Asimetritë e modelit: pamje nga ballkoni

Duhet të sqaroj që në fillim që askush, gjatë gjithë historisë njerëzore, nuk ka shpresuar një model zhvillimi simetrik dhe të përputhshëm në çdo kohë me nevojat e njerëzve. Aq më pak me nevojat e të gjithëve. E vetmja “simetri” që kanë dëshmuar modelet e zhvilllimit, përfshirë modelin ekonomik, kanë qenë asimetritë e tyre. Këto asimetri janë venë në dukje nga ekonomistët, por jo vetëm nga ata. Madje difektet e zhvillimit ekonomik nga një analizë jo e mirëfilltë ekonomike paraqesin interes për dy arsye: e para, pamjet nga ballkoni ose stadiumi na japin shpesh një pamje më të qartë të asaj që ndodh në rrugë ose në fushë; e dyta, ekonomistët më në zë të sotëm kanë nënvizuar se ndër tre difektet kryesore të modelit të zhvillimit ekonomik (pesha e madhe e sektorit financiar, niveli i lartë i borxhit të jashtëm, mungesa e krijimit të vendeve të punës), njeri prej tyre, i treti, është një problem i komplikuar jo vetëm ekonomik, por edhe social. Këtë problem do të përpiqem të adresoj në këto rreshta, duke zbritur nga asimetria midis punësimit dhe rritjes ekonomike, në asimetritë brenda sistemit dhe politikave të mbrojtjes sociale. Si bazë për këtë analizë do të përdor katër tregues: i) asimetria midis rritjes ekonomike dhe punësimit në Shqipëri në raport me atë në nivel global; ii) raporti kritik midis forcës së punës brenda dhe jashte vendit; iii) përqindja e formimit profesional dhe niveli i punësimit të të formuarve profesionalisht; iv) shpërpjestimi midis të ardhurave nga kontributet dhe subvencionet e buxhetit të shtetit për skemën e pensioneve.
1.
Vitet e fundit, ekonomistë në zë, madje edhe nobelistë, janë marrë gjatë me analizën e asimetrisë midis rritjes ekonomike dhe punësimit. Modeli nobelist i analizës së sinergjisë midis rritjes ekonomike dhe punësimit shpjegon ndikimin e politikave ekonomike dhe masave rregullatore në papunësinë, hapjen e vendeve të punës dhe pagat. Masat rregullatore në tregun e punës nuk kanë as shpejtësinë e veprimit, as eficiencën që kanë tregjet e tjerë. Bashkimi i kërkesës me ofertën në tregun e punës nuk bëhet me atë lehtësi dhe ritëm si në tregjet e tjerë. Kushdo nga ne del në treg për të blerë një mall dhe, si rregull, nëse nuk e gjen në dyqanin në krye të rrugicës, do ta gjejë në të fundit. Por punëdhënësi nuk mund të gjejë kaq lehtë një punëtor që i duhet për një proces pune. Dhe nëse nuk e gjen, i duhet ta përgatisë atë. Por përgatitja kërkon më së paku një periudhë disamujore. Përveç kësaj, përgatitja dhe formimi profesional kanë kosto. Pra, si rregull, rritja ekonomike prodhon papunësi. Por asimetria midis rritjes ekonomike dhe punësimit në Shqipëri shkon nga 3-6 herë më e thellë sesa në nivel global. Kjo asimetri ka penguar ndikimin e rritjes ekonomike në cilësinë e jetës së popullsisë. Pyetja shtrohet: përse burimet materiale, natyrore dhe njerëzore të vendit dhe rritja ekonomike, nuk prodhojnë cilësi jetese të krahasueshme me vendet e tjerë, edhe dy dekada pas demokratizimit? A është kjo pasojë e modelit ekonomik, apo e mosorientimit në kontekstin e këtij modeli? Ka të ngjarë të jetë kjo e dyta. Këtu sfida e kapërcen modelin, po të mbajmë parasysh se është e vështirë të mbijetojnë demokracia me varfërinë. Politikat për hapjen e vendeve të reja të punës kanë qenë jo eficiente dhe kjo ineficiencë nuk ka dëmtuar vetëm tregun e punës dhe punësimin, por përgjithësisht cilësinë e jetës së popullsisë. Nga ana tjetër, mungesa e krijimit të vendeve të punës ka penguar vetë rritjen ekonomike. Pasoja në këtë rast ka goditur shkakun. Dhe rritja ekonomike e paqëndrueshme, pa krijuar vende pune, nuk është pa pasoja në sistemin demokratik. Pasoja përsëri godet shkakun.
2.
Për atë që u beson shifrave të qeverisë, (sipas INSTAT-it forca e punës në vitin 2011 është rreth 1.07 milion) rezulton se Shqipëria është ndoshta i vetmi vend në botë, stoku migrator i të cilit është më i madh se forca e punës brenda vendit. Duke verifikuar të dhënat e Censusit 2011 me të dhënat e Rregjistrit të Gjendjes Civile, rezulton se Shqipëria ka një komunitet emigrantësh të jashtëm rreth 1.4-1.5 milion. Ndërkohë, analizat demografike të opozitës forcën e punës e llogarisin jo duke mbledhur të papunët zyrtarë (që paraqiten në zyrën e punës) me të punësuarit, por duke pasur si pikënisje popullsinë në moshë pune. Nga kjo perspektivë, rezulton se forca e punës në vend është rreth 2 milion, ndër të cilët gjysma janë të papunë (meqë sipas INSTAT, në vitin 2011 Shqipëria kishte 928 mijë të punësuar). Në këtë rast, forca e punës brenda vendit është sa gati dyfishi i forcës së punës jashtë vendit. Në të dy rastet, Shqipëria paraqet një rast unik. Po të mbajmë parasysh se forca e punës jashtë vendit është më e re dhe më dinamike, se gjatë njëzetë viteve ajo ka krijuar një kapital social dhe njerëzor të admirueshëm (ne shpesh e harrojmë atë, duke u fokusuar te kapitali financiar i emigrantëve, pra remitancat) konstatojmë se ndikimet e “gjeografisë” së forcave të punës së vendit janë më të mëdha, kontradiktore dhe afatgjata. Asimetria e forcs së punës brenda dhe jashtë vendit duhet analizuar dhe lexuar me kujdes.
3.
Shqipëria formon çdo vit jo më shumë se 5-6 përqind të të papunëve që njihen si të tillë nga shërbimet publike të punësimit. Po të nisemi nga Direktiva e BE-së mbi formimin profesional si një ndër masat aktive prioritare të punësimit, këtu sistemi del zbuluar. Por problemi bëhet më i mprehtë nëse konsiderojmë që formimi profesional nuk ndjek (t’u paraprijë as që bëhet fjalë) nevojat e tregut të punës. Ky nuk është vetëm një difekt i sistemit të formimit, por edhe i arsimit profesional. Madje edhe atij universitar. Disa punëdhënës në tregun e IT-së rekrutuan para pak kohësh specialistë të diplomuar në universitet, por shpejt e kuptuan se ata nuk ishin të përshtatshëm për proceset që u rekrutuan. Punëdhënësve iu deshën gjashtë muaj kohë, përveç burimeve, për të përgatitur diplomantët e universitetit jo me nje çertifikatë tjetër, por me shprehitë që duhej të kishin formuar gjatë studimeve universitare. Ndërsa niveli i të punësuarit post-formim, sic e quajnë ekspertët, është akoma më problematik. Vetëm rreth 17 përqind e të formuarve arrijnë të gjejnë një punë, në shumicën e rasteve e përkohshme, pas formimit. Për t’iu afruar treguesit të BE-së, i cili është rreth 70 përqind, sistemi i formimit profesional kërkon një reformë të thellë. Por edhe burime më të mëdha. Dhe një vetëdije e kontribut nga sipërmarrja.
4.
Shqipëria ka nje skemë pensionesh, e cila, nëse nuk merren masa të thella për ta fuqizuar, do shkojë drejt falimentimit. Problemi i madh i kësaj skeme nuk është vetëm raporti kritik midis kontribuesve dhe përfituesve, i cili sipas shifrave të parapakkohshme të Bankës Botërore, ishte 1.05:1. Problemi më i madh është kultura e dobët kontributive dhe fiskale e shoqërisë shqiptare. Vetëm një në tre shqiptarë në moshën e punës kontribuon në skemën e pensioneve. Aktualisht po bëhen shumë pak përpjekje për të rritur kulturën kontributive paralelisht me rritjen e të ardhurave nga kontributet. Qeveria i bie shkurt: edhe nëse kontributet nuk grumbullohen, pensionistët s’mund të rrijnë pa marrë pensionin (ndryshe bashkë me skemën, falimenton edhe qeveria). Prandaj zgjidhja e veme mbetet subvencionimi i skemës prej buxhetit Sipas të dhënave të ISSH-së, gjatë periudhës 2006-2011 subvencioni nga buxheti i shtetit për pensionet u mbidyfishua, nga 18 miliardë në 38 miliardë lekë. Por këto para hiqen nga buxheti për shërbime publike për qytetarët. Sipas të dhënave nga Open Data Albania, Shqipëria, për shkak të mosgrumbullimit të kontributeve, harxhon për sigurime shoqërore nga buxheti i shtetit aq para sa shpenzon për investime në rrugë, shkolla e spitale të marra së bashku. Kjo është një asimetri që, duke u zhvilluar brenda sistemit të pensioneve, drejtohet jashtë tij dhe, nëpërmjet pakësimit të investimeve e shërbimeve publike, godet gjithë shoqërinë.
Comments
Shkrim interesant. Analiza
<p>Shkrim interesant. Analiza qarteson raportet e disa prej vektoreve qe formesojne asismetrite, por qe, serish, arrin ne pikenisje: te permiresohet formimi profesional, arsimi i larte te dallohet per cilesi, te luftohet puna ne te zeze. Keto dihen. Ajo qe do mund te konsiderohej vlere e shtuar e analizes do te ishin hamendesimet per skenaret me te cilet mund e ndryshojne pasojat, ndryshe te riformatoheshin permasat e asimetrive qe pershkruan autori.</p>
Add new comment