Schmitt-i dhe dekadenca e frikshme e studimeve historike jashtë Shqipnisë
Ka kalue do kohë qysh se J. O. Schmitt botoi në gjuhën shqipe librin e tij të dobtë për Skënderbeun, ku teza kryesore mbështetej në nji dokument (ivetmi i zbuluem prej autorit) që paraqet nji bisedë që nji i dërguem i familjes Sforza ndigjon rastësisht mes dy personash në oborrin e Papës, e që kumton se Skënderbeu ka ba gjithë atë luftë thjesht për hakmarrje personale ndaj Sulltanit. A mundet nji dokument i vetëm, periferik dhe i izoluem, me ndërtue nji interpretim të tanë historik tue hedhë poshtë me nji të rame lapsit nji traditë të tanë historike? Simbas Schmitt-it po, e këtu nisë çekuilibri i tij si interpretues i fakteve.
Por ma së parit përfytyroni nëse nji studiues anglez, rus apo japonez mund të shkruente historinë e Gjermanisë pa e njohtë siç duhet gjuhën gjermane? E pra Schmitt-i mëton me shkrue historinë tonë pa e njohtë gjuhën shqipe, as aq sa mjafton me kuptue nji libër historie. Të tillë historianë që injorojnë gjuhën e vendit për të cilin shkruejn kemi disa këto kohët e fundit. Nji sish asht edhe Nathalie Clayer, me sa kemi lexue nji inxhiniere gjeologe e specializueme në orientalistikë që tek ne ka gjetë do sponsorë që janë mësue me shitë dushk për gogla. Madje tezat e saja absurde rreth lindjes së nji kombi shqiptar mysliman, deri diku mvaren dhe përputhen me kandvështrimin e studiuesit serb Alexandre Popovic, i cili asht njikohsisht edhe burri i saj.
Mbas kritikave që i erdhën për “Skëndërbeun” Schmitt-i tha se nuk do të merrej ma me historinë tonë, madje nuk mori pjesë në nji kuvend studimesh në Lecce ku ishte i ftuem dhe lëshoi deklarata se ndihej i kërcenuem prej shqiptarëve. Tashti e ka kuptue se shqiptarët janë shumë tolerantë jo vetëm ndaj regjimeve vrastare dhe hajdute, por edhe ndaj marrinave, prandaj ka nisë me na engledisë me analizat e tija naive e të cekta.
Në nji intervistë të dhanun ditët e fundit, Schmitt-i ankohet për sulmin kundër A. Klosit, por tue mos njohtë gjuhën shqipe nuk asht në gjendje me kuptue se ai “sulm”, të paktën nga ana e të nënshkruemit, s’ishte tjetër veçse nji kritikë radikale ndaj nji përkthimi tejet të dobtë, që e turpnon gjuhën shqipe dhe tregon qëndrimin tendencioz të përkthyesit. Vetëm kaq, këtu mbaron kritika ndaj Klosit, pjesa tjetër nuk na intereson aspak.
Qëllimi i intervistës së fundit të Schmitt-it asht mohimi i tezës së vijimsisë iliro-arbnore apo “iliro-shqiptare” siç thotë ai vetë, tue kalue fluturim do shekuj të mirë Mesjetet kur ne ishin të lakuem si arbnorë. Prej këtu nis tendencioziteti, pse tue u mundue me minimizue randësinë dhe vetë ekzistencën e arbnorëve, takimi ynë hipotetik me ilirët bahet gjithnji e ma i vështirë me u provue.
Ka tashma disa shekuj që studiuesit janë nda në dy grupime: ata që mbështesin vijimsinë me ilirët dhe ata që e kundërshtojnë atë. Deri këtu Schmitt-i nuk na thotë asgja të re, madje i ka dalë gjumi me vonesë.
Nuk merret vesht mirë nëse asht i vetëdijshëm deri në fund për ekzistencën e këtyne dy rrymave, fillimisht e kryekreje të përbame prej studiuesish të huej e jo prej rilindasisht shqiptarë, siç shprehet në tym ai.
Tue mos pasë kompetenca në fushën e studimeve të historisë së gjuhës sonë e të arkeologjisë antike, sidomos të zbulimeve të bame në gjysmën e parë të shek. XX në Bosnje-Hercegovine dhe në gjysmën e dytë në Shqipní, Schmitt-i injoron ose s’i merr sa duhet parasysh autorët (për çudi jo rilindas) si G. W. von Leibniz, H. E. Thunmann, J. G. von Hahn, C. Malte-Brun, G. Meyer, H. Krahe, N. Jokl, G. Stadtmüller , C. Patsch, A. Stipčević , G. Svane, H. Ölberg, E. Hamp, G.B. Pellegrini etj.
Nga ana tjetër asht e tepërt me shpresue që Schmitt-i t’i ketë konsultue studimet, rreth qytetnimit ilir, e F. Prendit, S. Anamalit, A.F. Harding, K. Kilion, N.G.L. Hammond, H. Cekës, K. Zhegut, M. Korkutit, A. Gjergjit etj. – puna kërkimore në terren dhe ajo studimore e të cilëve nuk mund të klasifikohettout court si nji përmbledhje përrallash me mbret!
Studiuesi zviceran shprehet se “historiografia komuniste nuk kishte kundërshtarë”, tue tregue padijen e tij përpara kontributeve historiografike të Stravro Skëndit, Zef Valentinit, Tajar Zavalanit, Paulin Margjokës, Ekrem Vlorës, Atanaz Gegës e disa tjerëve, vështrimet e të cilëve nuk përputheshin me ato të historiografisë zyrtare të Tiranës.
Schmitt-i flet për “proto-shqiptarë”, term me të cilin përcakton “folësit e formës së lashtë shqiptare – që jetonin atëherë në Antikitet në një zonë…”. Ma tutje ai shprehet se protoshqiptarët bashkë-ekzistuen me sllavët.
Pra, simbas tij kemi proto-shqiptarë në antikitet, i cili siç dihet mbaron me ramjen e perandorisë romake në vitin 476, dhe prapë po këta na dalin proto-shqiptarë edhe me ardhjen e sllavëve disa shekuj ma vonë?
Kur flasim për “folësit e formës së lashtë shqiptare” ne kemi parasysh se dokumenti i parë i shkruem i gjuhës shqipe i përket vitit 1462, sigurisht që shqipja asht folë edhe përpara por kjo vetëdije nuk na lejon me formulue pohime shkencore rigoroze. Nji historian kur flet duhet të bazohet në dokumente jo në fantazinë e tij pjellore. E pra viti 1462 nuk asht antikitet, e pikësëpari nuk mund të flitet për proto-shqiptarë në antikitet pse dy konceptet janë kontradiktore. Termi naltkumbues “proto-shqiptar” nuk domethanë tjetër veçse “shqiptarët e parë”, e në qoftë se Schmitt-i e ka idenë se çka ishin ilirët, çka ishin arbnorët e çka janë shqiptarët, nuk do t’ia lejonte vetes me folë për proto-shqiptarë në antikitet!
Që teoria e vijimsisë iliro-arbnore-shqiptare nuk asht thjesht nji hipotezë pa baza e tregon edhe fakti se teoria kundërshtare nuk ka mbërrijtë me u imponue si e vërtetë e padiskutueshme tue e zhdukë të parën, jo ndër mjediset e studiuesve shqiptarë, por atyne të huej.
Schmitt-i shprehet se në studimin e tij ka shmangë përdorimin e lokucionit “koha e komunizmit” në favor të atij “periudha e mbasluftës”, gjoja për me qenë i paanshëm. Asht me të vërtetë nji vorfnim ideor me ngatërrue qëllimshëm periudhën e komunizmit, si ideologji e fortë, e vetme dhe mbizotnuese me nji kohë të pangjyrë që paska pasue në Shqipní Luftën e Dytë botnore! Koha e komunizmit në Shqipní ka qenë nji kohë anormale në çdo pikëpamje. Gjatë atyne dekadave gjithçka ka gjallue në kushtet e shtypjes dhe terrorit. Simbas logjikës pseudo-historike schmittiane periudha 1933-1939 në Gjermani mund të përçansohet thjesht si periudha para Luftës së Dytë botnore pa asnji referencë për barbarinë naziste që gjunjëzoi nji popull dhe përgatiti kasaphanen botnore!
Schmitt-i na del përposë se historian i shekujve XV-XVI, siç e dinim deri tashti, edhe ilirolog, turkolog, glotolog, politolog, opinionist… me nji fjalë i gjithëdijshëm.
Katedrat që merren me studime shqiptare nëpër botë janë reduktue shumë, megjithatë ka prej atyne, si ajo e Munihut dhe Palermos, që punojnë me vetmohim dhe me akribí shkencore; përkundër ka të tjera që tashma mund të themi se kanë pushue së ekzistuemi si qendra kërkimore shkencore, e tillë asht edhe katedra e themelueme prej E. Koliqit në Romë.
Dekadenca në lamijen e studimeve shqiptare në botën e huej asht e pandalshme. Prej N. Jokl-it, N. Jorga-ës, G. Stadtmüller-it, Z. Valentinit, F. Babinger-it kemi përfundue te Schmitt-i me shokë!
Që nji sharlatan i tillë të shkruejë prej nadjes deri në darkë historina të tutkallta e bihude për do mendje kakareçe, nuk na ban aspak përshtypje, por kur nji individ kësisoji hypë në nji katedër studimesh shqiptare dhe e rren mendja se po na difton kush kemi qenë e kush jemi, pa njohtë jo vetëm gjuhën, të kaluemen tonë dhe çka asht shkrue për të prej do dijetarëve të vlertë, të huej e shqiptarë, por pa njohtë as abc-në e metodologjisë së shkencës historike, kjo gja tregon dekadencën e frikshme të albanologjisë së sotme.
MAPO
Comments
Te dyja rrymat, si ajo qe
<p>Te dyja rrymat, si ajo qe perkrah idene e nje vazhdimesie iliro-shqiptare, edhe ajo qe i del kunder, pergjithesisht flasin pa fakte konkrete dhe eshte e tepert te pretendohet prej ndonjeres prej tyre qe te "provojne ne menyre te pakundershtueshme" tezat e tyre. Thjesht nuk ka prova as per njeren as per tjetren. Por duhet te pranojme se barra e dhenies se provave duhet te jete mbi shpinen e atyre qe pranojne vazhdimesine iliro-shqiptare.</p><p>Nuk ka dyshime se per shume gjera Schmitt flet pa baza. Dihet se gjuha shqipe flitej ne te dyja anet e Shkumbinit (qe eshte pjesa e linjes se Jirecek-ut ne territoret shqiptare) ne momentin e ardhjes se sllaveve dhe se qe ne momentin e ardhjes se sllaveve (mbase jo ne valen e pare por te pakten nga shekulli 9-te) kishte dallime midis gegerishtes dhe toskerishtes.</p><p>Por merita e Schmitt nuk eshte se cfare perfaqeson ai si njeri, por se cfare pyetjesh ngre. Nuk ka dyshim qe dogma jone nacionale eshte e ekzagjeruar. Nuk ka dyshim se disa gjera qe ne i marrim si themelin e identitetit tone kombetare, jane genjeshtra. Luftrat dhe kryengritjet proverbiale shqiptare kunder Perandorise Osmane? (ne ishim kombi i pare qe u konvertuam ne myslymane dhe i fundit qe morrem apo na dhane pavaresine). Bijet njekohesisht edhe te ilireve edhe te pellazgeve? (kjo eshte e pamundur se e vetmja gje qe dime me siguri eshte se keto dy entitete nuk kane te bejne me njeri tjetrin). Dhe plot gjera te tjera.</p><p>Schmitt ka nje karriere te rregullt akademike dhe ate karriere ne nje universitet shume me serioz se ai i Tiranes nuk e ka ngritur thjesht mbi studime albanologjike. Dmth ai nuk eshte kurrkushi sic thote autori i shkrimit - por edhe shume i rendesishem dhe kushedi sa i zoti nuk duket se eshte. Ama pyetjet qe ngre dhe me te cilat ne shqiptaret nuk ndihemi shume rehat jane shume legjitime dhe qe duhet te stimulojne studiuesit e historise dhe albanologjise qe te gjejne pergjigje dhe jo te merren me sulmin ndaj nje personi qe eshte i parendesishem...</p>
Nuk e njoh vepren e
<p>Nuk e njoh vepren e Schmitt-it sepse per ceshtje kohe nuk e kam lexuar. Ndaj dhe s'kam se c'te shoh. Per sa i perket autorit te shkrimit te mesiperm, do te ishte mire qe autori te na sillte prova/teza shkencore kunder vepres se studjuesit austriak nese do te vertetoje tezen e tij. Me gjykime apo vleresime vetjake, nuk shkruhet me historia. </p>
Shkrimi mbi veprat e
<p>Shkrimi mbi veprat e Schmitt eshte interesant per nga banaliteti me te cilin shfaqet si gjithenje nacionalizmi pseudopatriotik.Shkruesi i ekzaltuar si i gjithdijshem i kundervihet studiuesit Shmitt per gjithçka qe ia njeh vetes por nuk don t'ia njohe tjetrit si "model i gjithvetedijshem: ilirolog, turkolog, politolog , opinionist".Blasfemimi ben qe dialektologu te shpertheje okultizmin e klerikologut dhe te perdore te gjitha armet e gjahut per te vrare pa meshire grabitqaret e patriotizmit deklarativ.Shkruesi i gjithedijshem e quan librin per Skenderbeun te dobet per arsyen e forte se eshte perdorur nje bisede ne oborrin e Papes qe urrejtja kunder Sulltanit i vinte prej roberimit te familjes dhe zoterimeve qe ajo trashegonte. Dashuria konkrete per familjen dhe vatren nuk mundet te abstragohet ne nje naivitet qe don t'i vere vetullat per t'i i nxjerre syte patriotizmit dhe te vertetat shpirterore e materiale ngjizin e nuk hedhin poshte asnje tradite historike. Per esene mbi Shqiperine, po ashtu mallkohet Schmitt se nuk ka thene vetem gjerat qe ne kemi ne koke, duke e lene dilematike vazhdimesine ilro-shqiptare.Interesante mosdija e dijes.Ne menyren me te permbledhur studimet tona mbi kete çeshtje kane konkluduar se pamjaftueshmeria e provave per vazhdimesine iliro- shqiptare nuk i ben te mjaftueshme provat per kundershtimin e saj.Por nje e keqe tjeter sipas shkruesit vjen paraparakisht nga fakti se ata qe shprehen per ne dhe punet tona duhet te dine shqip.Duket sikur Straboni,Ptolemeu,Tuqididi,Polibi,Tit Livi,Plutarku e te tjere, te cileve u referohemi, e kane ditur gjuhen e te pareve tane, qe nuk munden ta shkruanin dhe gatuhemi me fjalet e tyre.Perfundimi se ky Schmitt eshte nje sharlatan dhe albanologjia qe e themeluan dhe e zhvilluan te huajte eshte ne dekadence i kalon kufijte e çdo arsyeje dhe miresjelljeje.Ruajna zot nga te diturit e paditur!</p>
Add new comment