Tempulli i përdhosur

Pjesë nga fjala e Kryeministrit të Republikës para nxënësve të një shkolle në Bathore para dy ditësh: “Ju bëj thirrje të ndiqni punimet e Parlamentit dhe do shihni sesi çdo ditë një grusht i vogël deputetësh në prag të statusit largohen nga salla e mbledhjeve për të mos votuar ligjet. Me karriget bosh ata duan të rrënojnë ëndrrën tuaj dhe të të gjithë shqiptarëve. Zgjedhjet e ardhshme po afrojnë. Unë ju bëj thirrje që t’u thoni prindërve tuaj të votojnë jo vetëm për veten, por edhe për ju, për të gjithë shqiptarët, që ne të ecim të sigurt drejt të ardhmes”.
Im vëlla ishte në klasë të pestë në kohën e fushatës elektorale të vitit 1996. Më kujtohet asokohe një pasdite kur pasi mësueset u kishin thënë të vinin me detyrim në një miting ku do fliste Presidenti i atëhershëm, im vëlla, fliste gjithë inat fëminor: “Nuk dua të shkoj me detyrim, po pse të shkoj kur nuk më pëlqen!”. Joni, im vëlla ende qurrash, me mendjen e fëmijës ishte më i demokratizuar në shpirt se gjithë shqiptarët bashkë që shkonin të dëgjonin dokrrat e presidentit ish-komunist.
Sot, plot 16 vjet më pas, kanë ndryshuar shumë gjëra, por në krye të vendit është prapë ai, komunisti i dikurshëm që nxirrte me lista kalamajtë nëpër mitingje që ta dëgjonin me zor tek fliste. Dhe sërish bën të njëjtën gjë, madje edhe më keq, tani u shkon vetë kalamajve nëpër klasa e u bën mitingje. Ndoshta pas ca kohe, me perversitetin e plakut të plakur keq e me hile, do fillojë të shkojë edhe nëpër kopshte për t’u folur kalamanëve, e më pas nëse Zoti do ta lërë ende midis nesh, mund të vazhdojë duke vajtur edhe nëpër maternitete, apo për ta përfunduar duke ju hyrë çifteve në krevat përmes ndonjë mjeti elektronik. A nuk thonim në kohë të Komandantit se edhe burri me gruan flisnin me frikë në krevat nga frika e përgjimit. Që kjo histori ka mundësi të përfundojë kështu nuk është fantazi, pasi jo më kot ky popull thotë bëji nënën të të thotë baba. Dhe liderët tanë historikë e kanë ditur mirë këtë punë.
Megjithatë, unë inatin nuk e kam me Berishën. Ai kështu ka qenë prerë që në fillim, e s’mund të presim që ta ndreqë pleqëria, se pleqëria prish nga mëntë edhe të mirët, e jo më të ligun që e bën keq e më keq. Unë inatin e kam me shqiptarët që e lënë atë t’u hyjë e t’u bëjë politikë kalamajve në klasë. Nuk vlen të themi se me ligj është e ndaluar politika nëpër shkolla, sepse jo të gjitha gjërat rregullohen me ligj. Ligjet bëhen e shtohen brez pas brezi që njerëzimi shkon përpara, por e gjithë ajo pjesë e marrëdhënieve të shoqërisë që nuk e rregullojnë ligjet, mbahet më këmbë me moral e me rregulla të pashkruara.
Kryeministri i Holandës apo Anglisë nuk shkon të bëjë politikë nëpër shkolla, jo sepse ka frikë nga ligji, por për njëqind arsye të tjera. E para, sepse është rritur në një shoqëri ku gjëra të tilla as nuk mendohen kështu që as ai s’ka se si ta mendojë. E dyta, edhe sikur të shkiste nga trutë e ta mendonte, s’do ta linin mësuesit e nxënësit, por do ta nxirrnin jashtë nga shkolla me fishkëllima. E treta, edhe sikur edhe mësuesit të kishin shkarë nga mendja e ta linin të bënte politikë në shkollë, ai kryeministër do gjendej përpara refuzimit të të gjithë prindërve, edhe të atyre që mund të ishin me partinë e tij dhe s’do merrte asnjë votë syresh. Në asnjë nga këto shkallë që rreshtova nuk hyn ligji, por thjesht MORALI PUBLIK. Pikërisht ai moral publik që na çalon ne shqiptarëve dhe që shfrytëzohet nga politikanë si Berisha për të na bërë atë që as që mund të mendohet kund tjetër.
Sot unë kam një vajzë në klasë të 4-t fillore. Asaj kurrë nuk i kam folur keq për Berishën dhe ruhem fort ta shaj atë në prani të saj. Arsyeja është e thjeshtë: Dua që ime bijë të rritet me respektin për institucionet. Berisha është ai që është, por është edhe Kryeministri i Republikës sime dhe dua që ime bijë të respektojë institucionin. Kur të rritet do ketë kohë të ndajë pastaj njeriun nga karrigia që mban. Jam i bindur se kështu vepron çdo qytetar normal i këtij vendi. Por Berisha nuk është Kryeministër i qytetarëve normalë. Fatkeqësisht ai ia ka dalë ta ndajë vendin në dy pjesë dhe ka zgjedhur të qeverisë vetëm falë një pjese të shqiptarëve. Jo më kot ai shkon t’u broçkullisë kështu fëmijëve në një shkollë të Bathores ku, për fatin e tyre të keq shumë prej baballarëve të lidhur emocionalisht dhe besërisht me Saliun, gëzohen nga marrëzi të tilla. Unë njësoj do të isha neveritur sikur Edi Rama sot, apo Fatos Nano dje, të shkonin në një klasë e t’u flisnin nxënësve për fitoren e socialistëve. Ndërsa shumë prej baballarëve të Bathores, druaj se janë ndier krenarë që baca Sali u foli ashtu fëmijëve të tyre. Ky është problem i vërtetë. Nëse Saliu do kish frikë se do ta fishkëllenin kalamajtë apo do ta zinin gratë e Bathores për flokësh, thjesht do ta ëndërronte t’u fliste kalamajve, por nuk do guxonte ta bënte.
Saliun nuk e edukojmë dot. Ai i shtrembër i hyri udhës së politikës dhe i tillë do t’i dalë asaj deri në fund. Detyra jonë është të edukojmë shqiptarët, atë pjesë të tyre që fati i keq, fukarallëku, halli, padija, prapambetja, politizimi i skajshëm fisnor, i ka lënë pas. E kuptoj se është shumë e lehtë të akuzohem për racizëm kulturor apo krahinor, por realisht as nuk hyn fare këtu një akuzë e tillë. As i njoh vetes ndonjë meritë të veçantë, e as pretendoj të bëj pjesë në ndonjë elitë të zgjedhurish të dijshëm. Thjesht i bëj thirrje çdo qytetari që ndihet i tillë, të bëjë të detyrën e vet që sa më shpejt në Shqipëri morali qytetar të triumfojë mbi amoralitetin politik, që sa më shpejt në Shqipëri të ketë socialistë e demokratë, e jo fëmijë socialistë dhe fëmijë demokratë.
Kur të vijë ajo ditë, Saliu nuk do e shohë dot as në ëndërr të shkojë e të përdhosë veshët e njomë të fëmijëve me pështymë politike. Përndryshe, nëse secili mbyllet në neverinë e vet, ai një ditë do vijë përdhunshëm edhe te veshi i fëmijëve tanë, sado të përpiqemi t’i ruajmë e t’i fshehim prej tij.
Gazeta "Shqip"
Comments
Me ze e figure ,me shkrim e

Me ze e figure ,me shkrim e me goje te informohen partite popullore Europiane,se çfare sjellje ka kolegu i tyre ne Shqiperi.Rralle prej tyre mendon realisht se çbejne politikanet e Tiranes.Ne jemi vend i vogel,nuk jemi axhende e tyre.Shumica dhe koruptohen nga dhuratat e Sales,si psh Cukruku.Tu çohen te perkthyera partive ku aderon Partia e Djajve te Shqiperise,keto filmime te turpeve qe ben njeri prej tyre ne Shqiperi.Fundja le ti kenaqim edhe me humor ne kohe krize.

Ka nje proverb populli

Ka nje proverb populli yne;Nuk degjon haleja nga pordhet.

Berisha eshte ai qe eshte

Berisha eshte ai qe eshte dhe sigurisht duhet te largohet nje minute e me pare, por edhe pavendosmeria e liderit te majte eshte katasrofe per kete vend. Asgje s`ka te qarte c`do te beje, si do te fitoje, si do binde ate 2% te votuesve shqiptare qe te nderrojne raportin ne favor te tij. Rama deklaron qe do te heq taksat e biznesit te vogel dhe do te reduktoje asizen e naftes dhe kur e pyet gazetarja se ku do ti gjesh jesh parate qe mbushin buxhetin e shteti, ai i pergjigjet me nervozizem se po me flet me gjuhen e Saliut. Ne demogogjine e Saliut gjithsesi ka ne fund te fundit dicka racionale aq sa mundet ai, kurse tek Rama sheh vetem pavendosmeri thuajse ne te gjitha veprimet politike, si thote njehere nuk thote njehere tjeter. Ka shume te ngjare se nese nuk do bindet Meta te bashkohet me te, e majta do te humbe aq thelle sa asnjeri nuk do ta besoje me qe Berisha e vodhi duke sjelle 30.000 vete ne Tirane qe te votonin per Lul Bashen. Jeni njeri shume i kultivuar, por fati juaj i keq i nderuari zoti Lame eshte te jeni ne kete kohe ne krah te zotit Rama. Gjithsesi s`ka rruge tjeter, mbase do te bindet kesaj here e majta qe Berishen mund ta rrezoje vetem duke nderruar liderin e saj totalisht te pa zotin.

shkrim vertet i

shkrim vertet i nevojshem.Vajza ime ne klasen e IV,lindur dhe rritur jashte e njeh ne fytyre dhe ne ze Sali Berishen nepermjet kanaleve satelitore qe une mbaj instaluar,se dua qe te ambientohet me shqipen ajo dhe te jem ne kontakt une.Per fat te keq lajmet e çdo kanali televiziv kane Sali Berishe nga fillimi,nga mesi dhe nga fundi.Lajmet e TVSH kane Sali Berishe komplet.Jo per inat personal,por Sali Berisha eshte nje perdhunim mediatik i perditshem.Por kjo nuk lidhet patjetersiusht me manine e Berishes per te qene i kudondodhur,se psh,Enveri kishte nje <TVSH te gjithe te tijen(biles ishte i vetmi TV atehere)por dilte"rralle e per mall".Para ca ditesh po riasetoja disa transponder te kanaleve shqip dhe me doli se ishin mbi njeqind kanale(edhe te paketes digjitale).Zot n'a ruaj!M'u kujtua nje psikanalist dhe filozof qe nxirrte ne pah karakterin ricetiv(marres,pervetesues)te shoqerise bashkekohore.Njerezia thith gjithmone e me shume,por jo me esencen e gjerave,por me shume te panevojshmen.Edhe keto njeqind kanale i ngjajne ketyre librave qe te shumte mbushin vitrinat por"thone"shume pak ne esence.Megjithate jam kurioz te di nese S.B.ishte i sigurt qe ishte para femijeve apo ka qene nen ethen e ndonje ilaçi psikoaktiv,se eshte çmenduri t'u shpjegosh femijeve problemet e parlamentit shqiptar.Jo per gje,por i le shteg Jozefines qe te shkoje edhe kjo nga ana e saj e t'u shpjegoje rregulloren e Parlamentit dhe konsekuencen e masave disiplinore;"plumin ballit"!

Add new comment