Histeria (e përsëritur) e pseudopatriotizmit
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/default_images/no-photo_0.jpg?itok=QGFmpan5)
Shtysë për të shkruar këto rreshta u bë i riu i talentuar, shqiptari me origjinë nga Kosova, futbollisti i kombëtares zvicerane Xherdan Shaqiri. Poeti nga Kosova z. Prend Buzhala kishte sjellë në facebook fotografinë e lojtarit të ri të Zvicrës që kishte pikturuar flamurin zviceran në trup, mbi zemër, të shoqëruar edhe me këto fjalë: Kur Atdheu nuk të integron, atëherë vlerat integruese sportive shfaqen
gjithandej, aty ku ato shkëlqejnë në plotninë e tyre…Dhe më poshtë teksti origjinal që shoqëronte fotografinë: Kjo foto e Xherdan Shaqirit ka indinjuar shumë tifozë në rrjetet sociale që e thërrasin tradhtar. Madje përdorin dhe shumë fjalë fyese në adresë të tij. Flamuri zviceran është pikturuar gjatë grumbullimit me përfaqësuesen helvete. Në shtator luhet ndeshja Zvicër–Shqipëri ku priten revolta të shumta ndaj gjestit aspak të bukur të Shaqirit. Të bën përshtypje agresiviteti i disa bashkëkombësve tanë (dhe kjo është edhe shtysa për t’u shprehur për patriotizmin tonë) që pa menduar dy herë e konsiderojnë Xherdan Shaqirin as më shumë e as më pak por tradhtar. Tradhtar është një fjalë e rëndë. Por pse i vishet Xherdanit një damkë e tillë? Para se ta bëjmë tradhtar le të sqarojmë që askush nga ne, unë, ata që e quajnë tradhtar apo edhe ata që e mbrojnë, nuk kanë asnjë meritë që Xherdani zhvilloi talentin dhe ka arritur aty ku ka arritur. Jo vetëm kaq, por unë, ata që e quajnë tradhtar përfitojmë nga talenti i Xherdanit për të rrahur gjoksin sa herë kombëtarja zvicerane luan me shtete të tjera. Ne themi me mburrje se në përbërjen e Zvicrës janë tre-katër shqiptarë. Dhe duam apo nuk duam ne, komentatorët nuk harrojnë të theksojnë se lojtari në fjalë është me origjinë nga Kosova, po, nga Kosova jonë. Dhe kështu Xherdani na bën krenar ne bashkëkombësve të vet. Por Xherdani, është 20 vjeç dhe për të arritur aty ku është, ai ka vuajtur shumë në stërvitje intensive duke u privuar nga kënaqësitë me të cilat jepemi ne të tjerët, patriotët shqiptarë. Dhe, nëse Xherdani nuk paraqitet mirë në fushën e lojës, nëse ai pëson një trauma apo një dëmtim, gjithçka mund të marrë fund për të. Askush nuk do kujtohet për të, as unë që e vlerësoj sot si hero edhe pse po e ndajmë talentin e tij me zviceranët, edhe ata që e hedhin poshtë në koshin e… tradhtisë. Për të flitet sepse është në kulmin e karrierës së tij. Ne flasim për moral. Por kurrë nuk i shikojmë gjërat në sy. A do ishte e moralshme që Zvicra të punojë me talentet si Xherdani, t’i ndihmojë që ata të gjejnë vendin që u takon në kombëtaren zvicerane dhe Xherdani të mos i jetë asaj mirënjohës? Nuk do kenë të drejtë fëmijët tanë t’i falen flamurit të vendit që i ka adaptuar? Unë jam krenar që jam shqiptar, e dua vendin tim, por ju nuk mund ta dini sa e dua unë vendin që më është bërë atdheu im i dytë, Kanadanë. Jo vetëm kaq por lutem që edhe Shqipëria ime një ditë të bëhet si Kanadaja, apo si Zvicra, apo si Amerika. E më tej, aq sa mundem përpiqem që Shqipëria të ndryshojë për të marr atë fytyrën e saj evropiane, fytyrë që pres të ndryshojë përmbi 20 vjet. Kjo është dashuria për atdheun. Jo çdo njeri që mbërthen një flamur kombëtar dhe pozon me të mund të bëjë moralin e patriotit. Flamuri dhe simboli që ai projekton ndihmojnë në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare dhe janë një gjë e mirë me qëllim që të gjithë të bashkohemi rreth çështjes kombëtare dhe shtytjes përpara të çështjeve që e mbajnë peng si komb dhe nuk na lënë përpara. Por simboli, i pashoqëruar me veprime konkrete është pavlerë dhe nuk bëhet fjalë për patriotizëm por për hipokrizi e sharlatanizëm. Ata që kritikojnë Xherdanin, le të kritikojnë apo etiketojnë ata që e shesin nderin e kombit tonë në Pazar, ata që pasurohen nëpërmjet korrupsionit, duke fyer të gjithë shqiptarët. Nëse ndonjëri mbahet më patriot se Xherdani, le të hidhet në veprime civile për të ndryshuar diçka në Kosovë apo Shqipëri, në Maqedoni apo në Luginën e Preshevës, në Mal të Zi apo në Çamëri. Por jo, është më thjesht të kritikojmë një 20-vjeçar se pikturoi flamurin zviceran edhe pse ai kurrë nuk e ka mohuar se ka gjakun tonë në deje. Le të shpresojmë se Xherdani nuk është kokë turku dhe brenga qëndron tek fakti që Xherdani përfaqëson një vend perëndimor. Nëse kjo është e vërtetë, shqetësimi për orientimin tonë evropian është real. Por duke shpresuar se ky mund të jetë një spekulim le të besojmë se nuk shikojnë më larg nga hunda e tyre. Ndryshe, fali Zot se s’dinë se ç’bëjnë!
Comments
Xherdan Shaqiri kritikohet
<p>Xherdan Shaqiri kritikohet plotesisht me te drejte per pseudo-patriotizem hipokrit. Kjo sepse: 1) xhesti i tij i permalluar per flamurin kombetar eshte teatral por jo i sinqerte. Kur deshi te zgjedhe midis atij flamuri kombetar dhe atij tjetrit nuk zgjodhi flamurin kombetar. Nje flamur mund te zgjidhte dhe ai e zgjodhi njerin. Tani tjetrin ta harroje se te dy nuk i mban dot. 2) askush nuk duhet ta kritikoje Shaqirin si tradhetar. Ai eshte njeri i respektuar si tere zviceranet e tjere. 3) Mundesisht, si tere zviceranet e tjere z. Shaqiri ben mire e te merret me Zvicren, vendin e tij, dhe mos te na jape ne shqiptareve leksione patriotizmi te tipit "kur atdheu nuk te integron". Atdheu yne ka te meta pafund dhe une nuk e mbroj per to. Por tja vere fajin mosintegrimit te atdheut qe ai zgjodhi Zvicren eshte palacollek.</p>
Add new comment