Apelim postar

E kam treguar si me shaka ndër miq faktin që im atë i jep një kafe postierit tek klubi ngjitur për çdo kartolinë, letër apo dokument që i arrin nga jashtë Shqipërisë. Kemi qeshur edhe me faktin që postieri i shtëpisë sime nuk ia jep zarfe të tilla mamit tim, kur babi nuk është në shtëpi, por thotë se do vijë prapë më vonë. Kuptohet, ime më i jep vetëm një ‘falemnderit’. Im atë ndërkaq justifikohet se, nëse nuk bën kështu, nuk ka siguri për postën. Këtë muaj mësova se, edhe nëse bën ashtu, prapë nuk ka siguri për postën.
Kur po ikja nga Shqipëria, ku ndenja për pak javë kësaj vere, lashë tri kartolina për tre miq në qytete të ndryshme të ShBA-ve. Ishin kartolina të lezeçme në të cilat qe fotografuar një dhi e bardhë (ndoshta cjap) shumë e bukur e me brirë të hijshme, që krekosej si princeshë autoritare që kushedi ç’magjistare e kish kthyer në dhi, shtrirë mbi një bunker në një pyll të virgjër. I thashë babit të m’i postonte, meqë s’pata kohë. E njoh tim atë, dhe e di që, po t’i kërkosh diçka, ajo punë mbarohet vetëm pak orë pasi i ke bërë kërkesën. Në fakt, po atë ditë, të tri kartolinat qenë postuar nga Posta Qendrore e Tiranës. Ka një muaj e një javë që jam në ShBA, dhe asnjërit prej miqve të mi nuk i ka arritur gjë nga Shqipëria. Por ata sfidojnë trishtimin tim, duke mos i hequr shpresat që një ditë kartolina do t’u mbërrijë.
Kur ika nga Shqipëria për në ShBA, ndalova pak në Romë dhe, që atje, dërgova dy kartolina të tjera. Njëra ishte për babain plak të një mikeshe. Nuk arrita ta shihja ditët që ndenja në Tiranë, ndaj thashë, së paku ta përshëndesja së largu me një kartolinë. E dija që i pëlqente Piazza di Spagna, ndaj edhe i bleva një kartolinë të madhe e të bukur me shkallaren që ngjitet për në kishën Santissima Trinità dei Monti në majë. Meqenëse im atë më kish thënë se postieri i tij nuk e kish zhgënjyer më parë (me fort arsye), thashë ta postoja kartolinën për tek im atë, e, më pas, ky t’ia jepte në dorë babait të mikeshës sime. Kështu bëra. Po nga Roma, i nisa një poster rreth dy pëllëmbë të gjatë, edhe shoqes sime me të cilën kishim kaluar dy ditë të mrekullueshme udhëtimi në veri të Shqipërisë. Ishte posteri i vjetër i filmit italian të Fellinit “La strada”… pa lidhje përmbajtjeje me aventurën tonë rrugore veriore, por emri i tij më rrinte shumë mirë si kujtim simbolik i ditëve të bukura që kaluam bashkë. Posterin e bleva në një treg me postera filmash klasikë pranë rrugës Margutta ku ka banuar Fellini dhe e shoqja. Këtë mikesha ime nuk e dinte, por kjo për mua e bënte dhuratën më të bukur. Pastaj, prapa saj shkruan nga një mesazh personal falënderimi e shakashë të gjithë pjesëtarët e familjes sime që ishin në atë udhëtim në veri. Dhe e nisëm edhe posterin. Unë nuk harrova as ta fusja në një zarf të madh, për të dekurajuar çfarëdo lloj joshjeje që mund t’i krijonte posteri klasik, ndonjë admiruesi entuziast të Fellinit nëpër zyrat postare të Shqipërisë. Asnjëra nga kartolinat s’ka mbërritur ende në Tiranë këto gjashtë javë pas dërgimit nga Roma. Dhe, në mos në të dyja, në mbërritjen në destinacion të asaj kartolinës që do shpërndahej nga postieri i tim eti, kisha varur shpresa superlative. As për Vitin e Ri herën e fundit, kartolinat e mia të urimit nuk ia dolën të shihnin shtëpinë time tiranase. Po helbete… ai ishte Vit i Ri, me shumë trafik postar. Megjithatë, ndryshe nga daci tradicional, unë jam nga ai lloj daci epistolar që bie pa pushim e me dëshirë në kosin putrid burokratik pa u epur kurrë.
Nuk e di ç’ka ndodhur. Nuk do doja t’i bija në qafë postierit, i cili ndoshta as e ka marrë fare kartolinën, as sistemit shqiptar të postave, e as atij të administratës shqiptare në përgjithësi. Ndoshta dërgesa ime ishte e pafat, dhe e gjitha humbi për arsye jo-njerëzore… një erë e marrë apo një avion që u zhduk, brenda të cilit ndodhej pikërisht posta ime: si ajo që shkonte për Shqipëri, si ajo që dilte nga Shqipëria. Ndoshta kartolinat e mia të pafat humbën nëpër postat e Romës, Chicagos apo Washington DC-së, dhe s’duhet t’i vihet faji domosdo Shqipërisë. Ndoshta. Por logjika e do që një dukuri ngulmuese e kundërt me sa pritet, të lidhet me të vetmin vend të përbashkët nga u desh të kalojnë të gjitha kartolinat. Edhe më keq: kur u jam qarë për sa ndodh miqve të ndryshëm shqiptarë brenda e jashtë Shqipërie, më kanë parë si me gjynah buzëqeshës “Nuk e di ti që kartolinat në Shqipëri zakonisht nuk arrijnë? … sidomos po qenë të bukura.” Çfarë?! Vidhen kartolinat?! Mesazhe dashurie, hidhërimi, miqësie, faljesh, pajtimi, prishjeje ngecin në asgjëkundin zyrtar me vendimin e një punëtori të pamoralshëm?! Apo ndoshta punonjës të tillë një farë morali e kanë dhe përzgjedhin vetëm kartolinat me mesazhe që nuk prishin ndonjë punë të madhe po s’arritën. Madje, ndoshta kanë edhe një farë sensi estetik e shkencor për t’u prerë rrugën veç kartolinave të bukura e informative. Për një gjë jam e bindur vetëm: që kartolinat nuk i plotësojnë nëpunësve postarë nevoja jetike, ndaj e vetmja arsye që humbasin rrugës është se konsiderohen prej tyre si me vlerë të dorës së dytë, ashtu si besoj se konsiderojnë edhe detyrën e vet publike.

Jam në Auckland, kryeqyteti i Zelandës së Re. Humbja nuk më tremb, dhe me gjoksin përpara në këtë mëngjes dimërak shtatori, u vërsulem rishtazi kartolinave. Dua t’i dërgoj mbesës sime të vogël në Tiranë një foto të zogut tipik të ishullit, zogut Kiwi i Murrmë, duke ngrohur një vezë. E di se luaj me zjarrin, por kjo nuk më tut. Në fund të fundit, le të tallet me mua edhe një nëpunës më shumë, se s’u shua dynjaja. Nga ana tjetër them se, kësaj ane, aq afër me Antarktikën, nuk ka pse të frikësohem për përgjegjësinë e nëpunesit të postës; ndërsa në krahun shqiptar, atij që i bie në dorë kartolina ime, ndoshta do t’i vijë keq t’i fikë derën apo destinacionin një zarfi që ka bërë një rrugë kaq të gjatë. Vendosa ta nisja kartolinën nga posta e ishullit të vogël Davenport, afër Aucklandit, që po vizitoja atë ditë. Ishulli është plot shtëpi mbuluar me lule dhe rrugë të bukura me gjelbërim gjithëvjeçar edhe tani në të dalë të dimrit të asaj hemisfere. Mbi një pemë gjigante shoh dy zogj të mrekullueshëm cockatoo të bardhë borë e me lafshë të verdhë limon. Janë aq afër meje, dhe as duan t’ia dinë që unë ua ndjek kërkimin e krimbave duke i fotografuar papushim. Nuk ecin përpara, por i zbresin trungut mbrapsh duke i kacavjerrë këmbët me rrëshqitje dhe jo me hapa. Është shumë komike t’i shohësh duke vepruar ashtu bythazi, dhe më kujton tamam atë që bënim ne kur ishim të vegjël e donim të zbrisnim nga pjesët e vështira të trungut në pemët me fruta. Shkruaj kartolinën për mbesën time nën dy cockatoo-të e lumtur e punëtorë. Pastaj kërkoj zyrën postare të ishullit bukurosh dhe ma tregojnë. Kur më erdhi radha, pyeta nëpunësin e vetëm në sportel sa kushtonin pullat për në Europë. Më thotë se janë 1.90 dollarë për Australi, dhe 2.40 për pjesën tjetër të botës. I thashë se dua ta dërgoj kartolinën në Shqipëri. Nga përvoja, sapo ke për të kryer një veprim që lidhet me Shqipërinë, rregullat nëpër botë papritur kthehen në të disfavorshme. Nëpunësi, me një çudi që unë s’e justifikova dot, reagoi: “Në Shqipëri?!”, sikur të mos e kishte dëgjuar kurrë emrin. Si ballkanase e mirë, shfaqa unin e përflakshëm: “Po, në Shqipëri. Shqipëria gjithashtu është ‘në pjesën tjetër të botës’, apo jo?’.” Nëpunësi me ironi të dukshme dhe që unë keqas e meritoja, më tha: “Zonjë, unë e di ku është Shqipëria, di shumë për Shqipërinë, madje mund edhe të flasim bashkë shqip!” Themi në shqip ne ‘ngeli si e dhjerë’… Po, tamam ashtu ngela unë. Pa fjalë. Pa lëvizur. Nëpunësi fjalështruar më tej më dha kusurin, dhe ma ktheu në shqip: “Ju uroj një ditë të bukur në Davenport, zonjë, dhe gjithë të mirat!” Qeshëm të dy fort teksa unë po largohesha, ndërsa nja pesë klientë prisnin radhën pas meje disi të habitur nga shkëmbimet joformale të minutave të fundit.
Ecja në rrugë dhe qeshja… jo me vete; po qeshja vërtet me zë. E po që s’m’u ndanë postierët shqiptarë edhe këtu, në fund të botës! Por ndoshta rastësi të tilla janë ogur i mirë, dhe kjo kartolinë me zog dhe vezë nisur nga Davenporti i largët neozelandez, do ta shohë shtëpinë time në rrugën e vjetër tiranase.
Comments
Na kishe munguar! Sa qe une

Na kishe munguar! Sa qe une isha gati te beja nje apelim virtual: Ku humbe? U cmendem me politike. Nje impresionizem ngjyrosur ploz ngjyra te arta vjeshtore, dhe "vdekjen" e nostalgjise, mallit e komunikimit shpirteror te materies: karte e kartoline. E dashur Eda ne jetojme kohen dixhidale dhe, njohim vetem nje poste, ate te komunikimit virtual. Posta klasike ka vdekur. Bota tjeter sic duket akoma qenka mbrapa ne komunikim.

e lexova letren me

e lexova letren me kureshtje,por vura re se trajtohen dy tema:1.Ajo e postave tona inefiçente2.Miti i shqiptareve qe i gjen edhe ne fund te botes.Per te dyten me mjafton habia e nje hotelieri qe nuk e besonte se Shqiperia eshte shume e vogel ne km2 e po aq e vogel ne popullsi:-pse habitesh?-i them.-Po shqiptaret i gjen kudo-me thote ky.Persa i perket postave inefiçente,mund te biem dakord qe nje leter nga Amerika per ne Korçe mund te shkoje me shpejt se nje leter nga Pogradeci ne Korçe.Mua pegjithesisht me kane shkuar ne destinacion letrat e shume shpejt madje,perhere te shoqeruara me shenimin tim te kujdesshem prane destinatarit"Ju lutem kujdes!Brenda ka ilaçe".Po te kete ndonje leter te shkruar nga brenda besoj se duhet informuar zyra e postes neper brendine,qe te mos jene kurioze ta lexojne.Leter e lezetshme kjo e znj.Eva,qe me dashamiresi i kujtoj se Wellington eshte kryeqyteti,kurse Auckland eshte qyteti me i madh,ashtu si dhia i ka briret me te shkurter se cjapi.S'kemi pare t'a haje dreqi,qe te bredhim boten,se ne shqiptaret jemi vertet dashamires te udhetimit.Jemi edhe ne"popolo di navigatori",pavaresisht se jo aq te semure si japonezet,qe edhe ne banjot e Evropes hyjne me aparat fotografik.Ore,Respublica!Mua ca here me del Captcha e ca here jo.Mos ka futur sali berisha Shik-un ketu brenda,te pergjoje llogjet tona?

Ky do jete problem i postave

Ky do jete problem i postave te Tiranes.Kam bere mbi 50 blerje ne internet e nuk kam patur kurre probleme....

Problemi me posten e Tiranes

Problemi me posten e Tiranes nuk eshte aq i madh. Gjithmone jam i kenaqur me postimin dhe punen qe bejne. Ndoshta ti i ke postuar gjerat me valute te ulet (poste te ngadalte) dhe do te ken ngelur rruges ne tranzit.

Le ta leme Auckland-in, e t'i

Le ta leme Auckland-in, e t'i falemi Edes per kete flad te ngrohte (ose me mire te fresket, pasi vapa e ketij viti po me ben te djersij, sa e permend fjalen). Me bere te kujtoj kohen kur lexim i pasazheve te tilla - harruar kohesh ne kete kohe te dhjere demokratike - i jepte krahe fantazise per botej pertej. Me bere te harroj per do caste gjithe keto perjetime qe na krijon llumi i termave te politikaneve, qe tallen me gjithkend, madje edhe me shume prej gazetareve tane, qe te ngjeshur ne dy skaljone, ose reken t'i stigmatizojne, ose u krehin bishtin si puthadore.

Vertet te falenderoj Rda se me bere te ndjehem, per pak caste, njeri tjeter. Shpresoj te mos mungosh kaq gjate!

Kryeqyeteti i Zelandës së Re

Kryeqyeteti i Zelandës së Re është Wellington-i.

Miq lexues, Ju njoftoj se

Miq lexues,

Ju njoftoj se njera nga shtate kartolinat te cilave u referohem me lart, mberriti ne Tirane... ajo me posterin fellinesk futur ne zarf te bardhe. Erdhi pas nje muaji e gjysme, por erdhi ama. Sigurisht nuk kam me shprese se do arrije kartolina e nisur ne dhjetor te 2011, por teorikisht shpresat nuk duhen hequr kurre.

Add new comment