Veshka e Verës dhe imazhi i Kosovës

Si erdhi një ruse në Prishtinë për të shitur veshkën në klinikën “Medicus” dhe sa pagoi një gjerman për organin jetëdhënës? Cilët qeveritarë, këshilltarë dhe eksponentë të Partisë Demokratike të Kosovës ishin të përzier në rrjetin kriminal të tregtisë me organe? Këto dhe detaje të tjera ka zbuluar revista “Der Spiegel” në numrin më të ri. Imazhi i Kosovës sërish ka pësuar një goditje të rëndë – dhe për këtë përgjegjësit gjenden edhe në kolltukët qeveritarë në Prishtinë
1.
Nuk rregullohet imazhi i Kosovës nëse Hashim Thaçi në mënyrë pothuaj klandestine vjen në Zvicër dhe merr titullin “Doktor nderi” nga një shkollë private e themeluar nga një ish-punëtor i OKB-së në Bosnjë. Nuk rregullohet imazhi i Kosovës nëse kryeministri i vendit merr pjesë në ceremonitë e hapjes së Lojërave Olimpike në Londër vetëm për të treguar faqe botës shqiptare se mund të udhëtojë nëpër vende të BE-së dhe aty-këtu mund të bëjë fotografi me ndonjë politikan që kalon rastësisht andej. Nuk ndreqet imazhi nëse ajo që po quhet presidente e Kosovës shkon në Londër dhe nuk di çfarë të bëjë dhe takon një politikan bjerrakohës britanik, i dyshuar nga mediet për korrupsion, i cili për para të majme kinse lobon për Kosovën, shkruan broshura dhe poston mesazhe prokosovare në Twitter. Fjala është këtu për Denis MacShane, i cili në vjeshtë të vitit të kaluar kishte marrë 10 mijë euro për një ligjëratë të mbajtur në një universitet privat në Prishtinë. Imazhin e Kosovës s’mund ta përmirësojnë as disa poterexhinj që mbajnë ligjërata bajate për sukseset e vendit në arenën ndërkombëtare apo që krekosen për organizim konferencash, ku pjesëmarrësit ia lyejnë njëri-tjetrit mustaqet me mjaltë, fshijnë, sipas mundësisë, ndonjë honorar dhe për gjendjen në Kosovë e vrasin mendjen mes avullit të saunës. Ka raste edhe më bizare: zyrtarë të lartë qeveritarë shëtisin nëpër Egjipt dhe Arabi Saudite, madje të shoqëruar nga bashkëshortet, dhe televizioni pseudopublik këtë vizitë e prezanton si “lobim për Kosovën”. Këto janë pak a shumë përpjekjet që bëhen sot nga ana zyrtare për përmirësimin e imazhit. Për më tepër imazhin e Kosovës përpiqen ta ndreqin gazetarë të blerë si prostituta nga ana e regjimit, ish-gazetarë që shkruajnë sipas muzikës së nëntokës politike, por edhe kalemxhinj aq të pafytyrë, që ditën në opinion paraqiten si “analistë politikë”, ndërsa natën marrin rroga, kontribute financiare, honorarë dhe ndonjë ëmbëlsirë tjetër që rrëshqet nga tabaku i pushtetit.
2.
Për fat të keq imazhi i Kosovës ka rënë në pus dhe pjesën më të madhe të fajit për këtë e bartin pikërisht qeveritarët e tanishëm. Kapitulli më i tmerrshëm me siguri mbetet akuza e ngritur nga ish-prokurori zviceran Dick Marty mbi tregtinë me organe, të kryer gjoja nga eksponentë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Raporti i Marty-it – dhe kjo nuk po thuhet për herë të parë – pjesërisht është një përpjekje e ulët për të diskredituar pavarësinë e Kosovës. Për pjesët tjera të raportit duhet pritur hetimet. Një pjesë e akuzave të tij tashmë janë bërë objekt hetimesh ndërkombëtare dhe ndërlidhen me klinikën “Medicus”. Përkitazi me këtë garazh për masakrimin e njerëzve me qëllim të tregtisë me organe dhe transplantime prej muajsh ka hulumtuar revista gjermane “Der Spiegel”. Kështu së paku ka njoftuar redaksia e saj, e cila në numrin më të ri ofron detaje të reja mbi skandalin “Medicus”, i cili është temë qendrore e numrit. Nëse qeveritarët e Kosovës janë të interesuar të binden për këtë gjatë javës mund ta blejnë revistën “Der Spiegel” në kioskën te kafeneja “Monaco”, fare afër Newbornit.
3.
Në qendër të rrëfimit është Vera Shevdko, e cila në korrik të vitit 2008, pak muaj pasi Kosova kishte shpallur pavarësinë, aterroi në Prishtinë. Vera, ruse me kombësi, punonte si pastruese në Izrael. Atje kishte shkuar disa muaj më herët, pasi në Rusi kishte lënë ish-burrin dhe vajzën 10-vjeçare. Vera kishte ardhur në Prishtinë nga Stambolli. Në avionin e njëjtë ishte edhe Walteri, një fabrikant i sëmurë gjerman, i cili kishte vendosur ta blinte veshkën e Verës. Ky biznes i përgjakshëm ishte organizuar nga mjekë dhe ndërmjetësues shqiptarë, turq, gjermanë, rusë – që të gjithë të etur për para dhe pa etikë fare. Ky sistem kriminal kishte funksionuar vetëm për shkak se ishte mbuluar nga mjekët dhe zyrtarët e Kosovës. Kështu thotë prokurori i EULEX-it, Jonathan Ratel, për revistën “Der Spiegel”. Ndërmjetësuesi që e kishte takuar Verën në stacionin e autobusëve në Tel-Aviv i kishte premtuar asaj 10 mijë dollarë nëse e dhuron veshkën. Në takimin e dytë kishin marrë pjesë edhe dy gra të tjera; një burrë ishte përpjekur t’i bindë këto gra se dhënia e veshkës nuk ka pasoja për shëndetin, ndonëse e kundërta është e vërtetë, sipas mjekëve të pavarur dhe me etikë. Mjekët e klinikës “Medicus” pa vonuar ia nxorën veshkën Verës. Kur ajo u zgjua nga narkoza, në trup kishe të lidhur një zorrë plastike. Moshe Harel, një izraelit, i dha asaj një zarf me 8100 euro brenda – ndonëse jo vetëm në Kosovë, por në gjithë botën, sipas “Der Spiegel”, është e ndaluar blerja dhe shitja e organeve. Por kush bëhej merak për këtë në Prishtinë. Mjekët e firmës për masakra “Medicus” e konsideronin veten të fuqishëm. Zyrtarisht pronar i klinikës ishte mjeku gjerman, Manfred Beer, i cili sot thotë se nuk ka ditur për këtë kapitull të errët të “Medicusit”, por deklarata e tij, sipas “Der Spiegel”, nuk tingëllon e besueshme. E paqartë mbetet se si u bë një mjek gjerman pronar klinike në Kosovë. Avokati i mjekut Lutfi Dervishi, i cili ishte përgjegjës i klinikës “Medicus”, ofron këtë shpjegim: gjermani Beer e kishte strehuar familjen Dervishi gjatë luftës; pas kthimit në Prishtinë Dervishi i kishte propozuar gjermanit të hapnin një klinikë moderne kirurgjike në Kosovë. Avokati thotë se Beer në Kosovë ka investuar tre milionë euro. Por “Medicus” me gjasë nuk ishte klinikë (vetëm) kirurgjike, siç pretendon Beer. Hetuesit e prokurorit Ratel kanë gjetur në një server amerikan disa e-maila, ku në njërin prej tyre Beer e pyet Dervishin se çka u bë me paratë e fituara dhe kërkon prej tij që t’i deponojë ato në një xhirollogari bankare. Në mars të vitit 2008, Dervishi i shkroi partnerit gjerman se është duke zhvilluar biseda me njerëz në Kosovë dhe Turqi. Në një gjermanishte të dobët Dervishi shkruan: “Ne kemi me transplantime të veshkave filluar. Rasti i parë është bërë. Edhe një ne bëjmë më 28 këtij muaji”. Beer thotë se nuk i kujtohet emaili i Dervishit.
4.
Revista gjermane “Der Spiegel” njofton se që nga tetori 2011 po zhvillohet një proces gjyqësor lidhur me klinikën “Medicus”; të akuzuar janë katër mjekë dhe një ish-sekretar i Ministrisë së Shëndetësisë. Mbi ta rëndojnë akuzat e tregtisë me njerëz, krimit të organizuar dhe ushtrim i palejuar i veprimtarisë mjekësore. Mes të akuzuarve është edhe Lutfi Dervishi, profesor universiteti. Sipas aktakuzës, Dervishi kishte mbajtur lidhje me qarqet më të larta qeveritare të Kosovës. “Ai takohej personalisht me ministrin e Shëndetësisë dhe me këshilltarin e kryeministrit (fjala është për Shaip Mujën e Hashim Thaçit, v.j.). I akuzuar është edhe një ish-sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, i cili kokë më vete ia kishte dhënë klinikës ‘Medicus’ lejen për transplantime organesh, të cilën sipas ligjit kurrë nuk ka mundur ta merrte”, shkruan “Der Spiegel” dhe vazhdon: “Akuzat për tregti me organe në Kosovë shpejt u shndërruan në temë politike: ish-kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Carla del Ponte, dhe raportuesi i Këshillit të Evropës, Dick Marty, kanë pretenduar viteve të fundit se kryeministri i shtetit të ri, Hashim Thaçi, si luftëtar i trupës kosovare UÇK në fund të viteve ‘90 paskësh lejuar që të vriteshin të burgosurit serbë në mënyrë që t’u merreshin organet. Dëshmi të sigurta deri më tani nuk kanë paraqitur as Marty, as Del Ponte, por (misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, v.j.) EULEX është duke zhvilluar hetime nga shtatori 2011”.
5.
Mjeku kryesor që ishte marrë me operime dyshohet të jetë turku Yusuf Sönmez, nga mediet ndërkombëtare i quajtur herë “Dr. Korbi”, herë “Dr. Frankenstein”. Vera, rusja që e shiti veshkën për pak para, thotë për “Der Spiegel” se e kishte njoftuar Dr. Sönmezin në Prishtinë. Ajo ankohet se ai nuk ishte përgjigjur në asnjë pyetje të saj, as në rusisht, as në hebraisht – dhe e “kishte injoruar si një copë mish”. Sönmez është arrestuar në Turqi, por pasi ka paguar një kaucion, është duke e gëzuar lirinë. Turqia refuzon ta ekstradojë atë në Kosovë. Sönmez, sipas hetimeve, kishte bashkëpunuar me Moshe Harelin. Ai dyshohet se ka organizuar dhuruesit e organeve. Pas aksionit të policisë në Kosovë kundër klinikës “Medicus” Harel u arrestua në Prishtinë, por pas pak javësh ai nga gjykata u lejua të shkonte në Turqi, sepse nëna e tij gjoja ishte e sëmurë. Harel nuk është kthyer kurrë në Kosovë, ndërkohë që prokurori kanadez Ratel gjithnjë e më shumë e humb besimin se do të përmbyllet ky proces. Vera tani është penduar që e ka shitur veshkën; fabrikanti gjerman me emrin Walter jeton me veshkën e gruas së varfër dhe të mashtruar nga mafia kosovare, turke, izraelite dhe ruse. Sipas hetuesve, Walteri kishte paguar 81’892.72 euro për veshkën e Verës dhe shërbimet e tjera. Prej kësaj shume Vera mori 8100 euro. Se në xhepat e kujt kanë përfunduar 73’792.72 euro, ndoshta do të tregojnë hetimet e mëtutjeshme.
6.
Çfarë na tregon ky rrëfim i përgjakshëm? Na tregon imazhin me të cilin sot identifikohet Kosova. Na tregon se eksponentë të pushtetit, të grumbulluar rreth Partisë Demokratike të Kosovës, nuk kanë zgjedhur mjet për të fituar para; aty ku disa prej tyre e kanë nuhatur duhmën e gjakut fitimprurës nuk kanë menduar mbi pasojat për vendin. A është e mundshme që kryeministri Hashim Thaçi të mos ketë ditur gjë mbi aktivitetet e këshilltarit të tij për shëndetësi, Shaip Muja, i cili për turpin e Kosovës është edhe përfaqësues i popullit në Kuvend dhe shpesh di të llomotisë fraza pseudopatriotike? Ky grup njerëzish të papërgjegjshëm sërish e solli Kosovën në ballinën e revistës “Der Spiegel”. E, siç dihet, kjo revistë nuk mungon në asnjë zyrë vendimmarrëse, nuk mungon as në tavolinën e kancelares Angela Merkel, as në tavolinat e kryeredaktorëve të gazetave dhe televizioneve, as në tavolinat e specialistëve të Ballkanit. Tirazhi i shitur i kësaj magazine informative është – në daç besoni, në daç jo – 906’804 ekzemplarë! “Der Spiegel” është revista më e madhe politike e Evropës. Vetëm një grup me potencial të hatashëm kriminal e ka “nderin” të stolisë ballinën e “Der Spiegel”. Në shqip “Der Spiegel” domethënë pasqyrë. Pse Kosova doli në këtë pasqyrë, është një pyetje që shoqëria e Kosovës duhet t’ua bëjë atyre që publikisht thonë që po punojnë për popullin, por fshehurazi vringëllojnë thikat e krimit të organizuar.
Koha Ditore, robelli@bluewin.ch
Comments
"Der Spiegel", pra redaksia

"Der Spiegel", pra redaksia dhe fryma qe e shoqeron shumicen e gazetareve eshte ne rastin me te mire Shqiptaro-Myslimano skeptike dhe ne rastin me te keq racist, Albanofob. Eshte e cuditshme pasi "Der Spiegel" anon disi majtas. Kjo reviste gjate luftes se Kosoves beri cmundi qe opinionin gjerman ta rreshtonte kunder nderhyrjes se Natos. Nuk kam asnje dyshim qe Kosova qeveriset pjeserisht nga mafioz. Por eshte qesharake qe revista me e madhe gjermane rreth nje jave pas skandalit ketu ne gjermani te 2-3 klinikave ku mjeket e korruptuar gjerman kane favorizuar kundrejt pagasave te majme paciente , qe kane qene ne fund te listave per transplantime organesh, duke i vene ne fillim te listes, nuk fokusohet te skandali i vendit me te zhvilluar te EU por merret me banditet shqiptare ne kosove.

Duhet te jesh idiot qe te mos kuptosh se me cfare resentimentesh bejne marketing keta sharlatane per te cilet shqiptaret jane thjesht personazhet e Karl May-it.

Cfare dokrrash... Der Spiegel

Cfare dokrrash... Der Spiegel ne numrin e njejte gjithsesi eshte fokusuar edhe ne skandalet ne Gjermani. Por ketu behet fjale per papergjegjesi te mjekeve, jo per kontrabande klasike. Kaq.

O Lumo, kush eshte ne

O Lumo, kush eshte ne kopertine te revistes?? Klinika e Göttingenit e Regensburgut apo Vera turku dhe Medicusi ne Kosove. Sa perqind e shkrimit i kushtohet Kosoves dhe sa Gjermanise.

Ke quan papergjegjshmeri te mjekve mer Lumo??? Ne Regensburg ka trafik te paster. Ata qe e kane dhuruar organin donin te ndihmonin ata qe ishin te paret ne liste dhe qe ishin ne gjendje me te rende shendetsore. Mjeket kane kane favorizuar disa paciente pa kriter dhe ju kane mundesuar ta marrin melcine te paret. Ata qe ishin te paret ne liste kane vdekur tashme. Kush ben lajm me teper? Vera, turku, dhe medicusi qe jane mijera km lark apo klinika te dera e shtepise. Aq me teper qe Vera dhe Vererat e tjera veshken e shiten prej varferise dhe injorances.

Klinikat gjermane kane sjelle edhe jordanez dhe i kane futur ne liste te paret. Si thua ti Lumo ka trafik apo ska?? Ku e blen Spiegelin ti robo ke 15-kateshi???

Enver Robelli pse i urren

Enver Robelli pse i urren shqiptarët kaq shumë? Trafikim të organeve bre debil ka në çdo vend të botës. Nuk them që shqiptarët duhet të mos dënojnë banditët, por shkrimi yt i paraqet shqiptarët si kriminelët e vetëm, kurse mjeket dhe paraja e ketyre maifozebe nuk jane shqiptare, por jane gjermane dhe izraelite. Turp Enver Rrobelli turp.

Deri te Anonimi: Bashke me

Deri te Anonimi:

Bashke me shkrimin, me pelqyen edhe komentet e dy te pareve ne kete blog, e qe lidheshte edhe me anen "motivuese" te Der Speigel-it. Normalisht, derisa nuk del dikush dhe e prish edhe diskutimin, si ne rastin e anonimit.

Pike se pari, hic nuk ka nevoje qe ta quash dike debil, Anonim, se edhe ideja e shkrimit, e posacerisht e komentimit te tij, humbet ne mes te sharjeve pa karar!

Me tej, pikerisht kur dikush GUXON te shprehe kritika rreth te zgjedhurve te kryeministrit (posacerisht ne Kosove, Shqiperi, e Maqedoni), duhet pershendetur, e jo anatemuar. Ma merr mendja se nuk ka nevoje per te shpjeguar rrezikun qe gjithsecili e ka kur shpreh edhe me te voglen kritike ndaj pushtetit te ne. Plus asaj, gazetari kishte prezentuar fakte te cilat e perfshijne ne krejt kete zinxhir edhe zyrtarin e ministrise perkates (dhenia e lejes; eMail-at qe implikojne zyrtaret e larte, etj).

Edhe pse nuk duhet marrur en bloque te gjitha ato qe shkruhen neper gazetat boterore, ne si shqiptar' kemi probleme me imazhin jo vetem pse dikush nuk na don (e qe luan rol deri diku), por qe kurr nuk i merremi me ceshtjet qe edhe vet i shofim, si puna e korrupcionit.

Add new comment