Është tepër vonë!

Postuar në 16 Shtator, 2012 06:20
Mirela Kumbaro

Nazimja vrau Fiqiriun, M. 40-vjeçare është gruaja e Fiqiriut, 20 vjeç është vajza e madhe e Fiqiriut, L. është motra e Nazimes, D. është gjyshja e Nazimes, V. është nëna  Nazimes. Nëpër televizione flasin gra, të afërta të Nazimes. Një tufë me kalamaj, kushërinj e motra të saj sillen rrotull nëpër oborret e shtëpive dhe konsumojnë tragjedi për së gjalli.

Gazetarët dynden drejt spektaklit gratis plot personazhe, që s'kushton gjë veç karburantit deri në pikat gjeografike ku zhvillohet skenari. Televizionet mbushën minutat e ngelura bosh prej pushimeve të politikës e prej politikës së lodhur.

U shitën, mizorisht e pa filtër, vështrimet e përlotura të foshnjeve, thëniet  e papërgjegjshme të familjarëve, dekoret mjerane, varfëria e skajshme, sms -të e fatnxirës duke i hequr asaj por edhe gjithë personazheve të përmendur më sipër çdo mundësi për një ekuilibër minimal në ditët që do të vijnë, qoftë  brenda varfërisë, qoftë prapa hekurave. Kush jemi ne që i trajtojmë ata mjeranë, të harruar deri dje në vobektësinë e tyre të skajshme e në padijen më të thellë, si kavje të kureshtjeve tona perverse dhe pastaj i gjykojmë primitivisht, që prej facebook-ut e blogjeve anonime, me batuta të papërgjegjshme: "mirë ia bëri!", "ah, i paska çuar sms!", "e paska pasur dashnore? epo e ka pas fajin vet", "ai e meritonte plumbin", "i lumtë dora.." ?!

Të ndërsyer nga kamerat e mikrofonët që u vihen përpara ata lëshojnë thirrma që u vijnë nga kushtrimi i të parëve, e vetmja gjë për të cilën ndjehen ende gjallë: "do kërkojmë gjak!"

Duket sikur çdo vrasje përgatit shtratin e një vrasjeje tjetër të paralajmëruar që ndodh veç pak orë më pas. Më tremb dhe mua ftohtësia me të cilën i them këto fjalë, por kjo tregon se aktet e dhunshme që mbushin me shpejtësi të pabesueshme lajmet, janë kthyer në pejzazh të përditshëm të jetës tonë.

"..morën peng e dhunuan dy turq se u ngacmuan motrën..."; ".. e torturoi për disa orë rresht të dashurën duke i djegur trupin me cigare, se ishte xheloz..."; "Gjendet e vrarë me gurë, e zhveshur, 25 vjeçarja, nënë e dy fëmijëve...". Kalojmë te lajmet e tjera: "Vritet gjatë kryerjes së detyrës komisari i policisë..."; "...kapet vrasësi, një i dënuar për vrasje me 21 vite burg..."?! A nuk duhet të ishte në burg ky?!

Këtej ekranit, ne konsumojmë qetësisht lajmet si të ishin buletine moti.

 

Makth

Po ne, në ç'realitet jetojmë vallë?! Ku e kemi pasur gjithë këtë vrer brenda vetes tonë! S’ka kod e kanun t’i përmbajë të tilla figura krimi! Mendoj se duhet të shkojmë më thellë për të kuptuar pse ndodhin, pse ndodhin kaq egër. Pse shoqëria jonë prodhon kaq shumë barbari? Pse dhuna vjen rregullisht si mjet i parë për të zgjidhur problemet, që nga më të mëdhatë deri te mosmarrëveshjet më të vogla? Pse dhuna bie së pari mbi qeniet më të dobëta, më të pambrojtura që kemi rreth vetes, qenie që si rregull duhet t’i mbronim? Jemi shumë pak në numër për të pasur një ritëm kaq të lartë vrasjesh e krimesh  primitive. Primitive thashë? Po, për besë ! E  kjo do të thotë se boll segmente të shoqërisë sonë janë po aq primitive.

 

Dhuna dhe vrasjet e shtuara  frikshëm, nuk janë të shkëputura nga shoqëria në të cilën ato mbijnë, rriten e “lulëzojnë”. Ato janë pjesë e një mozaiku më të gjërë. Ka gjithmonë një kryehierark që dhunon ata që ka ndën vete. Udhëheqësit dhunojnë rregullisht në skenën politike marionetat e tyre dhe vartësit të cilëve ua kanë zënë kokën me derë. Dhunojnë edhe elektoratin sa herë që kanë fushata e i sjellin turmat si delet në kryeqendra, sa herë që i gënjejnë me premtimet e pambajtura e të pambajtshme, sa herë që i agresojnë me sharje parlamentare apo  me çjerrje televizive.

Bosët e rinj të bizneseve befasuese, me forcën magjike të parasë okulte, dhunojnë tregun, klientin, konkurrentin, teknicienin, rregullat e lojës.

Polici dhunon gjahun që ka futur në dorë. Pastaj bëhet vetë viktimë e pambrojtshme e dhunës, e krimit dhe drejtësisë së munguar.

Sistemi i kalbur i një drejtësie në krizë të plotë mosbesimi e me lidhje të shpifura me politikën e me krimin, dhunon gjithë shoqërinë e mendjet tona duke na detyruar të besojmë te korrupsioni si i vetmi mjet për të zgjidhur hallet në një shtet ku pushtetet janë veç zgjatim i sëmurë i njëri-tjetrit.

Dhe në fund, kryefamiljari dhunon anëtarët e tjerë të familjes, por edhe nëna dhunon fëmijën e saj, se veç ky i ngelet poshtë në hierarkinë familjare. Mbi ta është më e lehtë të nxirren të gjitha komplekset, frustracionet e mllefet e një fëmijërie të keqtrajtuar që në krye të herës. Dhe të nesërmen ndodh masakra  e radhës…

 

Pse dhunë dhe jo FJALË?

E para ishte FJALA. Po ku ta dinim ne? Kush na i tha? FJALA mësohet, edukohet, përpunohet në shkollë. Shkolla te ne erdhi shumë vonë. FJALA te ne është ende miturake. Historia na dha FJALËN me pikatore dhe armë me shumicë. Pesëdhjetë vite FJALËN e kyçëm në skutat më të errëta. Kur u hap dera, ajo doli e zbehtë, e mpakur, e sëmurë. Shkolla, edukimi, arsimimi janë të vetmit që mund t’ia japin vendin e merituar. Por, sa kohë duhet vallë të mëkëmbet, të forcohet e të jetë zonja e  komunimit social dhe shteti të fillojë më në fund të thotë Fjalën e vet? Shoqëria shqiptare është ende lehonë që ka pjellë një parademokraci. Lehoni që po shkon po aq gjatë sa ishte e vështirë lindja.

 

Jemi tepër vonë

Për fatin e familjeve të përfshira në këto tragjedi, të komisarit e të familjes së tij është tashmë tepër vonë!

Ndërsa për ne është marre e madhe që mjaftohemi vetëm duke shkruar kronikat e vrasjeve të paralajmëruara! 
Turp i rëndë që nuk arrijmë dot as të indinjohemi në një vend ku kriminelët shëtisin të lirë, ku krimi ndjehet si në shtëpi të vet, dhe ku shteti tregon sa i dobët është!
Duhet të kishim protestuar për të gjitha krimet e kryera gjatë këtij sezoni turistik. Nuk e bëmë dhe dje Fatjona u gdhi e masakruar si qen poshtë një ure.
Duhet të kishim protestuar dje për të. Nuk e bëmë dhe mbrëmë na vranë një komisar policie. 

Tani që po e nis këtë shkrim për botim sapo lexova lajmin:

"Lena Pjolli, nëna e tre fëmijëve, është vetëdorëzuar në Policinë e Shkodrës: Mora gjakun e prindërve dhe ndihem shumë mirë. Personi që vrau prindërit nuk u kap asnjëherë nga policia, nuk kishte asnjë kuptim që prindërit e mi të jenë të groposur dhe atyre të mos u hyjë asnjë gjemb në këmbë, as nga shteti e as nga kush"
Ju thashë që sot jemi tepër vonë!!

 

Comments

Submitted by shen kozmai (not verified) on

<p>Barbare para 2000 vjetesh ....barbare dhe pas 2000 vjetesh...........</p>

Submitted by Lira (not verified) on

<p>Urime per shkrimin. &nbsp;S&#39;kam fjale sa bukur e keni pershkruar problemin thelbesor te shoqerise sone: mungesen e fjales, te te komunikuarit. &nbsp;Urime dhe nje here.</p>

Submitted by davidi (not verified) on

<p>Bosët e rinj të bizneseve befasuese, me forcën magjike të parasë okulte...</p><p>pa pa pa c&#39;paravolira</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.