Vende, sjellje dhe policë

Postuar në 08 Janar, 2013 00:35
Dedë Shkurti

Të jesh me edukimim universitar në inxhinieri automotive, me  përvojë të gjatë në sektorët e transportit automobilistik, puna në Autoshkolla për përgatitjen teorike dhe praktike të drejtuesve të rinj të automjeteve, të jep një gjendje të qëndrueshme e progresive, si në performancën vetiake si përdorues i automjetit, po ashtu, në zbatimin e përpiktë të legjislacionit rrugor e të normave të tjera të sjelljes qytetare.
Askush nuk është i mbrojtur ndaj gabimeve njerëzore. Ecim në këmbë në trotuar, pa dashje, takojmë me brryl dikë dhe kemi kurajon të themi: - më fal!
Përdorimi i një automobili është shumë më i ndërlikuar: drejtimet e rrezikut janë trepërmasore. Nuk ka edhe një veprimtari tjetër, ku të gjitha shqisat dhe të gjithë gjymtyrët e muskujt, pa përjashtim të jenë të përfshirë , bile të tensionuar, se sa në lëvizjen mbi rrota. Për rrjedhojë, gabimet njerëzore shfaqen më shpesh. E rëndësishme është prirja për t’i eleminuar ato në vazhdimësi, qasja qytetare dhe reagimi ligjor kur përballesh me pasojat e tyre.
Për fat të keq mjedisi ynë nuk reagon njësoj në të dy kahjet; kërkesa e ndjesës të merret për dobësi, parashtrimi i argumentit për arrogancë. Qëllimi i vetëm i institucioneve dhe agjensive që kontrollojnë dhe monitorojnë sjelljen në rrugë ështe represioni, ndëshkimi, gjoba. Ka drejtues automjetesh që për dhjetra vite nuk kanë kryer qoftë edhe një kundravajtje rrugore dhe për ta nuk kujtohet askush.
Pa shmangur aspak të vërtetën e ndodhive po sjell tre përvoja personale në dy mjedise të ndryshme, këtu në Tiranë, si dhe në shtetin e Michigan-it, ku kam qenë në një periudhë afro pesëvjecare:

I.
Sapo kisha mbaruar shpërndarjen e paradites të gazetës ‘Detroit News’ dhe po shpejtoja të merrja punën e dytë në një restorant në Farmington Hills. Pashë një burrë në anë të rrugës që mbante ende të pangritur një tabelë “Stop-i”, por kalova shpejt pa i kushtuar vëmendje. Në më pak se tridhjetë metra përshkim rruge shoh makinën e policisë që më kishte ndezur dritat duke më dhënë shenjën e ndalimit të menjëhershëm:
-Policia e Shtetit të Michigan-it, hapeni rrugën, atje, ku ta gjykoni të arsyeshme!
U futa në një rrugë dytësore dhe hapa menjëherë krahun, ula përgjysmë xhamin e derës së krahut të majtë dhe “u dorëzova” me dy duart në timon, ashtu siç e kërkon rregulli i Amerikës. Polici, pasi mori kohën e nevojshme duke qëndruar e më kontrolluar nga prapa makinës, doli nga makina e vet dhe, pasi u identifikua, më kërkoi dokumentat. Ishte po ai polic, me të cilin për netë të tëra kishim qenë njëkohësisht në shërbim dhe i ishim njohur, miqësuar dhe i kishim dhënë informacione të dobishme njëri-tjetrit.
- E merrni me mend se përse ju ndalova?! ..Ju, me siguri, nuk e vutë re drejtuesin e shkollës!
- Për hir të së vërtetës e vura re një person me një tabelë të ulur, por nuk e mendova si drejtues shkolle.
-E kuptoj dhe ju besoj plotësisht. Qe fat i madh për ne, të dy, që fëmijët studentë nuk u urdhëruan ta kalojnë rrugën, pasi mund të kishim një ndodhi të paparashikueshme. Shkelja është shumë e rëndë, klasifikohet si sjellje kriminale (Felony). Për këtë, unë mund t’ju arrestoja në vend. Nuk po e bëj këtë gjë sepse unë ju njoh si shofer korrekt e aq më shumë që në patentë nuk ju figuron asnjë rekord deri tani. Por më vjen shumë keq, jam i detyruar t’ju çoj përpara gjyqtarit. Po ju vendos një gjobë 180 $ dhe tre pikë në rekordin tuaj.
-Faleminderit shumë zoti Polic, unë e ndjej sinqerisht gabimin dhe jam gati t’i nënshtrohem çdo lloji ndëshkimi të ligjit tuaj.
-Faleminderit Ju! Qëndrimin pendues tuajin do t’ia pasqyroj gjykatësit si dhe do të jem vetë i pranishëm në ditën e gjykimit.
Pas dhjetë ditësh u paraqita përpara gjyqtarit:
-Zoti Shkurti, a jeni i penduar për shkeljen që keni bërë me datën…, në…. që konsiston në…?
- Po, e kam ndjerë thellë gabimin dhe jam shumë i penduar!
-A betoheni solemnisht, duke çuar dorën e djathtë lart, se nuk do ta përsërisni më një gabim të tillë?
- Betohem!

Dorën e djathtë e ngrita lart, ashtu siç më mësoi vetë gjyqtari.
-Mister Shkurti, për ju ka dhënë një raport shumë pozitiv polici rrugor. Unë, në bazë të ligjit, mund t’ju kisha çuar 90 ditë ne burg, por duke marrë parasysh personalitetin tuaj, po mjaftohem vetëm me masën që ka marrë polici ditën e shkeljes. Do të paguani dhe shpenzimet për seancën dhe avokatin në shumën prej 300 $. Ju paralajmëroj se, në rast përsëritjeje, do të shkoni automatikisht 90 ditë në burg! – dhe goditi çekiçin.

I/a.
Pas një shërbimi dyditor në Korçë po kthehesha në Tiranë, i vetëm në një autoveturë Mercedes, ML 270. Afër qytetit të Peqinit, në një kthesë komplet të dukshme, pasi e kontrollova dhe u sigurova mirë në të dy anët, bëj një parakalim të gabuar. Sapo u rifuta në korsinë e krahut të djathtë shoh policin rrugor, me shenjën e ndalimit të drejtuar se ku duhet të ndaloja. E hapa krahun menjëherë dhe bëra gati të gjithë dokumentacionin e duhur për policin. Erdhi pa vonesë dhe duke përshëndetur si ushtarak m’u drejtua:
-Mirëdita, zotëri! A mund të më thoni se ku ishit dhe për ku udhëtoni?
- Isha me shërbim pune në Korçë dhe po udhëtoj në Tiranë, jam punonjës i CEZ Albania-s.
-Keni ndonjë urgjencë që po nxitoheni kaq shumë?
-Përveç dëshirës për të qenë, mundësisht, sa më parë pranë familjes, nuk kam asnjë ngutje tjetër.
- Ju keni kryer një parakalim të gabuar, gabim shumë i rëndë dhe, në bazë të nenit 146 të Kodit Rrugor, duhet t’ju tërheqim Lejen e Drejtimit.
- Jam i ndërgjegjshëm për shkeljen e bërë dhe prandaj i kam gati dokumentet. Jam në pritje të procedoni sipas ligjit. Polici m’i mori dokumentet dhe shkoi tek makina e tij të plotësonte procesverbalin. Pas tre minutash u kthye me disa fletë të printuara. Ishte një shkrim i imi, i publikuar para disa ditësh tek Respublica, tamam për sigurinë rrugore.
-E njihni autorin e këtij shkrimi?
- Autori i shkrimit është personi që sapo ka bërë një shkelje të dënueshme, duke parakaluar në mënyrë të gabuar.
- Rrugë të mbarë, zoti Inxhinier! Mund të rrugëtoni i qetë. Ju e vlerësoni shumë mirë se ajo vijë e pandërprerë, më shumë është një “grackë” se një masë sigurie. Presim edhe shkrime të tjera të vlefshme prej Jush!
- Ju faleminderit që vleresoni thinjat e mia! Të isha në vendin Tuaj, nuk do të hezitoja për masën e ndëshkimit. Mua dhe të tjerëve si unë, nuk u lejohet të bien në një grackë të tillë. Kurrë nuk do të vendosim siguri në rrugë duke lozur kukafshehtazin.

II.
Përpara orës 6 A. M. kisha shpërndarë The New York Times-in e po kthehesha në shtipinë time tek 13 Mile, John R, në Madison Heights. Në kryqëzimin: 14 Mile, John R, duke pritur ndezjen e dritës jeshile të semaforit më kish zënë gjumi në timon. U shkunda shpejt nga dremitja dhe me dritën jeshile të radhës e kalova kryqëzimin. Më mbetej milja e fundit për të bërë drejt krevatit që më priste të bëja nja pesë orë gjumë, para se të shkoja në punën tjetër. Në mënyrë të pavullnetshme (kjo u ndodh të gjithë shoferëve të përgjumur), dora e majtë rëndonte mbi timon ndërsa e djathta qëndronte mbi levën e marshit. Fordi e kish kaluar Center Line-n, të kufizuar me të verdhë dhe gradualisht po futej në kahjen e kundërt të lëvizjes. Hapa sytë i tmerruar dhe shoh një autoveturë policie që ishte ngjitur në trotuar dhe po komandonte makinat e krahut pas vetes. Frenova menjëherë, u futa në Center Line, ndeza dritat flesh për të pritur policin. Polici erdhi në krahun tim dhe më tha që të futesha në Parking Lot-in e parë të krahut të djathtë.
-Good Morning! Ju për paksa më shtypët! Are you drinking?
-Më vjen shumë keq, por absolutisht nuk jam i pirë. Kam qenë gjithë natën në punë dhe jam tmerrësisht i lodhur, se kam shpërndarë 900 gazeta në katër milje katrore.
-Më jepni adresën e Agjensisë së gazetës!
Ja dhashë adresën bashkë me dokumentet dhe po prisja në makinë, ndoshta makinën e Sherifit t’më çonte në burg.
-Mister Shkurti, ku ndodhet shtëpia juaj?
-Më pak se një Milje më poshtë, tek 13-ta, East.
-Jeni në gjendje ta ngisni makinën tuaj, apo të siguroj një shofer tjetër?
-Unë jam plotësisht në gjendje ta ngas vetë, nëse më autorizoni ju.
-Sigurisht! Ju ecni përpara dhe do t’ju shoqëroj unë deri në shtëpi!
E sistemova makinën përpara shtëpisë dhe nuk po guxoja të dilja nga makina. Polici më solli dokumentet dhe me buzë në gaz më foli:
-Zoti Shkurti, Agjensia të lavdëroi shumë si korrier i shpejtë dhe i përpiktë, kolegu im polic në Troy City, që punon natën me ju në zonën tënde , po ashtu më foli fjalë shumë të mira. Ju dukeni goxha burrë i sjellshëm. Kur të jeni i përgjumur mos lëvizni, qëndroni në vend, pa problem! Polici i Trojës ka qëndruar pesë minuta pas jush në kryqëzimin e 14 Mile-ve. Kur ju lëvizët, meqenëse aty i mbaronte kompetenca teritoriale, më njoftoi mua. Ne e kemi për detyrë të të spostojmë në anë të rrugës që t’mos bllokoni trafikun, dhe ju mund të flini sa të doni. Njerëz jemi, e natyrisht lodhemi.
Mos udhëto i përgjumur zotëri! Goog Luck! Have a Good Day!

II/a
E parashikoja se, ose në Gjokaj ose në qaf’- Kashar ka post-bllok policie. E rregullova shpejtësinë në 90km në orë, u sigurova për rripin e sigurimit dhe dritat e ndezura dhe vazhdova rrugën i qetë, i përgatitur për ndalim.
As nga 15 m largësi, njëri nga dy policët dha shenjën e ndalimit.
-Leje Qarkullimi, Siguracion, Patentë!
-Doni edhe Çertefikatën e Pronësisë, Autorizimin e Përdorimit, SGS-në dhe Taksat?
-Posi, edhe ato m’i jep – foli jo pa fodullëk ndihmësi i atij tjetrit, që mesa dukej ishte shefi.
Me të gjithë dokumentat në dorë shkoi tek makina e policisë, u konsultua disi gjatë me shefin dhe u kthye tek unë:
-Kujt institucioni i përkisni?
-Unë i përkas familjes sime, patenta e ka identitetin e mjaftueshëm, dokumentet tregojne qartë se kujt i përket makina. Ju keni pesë minuta duke i lexuar, çudi si nuk i paskeni parë?!
-Or ti, paske si shumë muhabete! Ishit me shpejtësi 105km për orë, do t’ju gjobisim!
-A mund të më jepni printimin e radarit tuaj që ta vërtetoni këtë? Në të kundërt do të pres pa lëvizur t’ju sjell të dhënat e GPS-së, paisjen e të cilit e kam të instaluar në makinë.

Shefi pranë makinës po i bënte shenjë t’më linte të lirë. Pa më parë në sy m’i dha dokumentet duke bërë shenjë të vazhdoja rrugën.
-A mund të më shpjegoni arsyen e ndalimit?
-Bëmë detyrën tonë të ngarkuar si inspektorë të qarkullimit, dashke edhe shpjegime!
-Detyrën e Ligjit, apo detyrën e Sekserëve tuaj?
-Kush jeni Ju, që guxoni të pyesni Policinë Rrugore për ato që s’ju takojnë?
-Dëgjoni, zoti polic i dëshpëruar për 500 lekë, unë jam një përdorues rruge, që fatmirësisht kam qëlluar me një edukim teknik dhe ligjor të barabartë ose disafish të eprorëve tuaj. Cili ligj dhe cila urdhëresë, ju autorizon të ngrini grup kontrolli në një Rrugë Interurbane Kryesore, me karexhata të ndara me lëvizje me kahje unike dhe shpejtësi të detyruar 90 km në orë? Ku e keni sinjalin ligjor të ndalimit, që në këto raste, duhet të jetë të paktën, 500 metër nga vendi i post-bllokut?
Para një viti, një kolegu juaj i mjerë është vrarë një kilometër larg nga ku jeni ju. Vetëm për një vendosje të gabuar në pozicion kontrolli. Si pranoni të bëheni vegla të verbra dhe të zbatoni urdhëra kriminalë? Unë ju mbaj mend mirë, ju kam filmuar dhe do të bëj denoncimin në vendin dhe kohën që ta shoh të përshtatshme.

U largova duke më kapur veshi diçka.. zoti shef,, ju lutem.. duhet të na kuptoni…

                

III.
Po dilnja nga rruga dytësore Forthton Rd. për t’u kthyer majtas në Crooks Rd. Pasi automjetet e ndaluara në të dy linjat më dhanë shenjën se më lejonin të kthehesha, me shenjën me gisht OK dhe një falenderim me gojë, mora kthesën majtas. Papritmas, me një shpejtësi shumë të madhe, një Ford Explorer vjen nga Center Line dhe përplaset në krahun tim, që nga dera e deri tek parakolpi, duke spostuar edhe makinën time paralel me të tjerat. E mbodha veten shpejt dhe kur pashë se si unë, si dhe gruaja ime që ishte me mua nuk kishim asnjë dëmtim, dola nga makina për t’u kujdesur, sa më takonte, për makinën që më përplasi. Qe një vajzë e re që, për nga tiparet, m’u duk si hispanike.
Dëgjova duartrokitje dhe thirrje gëzimi nga e gjithë autokolona e makinave si dhe disa shoferë që po na jepnin dorën dhe na uronin duke lutur Zotin që shpëtuam. Vajza e re në makinë me të cilën u përplasëm po qante. Të njejtën gjë po bënte dhe gruaja ime. I telefonova Ilirit (djalit tim) të vinte urgjent duke i treguar se ç’më ka ndodhur, t’më ndihmonte se nuk kuptoja mirë anglisht dhe ai erdhi njëkohësisht me policinë. Dy shoferët që më bënë shenjën për t’u futur në kthim, m’u afruan dhe njëri prej tyre po më qetësonte:
-Are You Okay? Thanks God! No problem!
Më dhanë të kuptoja se ata do të qëndronin si dëshmitarë okularë dhe do t’i dëshmonin policisë. Ai që fliste më tha se, jam edhe unë polic, por për momentin, nuk jam në detyrë. Iliri m’u afrua dhe po më fliste shqip me zë të ulët:
-Babi, i pafshim hairin! Je komplet fajtor!
Ju shfryva shqiptarçe Ilirit, se nuk e kisha thirrur të më bente policin. Policët u ndanë tek secila makinë e përplasur dhe po na ngushëllonin:
-Urime, zotëri, keni shpëtuar për mrekulli. Ju lutem, dilni një rrugën dytësore, atje; sapo të lëvizim edhe makinat e të normalizojmë trafikun. Brenda pak minutash e realizuan çfarë kishin si detyrë, bënë skicat e nevojshme, komunikuan me dy dëshmitarët dhe më pyetën, se a isha në gjendje të shkoja vetë në shtëpi, apo t’më transportonin ata. U thashë se jam i shoqëruar nga im bir.
Më thanë se makinën do të ma sillnin tek Parking Lot-i i shtëpisë dhe se pas pesë ditësh mund të shkoja në Gjykatën e Distriktit, të merrja raportin përfundimtar.
Pas pesë ditësh u paraqita në sportelin e Gjykatës dhe më dorëzuan raportin. Fajtore doli zonjusha hispanike, e cila kishte shpërdoruar Center Line-n, që në rrugët e Amerikës ka kuptimin e korsisë së emergjencës.

III/a.
Midis Laprakës dhe Zogut të Zi, në një trafik të dendur ishim të detyruar të ecnim në rreshta paralele.
Mbaja një distancë më pak se një metër nga makina pararendëse dhe me këmbë të vendosur butë në pedalinën e frenave, vetëm sa t’mos më lëvizte makina, vështroja i gatshëm fikjen e stopave të makinës përpara. Në këtë moment dëgjoj një shkundje të fortë si pasojë e një goditjeje nga prapa dhe rripin që u tendos forcërisht në sup. Edhe makina ime ishte përplasur në makinën që kisha përpara. Ai që më përplasi del nga makina dhe më hakërrehet:
-Ku dreqin i pate sytë, po ti, qenke qorr dhe plak matuf!
E mora me mend “kategorinë” me të cilën kisha të bëja, i kërkova të falur duke ia shpjeguar pararendësit se çfarë pritej të bëhej dhe u futa në makinë të vinte policia. Vjen njëri nga policët e rrugës, duke vërshëllyer e duke tundur si lavjerrës tabelën Stop, dhe thotë:
-Nëse nuk keni ndonjë plagosje, për të tjerat merruni vesh me njëri-tjetrin! 
“Trimi” po merrte në telefon dikë. I përmbajtur, me ton nervoz i them me zë të ulët policit:
-Të lutem, mos më bëj kopukun mua! Thirr ekspertët e policisë, ashtu siç ta dikton ligji!
-Telefonova menjëherë Agjensinë e Sigurimeve pasi kisha siguracion të tipit Kasko.
Ekspertët erdhën, morën shpjegimin për rrethanat e përplasjes, po ashtu, na morën dhe patentat e Lejet e Qarkullimit dhe dhanë përfundimin: Fajtor për dëmtimin prapa të makinës sime ishte “Trimi”, ndërsa unë, gjendesha fajtor se i kisha rënë makinës pararendëse!
Nuk pranova ta firmos procesverbalin, fotografova shumanshmërisht vendin e përplasjes dhe, pasi u mora leje ta lëviz makinën nga vendi, u thashë se do të kërkoj ekspertizë të thelluar pasi, ky është budallëku policor më i madhi që kisha ndeshur në jetën time.
E kisha ushtruar njëzet vjet Ekpertin Rugor, në ndihmë të hetuesisë, prokurorisë dhe Gjykatës, kisha vite që nuk doja ta ushtroja më dhe u detyrova të ballafaqoj dijet, përvojën dhe ligjin.
Pas shumë debatesh, grupi i ekspertëve “u dorëzua”. Ishte një praktikë shumë vjeçare e vendosur në “ujdi” me kompanitë e sigurimeve. Ata përdorues fatkeqë që nuk kishin mundësi të mbronin me argumente, “e hanin”.
Me rastin në fjalë, ndoshta, vetëm për këtë rast, u vendos një precedent i ri.

 

Comments

Submitted by Bujar (not verified) on

<p>Pershendetje z. Shkurti!</p><p>Artikull interesant, problematik dhe i kendshem.</p><p>Ju lutem, a mund te na e sqaroni si e argumentuat juridikisht dhe teknikisht aksidentin tuaj tresh ne Laprake? Ne levizje ka kuptim pasojat, pasi nuk respektohet distancat mes makinave, por ne rastin e ndalimit, sic ju qelloi juve?</p><p>Faleminderit</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.