Pazare virtuale shqiptare

Postuar në 14 Janar, 2013 04:27
Beqë Cufaj

Shumica e përdoruesve të rrjeteve sociale (Facebook, Google +) që ngurrojnë në jetën reale… e ndiejnë veten të lumtur kur vetëshprehen, postojnë, lavdërojnë apo promovojnë në këto rrjete. Rreth 48 për qind të përdoruesve të internetit në dy vitet e fundit janë zhvendosur apo kanë emigruar nga përdorimi i faqeve të mediave profesionale (portale gazeta, televizionesh, dhe sidomos blogje etj.) në Facebook dhe Google +.

Këto dhe këso studimesh të kryera kohëve të fundit nga firma e institucione të specializuara hulumtimesh në Gjermani, SHBA, Britani e Francë- pra kultura e audienca gjuhësh të pushtetshme, kanë shtruar nevojën e diskutimeve të mëdha. Me të gjitha dallimet e mundshme që edhe brenda vetë këtyre kombeve e vendeve mund të kenë.

Një shembull konkret: derisa në SHBA, Britani e Francë, sfera e blogut (për të cilën pionieri i internetit Dave Winer thotë që është “një zë i vetëm i paredaktuar”) ishte, është dhe do vazhdojë të jetë diçka tepër elitare dhe për këtë edhe e thellë, në Gjermani, ose thënë edhe më shkoqur në sferën gjermanofolëse sprova që blogu të plotësojë nevojën e debatit dhe shtrirjes së gjerë, tashmë ka dështuar.

Kurse në vendet e tjera vazhdon kaosi dhe me këtë edhe lufta e madhe e mediave që përmes pranisë mediale në internet të bëhen edhe paratë dhe përfitimi. Në këtë pikë janë pykat, pra pengesat që rrjetet sociale po e bëjnë kaq të vështirë të bëjnë edhe ndarjen mes amatorizimit dhe profesionalizmit. Dhe sidomos të asaj që do të quhej materializim i produkteve mediale virtuale.

Në këtë mes s’ka si të mos ndalemi tek shqiptarët. Një prapambetje e cila çon edhe tek paradokse të cilat edhe në jetën virtuale në mënyrë ekzemplare japin atë që e kemi- pothuajse si në përditshmëri. Përparësia e madhe, për të mos e quajtur mrekullia e zhvillimit të rrjeteve sociale i ngjan kësaj autostradës Ibrahim Rugova. Shqiptarët pra, gjithandej në Ballkan përfshirë këtu edhe emigracionin (siç i thonë në Shqipëri) dhe Diasporën (që i themi në Kosovë e Maqedoni), virtualisht, duke iu falenderuar sidomos FB-së, Google + por edhe Twitter-it, tashmë janë “një”.

Gjithsesi në pah dalin paradokset e mëdha. Aksidente që në mes të asaj hullie lëvizjesh, jo në komunikacion, por në komunikim. Në të gjitha nivelet e shtresat. Nga komunikimet normale deri tek vjedhjet- ndryshe s’kanë si të quhen, që mediat, për hir të “racionit” i bëjnë njëra-tjetrës. Një kolumne e x autorit nga Tirana, Bern-a a Prishtina, e sheh veten në web e gazetë tjetër, pa u pyetur gazeta as autori. Të drejta autoriale? Harrojeni këtë hesap! Mall që s’kushton. Kryesorja gazeta “mbushet”. Dhe sërish: racioni i “shtrirjes” plotësohet. Jemi “një”.

Sidoqoftë, në krejt këtë kaos, mediat në tri, ose thënë edhe më saktë katër qendrat shqiptare i kanë veçoritë e veta. Katër sepse pos Prishtinës, Tiranës e Shkupit, një (epi)qendër e kemi edhe në diasporë. Jo në kuptimin e vend-ndodhjes sa të përfshirjes (hiper)aktive të shqiptarëve gjithandej në botë në interaktivitetin virtual mbarëshqiptar. Edhe këtu ka barcoleta: nga hiperpatriotizmi e deri tek hiperaktivitete të (vetë)shpalljes lobues deri tek (vetë)kandidatura për Çmime Nobeli. Për “romane”, “biografi”, “libra”, “filma”, “diplomaci” “politikë”, “publicistikë, “përkthime” e aktivitete katundesh Europe e Amerike as të mos flasim.

Kjo, u shkon në nerva dukshmërisht profesionistëve në vendet amë… por jo rrallë ngjet që pa ndonjë kriter të theksuar gazetaresk edhe të blehen e më pas shiten këto e këso “suksesesh”. Marrë në tërësi, kemi të bëjmë me një pazar virutal shqiptar të cilit zor që ia gjen shoqin në Ballkan e Europë.

Dhe sërish, në këtë pazar të madh, veçoritë e sidomos tri kryeqendrave shqiptare dalin në pah. Derisa në Maqedoni, në Shkup a Tetovë kemi atë molisjen e cila katapultohet nga shërbesat e melmesat virtuale fundamentaliste fetare, në Shqipëri, faqet online të gazetave shqiptare, përjashto sidomos Gazetën Tema e cila s’ka biznese por për këtë vijë të qartë redaksionale krejt të tjerat si Panorama, Shqip, Shekulli, Mapo etj. janë dorë a bisht (kush si e sheh) i zgjatur i bizneseve tjera që gazeta në këto raste u shërben si mburojë a praparojë (sërish kush si e sheh).

Në kuptimin e virtualitetit total dhe profesional në web nga Shqipëria janë për t’u numëruar me gishta web-faqe profesionale: siç është Respublica apo siç është i palodhshmi dhe gadi dinosauri i blogut në shqip Ardian Vehbiu- ndoshta i vetmi “zë i paredaktuar”- me të cilin shërbehen gadi të gjitha mediat- pa përjashtim.

Por për këtë në shumicën absolute të rasteve duke keqkuptuar kontinuitetin dhe me këtë edhe misionarizmin që puna e Vehbiut paraqet në këtë sferë. Marrë në tërësi dhe duke ditur që edhe ashtu s’ka para nga web-i gazetat në fjalë shërbehen lehtësisht me rrjetet sociale. Përdorim i dyanshëm në të cilin fakt është që fitues janë lexuesit dhe me këtë edhe përdoruesit e rrjeteve sociale.

Në këtë frymë duhet parë edhe fenomeni i shtrirjes politike në rrjete në Shqipëri. Dhe pa hamendje: Edi Rama, nëse asgjë tjetër, do të mund të quhet edhe i pari revolucionar i rrjeteve sociale dhe virtuale në politikën shqiptare. Në FB dhe siodmos Twitter, ai është hiperaktiv. Aq sa edhe Doktori me spin doktorët e tij, nuk mundën që të mos e kuptonin se s’ka shteg tjetër pos të hidhet në këtë fushbetejë. Me plot kurthe dhe për këtë të minuar për të.

Shumë më keq paraqitet situata në Kosovë. Atje, politika dhe elitat jo vetëm që s’e kuptojnë rëndësinë por thjesht janë aq prapa në shfrytëzimin e rrjeteve sociale, saqë ai (lider) që do jetë i pari ta çelë këtë shteg- do të fitojë shumë në terren.

Kurse puna e mediave dhe marrëdhënieve të tyre me rrjetet sociale në Kosovë është edhe më e komplikuar se në Shqipëri. Gazetat provojnë të ruajnë atë treg të vogël dhe tmerrësisht kompetitiv si në print ashtu edhe në web.

Përfaqësimi i tyre matet me gram dhe është thjesht e pabesueshme sesi sindromi i “pompave të benzinës” (komshiu hap pompë- pse jo edhe unë!) që u thonë “portale interneti” është shpërndarë gjithandej. Nëse lëmë anash portalin “Telegrafi” dhe deri diku edhe “Indexonline” të cilët përpiqen dhe ia arrijnë të bëjnë edhe produkte të veta, shumica absolute e portaleve të Kosovës nuk bëjnë gjë tjetër pos që vjedhin pronën dhe lajmin e gazetave e televizioneve në mënyrë të pamëshirshme, pa fytyrë dhe çdo kund tjetër të dënueshme. Krejt këto reciklohen më pas në rrjete sociale dhe dreqi s’e merr vesh prej kujt dhe kur akëcili lajm është botuar. Pa lënë anash këtu faktin se në këto portale mungon totalisht profesionalizmi: në redaktime tekstesh gëlojnë fyerje e sharje në komente lexuesish të frustruar… mungojnë linja redaksionale e çka jo tjetër. Një Pazar i paparë. Por për këtë i përjetuar tek çdokush që futet në të!

Comments

Submitted by f d (not verified) on

<p>Dinozauri i blogut shqip Ardian Vehbiu alias xha xhai ! Gotitje ne shenje z. Cufaj.</p><p>&#39;Respublica&#39; ja ka varur caze dhe e terheq zvarre si me angari (mbase i c&#39;ekuilibrojne dhe kungujt e shumte sqetullave). Bllokimi (lexo vonesat) per ore e ore te tera te komenteve eshte si t&#39;i hedhesh uje te ftohte tenxheres ne vlim te debatit.</p><p>Megjithate e di vet Mustafa Nano se ku &#39; i gjerb&#39; catia...</p>

Submitted by Anonim (not verified) on

<p>Ardian Vehbiu eshte pro- Edi Ramës. Pse res publica cenzuroni mendimin tim dhe nuk e botoni komentin?! E çuditshme kjo Shqiperi- kendej flsini per liri shprehjeje e andej ma ndaloni mendimin tim. Vehbiu nuk eshte i pavarur. Pikë. Cufaj ja ka futur kot për Vehbiun.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.