Ndërkombëtarët e Tiranës, dhe një dossier i huffpost.com-it

Postuar në 11 Gusht, 2011 05:08
Mustafa Nano

Më ka ndodhur më se njëherë të ndodhem përballë njerëzish, nga më të zakonshmit deri tek ata që mbahen si të stërholluar nga gjindja këtejpari, të cilët në debat e sipër, duke dashur të më mbyllin gojën në kritikat e mia në adresë të regjimit të Tiranës, më thonë: mirë, mirë, po ndërkombëtarët thonë ndryshe. Dhe me këtë i vihet kapak bisedës. Pas kësaj pra, është e kotë të nxjerrësh në shesh argumente të tjera, pasi interlokutori ka hedhur në tavolinë atout-në e vet. Pas kësaj, s’ka kuptim të thuash gjë tjetër. Ultima ratio. Medemek.

Sublimohet roli i ndërkombëtarëve deri në atë farë feje, sa politikanët tanë kanë hequr dorë (në mos, u duhet të heqin dorë) nga përpjekjet për të bërë për vete opinionin publik të këtushëm, apo zgjedhësit, apo faktorët e aktorët e ndryshëm që kanë një zë të rëndësishëm në skenën publike. Jo, u lipset thjesht të kenë me vete opinionin e ndërkombëtarëve, i cili në këto rrethana – e kam shkruar në një shkrim të do javëve më parë – na sillet si burimi më i parë i legjitimitetit të pushtetit, apo të institucioneve. Madje, përkrahja e ndërkombëtarëve të jep, përveç legjitimitetit, edhe autoritet. Po pate ndërkombëtarët me vete, nuk ke nevojë për gjë tjetër. Madje, të tjerët mund t’i shpërfillësh, mund t’i përbuzësh, mund t’i përqeshësh, mund t’i shtypësh e – kjo është ç’është – mund t’i vrasësh. Prandaj, Berisha ka filluar të bëjë si garip gjatë këtij mbretërimit të dytë. Ia ka marrë anën gjërave. Ka futur në xhep ndërkombëtarët. Kaq. Se si, nuk dihet në detaje e plotësisht, por dihet që i ka futur. Jo të gjithë. Të gjithë nuk mund t’i fusë në xhep, pasi kjo punë do kish kosto e mundim të madh. Fut ca e ca, që janë më të rëndësishëm, dhe pastaj janë këta të fundit që punojnë me të tjerët.

E gjitha kjo është non sense, dhe s’ka diskutim. Do të mjaftonte një kokëçarje e lehtë intelektive (nga kushdo qoftë) për të arritur në përfundimin se e gjitha kjo s’ka bythë të rrijë. Ndërkombëtarët janë si ne, njësoj të korruptueshëm, njësoj të dobët përballë ngasjeve e tundimeve, njësoj tekanjozë e subjektivë në parapëlqimet e tyre, njësoj të kondicionueshëm nga shqetësime që mund të konsiderohen legjitime në botën e sotme, si karriera, rroga, opinioni i boss-it, aveniri e siguria e fëmijëve dhe e familjes, interesat e shtetit të vet etj., etj. Kanë dije më shumë? Ky argument do të shkonte para 20 vitesh, kur ne sapo dolëm nga një izolim i gjatë dhe i fortë, por sot nuk shkon. Ja, kush më thotë, pse qenka e thënë që gjermani me emrin Eugene Wolfarth të jetë më i dijshëm sesa shqiptari Spartak Ngjela. Edhe mund të jetë, xhanëm, se kush ua mati dijet e inteligjencën, por dua të them se nuk është e shkruar kjo gjë.

Kthehemi te non sense-i ynë. Kush lexon ditë për ditë një nga website-et më të rëndësishëm të SHBA-ve, atë të Arianna Huffington-it (huffpost.com), do ketë parë dje që, për disa orë, kishin si lajm kryesor mú në kokë të faqes një me titull “Former U.S. Officials make millions Advocating for Terrorist Organizations” (ish-funksionarë të lartë të SHBA-ve bëhen milionerë si avokatë të organizatave terroriste). Poshtë këtij  titulli ish një foto-montazh me portretet e Wesley Clark-ut (e mbani mend, besoj), Tom Ridge-it (edhe këtë e njihni, me siguri), Rudy Giuliani-t (ish-kryebashkiaku i famshëm i New York-ut), Howard Dean-it (ish-guvernator i Vermontit),  Ed Rendell-it (ish-guvernator i Pennsylvania-s), etj; dhe foto-montazhi ish i shoqëruar nga fraza “çfarë kanë të përbashkët këta persona?” Dhe këta persona kishin të përbashkët faktin, që kishin pranuar pará (e çfarë paráje se!) nga një organizatë terroriste iraniane, e njohur për krime e masakra deri dhe kundër vetë amerikanëve. I kishin paguar në këmbim të pjesëmarrjes së tyre nëpër konferenca të mbajtura mbi çështje të ndryshme në New York, Washington, Paris, Berlin, Londër etj, dhe të ndonjë fjalimi të shkurtër 5-6 minutësh. 20-30 mijë dollarë për kokë u kanë dhënë për të tilla ‘kalvare’. Qëllimi? Kanë dashur të përdorin ndikimin dhe emrin e këtyre personaliteteve për të bërë të mundur heqjen e emrit të organizatës në fjalë (Mujahideen-e Khalq) nga lista e qeverisë amerikane mbi grupet terroriste në botë. E bukura është se bash këto ditë bëhet një rishikim i kësaj liste, e prandaj, shkrimi i reporteres Christina Wilkie mund t’ua ketë prishur planet iranianëve të kësaj organizate. E kanë ditur këta big-wig-ë të elitës së Amerikës, se paratë u janë dhënë për këtë qëllim? Për ca dihet, që po. Për ca të tjerë ende nuk dihet. E për ca të tjerë akoma mund të rezultojë që nuk kanë ditur gjë. Por për diskutimin që nisa të bëj, ndriçimi i plotë i ngjarjes nuk është se ka ndonjë rëndësi të madhe. Një gjë dihet me siguri: këta kanë marrë pará nga një organizatë terroriste. Edhe sikur të mos kenë premtuar asgjë në këmbim të këtyre parave, edhe sikur të mos kenë bërë asgjë për të influencuar vendimin e qeverisë amerikane lidhur me listën e zezë, ata i kanë dhënë fytyrën dhe emrin e tyre një organizate, që ka vënë bomba e ka kryer masakra në të shkuarën. Përse? Për pará. Të paktën, hë për hë, vetëm kjo dihet.

Hej miq, nuk bëhet fjalë për lëng groshi. Janë njerëz që kanë marrë pjesë në fushatat përzgjedhëse të kandidatëve për postin e Presidentit në SHBA. Siç keni pasur mundësi ta vini re, në listën e “rrogëtarëve” të grupit Mujahideen-e Khalq janë edhe dy vetë, që janë dukur ca si shpesh këtej nga anët tona. Është Wesley Clark e Tom Ridge. Janë miq të Berishës, i cili Tom Ridge-it i ka dhënë një dorë të mirë me pará (është bërë publik ky fakt; është folur për 250 mijë dollarë) në këmbim të angazhimit të tij për të lobuar në favor të Shqipërisë, d.m.th të Berishës. Ndërsa gjenerali Wesley Clark ka ardhur me kostumin e biznesmenit. Është takuar me Berishën, por nuk dihet asgjë se për çfarë është biseduar. Do u besonit ju këtyre njerëzve? Do blinit një makinë të përdorur prej tyre? Do t’u vinit veshin kur të vinin herë tjetër në Shqipëri e të na tregonin se demokracia është e rëndësishme? Me siguri, jo.

Ja pra, ndërkombëtarët janë dhe këta. Dhe nuk besoj se ndokush ka pasur nevojë për këtë “scoop” për ta marrë vesh se ka edhe kështu. Sa më sipër domethënë se ndërkombëtarëve nuk u duhet vënë veshi? Jo, s’është e thënë as kjo. Ndërkombëtarët duhen dëgjuar, por bëjmë mirë të mbajmë vëth në vesh faktin, që asnjëri syresh nuk e do këtë vend. Nuk po them se ata punojnë kundër Shqipërisë, apo e kanë inat Shqipërinë. Jo, jo, as që më shkon mendja të them një idiotësi të tillë. Puna është se ata punojnë për vete, e në rastin më të mirë punojnë për vendet e organizatat që përfaqësojnë. Nuk u bëhet vonë, nëse Shqipëria është një vend me demokraci, me shtet të së drejtës, me rule of law etj., apo jo.  Për këtë duhet t’na bëhet vonë neve të këtushmëve.

Comments

Submitted by shane (not verified) on

Ka nje shprehje e cila me vjen ndermend sa here lexoj shkrimet e Mustafa Nanos
Citoj: Gjenite merren me idera, mediokrit merren me ngjarje dhe njerezit e vegjel merren me te tjeret". Mustafa ngele duke u marre me te tjeret,eshte thelbi i propagandes komuniste, denigrimi i te tjereve.

Submitted by Anonim (not verified) on

NQS KA SHTET ME POLITKANE ME TE KORRUPTUAR JY ESHTE AMERIKA. DJALI I SADAMIT SHUME VITE PERPARA PAT THENE SE SHBA ESHTE VEND PARAZIT QE JETON DUKE VJEDHUR DHE GRABITUR SHTETET E TJERA. KETE SE LUAN TOPI.

EDHE KETO FAKTE QE JEP MUC NANO, PER NE NUK JANE ASPAK CUDIRA SEPSE DIME QE EDHE NE GERDEC KA PASUR GISHT AMBASADORI WITHERS E KUSH E DI KUSH PAS TIJ NE WASHINGTON. NDAJ TREBICKEN E VRANE MAFIOZISHT SAPO FILLOI TE TREGONTE TE VERTETEN RRETH MASADORIT AMERIKAN. SEC KA BERE BERISHA TE HUAJT NUK ESHTE VESHTIRE TE KUPTOHET, TEK SHEF SESI TE HUAJT BEHEN KAQ DUSHKEM SHURDH MEMEC KRSHI KRIZES NE SHQIPERI

Submitted by sokol balliu (not verified) on

Je i madh, Nano! Akrobat, si gjithnje. Jua hoqe dhjamin edhe nderkombetareve. A ka ndonje institucion ne ate vend, pervec teje sigurisht, qe mund te shihet pozitivisht?

Submitted by shane (not verified) on

Sot ka nje lajm ne faqet e shtypit amerikan:
Tit for tat: Moscow lists U.S. officials to be barred.
Te njejten gje kerkon dhe Mustafa Nano disa dite me pare. Cfare ngjashmerie ne gjykim. Rrofte Rusia qe po rringjall krenarine e venitur te ideologjise progresiste dhe po ja tregon dhembet armikut imperialist. Tashme nuk jemi vetem dhe te pambrojtur. Perpara shoke, perpara. Mos u jepni.

Submitted by Leonardo (not verified) on

Shkërimi eshte reale por sa u përketë të huajëve nuk besojë se u dhimbëset shqipëria kurë ne vetë të parët e shkatërojmë atë dhe çfarë do ti kushëtojë Saliut në qoftëse do ti japi një pëjesë të filetës shqipëtare kështu në radhë të parë duhet të pastërojmë mëndjet tona që të mosë e gjykojmë tjetërin me një herë vetëm dhe vetëm se ka një mendimë të ndryshëm nga ne dhe me menjeherë e cilësojmë komuniste dhe po te hapim nje diskutim të ndershëm për 50 vjetët e komunizmit e 20 e demokracisë po ti peshojmë të dyja nukë do ketë ndonjë ndryshimë të math kështu besojë se në qoftëse duam që në qeveri të jenë njërz me ide demokratike duhet te pakten të largohen të gjithë ata që ikanë shërbyer regjimit të më parshëm besoj brezi i 40 vjeçarëve është i përshtatshëm për të qeverisur vendin me botëkuptimë demokratikë

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.