Shahin Nelaj, të cilin ju nuk e njihni
Çfarë ju kujton emri Shahin Nelaj? Gjasat janë asgjë. Gjasat janë, siç nuk ju kujtojnë asgjë tashmë as emrat e dy të vrarëve në Poliçan, as emri i grua së therur në periferi të Tiranës. Për të mos përmendur të vrarë të tjerë të para pak javësh, apo të aksidentuarit e shumtë që i lajnë në gjak, ditë e natë e papushim, rrugët e Shqipërisë.
E gjitha ka hyrë në etapën e rrezikshme ku një emër nuk është më histori, por statistikë, ku njeriu kthehet në numër. Më duket se Remarku, por ia atribuojnë edhe Stalinit, e përmend këtë në një prej librave të tij të mrekullueshëm me subjekt Gjermaninë e prag apo gjatëluftës. Pra, jemi në atë dekik të kohës, në atë kohë të mos-o-zotit, ku emrat bashkë me portretet e historitë janë shfytyruar duke u kthyer në lista emërore (të përzishme e bajate si ato që botojnë gazetat e përditshme në këtë vend e ku lajmërohen të papunët, të pastrehët, të patokët, të palicencuarit, se janë bërë me punë, strehë, tokë, licenca, tapi. Tash, sikur na hyn në punë, sikur nuk na mjafton babëzia e përditshme e gjithkujt, kemi edhe një hit-parade të pasurive të politikanëve që na përthyhen në media. A thua se nuk i kemi sytë: a thua na e ka hangër dreqi edhe atë grimë tru që na e lejon një pikë gri sa për logjikën).
Duket se listat, të gjitha bashkë, me të aksidentuarit, të vrarët apo politikanët e kamur së rishti, janë një kërkim i gjatë i yni dhe shoqërisë për antiheroin. E ravgojmë këtë antihero ndoshta si shelbim për papërsosmërinë tonë; për batakun ku jemi. Me të ngushëllohemi e themi: nuk qenkemi aq keq; ja, këta që vriten theren, e vjedhin. Por një pjesë jona e kërkon antiheroin pikërisht se do ta modelojë veten sipas tij. Në fakt, kjo ka ndodhur ndërkohë. Pikërisht për këtë, edhe vrasjet edhe babëzitë e politikanëve vijnë e shkojnë rrëmbyeshëm brenda nxitimit të një dite. Për t’u harruar të nesërmen: deri në krimin tjetër dhe deri në harrimin tjetër që po kthehet edhe vetë në krim.
Para nja 20 rreshtash, në krye të këtij shkrimi, u përmend një emër: ai i Shahin Nelajt. (Ja, pra, loja e harresës). Kush është Shahin Nelaj në të vërtetë? Një elektricist; një burrë në moshë, nga ata që i sheh shtyllave me ata këmbalecët si oktapodë. Një prej atyre që ndodh të mbeten në ato shtylla të zënë në korrent dhe, dëgjoni çudinë, nëse janë jashtë 8-orëshit, edhe pse i kanë thirrur të paraqiten në punë, kompania nuk u paguan pension sepse… kanë mbetur në korrent jashtë orarit zyrtar!!!
Por nuk është ky këndi që e bën me histori Shahin Nelajn, epika që e bën një emër të përveçëm, një vuajtje, një hero të kohës sonë. Shahini ka 12 fëmijë, 6 prej të cilëve janë të vëllait të tij të vdekur. Për ata, për ato 12 gojë, Shahini u gjend një ditë gushti në fshatin Breg-lumë të komunës Tërthore në qarkun e Kukësit, me urdhrin që t’u priste dritat debitorëve të CEZ Shpërndarjes. Skena është lehtësisht e kapshme: Shahini, nja 60 kile burrë, para një luzme fshatarësh të ndërkryer në një zonë të varfër të Veriut. Ai, bashkë me të tjerë punonjës të CEZ-it, nxirren nga makinat dhe rrihen paq.
Shahini duhet të ketë një pagë diku te 30 mijë lekëshi. Pjesëtoje këtë me 12 gojët, plus burrë e grua që duhet të ushqejë. Nëse do të ishte vrarë, ka gjasa që kompania nuk do i kish lidhur pension. Në fund, të fundit ishte jashtë 8-orëshit.
Shahin Nelaj nuk është bërë, falë Zotit, pjesë e kasaphanës, por e shpjegon atë. Shpjegon padrejtësitë që çojnë në masakra që këta muaj vere kanë shpërthyer duke u bërë provë e qelbit në trupin e shoqërisë. Si për shembull, padrejtësia e burrit që lakmon gruan e tjetrit dhe don ta shtijë në dorë me çdo kusht; padrejtësia e adoleshentit që kërkon sendet e tjetrës dhe e shkon në thikë për to; padrejtësia e CEZ-it që, megjithëse ka pajtuar Përmbarues privatë, me maska, armë e burra të fortë, dërgon në gojë të ujkut Shahinin e shkretë, të mpaktin Shahin që e ka kryer drejtësinë e tij para robit e Zotit: i ka marrë 6 fëmijët e të vëllait e i mban me bukë e me ëndrra. M’anë tjetër, kushdo i lehtëson rrethanat që 12 fëmijë të mund të mbesin jetimë, e meriton hakmarrjen. Të robit e të Zotit.
Mapo
Comments
O Fredo, ik e baj ndonje
<p>O Fredo, ik e baj ndonje shkrim t bukur per Lulin e Bashkis byrazer se ato i ben mir ti. Lpija nga pak Lulit her pa here Fredo se kallamat e lulave ju mbajn me buk ju, perndryshe ju merr lumi e ju han ulku</p>
Hallall!
<p>Hallall!</p>
Alfred ke bere nje shkrim
<p>Alfred ke bere nje shkrim shume te ndjere por te drejte. Nje histori e dhimbshme ajo e Nelajt qe meriton mbrojtje. Na jep ndonje te dhene orientuese per te se mund ta mbrojme juridikisht dhe kam bindjen qe do tia fitonim te drejtat pasi konstatoj si avokat shume shkelje qe jane bere ndaj tij</p>
Add new comment