzit ishin shumë të kënaqur, ndërsa në Kanada, Gjermani, Angli, Hollandë njerëzit rezultonin më të pakënaqur pavarësisht kushtet ishin shumë më të mira. Një dukuri që forcon këtë tezë ishte se të pyeturit në vendet e varfëra zhgarravisnin numrat që shërbenin për të numëruar fletët. (Në çdo rast anonimiteti i fletëve ishte i garantuar.)</p>
Add new comment