Himara në rrugën e Sarandës. Ky është problemi jo të ashtuquajturit filogrekë

Postuar në 07 Nëntor, 2017 12:36

Në Sarandë, deri në mesin e viteve ’80 ka qenë një rrugë thuajse 1.5km që shkonte nga ajo që njihet si Fusha e Volejbollit deri te Peshkimi, në të dy anët e të cilës kishte pisha të mbjella. Rruga vazhdon të jetë edhe sot, por anash saj ka ndërtesa pa fund, biznese apo banesa, që kanë mbirë me një shpejtësi të jashtëzakonshme. Pishat u prenë qysh atëkohë me sebepin se do zgjerohej rruga.

Ishte akti i parë i rrënimit që pasoi. Akti tjetër ishte sjellja e organizuar e qytetarëve të tjerë nga jashtë Sarandës. Të kuptohemi. Secili ka të drejtë të lëvizë lirisht dhe kudo. Por në një botë si ajo ku synojmë të shkojmë lëvizja është e lirë, por askush nuk mund të ngulë një hu e të ndërtojë një gardh ku t’i zërë syri tokë të lirë. Kjo ndodhi në rastin e Sarandës(dhe disa qyteteve të tjera) në të cilën pushtete të ndryshme ndoqën edhe një politikë demografike, pasojat e së cilës i shohim sot si shprehje kulmore me ndërtimet masive mbi varrezat e qytetit. Për aq sa dimë nga historia, ky popull nuk e ka patur zakon të bëjë shtëpi, hajë e pijë, gëzojë dhe të festojë pranë varreve të tjetrit. Kohë dhe zakone. Ja që edhe ndodh.

Po pse ndodhi një gjë e tillë? Një arsye themelore është fakti se një qytet si Saranda ishte qytet i ri, i krijuar nga komunizmi me të njëjtën politikë popullimi, por në ndryshim nga tranzicioni, që u shoqërua me politikë paralele urbanizimi. Pronarët e prekur nga ndërtimi i pallateve të reja u dëmshpërblyen me apartamente sipas sipërfaqes dhe fëmijëve që kishin. Një tjetër arsye është fakti se në kohën kur nisi popullimi i Sarandës, terreni i saj ishte një pjesë kullotë, një pjesë truall, kurse pjesa tjetër thjesht djerrinë me sherebel. Fotot që qarkullojnë në internet na japin një ide të asaj që ishte ky qytet deri në vitet ’60, një qytezë e ndrojtur me një liman të kohës së italianëve dhe një shëtitore të vogël.

Jo se ky territor nuk kishte patur pronar, por problemi është se pas viteve ’90 ai u shndërrua në hapësirë turistike me tjetër vlerë ekonomike. Komunizmi kishte dhënë një sinjal në këtë drejtim, kur e paraqiste Sarandën, ndoshta bashkë me Pogradecin si vitrinën e vet. Sot, ka njerëz që e quajnë zhvillim atë që ndodhi në këtë qytet. Masive betoni ngado që të hedhësh sytë, pallate dhe biznese, pjesa më e madhe e të cilëve nuk i përkasin banorëve, por janë të njerëzve që kanë lidhje me pushtetin në Tiranë. Ndoshta ky është zhvillim.

Nëse do të bëjmë një krahasim me një zonë elitare turizmi si Korfuzi përballë, do të shohim tjetër panoramë. Jo vetëm urbanistike, por edhe pronësore. Askush nuk mund t’ja heqë komunitetit të drejtën që të përfitojë ekonomikisht nga territori, sikurse për investime të mëdha është e qartë se do të ketë burime të tjera. Kjo balancë nuk është respektuar dhe qyteti është në fund fare një model i atij vizioni që diti të ndërtojë elita e këtij tranzicioni që thjesht po ndan llokmat e fundit të pasurisë që u krijuar në vitet 1945-1990.

Shembulli i Sarandës vlen shumë për të kuptuar fare mirë atë që po përpiqen të imponojnë në Himarë. Gozhda ka ngecur në sharrë për shkak të homogjenitetit të komunitetit të banorëve që në çdo rast kanë të drejtën e pronësisë. Dhe mirë apo keq kanë një lidhje dokumentare me të. Por më e rëndësishmja: ai është një komunitet që reagon. T’i lëmë mënjanë qëllimet e Jorgos, Nikollaqit  apo Fredit të radhës. Në fund: prona prevalon. Sot banorëve po përpiqen t’u marrin badihava pronën për ta menaxhuar si pjesën e fundit të një pasurie që duhet përndryshe të paguhet për ta zhvilluar.

Nuk dihet nga buron ky mentaliteti i binzesmenëve shqiptarë apo i politikës për të grabitur pronën e tjetrit dhe mandej për ta betonizuar sa më shpejt dhe shëmtuar sa më shumë. Për të shpallur si zhvillim shkatërrimin. Nuk është pa rëndësi të vëmë në dukje një element: shumica e këyre biznesmenëve dhe politikanëve që luajnë këtë politikë shëmtimi, kanë blerë vila apo shtëpi jashtë Shqipërisë. Me siguri që kanë respektuar një më një ligjet e vendeve përkatëse, të cilat nëse nuk arrijnë dot të gdhendin shijet e kësaj kategorie, patjetër që kanë në dorë të gdhendin dhe disiplinojnë sjelljen e tyre në raport me pronën.

Për t’u kthyer te Himara. Pas disa ditëve të stigmatizimit të protestuesve si filogrekë etj., sot është paraqitur në media plani ubanisitik që do ta bëjë qytezën një perlë në brigjet e Jonit, siç edhe kanë qejf ta përdorin këtë term. Si alibi tjetër jepet fakti se ata që protestojnë kanë ca objekte pa leje, një garazh këtu e një bodrum atje, edhe pse nëse hedhim një sy në listën e objeketeve të legalizuara gjetkë, nuk mungojnë as ato në zona arkeologjike. Janë e njëjta kategori zyrtarësh që heshtin edhe sot për hotelin në Qeparo që opozita ja faturon Koço Kokëdhimës.

Por kjo nuk ka rëndësi. Plani urbanistik duhet të bëhet. Dhe do të bëhet dhe kjo është shumë mirë. Ajo çfarë nuk është mirë është se me të vjen edhe rivlerësimi pronësor, e mandej një projekt i dytë për ndërtime të tjera, sigurisht me para që vijnë nga Tirana. Para të cilave siç po shohim edhe vetë qeveria nuk ua di burimin përderisa ka sjellë në vend FBI-në.

Edhe njëherë: Himara nuk është vetëm e himarjotëve. Por ajo është më së pari e tyre. Ata që kanë një përvojë me Sarandën e dinë shumë mirë se çfarë do të thotë të të invadojnë gjithçka dhe me një përparim shëmtimi të paprecedent. E dinë shumë mirë se çfarë kuptimi ogurzi kanë legjendat që përhapen lart e poshtë se atë tokë aty e ka filani, e atë tjetrën fisteku, se kjo do prishet se pas tij qëndron ai ministër etj.. Është një dorë që për 20 vjet nuk e ndali maninë e shkatërrimit dhe grabitjes as në Tiranë dhe as në Durrës. Politika e zhvillimit është krejt tjetër nga kjo që shohim dhe për këtë nuk gënjejnë dot tre makete shumëngjyrëshe. Ndaj njësoj si për Vjosën dhe Valbonën, ku zhvillimi duhet të harmonizohet me kërkesat e banorëve dhe mjedisin, edhe për Himarën është e udhës që të mbahet më së paku një qëndrim shumë dyshues ndaj çdo akti që buron nga qeveria e Tiranës.

Comments

Submitted by Albi_I (not verified) on

E keni qare.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.