Debati mbi standardin nuk di të ndalet në Prishtinë

Postuar në 09 Nëntor, 2011 11:05

Debati mbi standardin e gjuhës shqipe hapet rrallë në Tiranë, por në Prishtinë është një temë prore e hapur. Aty i gjen të gjitha llojet e qëndrimit ndaj standardit. Ka mbrojtës të flaktë të tij, ka të tjerë që e refuzojnë pa një, pa dy, por ka dhe të tjerë që kërkojnë ndryshime të kujdesshme të standardit, në mënyrë që kosovarët ta ndjejnë më të afërt këtë të fundit.

Gazetari Besim Abazi i Zërit të Amerikës ka biseduar me studjues e publicistë të Kosovës, të cilët janë interpretë e përfaqësues të këtyre qëndrimeve. Për studjuesen Shefkie Islamaj,njësimi i gjuhës standarde, është një e arritur e madhe, ndër më të mëdhatë në shekullin e XX”, ndërsa për publicistin Migjen Kelmendi standardi ka pësue fiasko në Kosovë”. Studjuesi Rrahman Paçarizi pritet nga pajtimi i dy ‘ekstremeve’: Njëra palë thotë se duhet të përmbyset ky standard dhe duhet të bëhet një gegërishte pa e ditur se çfarë gegërishte do të jetë ajo. Dhe kemi qëndrimin tjetër të betonuar të partizanëve të standardit aktual dhe mendoj që asnjëra nga këto dy qëndrime nuk i bëjnë mirë zhvillimit të gjuhës”.

Cila është perspektiva e këtij debati? Islamaj thotë se nëse nuk i takon e sotmja për shkak të vështirësive në zbatimin dhe zotërimin e saj, gjuhës standarde i takon e ardhmja;  shqiptarët duhet të ecin bashkë gjuhësisht dhe kombëtarisht”.

Migjen Kelmendi është i idesë se një standard është i domosdoshëm: “Unë nuk jam kundër një standardi. Unë vetëm e kam këtë qëndrim që standardi duhet me u shërbye njerëzve, me e lehtësue komunikimin e tyne, por jo me e pamundësue komunikimin”. Rrahman Paçarizi është skupuloz dhe në këtë pikë: “Lejimi i futjes së paskajores gege, e cila nuk ka referenca vetore dhe i absorbon te gjitha vetat, do të ishte e mjaftueshme për fillim dhe kjo me vete do të tërhiqte pas vetes edhe një pjesore të shkurtuar, gjë që do të t’i bënte folësit gegë të shqipes që të ndjehen mirë brenda standardit, meqë shqipja patjetër duhet të ketë një standard dhe patjetër duhet të ketë një standard të përbashkët”.

Re.Pu.

Comments

Submitted by Tiku (not verified) on

<p>Shqipja zyrtare eshte Shqipja e te gjitha zyrtareve, nuk duhet te kete ne asnje lloj menyre ndryshime! Pjesa Italiane e Zviceres flet Italishten zyrtare, po ashtu ajo franceze e gjermane. ..etj etj</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.