Banditë e hajvanë

Për banditët dhe hajvanët ka sa duket një kod tjetër, “nderi” e “dinjiteti”, “përgjegjësie” e “kulture”, ai që duhet mbrojtur me grushte. Ai që duhet mbrojtur me dhunë.
Ditë dhune. Sidomos ajo e ushtruar në Parlament, mes deputetëve të PDK-së dhe atyre të Vetëvendosje, që e la nën hije atë të ushtruar në kufi, mes huliganëve serbë dhe policisë së vendit.
E kam thënë edhe më parë dhe sa më shumë që e përsëris aq më idiot më duket vetja, duke e parë e vuajtur kotësinë e vërtetësisë së asaj që them.
Por, ia vlen të më duket vetja idiot prapë.
Këta deputetë dhe shumica përreth tyre dhe shumë politikanë të tjerë në vend janë banditë dhe hajvanë. Dhuna është mjeti i tyre i parë dhe i fundit, pra e vërteta që janë ata, për t’i arritur qëllimet.
Janë banditë e hajvanë Latif Gashi e Bekim Haxhiu nga PDK në të njëjtën mënyrë e në të njëjtën masë si Rexhep Selimi e Florin Krasniqi nga Vetëvendosje.
Po aq, e ndoshta banditë e hajvanë edhe më të mëdhenj dolën shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci dhe lideri i Vetëvendosje, Albin Kurti. I pari, ngase e pengoi policinë t’i bëjë hetimet në lidhje me rastin. I dyti, ngase në një intervistë deklaron se e kupton shumë mirë veprimin fizik të anëtarit të lëvizjes së tij, R. Selimit.
Vetëm një bandit e hajvan mund t’i shkojë dikujt afër dhe të përpiqet me dhunë t’ia ndalojë të flasë për diçka. Vetëm një bandit dhe hajvan kundërpërgjigjet në të njëjtën mënyrë.
Kur dikush na sulmon verbalisht a fizikisht, ne, si qenie njerëzore, qytetarë të rëndomtë, gjëja e parë dhe e fundit që e bëjmë është ta shmangim pa fjalë e gjeste dhe t’iu drejtohemi organeve të rendit për ndihmë. Gjërat mund të jenë ndryshe vetëm në ndonjë rast krejtësisht ekstrem, fatkeq, kur është në pyetje mbijetesa. Dinjiteti ynë, vetëdija, edukimi dhe kultura jonë prej qeniesh njerëzore dhe qytetarësh të përgjegjshëm na thotë se nuk dhuna nuk është reagimi dhe zgjidhja e duhur. Kur dihet kush është agresori, qëllimet dhe arsyet e tij, janë organet e drejtësisë ato që duhet të merren më tutje me rastin. Kaq është e gjitha. Njerëzore dhe qytetare. Nuk humbet nderi, dinjiteti, nuk njolloset personaliteti ynë nëse pa dashjen e pa të keqen tonë ndonjë i çmendur, bandit a hajvan na sulmon verbalisht a fizikisht. Nuk e kemi humbur një betejë, nëse veç jemi rivalë, nëse nuk i kundërpërgjigjemi në të njëjtën mënyrë. Ka gjithmonë rrugë të tjera. Dhuna është e vetmja që nuk është rrugë.
Pra, që të manifestohet banditllëku dhe hajvanllëku, duhen dy palët që janë banditë dhe hajvanë. Asgjë e re. Dikush, nga anash, mund të thotë se derisa i qërojnë hesapet mes tyre dhe vetëm mes tyre, mirë e gjetshin! Dikush tjetër beson se, si te bandat kriminale, edhe vetë policia, e pafuqishme ndaj tyre, duhet t’i lër të kacafyten mes vete, në mënyrë që kur të dobësohen (pasi t’i kenë shkaktuar gjithë ato viktima), të mund t’i mbajë nën kontroll. Nuk pajtoj me këto. Nuk pajtoj me asnjë ndodhje të dhunës dhe vrasjes, e as me justifikimin e tyre. Pastaj, këtu nuk kemi të bëjmë me thjesht banda kriminale që e zhvillojnë veprimtarinë e tyre në një territor të caktuar, por me banda politike, të cilat e qeverisin tërë vendin, e drejtojnë shtetin. Duke qenë të tillë, përfaqësojnë më shumë se banditllëkun dhe hajvanllëkun e tyre personal.
Shkoj me bindjen se përfshirja në rrahje e atyre deputetëve nuk ishte aksidentale. Duket i ditur edhe qëndrimet e tyre të mëparshme, mund të themi se mezi e kishin pritur këtë. PDK e Vetëvendosje janë në rivalitet armiqësor, banditesk. Jo, politik. Janë edhe me subjektet tjera, pa përjashtim. Sidomos PDK dhe Vetëvendosje, janë subjekte që mishërojnë më së shumti në vete dhunën. PDK e ka trashëguar nga lufta. Vetëvendosje e ka parim ideologjik, duke u përforcuar ndërkohë edhe nga personalitete lufte si ata që u përleshen. E gjithë kjo dhunë është në funksion të mbajtjes përkatësisht marrjes së pushtetit. U duhet të dy palëve, duke mos mundur, sa shihet, të bëjnë ndryshe.
Për banditët dhe hajvanët ka sa duket një kod tjetër, “nderi” e “dinjiteti”, “përgjegjësie” e “kulture”, ai që duhet mbrojtur me grushte. Ai që duhet mbrojtur me dhunë.
Gjëra që i dimë. Sa më shumë që i dimë, aq më idiotë na duket vetja.
Por, unë s’e kuptoj këtë. S’kam si e kuptoj këtë.
Nuk e kuptoj pse ca banditë e hajvanë, deputetë, rrihen mes vete. Nuk e kuptoj si mund të vazhdojnë të mbeten aty ku ishin, me përgjegjësitë dhe obligimet që kishin.
Për ta perifrazuar një batutë filmash komikë, nuk e kuptoj pse edhe Kurti investon aq shumë, ndër vite, për të qenë një kafshë politike, që e kupton dikë që rrihet; fare mirë mund të ishte pa investuar fare. Nuk e kuptoj, ashtu siç nuk i kam kuptuar kurrë kafshët tjera që e duan atdheun dhe pretendojnë se e kanë çliruar, andaj duan të bëjnë ç’të duan me të.
Nuk e kuptoj si është e mundur që një bandit e hajvan si Grabovci arrin ta pengojë policinë që të merret me rastin. Ashtu siç nuk e kam kuptuar kur e kam dëgjuar duke e kërkuar publikisht, në Tv, revolen që policia e kishte gjetur në shtëpinë e tij, pas një aksidenti të gruas së tij.
Ndoshta mund t’iu gjej një shpjegim të gjitha këtyre, por assesi t’i kuptoj.
Gazeta Express
Comments
Shkrim i lodhur me
<p>Shkrim i lodhur me terminologji pionieresh te Enverit. Qytetari qe na sugjeron ky tipi eshte nje neurotik post-modern i cili kur e dhunojne therret policine, jo per tu mbrojtur, por per te treguar qe eshte qytetar i denje i Republikes. Kur do na hiqen qafe keta hipokrite, qe e mendojne qenien njerezore te shkeputur nga kafsha qe ajo ne te vertete eshte, ne emer te Njeriut Ideal. Ka nje keqkuptim te konceptit Niçean te Mbinjeriut ketu: Njeriu superior eshte trashegimtar dhe perfeksionues i instinkteve te kafshes nga ajo rrjedh, dhe jo ligaveci qe na sugjerohet ne kete shkrim. Ligaveci, siç dihet, ne klasifikimin e llojeve konsiderohet nje qenie e ulet dhe e thjeshte, e cila nuk ka asgje per te thene ne lidhje me evolucionin e species qekur eshte shfaqur mbi dhe'. </p>
Zoti Arben keni të drejtë
<p>Zoti Arben keni të drejtë jemi një shoqëri që napëlqen që të zgjidhim gjërat me grushta të zgjedhim më të fortin na pëlqenë një politikan kur përplas grushtin fort në tavolinë e pra nuk kemi nevojë të debatojmë për një problem dhe ta zgjidhim siç e zgjidhin shoqëritë demokratike dhe të dëgjojmë me vëmëndje një politikan dhe më pas ta votojmë ose jo dhe nuk është e rastit që shumica e deputetëve kanë qënë roje(bodigard) dhe të pa shkolluar e në raste të tilla çfarë mund të presim</p>
Ky eshte hajvan vete. Pse
<p>Ky eshte hajvan vete. Pse Muço na humb kohe me kete teveqel. Si bini pre e disa hajvaneve ju te Shqiperise londineze. Kete njeri ne Prishtine e marrim per te çmendur! Eshte nje i frustruar qe dashurine evetme i ka poetet nga Beogradi- dhe asgje gabim me kete, por nuk mund te ma thote nje te tille qe eka ne Tirane. Ky eshte teveqel maje teveqeli dhe bandit maje banditi sepse ky ka udhehequr dhunen me fjalet e tij banale dhe fyese qe me shume se 5 vjet si pjese e nje pacavureje te quajtur Express. Na ruani shendetin nervor nga kesi hijenash ju lutem.</p>
Add new comment