Jo dëmshpërblimit apo kompensimit për titujt e pronësisë të fituar në kohën osmane*
E nderuar Prof. Helga Vukaj! Lexova me vëmendje analizën tuaj, në gazetën “Panorama”, mbi situatën problematike të pronës që na shoqëron prej 25 vjetësh dhe mbetet ende një ndër çështjet më të debatuara në Shqipëri. Vlerësoj pikë- pamjet tuaja si juriste dhe njohëse e çështjes së pronave, por mendoj se kësaj analize i mungon ajo që është thelbësore, origjina e pronës. Duhet nisur nga “tabani”, më pas vjen maja e piramidës, kompensimi apo dëmshpërblimi.
Jam nga familja Binaj, pronar i 12 hektarëve tokë arë në zonën e Vlorës. Prona është e blerë dhe jo objekt dhurimi apo përfitimi në mënyra të tjera sipas ligjit, megjithatë familja ime nuk është dëmshpërblyer. Por kjo nuk është arsyeja e kësaj replike. Gjykoj se është thelbësore origjina e pronës në Shqipëri dhe kriteret e përcaktimit të pronarëve që gëzojnë të drejtën e kthimit, dëmshpërblimit apo të kompensimit.
A ka të meta ligji mbi pronësinë e tokës në Shqipëri? Mbi ç’kritere quhesh pronar? Trajtimi që i bëni çështjes sjell në vëmendjen e çdo qytetari të drejtën e pronësisë, por jo historinë e lindjes së pronarëve apo të fitimit të statusit pronar në Shqipëri. Pohoni se ligji mbi trajtimin e pronës me shpërblim apo kompensim, s’ju duket i drejtë, madje e quani risk ligjor. Është e rëndësishme që të trajtohej edhe historia e pronës para diktaturës.
Si një lexues dhe njohës i historisë së pronës që në kohën e Perandorisë Osmane, mendoj se del e nevojshme të marrin përgjigje, pyetje si: Si fitohej prona në Perandorinë Osmane deri në vitin 1912? Cilat ishin familjet e çifligarëve që i shërbenin Perandorisë Osmane dhe në këmbim përfitonin çifligje nga sulltani?
Kjo, pasi sot, pasardhësit e tyre po marrin dëmshpërblim apo kompensim, pikërisht për këto prona, që nuk janë fituar përmes blerjes apo dhurimit. Në vendet e Ballkanit, pas shkëputjes nga Perandoria Osmane, çifligu u shkatërrua, si një element i bujkrobërisë dhe u krye reformë agrare pa shpërblim.
Po t’i referohemi Kosovës, që ishte nën Mbretërinë e Serbisë, përfituan dhe bujqit kosovarë, rreth 12 hektarë tokë për familje, që e gëzojnë dhe sot. Mendoj se e njihni këtë histori dhe kjo duket edhe nga sqarimet që jepni në shkrimin tuaj të datës 01.12.2017, fq.16, te gazeta “Panorama”. Por, duke u nisur nga kjo,
si mendoni, a është shkatërruar sistemi i çifligut në Shqipëri apo ka ndryshuar formën nga çiflig në kthim prone, në kompensim apo dëmshpërblim? p.sh., Toptanasit, me Esat Pashën zotëronin jo pak, por rreth 9 mijë hektarë tokë, në Tiranë, Durrës, Krujë.
Po kështu, edhe të tjerë si, Vrionasit, Vlorajt e kështu me radhë, pra, afërsisht 50-60 % të sipërfaqeve të punueshme që zotëronte në atë kohë territori shqiptar (sipas vendimit të Konferencës së Ambasadorëve në vitin 1913). Pra, gjykoj se, para shpërblimit, kompensimit, apo kthimit, na duhet në radhë të parë dokumentimi dhe vlerësimi i origjinës se pronës, nëse kemi të bëjmë me çiflig, dhënë me ferman të Sulltanit, apo është pronë e blerë
Vetëm pas kësaj, duhet kaluar në fazat e tjera, të shpërblimit, kompensimit, kthimit apo edhe riskun ligjor siç shpreheni ju. Unë mendoj se baza ligjore në Shqipëri, në këto 25 vjet, është “tollovi”. Pa zgjidhur origjinën e pronës së vërtetë, a ka kuptim shpërblimi, kompensimi apo kthimi? Në këndvështrimin tim, pa u sqaruar baza ligjore e origjinës së pronës, veprimet e mëtejshme, aq më tepër dhe ajo që trajtoni ju, kompensimi dhe dëmshpërblimi, do t’i quaja vjedhje të shqiptarëve, të tatimpaguesve, të njerëzve të ndershëm, jo pak, por rreth 1 miliard euro.
A ka bazë ligjore dëmshpërblimi apo kompensimi pa përcaktuar origjinën e pronës? Ju mund të thoni që baza ligjore është Kushtetuta e Shqipërisë, nenet përkatëse që bëjnë fjalë për pronën, apo ligji 7501, etj, të shoqëruara këto edhe me udhëzimet, që zbatojnë sot institucionet përkatëse. Shqiptarët duhet të dinë, nëse taksat e tyre po dëmshpërblejnë trashëgimtarë të pronave, të shpërndara nga Sulltani për shërbime ndaj Perandorisë, apo ato me blerje, me investim mbi tokën, pasi toka u përket të gjithëve dhe njerëzit nuk janë as më shume e as më pak, por thjesht përdorues të saj, në konceptin e filozofit të madh grek, Aristotelit, i cili ka folur për këtë në veprën e tij të famshme “Politika”, të shkruar 2,400 vjet më parë, apo të Korifenjve të Revolucionit Francez, etj.
Mendoj se çdo blerje toke, si në Perandorinë Osmane, ashtu edhe në kohën e mbretit Zog, apo të qeverive pas vitit 1912 deri në vitin 1944 kur u vendos diktatura, në bazë të dokumenteve ligjore që ekzistojnë në hipotekë, duhet të njihet për efekt kthimi, dëmshpërblimi apo kompensimi.
Ju, e nderuar prof. Vukaj, duke iu referuar edhe sanksionimit që i bën Kushtetuta të drejtës së pronës, shpreheni se ky ligj mbi kompensimin e zhduk si koncept kthimin e pronës dhe më poshtë shpreheni – cenim i ri i të drejtës së pronës private. Çfarë do të quhet vërtet pronë private në Shqipëri? A do të jetë i tillë titulli i pronë- sisë me ferman për shërbime që Esat Pashë Toptani, apo ndonjë tjetër i bënte Perandorisë Osmane? Mendoj se në Shqipëri, edhe në kushtet siç shpreheni ju, nuk kemi bërë përcaktim të saktë se cila do të quhet pronë private dhe me të drejtë kompensimi, dëmshpërblimi apo kthimi.
Këtë gjë, ju, si njohëse e mirë e kësaj fushe, nuk e analizoni. Arsyet i dini vetë. Që të bëni këtë, duhet të zhvisheni nga çdo konflikt interesi, dhe me guxim të jepni opinionin tuaj, zgjidhjet përkatëse që mendoni, pavarësisht nga problematika ligjore që ka sot në Shqipëri për problemet e pronës. Edhe titujt e pronësisë të institucioneve fetare duhet të verifikohen se në çfarë mënyre janë përfituar? Për këto raste, mendoj se ato që janë dhënë me ferman të sulltanit (duke hyrë në kompromis edhe Patriarkana e Stambollit) dhe duhet t’i kthehen shtetit e të vihen në shërbim të komunitetit qytetar.
Padrejtësitë e një perandorie 500-vjeçare, siç ishte ajo Osmane, duhet të vihen në vend. Çifligarëve dhe pasardhësve të tyre, siç ka plot në Shqipëri, madje edhe intelektualë e gazetarë që vazhdojnë të tundin në duart e tyre të drejtat mbi pronësinë e tokës, në bazë të “fermanit” të Sulltanit dhe e ndiejnë veten pak patriot dhe që kanë dashuri për Shqipërinë dhe njerëzit në nevojë apo të varfrit në Shqipëri, u bëj thirrje të heqin dorë vetë nga dëmshpërblimi apo kompensimi i këtyre titujve të pronësisë që, në këndvështrimin tim, ende mbajnë mbi supe padrejtësitë e një Perandorie Otomane, shtypjet e kryengritjeve të patriotëve shqiptarë apo të popujve të tjerë të Ballkanit në luftën për liri.
"Panorama"(http://www.panorama.com.al/pronat-ta-nisim-nga-origjina/)
Shkrimi i znj. Vukaj ndaj të cilit drejtohet kjo replikë mund të lexohet këtu: http://www.panorama.com.al/trajtimi-i-prones-nje-analize-e-riskut-ligjor/
*Titulli origjinal: Pronat, ta nisim nga origjina
Comments
Shperblimi me toka nga
Shperblimi me toka nga pushteti osman disa bejlerve e agallarve, po te llogarisim pas vitit 1800 e jo me pare, mendoj se duhet te kete qene afersisht ne jo me shume se 10% e tokes se punueshme ne Shqiperi te ketyre dy shekujve. Panvarsisht kesaj mase te vogel, (qe me zenien e tokave bujqesore sot nga godinat, kjo pjese e vogel quhet sot e madhe, sepse ka mbetur pak toke bujqesore), vertet ky privilegj osmanlli nuk duhet te njihet. Por serish problemi ngelet, sepse sot ka 3 deri ne 4 lloj pronaresh. 1. Ata qe kishin toke ne kohe te Zogut, 2. ata qe kishin toke nga reforma agrare e 1946-es, 3. ata qe muaren toke nga reforma e vitit 1991 (apo 1992), ligji 1751 apo c'dreq numri ka, 4. ata qe u gjinden prane tokave shteterore (ish-keneta, ferma, etj) dhe me dokumenta fallco u bene pronare dhe ua shiten token te zbriturve nga Kuksi-Peshkopia, 5. ata te gjithe nga keto grupe me lart qe nisen dhe vazhduan te shisnin toka te tjereve, dhe keta 6. te tjere ua shiten te tjerve akoma me tej. Pra kush eshte pronari?! Dhe pas gjithe kesaj panorame, do vije serish koha qe do dalin ligje te reja, e toka do i hiqet atij te urtit qe e punon (gomarit punetor), e do ta marri i hedhuri i te 99-tave, (hiena) i zgjuari-dinak, qe do ta shesi me tej, sic ka qene gjithmone ne shume krahina te Shqiperise, ndonese jo ne te gjitha.
toke ne borsh
toka mbrohet me kushtetute kushtetuta thote toka trashegohet dhurohet ose blihet keto jane kriteret baze edhe enveri qe ishte diktator tapite i ruajti por doli nje kriminel s berisha qe beri pakt me me nji kriminel si f nano ti shperbeje pronaret e vertete ne kundershtim me kushtetuten ncoren ligjin 7501 per interesat e tyre keta dy kriminela prokuroria duhet ti arestoje se keta kane shkaktuar nje sere konfliktesh dhe vrasje masive as ne lufte nuk jane vrare aq shume nuk ka rendesi leku sa ka njeriu cfare jane i milijarde ero per shperblimin e pronarve toka te shkoje tek i zoti po shkoje toka te i zoti dhe kompesimet ne shqiperi do hapet nje kantjer ndertim qe vet shqiptaret nuk do e perballojne dot shteti leverdi ka se do punojne njerezit dhe shteti do mbledhi taksat do e shlyeje ate borxh per nje priudhe te shkurter do levize ekonomia
Add new comment