Nga Gianluigi Buffon te Sokol Cikalleshi e Nevil Dede

Nuk mbeti italian pa u kapur nga ethet e zgjedhjeve të sapombyllura, të cilat, me rezultatin që prodhuan, po i japin dhembje koke të gjithë Europës. Një përfshirje elektorale aktorësh të jetës publike nuk është një gjë e padëgjuar në fqinjin tonë të përtej detit (kjo gjë, ku më shumë e ku më pak, verifikohet edhe në vende të tjera, sidozot në SHBA), por këtë herë përfshirja ishte gati totale. Dhe mes njerëzve të kinemasë, të teatrit, të letërsisë, të gazetarisë, të botës universitare etj., etj., ra në sy dhe Gianluigi Buffon, futbollisti i Juventusit, portieri i njohur në të gjithë botën, ndoshta dhe më i miri në botë. Ai u rreshtua politikisht, dhe mori pjesë në mënyrën e vet (me ndonjë qëndrim të shprehur aty-këtu, kuptohet) në fushatën elektorale. “Unë do të votoj për listën ‘Monti’”, tha ai, dhe pas kësaj, i ndjellë edhe nga interesi mediatik apo trysnia e gazetarëve, nuk ngurroi të thosh diçka më tepër, të shpjegonte pra zgjedhjen e tij, të shpjegonte pse ish tërhequr nga Mario Monti dhe nga “Scelta Civica” e tij. Në një rast mori pjesë edhe në një program të Bruno Vespës (“Porta a Porta”, në RAI), ku ish ftuar për të folur për programin elektoral vetë Mario Monti. Të nesërmen a të pasnesërmen, ish një ndeshje e Juves në Torino, por Buffon ish marrë vesh me drejtuesit e klubit, dhe po merrte pjesë drejtpërdrejtë në atë program televiziv, madje me një pasion civik të admirueshëm, duke dëshmuar dhe një formim e interes gjenuin për politikën.
Në dijeninë time, Buffon-i ishte i vetmi që u përfshi në mënyrë të dukshme në këtë fushatë elektorale. Janë të shumtë futbollistët italianë që s’e kanë për gjë të demonstrojnë se votojnë për njërën apo tjetrën palë, dhe se kanë këtë apo atë identitet politiko-ideologjik, por këtë herë veç portieri i kombëtares italiane kish çalltisur me bujë. Të merremi vesh, “me bujë” nuk don të thotë “pa klas”. Përkundrazi.
Dhe këtu është vendi për t’iu kthyer së njëjtës dukuri në Shqipëri, e ilustrimi është fare i freskët. Të dielën u luajt në Kavajë ndeshja mes dy skuadrave të Kategorisë sonë Superiore, Kavajës dhe Tiranës. Janë të shumë njerëzit që kanë marrë vesh, se pas ndeshjes, kryebashkiaku Elvis Rroshi, u fut në ambientet e brendshme të stadiumit të qytetit të vet, dhe aty, në korridor, i shoqëruar nga një grup tifozësh, kanë qëlluar me pëllëmbë trajnerin e Tiranës, Nevil Dede. Kanë marrë vesh, gjithashtu, se Elvis Rroshi është ndaluar më pas nga policia e Republikës, derisa u lirua në një seancë gjyqësore, në të cilën gjyqtarët e shpallën të paligjshëm ndalimin e tij, duke injoruar prokurorët që kërkon masën për detyrim paraqitjeje.
Le ta lëmë kryebashkiakun e Kavajës, që me sa duket nuk di të mos jetë protagonist në ngjarje që nuk i përkasin, e le të kapemi pas “kolegëve” shqiptarë të Buffon-it që, ashtu si ky i fundit, kanë pasione politike e që, në ndryshim nga ky i fundit, i kanë të egra e i demonstrojnë pa pikë klasi këto pasione. Ja si filloi kjo histori:
“Sokol Cikalleshi, lojtar i Kavajës, kish programuar qysh përpara ndeshjes një mënyrë krejt të pazakontë për të festuar një gol të mundshëm në portën e Tiranës. Fati e desh që ai ta shënonte këtë gol, dhe menjëherë më pas, pasi u shpëtoi përqafimeve të shokëve të skuadrës, ngriti fanellën zyrtare, atë me numër dhe me emrin e tij, dhe zbuloi çfarë kish shkruar në kanotieren poshtë fanellës. “Parid Cara goool…”, mund të lexohej në të. Parid Cara? Ku e kemi dëgjuar këtë emër? Ah po, është emri i kandidatit të saposhpallur për deputet në Kavajë nga ana e Partisë Socialiste. Cikalleshi pra ka dashur me këtë gjest t’u bëjë me dije të gjithëve rreshtimin e tij elektoral. E vërteta është se ai mund të shfaqej kur të donte, e si të donte, si një militant politik, por ai ka zgjedhur mënyrën më provokative e më pak të rafinuar për t’u thënë të tjerëve se “vota e tij është për Parid Carën”, dhe se “i ftonte të tjerët të votonin për kandidatin e parapëlqyer prej tij”. Gjesti i tij është fyes për tifozët e futbollit, të cilët nuk është e thënë të jenë tifozë të politikës, apo tifozë të së njëjtës parti e kandidat. Për më tepër, gjesti i tij lëndon rëndë deontologjinë e profesionit të sportistëve, të cilët kanë ditur gjithmonë, qysh në krye të herës e në të gjithë botën, të mos nakatosin sentimentet sportive me sentimentet politike, e të mos ngatërrojnë shkallët e mbushura të stadiumit me një tubim elektoral.
U mbyll këtu kjo histori? Jo, trajneri i Tiranës, Nevil Dede, me të parë çfarë ish shkruar në kanotieren e Cikalleshit, pickohet si të ish një militant rruge. Aty për aty harron se për çfarë ish në atë fushë, kthehet me fytyrë nga tifozët e Kavajës, dhe i nderon me grusht. Me grusht? Po, me grusht, për të përqeshur “komunistët” e Kavajës.
Të befason kjo gatishmëri e ky zell për ta futur politikën dhe në ca qoshe të jetës, ku nuk ka asnjë arsye të futet. Të befason dhe një lidhje e fortë simbiotike që këta të dy, ndoshta dhe të tjerë, kanë vendosur me partitë shqiptare, dhe merret vesh se në këtë mes nuk ka asnjë pasion gjenuin politik, të ngjashëm me pasionin e Gianlugit Buffon-it, që përmenda në krye të shkrimit. Jo, është një lidhje simbiotike që i çon në sjellje talebane, që i bën të mos stepen përpara asnjë skrupulli, i bën që të mos e kenë për gjë të shfaqen më shumë si militantë njëzetqindarkësh sesa si futbollistë e trajnerë. Madje, në rastin e Dedes të bën përshtypje dhe diçka. Emri i Parid Carës ka veç pak ditë që është dëgjuar për herë të parë. Edhe neve gazetarëve, që jemi ndjekës të vëmendshëm të jetës politike shqiptare, po të na fanepsej përpara një frazë si ajo që i është fanepsur Dedes, d.m.th “Parid Cara goool…”, do na duhej një copë herë për t’u ftilluar e për të marrë vesh se bëhej fjalë për kandidatin e Partisë Socialiste. Madje, mua personalisht as që do më shkonte mendja se Parid Cara është kandidati për deputet. Ende nuk do isha familjar me emrin e tij (tani, pas kësaj ngjarjeje, emrin e Parid Carës nuk e harroj më). Ndërsa Nevil Dede qenka kaq i përditësuar dhe i helmuar me ngjarjet politike, sa edhe në ato momente tensioni e antagonizmi sportiv (skuadra e tij sapo kish pësuar gol), emri i Parid Carës i ka mbërritur drejt e në sensorët e trurit, ku nga një stimul kimik a fizik është shndërruar në një formë të kodifikuar, e pastaj është riidentifikuar, ka gjetur veten pra, në një nga format e magazinuara më parë në të njëjtin tru. Gjithçka ka ndodhur në një fraksion të sekondës, derisa ka ardhur çasti që t’i thotë vetes: Ah, lëre, lëre, Parid Cara është ai komunisti që do kandidojë kundër PD-së. Në këtë rrethanë është kthyer nga tifozët e ka bërë me grusht. Dhe afërmendsh, gjesti që ka bërë e ka kënaqur më shumë sesa fitorja e titullit kampion në Kategorinë Superiore.
Federata i ka ndëshkuar që të dy, Cikalleshin e Deden, duke i pezulluar respektivisht një/dy ndeshje. Por ndëshkimi do duhej të ish më i madh. E di, futbolli shqiptar ka probleme ku e ku më të rënda se sa ky, por nuk di pse mendoj se në themel të të gjitha problemeve është kjo nakatosje e tij me politikën, që këtë herë mori një përthyerje më shumë vulgare sesa të dhunshme (ja një ngjarje tjetër krejt vulgare: para ca kohësh, skuadra e Skënderbeut të Korçës mori pjesë e tëra në fushatë elektorale; “e tëra” në kuptimin germë për germë të fjalës; pozuan për një poster elektoral, ku u bënin thirrje zgjedhësve të votonin për PD-në), e që herë të tjera merr forma më shumë të dhunshme sesa vulgare.
Kanë lidhjet sportistët tanë me modelin e Gianluigi Buffon-it? Asnjë lidhje.
SHQIP
Comments
Nuk e shoh shume te nevojshme

Nuk e shoh shume te nevojshme shembullin me Buffon. Nqs deklarata e Buffon mori jehone ne Itali eshte per arsyet e botes mediatike te shkerdhyer qe edhe ju gazetaret keni kontribuar per te ngritur. Kush eshte Buffon? Ndonje intelektual qe po kontribuon ne shoqeri ne tema ekonomike-juridike-sociale apo ku di une ne c'fushe te avancimit social? Jo, eshte portieri i Juventus dhe i shoqi i nje modeleje gjoks-perjashta gjysmen e vitit! Eshte i lire te shprehi mendimin e tij, por ka edhe ca nga ne qe do te preferonim te ishim te lire te mos na i jepnin keto lajme idiote. Sidomos kur mendon qe Buffon nuk ka piken e haberit mbi cfare programesh kishte lista Monti. Maksimumi qe te vjen ndermend eshte lidhje e tij me Montezemolo dhe kjo te ben per te vjelle. Jo ty?

Kthehemi tek kavajesi dhe Parid Cara. Po te kishte qene Parid Cara nje profesor universiteti me background studime ekonomike per tregun bankar dhe qe kishte bere muajt e fundit disa intervista kunder politikave bankare te ciftit Fullani a do te kishte pasur kavajes futbollist qe do te kishte vene ne bluzen e tij emrin e Paridit? JO! Por duke qene Paridi nje i pasur i zones, mik me LIDERIN E MADH EDI RAMA, normal qe duhet te angazhohemi plotesisht prane tij. Edhe ne bluze do t'ia shkruajme emrin. Pse jo? A nuk behet keshtu me ata te LSI-se? Apo me ata te PD-se?

Ketu nuk eshte faji i nje futbollisti, ketu eshte faji i nje shoqerie me mazhorance absolute injorantesh. Duke filluar qe nga gazetaret qe mes tyre kane pa fund te tille.

A nuk ju duken ata gazetare qe mbrrojne politikanin e rradhes me force te papare dhe te cilet nuk pranojne asnje kritike kundrejt idhullit te tyre njesoj me Cikalleshin? Apo me Deden?

Koment I shkelqyer. Bravo
Koment I shkelqyer. Bravo anonim
Shume e drejte. Shoqeria jone

Shume e drejte. Shoqeria jone 23 vjet po shkon keq e me keq. Emrat qe prezantohen nuk shquhen por formim politik apo ekspertize te larte por thjesht shquhen per lidhje me lacat dhe te fortet e lagjeve dhe modeli i tyre tipik jane ca persona me supermakina dhe pasuri qe po e zbresin nivelin aty ku smban me. Po kandidohen ne bashki dhe parlament figura tipike te pranueshme per mentalitet komunash. Politika shqiptare po fshatarizohet! Akoma skam pare listen e PD (po pres te shoh maloket e radhes) por kjo e PS ne Kavaje si e kryetarin e Bashkise si me kete te Parlamentit tregon regres...

Kete here Muc Nano nuk ka

Kete here Muc Nano nuk ka qullosur gje, ndoshta pasi futet ne nje terren qe nuk e njeh mire. Menyrat e festimit pas shenimit te golit jane nje histori me vete, por ne kontekstin e ketij artikulli ia vlen te permendet se ish-futbollisti i Lazio-s Paolo di Canio ka bere dy here gjestin e nderimit fashist.

... dhe pas kesaj kryetari i

... dhe pas kesaj kryetari i bashkise i atij qyteti me siguri eshte futur ne dhomat e zhveshjes per te "vene nderin ne vend" apo jo?

Po, Walter Veltroni u nxeh

Po, Walter Veltroni u nxeh keq, pasi sic dihet eshte i majte i thekur. Me pas e moren forcat speciale italiane dhe e mbajten ne arrest disa dite. Disa protestues u lenduan nga policia, njeri prej tyre vdiq pak dite me vone.

futbollistet si Buffon ne

futbollistet si Buffon ne Itali jane ne nivel popullariteti si Brad Pitt ne Amerike.Natyrisht jane nje reklame e mire,me ose pa para.z.Muçi e ka kapur mire domethenien.Futbollistet ne fushe duhet te bejne futbollistin e pastaj ne nje program televiziv me tematike tjeter jane qytetare si gjithe te tjeret e mund te japin kontributin e tyre.Kjo e Kavajes eshte bagarre vulgare,sikur shiten fiq te lashte akoma me standartin e okes(oke e koke) apo me reklamen e shallvareve.

Dhe mos harroni dhe Canen qe

Dhe mos harroni dhe Canen qe merr mikrofonin mbas ndeshjes dhe behet vegel e AK a ku di ca force politike qe luftonte rrezikun e jashtezakonshem, monumental te nje procesi rutine qe quhet "Census".

Add new comment