Përse gjendemi në Olimpiadë?

Lojërat Olimpike nuk janë thjesht një eveniment! Përkundrazi, janë evenimenti më i rëndësishëm sportiv i planetit! Thuaj se tërë shtetet e botës marrin pjesë në të! Për arsye se tërë planeti e ka vëmëndjen të përqëndruar tek ajo, shpesh përdoret për të tërhequr vëmendjen me gjëra që nuk kanë të bëjnë me sportin! Besime politike apo fetare si rastet e shamive në kokë të atleteve nga vende myslimane apo nderimi me grushtin lart me dorezë të zezë i atletëve Tomi Smith dhe Xhon Karlos në shenjë mbështetje për "Panterat e Zeza" shumë kohë më parë! Mbi të tëra, edhe pse kanë kaluar mbi 40 vjet, akoma është aq e freskët dhimbja e shkaktuar prej aktit terrorist ndaj delegacionit Izraelit në Olimpiadën e Mynihut! Tashmë, nëpër kinematë e botës, qarkullon edhe filmi i bazuar mbi ngjarjen e rëndë në fjalë me aktorët Daniel Kreig dhe Matie Kasoviç.
Në rastin e markave të njohura sportive, është momenti i "përplasjeve" midis tyre! Çdo betejë atletësh, çdo medalje ari, përveç të tjerave është edhe një fitore për markën që prodhon rrobat atletike të pjesëmarrjes së tyre. Një reklamë dhe njëkohësisht një luftë e pafund për dhe midis markave "Nike", "Adidas", "Puma", "Rebook", "Speedo" etj,etj.
Kujtoni atë historinë e dy vëllezërve Dassler nga Gjermania. I madhi, Adolf, i njohur emrin e shkurtër Adi, pasi u nda prej të vëllait për të krijuar secili firmën e tij të këpucëve atletike, nuk përtoi të vinte deri në Amerikë duke arritur të bëhet sponsori i parë i një afroamerikani, i të pavdekshmit Xhesi Ouens që sfidoi teorinë naziste tamam nën vështrimin e Hitlerit! Ai fitoi katër medalje në Olimpiadën në fjalë dhe të paktën vetëm prej kësaj, iu bë aq jehonë markës "Adidas" (prej Adi Dassler), sa që firma arriti të shesë deri në 200.000 palë në vit para luftës së dytë botërore!
I vëllai,Rudolf, i njohur edhe ai me emrin e tij të shkurtër, pra, Rudi, krijoi firmën e tij. E quajti "Ruda". Ashtu siç veproi vëllai i tij me inicialet e emrit dhe mbiemrit. Pra Rudi Dassler në "Ruda" për ta ndryshuar përfundimisht emrin në "Puma Schuhfabrik Rudolf Dassler" në 1948! Goli i parë gjerman i pasluftës, erdhi nga këmbët e Herbert Burdenski, i cili vishte "Puma". Dhe vijmë tek Olimpiada e vitit 1952 kur atleti i 1.500m, Jossy Barthel u ngjit në vendin e parë me...këpucë atletike "Puma"! Ishte medalja e parë e artë për "Puma"! Atleti ishte...nga Luksemburgu!
Hiret e trupave të Adolf dhe Rudolf Dassler, pas vdekjes së tyre, ndodhen jo pranë njëri tjetrit në varrezat e qytetit të tyre të vogël Herzogenaurach diku 20 kilometra larg Nurembergut! Konkurenca, vazhdon edhe sot!
Çdo shtet që organizon Olimpiadën kërkon dhe mbetet në histori për njërën ose tjetrën ndodhi! Në Olimpiadën e Pekinit, mijëra ushtarë-skllevër punonin papushim në stadium duke mbajtur në trup ...bebelina si foshnjet, në mënyrë që të mos humbisnin kohën duke vajtur nëpër banjo për kryerjen e nevojave personale. Për ceremoninë e hapjes në Londër u impenjua një nga regjizorët më të njohur të Hollyëood-it, Dany Boyl! I paharrueshëm mbetet arushi (maskot) "Misha" me lotët e tij në ditën e fundit të lojërave olimpike të Bashkimit Sovjetik! Në hapjen e Olimpiadës në Athinë, parakaloi edhe romi me "Datsun" me karroceri të mbushur me patate, pjesë e jetës së përditshme të Greqisë në vitet 80-të sidomos!
Olimpiada është tashmë së pari një biznes! Një ditë transmetimi i lojërave olimpike sjell fitime më të mëdha se sa transmetimi i fazës finale të kampionatit Botëror të futbollit! Është një sfidë komerciale për hotelet që strehojnë delegacionet olimpike, spektatorët e ardhur nga tërë bota, për restorantet, taksitë, agjensitë turistike, linjat ajrore për çdo lloj gjëje ku rreh impulsi i biznesit të një vendi.
Olimpiada lidhet direkt me historinë! Çdo shtet kërkon të mbesë në histori me organizimin e Olimpiadës përkatëse. Çdo atlet kërkon të lidhë emrin e tija me historinë ashtu si Xhesi Ouens, Bob Bimon,Karl Ljuis,Nadia Kumaneshi e sa e sa të tjerë! Shtetet e vogla hyjnë në histori vetëm e vetëm sepse përfaqësohen në Olimpiadë. Atletët e tyre gjithashtu dhe kur ndodh që sjellin medalje në atdhe, atëherë janë bërë pjesë e historisë së atij shteti! Që nga pritja si heronj nëpër aeroporte, parakalimi nëpër bulevarde qendrore mbi një makinë të zbuluar, ajo pritje që ju rezervua Neil Armstrong-ut dhe Buzz Aldrin-it kur u kthyen nga Hëna më 1969 e deri përjetësimi i emrit të tyre në stadiume, shkolla, rrugë, tragete si në rastin e sprinterit grek Kostas Qederis!
Kuptohet pra se çfarë do të thotë pjesëmarrje e Shqipërisë në Olimpiadë! Kjo verë e vitit 2012 arriti kaq zhgënjyese me eliminimin e ekipeve tona në futboll në Kupat e Europës. Një kualifikim i Tiranës në Luksemburg dhe një fitore e Skënderbeut ishin tepër pak për të harruar thasët me gola që na dhuruan në Gjeorgji dhe në Norvegji! Futbolli si sport, nuk pranon që nuk pranon të ringjallet dhe presim diçka vetëm nga Xhani de Biazi se mos ka ndonjë formulë magjike për Kombëtaren! Kurse për sa i përket sporteve të tjera...
Le të vijmë tani tek atletët tanë në Olimpiadë. Ku jemi? Çfarë po arrijmë? Pa filluar mirë lojërat Olimpike, ne filluam me shpalljen pozitiv në testin antidoping të peshëngritësit Hysen Pulaku!!! Ky mbase ishte një record Olimpik ndër kohëra dhe medalja e vërtetë që na takonte! Që meritonim! E kishim që e kishim të freskët dhimbjen sportive kombëtare me Erkand Qerimajn, po kjo ç'ishte? Pra ku e ku sa larg nga Ymer Pampuri i Olimpiadës së vitit 1972, kur dilte i pari me 127.5 kg në stilin e forcës atëherë, duke thyer rekordin olimpik të Yushinobu Miyake të Japonisë!
Shpresat tona të vërteta për një medalje qëndronin tek Majlinda Kelmendi dhe Romela Begaj. Por ja që, qysh tani të dyja atletet mbetën jashtë lojërave kaq herët! Siç pranon në hidhërimin e saj të sinqertë dhe aq prekës Majlinda Kelmendi,u eliminua pikërisht atëherë kur e kishte farë të sigurtë fitoren ndaj një kundërshtareje krejt modeste. Në rregull dhe besoj se nuk mund të shpjegohet ndryshe, por mendja vete tek puna psikologjike që bëhet me atleten. Përgatitja e saktë psikologjike në mosmbivlerësimin dhe mosnënvlerësimin e kundërshtarit, pjekuria gjatë dyluftimit, durimi etj. Sidoqoftë, një shpresë e madhe e jona humbi kaq herët në mënyrën më të pabesueshme!
Vijmë tek Romela Begaj! Një tjetër shpresë, krejtësisht normale për sjelljen e një medaljeje olimpike në vend por...rrëqethesh kur lexon deklaratat e shefit të misionit Olimpik në Londër, z. Viron Bezhani kur thotë se "ai nuk është marrë asnjëherë me sportin e shtangës, për të mos thënë që është mjaft i ri për të qenë trajner”. E shikoni ku është katandisur sporti ynë? Ju e keni parë në televizor, ata nuk dinin as kur kishin radhën e jo më të pretendosh rezultate. Sportisti duhet të jetë i qetë kur të garojë, duhet të mendojë vetëm për konkurrimin e jo të pushtohet nga emocionet. Pas garës, Romela thoshte se trajneri i dytë s’i kishte bërë mirë nxemjen e gjëra të til. Viron Bezhani i tha të tëra ato që mund të thoja unë dhe kushdo tjetër si unë. Nuk tha vetëm që, midis të tjerave, traineri i saj është edhe i fejuari i saj dhe kur lexon se ajo akuzon trainerin e dytë për dështimin e saj, të krijohet një hije dyshimi për mbarëvajtjen e punës si një ekip!
Dhe arrijmë kështu tek Klodiana Shala! Me pjesëmarrjen e saj të rregullt në tre olimpiadat e fundit, Sidney 2000, e 52-ta në garën e 400 m në moshën 21 vjeç, në Athinë 2004 e 33-ta në 400 m në moshën 25 vjeç dhe Pekin 2008 e 46-ta në moshën 29 vjeç. Ka diçka këtu që nuk duhet lënë të kalojë pa u përmendur. Që koha e saj në Athinë 2004, ishte 60 sekonda dhe në Kinë 54.84 sekonda. Që do të thotë se ndonëse përmirësoi kohën e saj personale, pra pati një ecuri më të mirë si sportiste në garën e 400 metrave, vendi i 46-të nuk i jep një pozicion më të mirë se sa vendi i 33-të i para katër viteve, ndonëse katër vjet më pas, rezulton me një kohë më të mirë! Çfarë nënkuptohet? Që gjatë katër viteve, atletika botërore ka përparuar aq shumë sa që nuk mjafton thjesht të përmirësosh kohën tënde të mbulimit të 400 metrave! Pra, kërkohet një punë jashtëzakonisht e madhe, që të kalosh vetveten, të paktën duke u përmirësuar në renditje sepse për medalje...duhet të ndryshosh mbase ligjet e natyrës!
Atëherë, pas katër viteve çfarë mund të arrinte Klodiana dhe në moshën 33 vjeç? Flasim për një atlete të 400 metrave në këtë moshë dhe kur shkohet në olimpiade si mbajtëse e flamurit, si Drejtoreshë e Agjencisë së Shërbimit të Sportit dhe duke qenë sportistja me pjesëmarrjen e saj të rregullt në Olimpiadën e katërt radhazi si edhe emri i saj i rëndë në atletikën shqiptare, çfarë duhet të presim? Ndodhi ajo që nuk pritej! Klodiana nuk mori pjesë në garë!
Vijmë tek deklarata e mjekut të ekipit Mel Ostreni. “Është e vërtetë ka një dëmtim i cili është një dëmtim i vjetër që herë pas here i rishfaqet. Iu rishfaq në stërvitje, iu bënë të gjitha ekzaminimet në fshatin Olimpik nga mjekë anglezë, e shoqërova edhe unë. Iu bë dhe rezonanca magnetike me disa mënyra që ne nuk i bëjmë dot në Tiranë, kështu që rezultoi e dëmtuar. Menjëherë pas kësaj të nesërmen u gdhi me temperaturë dhe në këto kushte vendosëm që ajo të mos marrë pjesë në garë". Çfarë duhet të kuptojmë? E dinit që ishte e dëmtuar? Përderisa e dinit që në Tiranë nuk bëhen "disa mënyra" të rezonancës magnetike, përse nuk i bëtë të paktën në Greqi? Me sa di unë, Greqia gjithnjë na ndihmon në stërvitjen e sportistëve tanë dhe rrjedhimisht edhe në mjekësi! Përse u nisët për Olimpiadë? Në moshën 33 vjeç, dhe qoftë edhe me hijen e dyshimit për sa i përket kondicionit fizik, e dinë edhe pulat që mundësia e asaj që mund të ndodhë është...thjesht një turp! Hidhini një sy fotos së saj në këtë shkrim!
Në të, të paktën ashtu siç e nxjerr gazeta "Tema", dhe normalisht supozohet se edhe fotgrafia është e kohëve të fundit, sheh një vajzë shumë simpatike me një stil paksa këngëtare seksi! Ajo që të irriton është fotografia në të cilën ka pas vetes flamurin kombëtar. Personalisht më vjen ta them dhe po e them pa takt! Cila je ti që ma hedh flamurin kombëtar pa pikë kujdesi prapa krahëve kur del në fotografi?! Ku janë kokat e Shqiponjës krenare?! Flamurin,nuk mund ta hekurosje të paktën? Dole sa për të thënë që ke flamurin në sfond? Mëso pra ta respektosh flamurin! Nuk është pronë e jotja personale dhe nuk mund të sillesh me të si të duash, qoftë edhe në vetmi!
Të tëra këto për sa i përket Klodiana Shalës po i shkruaj me ndërgjegje të plotë për t’i u shmangur keqkuptimeve me ata që më njohin, duke kërkuar të ruaj distancën e duhur nga tendenca politike apo si tifoz! Thjesht i shkruaj si shqiptar! Si një spektator shqiptar jashtë vendit që ndjek Olimpiadën dhe pas këtyre zhgënjimeve, besoj se ka të drejtën të pyesë atletët në fjalë, ashtu siç pyet edhe vetveten: Vërtet, përse gjendemi ne në Olimpiadën e Anglisë, në London 2012?!"
Comments
Shpenzohen leke kot per te
<p>Shpenzohen leke kot per te derguar njerez ne udhetime turistike. Pervec atij peshngritesit qe doli i 9, te tjereve i duhet dhene karton i kuq</p>
Sporti eshte nje nga fushat
<p>Sporti eshte nje nga fushat ku ballafaqimi me boten eshte i drejtperdrejte dhe ku nuk ka mundesi te relativizohet problemi: Shqiperia nuk eshte kompetitive.</p><p>Sporti eshte nje nga symptomat e pergjitheshme dhe nuk eshte fare i shkeputur nga realiteti. Ne Shqiperi asgje nuk managohet ne menyren e duhur dhe rezultatet kete e tregojne fare qarte. Pak gjera mund ti shtoj ketij shkrimi dhe te tjereve mbi kete teme. Por dua te ri-sjell ne vemendjen tuaj rastin e Erkand Qermimi, peshengritesit kampion te Shqiperise qe u skualifikua per doping perpara Lojerave Olimpike. Mua shpjegimet e Qerimit me duken te besueshme, substancat per te cilat ai doli pozitiv kane shume pak (per te mos thene hic) rol ne rritjen e performances. Ato dendur perdoren si aditive per vitamina por sidomos integratore muskulare qe jane substanca te lejuara nga tere federatat. Cka e ben historine per te qeshur te Romela Beges qe stervitet nga i dashuri te marre permasa dramatike. Peshngritesit tane me te mire dhe premtues qe nuk kane kaluar kufirin akoma te shkojne ne Greqi e te nderrojne emrin ne ortodhox, nuk kane asnje mjek, asnje dietolog e asnje njeri me shkolle per ti kshilluar sesi te ushqehen e cfare ilacesh te marrin. Rasti i Qerimit, sipas gjasave dhe informacionit qe per mua eshte i disponueshem vetem nga interneti, duket se eshte nje produkt injorance trashanike dhe neglizhence fajtore e pergjegjesve shqiptare te sportit.</p><p>Nje gje qe ne "patriotet shqiptare"e marrim si te mirqene kur kritikojme Pirro Dhimen & co. eshte se nese Dhima, Shabani etj do te kishin mbajtur ne dore flamurin shqiptar, ata do te kishin bere krenare si veten ashtu edhe tere kombin tone. Ketu gabohemi. Si Dhima e te tjeret do te kishin perfunduar si keta sportistet e tjere shqiptare qe permenden ne kete artikull. Duke dale ne vende te dhjeta nga nje stervitje spartane ne palestra patetike, trajnuar nga njerez me vullnet te mire por pa arsim dhe njohuri si te maksimalizohet performanca fizike, asistuar nga produktet bombastike te sistemit te edukimit mjekesor ne Shqiperi.</p><p>Dhima, Shabani etj, keto per te miren e tyre dhe per te keqen tone iken e u bene Greke. Do te ishte mire qe per keto sportistet tane te lodhur, uritur te keqtrajtuar shqiptare, por ndoshta me shume talent, te veme gishtin kokes e tu gjejme mjeke e trainere per te qene. Perndryshe pas pak vjetesh do te jemi akoma duke filozofuar mbi 'tradhetine' e Erkandis Qerimidhis apo te hallexhinjve te tjere te talentuar qe do tu duhet te behen vorio-epiriote nga halli. Per te patur nje pune dhe nje jete me dinjitet. Per te permbushur nje enderr te tyre.</p>
klodiana ishte per turizem
<p> klodiana ishte per turizem dhe jo per garim se bashku me vartesin e vet melostreni nje doktorr me perimetrin e barkut per ti qare hallin, nje mjek qe nuk kujdeset per veten e vaj hallit per te tjeret, apo nje melostren drejtues i antidoppingut ne Shqiperi qe me kaq skualifikime duhet te ishte dorehequr me kohe. Pa reflektuar mbi te gjitha keto dhe pa u ndergjegjesuar se sporti se pari eshte pasion e jo mjet perfitimi do vazhdojme te jemi gazi i botes ne cdo 4 vjet</p>
Add new comment