Kandidati presidencial Rick Perry “fiket në skenë”

Mitt Romney duket se e ka të lehtë e pa pengesa rrugën drejt nominimit si kandidat presidencial i republikanëve. Të tjerët po mbeten rrugës. Herman Cain ka humbur terren për shkak të skandaleve seksuale që kanë dalë në shesh, të cilave ai s’ka ditur t’u japë një përgjigje a justifikim bindës. Ndërsa Rick Perry “u këput e ra top në vend” parmbrëmë, në një debat televiziv. Ishte për të ardhur keq. Në pjesën e dytë të debatit, Perry ka zënë të deklarojë plot pompë e siguri se me t’u bërë President do të suprimonte tri ministri. “Do të suprimoj ministrinë e Tregëtisë, të Arsimit dhe të ...”. Hë, jepi, cila është tjetra? Perry-t iu qep goja, e kapi amnezia, teksa auditori u vu në pritje, dhe konkurentët pranë tij nuk dinin ç’të bënin për ta nxjerrë nga ajo situatë. Ndonjëri syresh kërkonte ta gjente me tahmin emrin e ministrisë që Perry kish në mendje (në fakt, kish pasur), por s’ish e thënë. Ai ish bllokuar. Ka belbëzuar për një minutë të tërë duke shfletuar ca letra që kish në duar e duke hedhur sytë për ndihmë sa majtas djathtas, nën vështrimin e pamëshirshëm të kamerave, që e nxirrnin në dritë si “një njeri që mund të mbytej me një pikë ujë e që s’ish në gjendje të riprodhonte një listë me tri gjëra”, dhe në fund, pas ndërhyrjeve cytëse të kolegëve rivalë dhe të moderatorit, e mes të qeshurave në sallë e në skenë, ai u dorëzua: I can’t, I can’t, që në një shqipërim të lirë do të bënte: nuk më kujtohet, nuk më kujtohet.
Këtu merr fund dhe ëndërra e tij për t’u zgjedhur President i SHBA-ve. Nuk besohet se amerikanët mund t’ia falin këtë gjë.
M.N.
Comments
S'eshte si politikanet tane
S'eshte si politikanet tane ky, qe edhe kur s'e mbajne mend ndonje gje, ja fusin kot.
Add new comment