Mbi simbolet

Postuar në 25 Janar, 2013 09:03
Arben Idrizi

Përderisa kemi simbole që nuk përputhen, na ndajnë dhe nxisin ta urrejmë e vrasim njëri-tjetrin, vështirë se do të ketë paqe mes nesh. Duhet të mendojmë për ato simbole që kur i thyejmë në mes, t’i kenë dy anë që përputhen, për ta dëshmuar ujdinë tonë njerëzore.

 

Shkoj me mendjen se ka mjaft të atillë që, edhe pse s’e thonë ose s’kanë ku ta thonë, ose mbase edhe druhen ta thonë publikisht, janë të mendimit se lapidari i UÇPMB-së në Preshevë është po ashtu provokim. Në mbrojtje të kësaj teze, (mund të) parashtrojnë një pyetje të thjeshtë dhe fondamentale: si do të reagonim ne, shqiptarët e Kosovës, nëse serbët e Kosovës në veri a në brendi të vendit do t’iu ngrinin lapidarë kundërshtuesve të shtetit të Kosovës, sot a nesër? Një përgjigje e thjeshtë dhe fondamentale: do ta konsideronim edhe provokim dhe do të kërkonim të hiqet.

Por, ka më shumë se kaq.

Kur ndodhi lufta në Luginën e Preshevës, nuk ndodhi thjesht dhe vetëm për ta kundërshtuar regjimin e Millosheviqit. Ndodhi edhe dhe mbi të gjitha për ta shkëputur atë pjesë dhe për t’ia bashkëngjitur Kosovës, ose më tej, asaj që quhet Shqipëri e Madhe. Një iluzion, parë nga sot. Ajo pjesë mbeti brenda territorit të shtetit serb, e për këtë sot pajtohen edhe vetë përfaqësuesit politikë të qytetarëve shqiptarë të asaj treve. Pra, çka simbolizon ai lapidar?

Nëse simbolizon konkretisht atë tendencë për shkëputje dhe nëse ndërkohë ka konsensus politik të gjithëmbarshëm që të mos ketë shkëputje, atëherë ai lapidar është edhe provokim.

Është njëjtë sikur serbët e Kosovës ta glorifikonin hapur Millosheviqin që deshi të na zhbinte nga faqja e dheut dhe në të njëjtën kohë ta pranonin shtetin e Kosovës që rezultoi si fryt i mposhtjes së Millosheviqit.

Me këtë nuk dua të them se u tha e gjitha.

Dua të them, ndër të tjera, se për shkak të simboleve janë bërë lufta të tmerrshme. Dhe në përgjithësi është tepër e vështirë, në praktikat dhe rrethanat tona, që një simbol t’i bashkojë dy palët.

Kjo është ironia.

Nga greqishtja, simboli ka pikërisht këtë domethënie: t’i bashkojë dy pjesë të ndara. Për grekët e vjetër, që ta ndjekim etimologjinë e fjalës, simboli kishte kuptimin e »teserës së njohjes«: dy individë, dy familje ose dy qytete e thyenin një pjesë të teserës dhe e mbanin për vete në përfundim të një marrëveshjeje, pajtimi; prej këtu edhe vjen kuptimi i nocioneve »pakt«, »ujdi«. Përputhja e dy pjesëve të teserës e dëshmonte atë marrëveshje sa herë që ishte nevoja.

Sot, simbolet tona, të serbëve edhe të shqiptarëve (e jo vetëm të tonat, natyrisht e fatkeqësisht), janë të njëanshme. Janë burim i rivalitetit, mllefit, urrejtjes, zilisë. Më tej, janë nxitëse të krimeve dhe tragjedive të papara. Ajo çka për serbët simbolizon lufta e fundit e shtetit serb, për shqiptarët është krime, tmerre, inate, urrejtje. Ajo çka për shqiptarët simbolizon lufta e fundit e Kosovës për çlirim për serbët është krime, tmerre, inate, urrejtje.

Shqiptarët dhe serbët zor se do të arrijnë që t’i shmangen tundimit, do të thosha jo human, të simboleve të tyre. Një kompromis, thënë në gjuhën politike, e një humanizim thënë në gjuhët tjera, do të çonte drejt një zgjidhjeje të kënaqshme dhe të denjë. Në vend të kësaj, tani për tani duket se dy vendet kanë zgjedhur t’i bëjnë punët në mënyrën e tyre. Serbia tregon se megjithatë e ka njëfarë instinkti (filozofi slloven Zhizhek do të thoshte: ka bole) të luajë dhe të imponojë zgjidhjen e saj: ta heqë lapidarin edhe me dinakëri dhe sidomos me forcë. Kaq është kjo, shteti i kryen punët. S’ka asgjë tjetër, vetëm shtet.

Por, çka ndodh në Kosovë?

Shteti, e kjo është e mira më e madhe (edhe pse nuk vjen si rezultat i qëndrimit politik të përfaqësuesve shtetërorë, por si rezultat i trysnisë ndërkombëtare), nuk heq me forcë, as me dinakëri, lapidarë (ata lapidarë të serbëve që kanë për ta atë domethënie që ka lapidari në Preshevë për shqiptarët). Porse, e kjo është e keqja më e madhe, nëse më pranohet ky gjykim, “lejon” të shkatërrohen varrezat e serbëve dhe përmendoret e Luftës së Dytë Botërore. Mund të jetë gjykim i rëndë, por tashmë ka pasur shkatërrime e ende s’e dimë kush i ka bërë saktësisht. E edhe kur dimë diçka, si në rastet e përmendores në Viti, çka ndodh? Asgjë. Në të vërtetë, shumëçka: poshtërim i shtetit, policisë, rendit dhe ligjit. Para kamerave, pra para opinionit publik, një veteran i UÇK-së arrinte ta kërcënonte policinë e cila po kërkonte ta arrestonte personin që ishte përgjegjës për rrëzimin e monumentit, më një fjali të tillë, po parafrazoj: »nëse e arrestoni, nuk mbajmë përgjegjësi për pasojat«. Një individ, duke përdorur gjoja reputacionin dhe statusin e veteranit, apo ish luftën e tij si shenjë rreziku, arrinte ta zmbrapste policinë e shtetit.

E nuk është hera e parë që persona të tillë, që e përdorin si shenjë rreziku luftën, arrijnë ta dalin mbi policinë, mbi rendin dhe ligjin për të cilat jemi pajtuar në momentin që u jemi nënshtruar marrëveshjeve për një shtet demokratik e funksional.

Gjykoni tani mbi mesazhin, po m’u lejua kjo klishe, që japin shembuj të tillë. Sepse, të tillët janë ata që ne i konsiderojmë heronj të gjallë.

Nga ana tjetër, RTK dezinformoi se gjoja një burim brenda AKI-së ka bërë të ditur se ka tregues që bëjnë të dyshohet se »varrezat janë duke i shkatërruar vetë serbët«. Me këtë, i është dhënë kurajë keqbërësit që të vazhdojë të shkatërrojë; thënë ndryshe, është legjitimuar, duke rënë pre ose duke i dhënë jetë vetë një propagande perfide, shkatërrimi i varrezave – një akt tmerrësisht kriminal. Ashtu siç ishin të tilla ngjarjet e vitit 2004 kur ne shqiptarët rrënonim e digjnim kishat ortodokse.

Një rast tjetër i çuditshëm: nxënësit e një shkolle të mesme lënë mësimin dhe ia mësyjnë ta shkatërrojnë një përmendore. Janë vetëm ca adoleshentë që me gjasë s’e kanë idenë as çka po bëjnë.

Në tërë këto akte dhune të tilla ka diçka që më ka habitur prore. Çka e bën një grup të ndërmarrë një akt të caktuar dhune për t’iu kundërvënë dhunës a vendimeve të një formacioni tjetër, të quajtur Shtet, duke dalë kundër rendit dhe ligjeve të Shtetit të cilit i përkasin dhe dukë dalë kundër parimeve dhe pritjeve morale njerëzore?

Ka diçka shumë malicioze në këtë. Duket se është një mizori që është pjesë e vetë natyrës njerëzore, në të vërtetë, e vetë natyrës së tyre njerëzore. Pretekstet aktuale janë vetëm aksidentale. Për ta ka e do të ketë përherë pretekste të ndryshme për të qenë në vatrën e dhunës dhe krimit, për të bërë keq, për të sjellë zhgënjime, për të shkaktuar vuajtje dhe dhimbje. Sepse munden. Sepse janë shpirt e mendjengushtë. Sepse jetojnë në një shoqëri që në fund të fundit i tumir veprimet e tyre.

Në të vërtetë, të tillët i kanë binjakët e vet, mendoj se qëndron kjo, te serbët e veriut, të cilët nuk lejojnë që shqiptarët të ndërtojnë atje shtëpitë e tyre, gjuajnë më armë në drejtim të shqiptarëve, shkatërrojnë, përndjekin, persekutojnë e vrasin. Sepse munden. Sepse janë shpirt e mendjengushtë. Sepse jetojnë në një shoqëri që në fund të fundit i tumir veprimet e tyre.

Secila palë: në emër të gjoja atdheut. Në emër, në fakt, të natyrës së vet kafshërore.

Si përfundim:

Unë mendoj se pjesa dërrmuese e simboleve tona (serbëve dhe shqiptarëve), heronjve dhe idealeve tona kanë diçka krejtësisht jo humane në vete. Ajo që për serbët janë heronjtë serbë në njërën anë dhe ajo që për shqiptarët janë heronjtë shqiptarë në anën tjetër, të gjallë a të vdekur qofshin, në më të shumtën e rasteve në esencë është e dyshimtë, për t’u diskutuar dhe rivlerësuar, ata heronj shpesh janë në esencë pra vetëm ca kriminelë ordinerë. Prandaj jo për të tjerët, por për të mirën tonë të përbashkët e të veçantë, do të duhej t’i rishikonim të gjitha këto. Nëse s’e bëjmë sot, do ta bëjmë nesër. E meqë e dimë se do ta bëjmë nesër, atëherë është më mirë të fillojmë ta bëjmë që tani.

Përderisa kemi simbole që nuk përputhen, që na ndajnë dhe na nxisin ta urrejmë e vrasim njëri-tjetrin, vështirë se do të ketë paqe mes nesh. Duhet të mendojmë për ato simbole që kur i thyejmë në mes, t’i kenë dy anë që përputhen, për ta dëshmuar ujdinë tonë njerëzore.

A po ju duket frikacake, patetike dhe moralistike?

Edhe mundet. Por, në Europën e dritave (edhe në qoftë se jo gjithçka është aq ideale sa do të donim), nuk mundemi me atdhetë e errësirave (dhe egërsirave).

 

EXPRESS

Comments

Submitted by Anonim (not verified) on

<p>dale nga dale fryma lubonjiste ,globakiste ,antikombetare po perhapet edhe ne kosove.</p><p>nderkohe qe po i vjen fundi ne shqiperi</p>

Submitted by Anonim (not verified) on

<p>Shkrimi ka ritem po ka gjera qe nuk shkojne, dhe nuk shkojne fare. Paralelet qe heq ndermjet Serbeve dhe Shqiptareve nuk mund ti vesh shenjen e barazise. Ato jane agresoret dhe shqiptaret jane viktima. Serbet jane vrases po shqiptaret vetem jane mbrojtur per atdheun. Me degjon trap per atdheun ashtu si serbet qe nuk luftojne se jane te ngushte po luftojne per atdheun. dhe sa i perket definicionit te heroit je prap shume i gabuar. Heroin Ti si duket i jep statusin hyjnor te Zotit dhe e ngaterron me Herojte mitologjike si: herkuli, Ulise e kompani po heroi i diteve tona eshte hero kur e therret situata dhe eshte i gjithi normal - ordiner sipas teje qe je cinik dhe me helm. Po te jap nje shembull nga nje film me aktorin Dustin hoffman: Mashtrues, me familje te shkaterruar e me njeqin probleme ordinere te jetes qe nuk i kisht zap. Bien nje avjon dhe ky i shpeton te gjithe sa ishin brenda dhe iken ne pune te tij. Dhe avjoni - pra vonesa qe humbi ne avjon behet shkas qe te ndahet me gruan dhe femijte. Nejse. Ne avjon kishte qene nje gazetare qe e kerkonte per aktin qe kishte bere dhe vune nje cmim nje miljon dollare, dhe cmimin nuk e mori se ja kallen me mashtrim te tjeret.... nuk do te tregoj gjithe shkrimin e qe ti bie shkurt Ai ishte nje hero &nbsp;per momentin dhe pastaj ishte ordiner ashtu sic jane te gjithe dhe sic eshte vete jeta me nje miljon probleme. Dhe e fundit je shume i manget me paralele te felliqura ku krahason herojte tane dhe te serbeve. Ne europe nuk e mban njeri per hero hitlerin dhe bemat e tij po viktimat e hitlerit jane kudo te memorizuar ne artifakte dhe monumente - dhe nuk mund te vesh shenjen e barazimit - trap Cinik Gjoja keqe.</p><p>....Secila pale: ne emer te gjoja te atdheut . Ne emer, ne fakt, te natyres kafsherore...Shko mor Debil kompletohu e formohu dhe pastaj shkruaj.</p>

Submitted by miri (not verified) on

<p>shume shkrim i sakte per mua,mendimet e nje njeriu normal.</p>

Submitted by Anonim (not verified) on

Autori nuk e njeh realitetin. Greket kane shenjteruar varret e ushtareve ne Kelcyre e Boboshtice. Serbet kane plot simbole, qe nga Vidovani, emrat e qyteteve qe i nderruan me dhune dhe qe "miqte nderkombetare" nuk lejojne te ndryshohen, Obiliq, General Jankovic (Han i Elezit), Urosevac ( Ferizaj) etj, emra ushtarakesh qe i kane duart me gjak, lapidare nga WW1, WW2, etj. Shikoni ne Zvecan dhe Mitrovice si valvitet flamuri Serb. Bota mund te vazhdoje te ushtroje 2 standarte, tjeter per shqiptaret tjeter per serbet.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.