Shkolla dhe kombi

Postuar në 29 Janar, 2013 03:19
Xavier Darcos

I ndërgjegjshëm se ç’barrë mora mbi supe kur e pranova nderin që më blatuat për të folur para kësaj Akademie, publikisht e për herë të parë në cilësinë e sekretarit të përhershëm, ndjehem i lumtur të trajtoj një temë që e kam aq shumë për zemër dhe që i kam kushtuar pjesën më të madhe të karrierës sime – Shkollën e Republikës. Por, paraprakisht, e ndjej të nevojshme t’ju përmend këtu emrat e dy prej gojëtarëve më të mëdhenj që ka njohur historia. Sapo filloi Lufta e Parë Botërore, një botues i mençur i kërkoi Zhorzh Klemansoit (Georges Clemenceau), gojëtar i patëmetë, të shkruante jetëshkrimin e Demostenit, shembullit të gojëtarisë në Greqinë e vjetër. Ky athinas e pati vënë fjalën në shërbim të qytetit, duke bërë thirrje për t’i qëndruar pushtuesit maqedonas. Është e lehtë të bëjmë lidhjen me Luftën I Botërore. Demosteni dështoi, sigurisht, por ai mbeti një pikë referimi. Në njëfarë mënyre, Klemansoi është Demosteni fitimtar. Ia vlen vërtet që t’i rikthemi këtij libri. Demostenit nuk i pati shkuar jeta vaj: që i vogël ai vuante nga një cen i të folurit. Prej asaj kohe, ortofonia – le ta quajmë kështu – ka bërë shumë për zgjidhjen e problemeve të belbëzimit, kurse Demostenit iu desh të stërvitej duke folur me guralecë në gojë dhe ia doli mbanë. Mbasandaj, pasi u bë një mjeshtër i pashoq i verbit politik, ia kushtoi talentin e vet mobilizimit të athinasve përballë kërcënimit që u vinte prej mbretit Filip II. Nga dështimi i këtij gjeniu të madh të retorikës, që shkak të vetëm pati përçarjen e grekëve, Klemansoi nxirrte një mësim të madh, të vlefshëm për të gjitha kohërat. Ai shkruante:

 

”E vërteta është se këta njerëz, që i kishin të gjitha arsyet për të shtrënguar rradhët, në vend që të bashkoheshin dhe t’i shfrytëzonin dijet e tyre në funksion të qëllimit të përbashkët, vunë mbi gjithçka kënaqësinë e vetëmasakrimit. Me një fjalë, këtyre helenëve, aq të ngritur nga ana intelektuale, u mungonte ndjenja e atdheut të madh.”

 

Pra, Greqia kishte demokracinë, kishte edhe inteligjencën. E megjithatë, ishte paravendosur që të mundej. Sepse kishte lënë pasdore selitjen e lidhjeve që ngjizin një komb.

 

Dikush mund të më thotë që krahasimi nuk përbën argument, sepse Franca e sotme nuk është Franca e Klemansoit, aq më pak Athina e Demostenit. Dhe me të drejtë. Por mësimi mbetet, i fortë, i fuqishëm, shqetësues: nuk mjafton të kesh demokracinë. Nëse lidhjet morale dhe politike janë të pamjaftueshme, shoqëria është e dënuar të shndërrohet në një gërmadhë individësh të çorientuar.

 

Francezi është francez me hirin e vet, ngaqë dëshiron ose ka zgjedhur të jetë i tillë. Këtë veçori Rënani (Renan) e pati vënë në qendër të fjalës së tij të famshme “Ç’është një komb?”, mbajtur në Sorbonë më 1882. Sipas tij, Franca mbështetet në një koncept përzgjedhës për kombin, ajo nuk bazohet në konceptin etnik. Ai është më shumë projekt sesa origjinë, një vatër ku shkrihen mes veti dallimet dhe bindjet vetjake. Ky shqetësim për t’u bashkuar në një hapësirë republikane, në një bashkësi civike, e çoi modelin tonë politik drejt përshtatjes së një parimi të thjeshtë: të bëhesh francez do të thotë të bëhesh qytetar francez. Pra, duhet të nxiten, të mëkohen, të përcillen tharmet e bashkimit: kjo është sfida e një Kombi. Dhe përballimi i kësaj sfide i takon Shkollës.

 

*          *          *

 

Shkolla dhe Kombi. I dyti s’mund të jetojë dot pa të parën, sepse e para është vendi ku mësohet uniteti i të dytit: ajo çfarë kemi të përbashkët, ajo çka duam ta bëjmë të përbashkët.

 

Shkolla dhe Kombi ushqejnë një lidhje pasionale. Gjithmonë na duket sikur në Francë ka 65 milion specialistë të shkollës, një numër gjithmonë në rritje falë qëndrueshmërisë së shtimit të popullatës. Natyrisht, sepse është fjala për shkollimin e fëmijëve tanë, për ankthin e së ardhmes, teksa ndarja e punës sa vjen e vështirësohet. Megjithatë, vendi ynë vuan nga vështirësia e debatit për shkollën, duke rrezikuar kthimin në idetë e pranuara apo shndërrimin e këtij debati në karikaturë. Librat e panumërt për shkollën, gati të gjithë kritikues, rëndom i bishtnojnë zgjidhjeve. Mbizotëron pasioni mbi arsyen, teksa na duhet pikërisht kjo e fundit. Kam lexuar tekste dhe kam parë blogje pa mbarim ku përhapin teorinë e komplotit dhe gati i falen një zgjidhjeje magjike; diku gjetiu, zëra dashkeqë të shurdhojnë me idetë për zvetënimin e shkollës. Cilët janë dhe pse e dëshirojnë dështimin e brezave të ardhshëm? Nuk e dimë. Dimë vetëm që atyre u duhet qëndruar, u duhen dhënë munxët dhe kështu do ta shpëtojmë Republikën… Gjithë këto namatisje dhe mallkime lënë shumë pak vend për mendimet e arsyeshme. Por ky debat pasional ka të paktën një të mirë: tregon që ne të gjithë Shkollën e kemi veçan. Nuk ka më keq se moskokëҫarja. Gjithsesi, mbase debati është shenjë e unitetit, çuditërisht, edhe kur ul kryet para tiranisë së sharjeve dhe semplizmave.

 

Shkolla dhe Kombi mbajnë gjallë një lidhje pasionale ngaqë e para është pasqyrë e të dytit: Shkolla na kthen mbrapsht përfytyrimin e shoqërisë sonë dhe, sidomos, të plagëve të saj. Tronditjet e jetës shoqërore lënë gjurmët e tyre mbi Shkollën: diskriminim, integrim, dhunë, krizë e autoritetit. Madje, edhe jeta ndërkombëtare trazon institucionet tona, sidomos ngjarjet e Lindjes së Afërt që i tronditin njerëzit.

 

Nuk shtrohet çështja që të idealizojmë të kaluarën, atë të kaluar të historisë sonë kur Shkolla dhe Kombi mbajtën lidhje të paqta, të ndërshkrira. Për këtë temë, kurrë nuk kemi rënë në një mendje. Por duhet ta pranojmë; sot kjo lidhje po venitet. Gjithkush nga ne i di shkaqet.

 

Nga njëra anë nacionalizmi i vjetër, që në Francë ashtu si gjetiu, po rrëshqet drejt një lëvizjeje vetëmbrojtëse të qytetarëve, të trembur nga ndërvartësia botërore e gjërave. Nga ana tjetër, identitetet komunitare po zhvillohen pa u shqetësuar për të ruajtur pajtueshmërinë me vlerat e përbashkëta të Republikës. Madje, edhe universalizmi i shkaktuar nga përbotësimi i teknikave dhe komunikimit nuk është pa rreziqe (Shih Gianni Vattino, Fundi i modernitetit, Seuil, 1987). Qytetarët, të mësuar me kulturën e Net-it dhe “hiper-linkun”, sikurse thuhet sot, interesohen më shumë për botën sesa për vatrat e tyre. Nuk ka gjë më ndjellakeqe sesa ta zëvendësosh njeriun me një ide abstrakte të njerëzimit, qoftë edhe në formën e një humanizmi të gjithëpranuar. Kjo gjë e pezmatonte aq shumë Rusoin (Rousseau) sa lëshoi një paralajmërim fshikullues për “këta të vetëshpallur kozmopolitë […] që mburren se duan gjithë botën, për t’i dhënë vetes të drejtën për të mos dashur askënd” (Tek Kontrata shoqërore, versioni i parë, I, 2, 287).

 

Në këtë kontekst, vihet në diskutim edhe vetë koncepti i qytetarisë. Zëra kritikë po ngrihen kundër konceptit të qytetarit jashtë realitetit, që e çrrënjos individin nga mjedisi dhe historia, sikur të mos ekzistonte asnjë hierarki shoqërore, apo sikur përvoja historike të mos kishte pikë rëndësie. Jemi dëshmitarë, gjithashtu, të fuqizimit të të drejtave vetjake (ose të drejtat e individëve), me kërkesa cilësore të “qytetarisë”, të cilat njerëzit nuk i kanë gëzuar më parë (të drejta seksuale, të drejta të fëmijëve, afirmime etike ose fetare origjinale, etj.). Ky individualizëm demokratik i dobëson institucionet politike dhe shoqërore: shkollat, sindikatat, kishat, partitë... çdo njeri (qoftë edhe nxënës) e gjykon të ligjshme ta ngrejë zërin në mbrojtje të të drejtave apo bindjeve të tij, për të mos iu nënshtruar pastaj asnjë autoriteti. Në mënyrë të përgjithshme, shtrohet çështja e pajtueshmërisë mes qytetarisë dhe shoqërisë së hapur, kur e drejta për kulturë dhe identitet shpaloset si prirje për t’iu larguar vlerave dhe traditave që ndajmë bashkërisht.

 

Kjo gjendje ka prekur Shkollën, ndërdyshas midis dy prirjeve. Nga njëra anë, ajo shqetësohet për këtë zgjim të ndërgjegjeve. Nga ana tjetër, ajo duhet t’i rezistojë forcës së opinionit shoqëror, t’u hapë rrugën të rinjve për t’iu kushtuar kulturave të çastit, të sigurojë koherencën e dijes, të garantojë unitetin e asaj çka përcillet. Përballë pushtetit të emocioneve, të ideologjive dhe të modave të reja, arsimimi është një forcë drejtpeshuese.

 

*          *          *

 

Por nëse duam që Shkolla të luajë plotësisht rolin e saj si përbashkuese e komunitetit qytetar dhe kombëtar, do të duhet ende që ajo të garantojë drejtësinë shoqërore dhe barazinë e mundësive. Por ja që sot nuk ndodh gjithmonë kështu.

 

Një anketim sociologjik mbi “perceptimin e pabarazive dhe ndjenjën e drejtësisë” u krye nga GEMASS (Grupi i Studimeve të Metodave për Analiza Sociologjike në Sorbonë), me mbështetjen e Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike. Nga ky anketim shumë i detajuar, që do të shpallet pas ca ditësh, po përmend vetëm një fakt dhe një shifër. Rezulton se cilësia e institucioneve shkollore klasifikohet ndër shkaqet e fundit të padrejtësive shoqërore që lidhen me Shkollën dhe ky është një fakt pozitiv. Kurse shifra është qartazi më shqetësuese: 36% e francezëve të pyetur i vlerësojnë pabarazitë që lidhen me shkollën si “shumë të fuqishme”.

 

Ndërkaq, që nga koha e Zhyl Ferrisë (Jules Ferry, politikan dhe burrë shteti francez i gjysmës së dytë të shek. XIX, i njohur për reformën arsimore që mban emrin e tij – sh. i p.) Republika nuk i ka kursyer energjitë e saj në mbështetje të Shkollës. Nëse marrim parasysh vetëm pesëdhjetë vitet e fundit, rruga që kemi bërë është gjigande. Kemi përballuar një sfidë historike, u kemi hapur udhën e studimeve fëmijëve nga familje të thjeshta; pritëm valën e fëmijëve baby-boom duke ndërtuar, për disa vite rrjesht, deri edhe një kolegj në ditë; e dymbëdhjetëfishuam numrin e maturantëve të një brezi nga 5% në 1960-ën në mëse 65% sot. Shkolla është zëri i parë i buxhetit të kombit: shpenzimet e shtetit për shkollën zënë një të katërtën e buxhetit dhe më shumë se gjysmën e numrit të nëpunësve.

 

Por një gjë mbetet e sigurt: nëse Shkolla ia doli mbanë t’i shkollonte të gjithë, ajo dështoi në misionin e saj për integrim dhe promovim. Masivizim nuk do të thotë demokratizim. E provojnë shifrat e botuara rregullisht nga OECD-ja (Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik). Mes rreth tridhjetë vendesh të krahasueshme, ne zëmë një vend mediokër: Franca është e 10-ta në kulturën matematike. Më keq akoma: Franca është e 14-ta në kuptimin e gjuhës së shkruar. Një pjesë e anketimit, e quajtur PISA (Programi ndërkombëtar për ndjekjen e njohurive të nxënësve), i mëshon lidhjes midis mjedisit shoqëror-ekonomik dhe zotësisë së nxënësve për të kuptuar gjuhën e shkruar. Për të gjitha vendet e OECD-së, një nxënës që vjen nga një mjedis i privilegjuar e tejkalon shokun e ardhur nga një mjedis më pak i favorshëm me 38 pikë, barazvlerësi i gati një viti studime. Për Francën, shmangia është 50 pikë, d.m.th. shumë më e lartë se mesatarja e vendeve në fjalë.

 

Duhet ta pranojmë atë që s’mund të mohohet: shkaku i parë i suksesit shkollor të një fëmije vazhdon të mbetet mjedisi familjar, niveli i studimeve të prindërve, sidomos i nënës. Hierarkitë shoqërore dhe kulturore përtërihen shumë shpejt, vartësisht nga tipi i institucioneve, klasave dhe degëve. Numri i fëmijëve që vijnë nga mjedise të pafavorshme dhe që pranohen në shkollat e larta ose në grandes ecoles po vjen vazhdimisht në rënie. Nëse rishtarët tërhiqen për shkak të vështirësive, nëse Shkolla e Republikës nuk e mundëson një përzjerje shoqërore, nëse ajo nuk e luan më rolin promovues shoqëror dhe kulturor, kush tjetër do ta merrte përsipër këtë barrë?

 

*          *          *

 

Kam bindjen e thellë se sfida e drejtësisë shoqërore në Shkollë dhe nëpërmjet Shkollës nuk mund të ndahet nga themeli i përbashkët i mësimdhënies, e cila duhet të riafirmohet dhe konsolidohet pa ndërprerje.

 

Sigurisht që në kolegj jo të gjithë nxënësit mund të ndjekin të njëjtin profil dhe të njëjtat aspirata. Të synosh suksesin e plotë për nxënësit e çdo breznie shkollore do të thotë që, detyrimisht, të ndjekësh shtigje të ndryshme: disa të rinjve nën moshën pesëmbëdhjetë vjeçare do të ishte më mirë t’u ofrohej mësimi i një zanati dhe mundësi alternative formimi, në vend që t’i mbajmë me pahir brenda arsimit të përgjithshëm që ua zvjerdh dëshirën për shkollim. Por, gjithmonë bëhet fjalë për shkollimin para futjes në kolegje. Sepse nëse mbajmë parasysh përpjekjet e konsiderueshme që Kombi bën në përfitim të Shkollës, nuk mund të pranojmë që një numër i madh nxënësish të arrijnë pragun e adoleshencës pa pasur kulturën e përgjithshme, pa njohuritë dhe aftësitë themelore.

 

Tekefundit, gjithkush e di objektivin parësor: asnjë nxënës të mos hyjë në të gjashtën pa ditur të lexojë, të shkruajë dhe të njehsojë, sikurse ndodh sot, për fat të keq, me një të katërtën e nxënësve francezë. Përparësia absolute: luftë totale kundër analfabetizmit, mësim i përforcuar i leximit, përmes pikasjes në kohën e duhur të nxënësve të prapambetur. Gjithçka tjetër kalon në plan të dytë.

 

Mos duhet të përmendim këtu që pasurimi i fjalorit çon në saktësim të mendimit? Dhe e kundërta: mos vallë kur nuk gjenden dot fjalët, mendimi venitet? Mos duhet të kujtojmë që kapja e një ngjyrimi, mësimi i një fjale, është shprehje e “dhuntive” të mira? Dhe e kundërta, mos ndoshta kur gjuha është e varfër, të kuptuarit zbehet? Për formimin intelektual është thelbësore të mësosh të lexosh dhe të shkruash pa gabime. Para dy vjetësh, pikërisht këtu, para kësaj Akademie, Zhaklinë dë Romiji (Jacqueline de Romilly), na rikujtoi:

 

“Gati çdo ide e jona për jetën formohet falë letërsisë; ecja nëpër shtigjet e leximit çon drejtpërsëdrejti në formimin e njeriut. Leximet na sjellin analiza dhe ide, por edhe përfytyrime, personazhe, mite dhe ëndrra që përcillen në shpirtin tonë; dikur na kanë prekur telat e zemrës, atëhere kur janë shprehur bukur apo janë përshkruar me forcë; dhe pikërisht nga kjo përvojë ushqehet vetë përvoja e jetës sonë.” (“Mësimi dhe edukimi”, Seanca vjetore publike e pesë akademive, Institut de France, 28 tetor 2008)

 

T’u mohosh fëmijëve hyrjen në thesaret e gjuhës do të thotë t’i dënosh ata të jetojnë në zgrip të shoqërisë dhe të kombit. Ta bësh këtë me ata fëmijë që s’e kanë pasur frëngjishten gjuhën e nënës, do të thotë t’i mbyllësh në një geto, prej nga mund të dalin pas mundimesh pa fund, dhe këtë ne e dimë mirë. Përkundrazi, mësimi i së njëjtës gjuhë, pra përdorimi i mirë i gjuhës sonë, mbetet ende mjeti më i mirë për të shembur muret e getove tona.

 

T’i mësojmë të lexojnë, të shkruajnë, të njehsojnë. Do të dëshiroja të shtoja: t’i mësojmë të rinjtë të flasin mirë. Thelbi dhe forma janë të pandashme, dymijë vjet të kulturës së retorikës na kanë mësuar që arti i gojëtarisë është i pandashëm nga arti i mendimit të shëndoshë. Edukatorët e Lashtësisë artin e gojëtarisë e kishin në qendër të formimit të qytetarit, të njeriut të lirë, i aftë të argumentojë dhe të bëjë zgjedhjet e duhura, në sensin e të mirës së përbashkët.

 

Po ky është formim elitar, mund të thotë dikush. Nuk ka gjë më të gabuar se kjo. Kuintiliani (Marcus Fabius Quintilianus) e ka hedhur poshtë prej kohësh këtë argument, qysh në kreun e parë të librit të parë të Institucioneve të gojëtarisë. Le ta ndjekim:

 

“Dëgjoj përditë të më thonë se vetëm shumë pak njerëz janë në gjendje të kuptojnë mësimet dhe që pjesa dërmuese e shkojnë kohën kot dhe mundin dëm, ngaqë u mungon zgjuarsia. Kjo ankesë është fare pa bazë; përkundrazi, janë më të shumtë ata që kanë aftësi po aq të mira përfytyrimi sa edhe zotësi për të nxënë shpejt. Sepse kjo është në vetë natyrën e njeriut; ashtu si zogu vjen në jetë për të fluturuar, kali për të vrapuar dhe bisha e egër për të shqyer prenë, edhe njeriu është lindur për të ushtruar pa pushim mendimin dhe aftësitë e tij.”

 

Pak lexime janë kaq këndellëse sa këto faqe të ndritura, aq besimplota në aftësitë e njeriut. Po, kjo e shkuar, kjo e shkuar e largët, është edhe e tashmja, për aq sa kjo e tashme ka nevojë për të. Kjo e shkuar e largët, do të ishte ndërkaq edhe e ardhmja, në rast se e ardhmja jonë do t’i pranonte vlerat e saj.

 

*          *          *

 

Uniteti i shoqërisë franceze varet nga aftësia e Shkollës së saj për të siguruar unitetin e mësimdhënies, para së gjithash themelin e përbashkët të dijeve; kjo është udha e ringritjes. Nuk mungojnë as pengesat, përvoja vetjake më ka dhënë rastin t’i shoh nga afër. Ajo më ka mësuar, gjithashtu, që të mos i mbivlerësoj.

 

Pengesa e parë vjen nga vështirësia për të reformuar Shkollën. Kjo është e pamohueshme. Por, mos mbase kjo vjen ngaqë e kemi reformuar më shumë se sa duhet? Sapo nisim të zbatojmë një palë reforma, ia behin sakaq reforma të reja. Midis “trenit të reformave” dhe “trenit të masave zbatuese”, midis tabelës së mbërritjeve dhe tabelës së nisjeve, është Stacioni i Parisit në orët e pikut! Ka një lloj pandershmërie kur me fëmijët bëhen eksperimente gjithfarësh. Para se të bësh reformë, duhet ta ngulitësh në kokë që koha e shkollës nuk duhet ngatërrohet me kohën që rri në karrige një ministër; është kohë e gjatë që kërkon qëndrueshmëri, që kërkon t’u japësh përparësi të drejtës dhe risive.

 

Pengesa e dytë vjen nga centralizmi dhe vështirësitë burokratike. Nuk besoj se ky është një fatalitet. Të gjithë specialistët e Shkollës, cilidoqoftë horizonti i mendimit të tyre, e pranojnë tashmë: çfarëdolloj reforme, sado i përkryer qoftë koncepti i saj, nuk mund të mëtojë shkrirjen e larmisë së situatave të skajshme. Sepse beteja fitohet në terren, në gjirin e nxënësve. Institucionet shkollore duhet të marrin frymë sipas ritmit të tyre, të ndjehen të përgjegjëshme dhe të nxiten të ndërmarrin nisma. U takon atyre të zgjedhin mjetet e duhura, sidomos ato pedagogjike, për të kapur objektivat kombëtare. Institucione më autonome, ku pragmatizmi ngadhënjen mbi ideologjinë, e ripohojnë karakterin kombëtar të sistemit tonë edukativ, u japin, më në fund, të gjithë besimin burrave dhe grave të terrenit, pranë të zgjedhurve, shoqatave dhe sipërmarrjeve që i rrethojnë. Ata e dinë më mirë se kushdo si duhet të veprojnë në funksion të situatës vendore, të diversitetit të nxënësve, të pritshmërisë së prindërve. Ata janë më të mirët, si për ta nxjerrë shkollën nga izolimi i saj, ashtu edhe për t’i gjetur aleatë që ta realizojnë këtë synim.

 

Sepse Shkolla nuk mund t’ia dalë dot mbanë krejt e vetme. Aleatët kryesorë duhet të jenë prindërit e nxënësve. Flitet shumë për krizën e familjes, duke lënë të kuptohet sikur shumë fëmijë kanë mbetur pa mbikëqyrje. Për fat të mirë, kjo nuk është e vërtetë: pjesa dërmuese e fëmijëve kanë një familje (të bashkuar ose jo) ku mund të mbështeten. Shkolla duhet t’i drejtohet familjes, me qëllimin që prindër e mësues të flasin me një zë. Prindërit e nxënësve që aq shpesh i kritikojnë mësuesit, a bëjnë hesap se janë duke gjykuar vetveten, teksa besojnë se po gjykojnë të tjerët?

 

Mundet të përmendim këtu edhe politikat e qytetit: si mund t’u besosh rregullave në një hapësirë urbane të çrregullt, të palexueshme, pa kufij të përcaktuar qartë? Është pra një rrjet i gjerë solidaritetesh që duhet të ndërthurren rreth shkollës, duke ruajtur kjo e fundit pozitën qendrore, me qëllim që gjërat të marrin kuptim pak e nga pak dhe të mund të sprapsen rreziqet e degradimit.

 

Por, në analizë të fundit, dështimi apo suksesi i mësimdhënies, luhet brenda klasave; pikërisht aty mësuesi jep mjetet e dijes, objektivat që duhen arritur, dëshirën për dije. Le t’u blatojmë nderin që u takon mësuesve dhe profesorëve! Të mos e harrojmë këtë detyrim të madh, teksa po gatitet një rifreskim masiv i trupës mësimore: vitet e ardhshme gjysma e profesorëve do të dalin në pension. Rivlerësimi i funksionit të mësimdhënies kalon mes ndërgjegjes së rigjetur për rolin e lartë shoqëror të profesorit. Prandaj çdo qytetar duhet të jetë syçelë që mësuesit të respektohen.  Kombi, nga ana e vet, duhet t’u japë vlerë meritës dhe angazhimit të gjithsecilit, duke mbështetur, materialisht dhe nëpërmjet përparimit në karrierë, ata që punojnë për një kohë të gjatë në zona të vështira.

 

Të dashur kolegë, zonja, zotërinj,

 

Në kujtesën e secilit prej nesh shndrit kujtimi i një mësuesi ose i një profesori që na ka nxitur dhe përkrahur. Në një botë më të hapur, por edhe më të pasigurt, ai është njeriu që përcjell dijet dhe vë piketat, që zbulon talentet dhe i ndihmon të çelin sythe. Mësuesi ka prirjen për të qenë “njeriu i parë”, të cilin Kamyja (Camus) e ruante në mendje dhe i detyrohej aq shumë. Të jesh “njeriu i parë” jo vetëm për nxënësin e mirë, por edhe për atë që është më nevojtar: të jesh “njeriu i parë” për të fundmin e klasës. Detyra e profesorit nuk është t’i hapë nxënësit hullinë e vetme të mbylljes me sukses të studimeve, sepse studimi nuk ka vlerë pa ndërgjegjen që e shoqëron dhe pa veprimin që përgatit. Mësuesit nuk i kërkohet të jetë hero, edhe pse nganjëherë qëllon i tillë, as të diktojë dhe të mbahet më të madh para nxënësve; roli i tij është të ndërtojë, të mësojë, të formojë humanizmin tek njeriu, duke u bërë shembull për nxënësin. Është mjaft. Po ta shohësh mirë, është shumë.

 

Ministria e Arsimit është ministria që mbart fatin tonë. Me çfarë duhet të merret me përparësi kombi përveçse me formimin arsimor? Sepse nuk ka demokraci të qëndrueshme pa kohezion kombëtar dhe nuk ka kohezion kombëtar pa themele të përbashkëta të njohurive bazë të shkollës, themele që japin sigurinë për drejtësi shoqërore. Nëse uniteti i shoqërisë franceze u bën ballë pikëpyetjeve e dyshimeve, kjo është meritë e Shkollës; nëse Shkolla po u qëndron tensioneve që e përshkojnë apo që ia krijojnë të tjerët, ajo i detyrohet vetëmohimit të profesorëve tanë. Ja pse mbrojtja e Shkollës nuk mund të kuptohet pa bërë tonat parimet e respektit për nxënësin dhe rëndësisë së mësuesit.

 

Nuk është një spekulim me parimet apo ndonjë shpresë e vagët. Është sfida parësore dhe jetike që zembereku i pandalshëm i brezave të mos ngecë, sepse kështu mbruhet në histori vazhdimësia dhe madhështia e një kombi.

 

Xavier Darcos, Sekretar i përhershëm i Akademisë së shkencave morale dhe politike

 

Përktheu: Henrik Ligori

 

Comments

Submitted by Leonardo (not verified) on

<p>Një shkrim i mirë dhe një mentalitet i përkryer, vallë tek ne ka mentalitete të tilla ?</p>

Submitted by Raul-and (not verified) on

<p>Po sa e perndrithme,sa frymezuese,perpak sa nuk me rremben dalldia e kthimit ne Atdhe per tu mesuar nxenesve ato njohuri qe jane bazike per jeten.E braktisa ate pune ne kulmin e dilemes Kamy-iane te behesh apo te jesh i &quot;Huaji&quot; ne nje vend te botes ose ne rastin me te mire ne vendin tend.Une zgjodha te behem nje i huaj ne nje vend te botes dhe pikerisht ne nje vend ku pat lulzuar nje qytetrim i shquar 2500 vjet me pare.Doja ti prekja te gjitha ato qe kisha lexuar per Iliaden, Odisene,Athinane,Helenen e Trojes,Sokratin,Platonin,Demokritin,Iraklitin,Demostenin,Akropolin,Demokracine e Lashte,Qytet-shtetet,Lufterat me Perset,Lufterat e Peloponezit e shume e shume te tjera.Tani e ndjej qe vetem nje kthim ne klase,atje ku e kam nderprere mesimdhenien me 15 Prill 1993,te kthehem e tu mesoj nxenesve se sa bukur eshte te nxesh dhe te mesosh&nbsp; e te perparosh ne jete ne saje te njohurive dhe te diturive njerzore.</p>

Submitted by Raul-and (not verified) on

<p>Po sa e perndrithme,sa frymezuese,perpak sa nuk me rremben dalldia e kthimit ne Atdhe per tu mesuar nxenesve ato njohuri qe jane bazike per jeten.E braktisa ate pune ne kulmin e dilemes Kamy-iane te behesh apo te jesh i &quot;Huaji&quot; ne nje vend te botes ose ne rastin me te mire ne vendin tend.Une zgjodha te behem nje i huaj ne nje vend te botes dhe pikerisht ne nje vend ku pat lulzuar nje qytetrim i shquar 2500 vjet me pare.Doja ti prekja te gjitha ato qe kisha lexuar per Iliaden, Odisene,Athinane,Helenen e Trojes,Sokratin,Platonin,Demokritin,Iraklitin,Demostenin,Akropolin,Demokracine e Lashte,Qytet-shtetet,Lufterat me Perset,Lufterat e Peloponezit e shume e shume te tjera.Tani e ndjej qe vetem nje kthim ne klase,atje ku e kam nderprere mesimdhenien me 15 Prill 1993,te kthehem e tu mesoj nxenesve se sa bukur eshte te nxesh dhe te mesosh&nbsp; e te perparosh ne jete ne saje te njohurive dhe te diturive njerzore.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.