Policia e kujtesës

Postuar në 28 Qershor, 2012 03:22

Togfjalëshi i përdorur në titullin e këtij shkrimi është marrë nga një ese e publicistit polak me famë botërore, Adam Michnik. I njohur në mbarë botën si një nga simbolet e antikomunizmit dhe pastaj si ndërgjegja kritike e poskomunizmit, Michnik u përfshi në vitet 2005-2007 në një betejë të pashembullt mediatike, të denjë për lartësinë e tij morale dhe intelektuale, përballë spekullimeve, shpifjeve, cektësisë, shpirligësisë populiste dhe gjuetisë së shtrigave që ndërmori në emër të lustracionit e ashtuquajtura “parti e kujtesës së keqe” e vëllezërve Kashinçski në Poloni, e cila vuri në shënjestër të përbaltjes parasëgjithash krerët e organizatës “Solidarnos”, që patën udhëhequr revolucionin demokratik atje, poetin nobelist Çesllav Millosh dhe shumë figura të tjera të njohura për antikonformizmin dhe idhujtarinë e tyre ndaj vlerave të Lirisë.

Nga kazerma e policisë së kujtesës Michnik veçoi dhe krijoi figurën e lustratorit dhe përndjekësit të ri, i cili “nga fara e vogël e së vërtetës arrin të rrisë pemën e gënjeshtrës”, që “njihet lehtësisht nga zëri, nga sintaksa e kollajshme për t’u dëshifruar dhe nga një kutërbim i papërsëritshëm”. Përballë figurës goteske dhe malinje të kësaj rrace përndjekësish, poeti nobelist Çesllav Millosh, citohet të ketë thënë: “Në të vërtetë është mjaft e ëmbël t’i takosh së kaluarës, nëqoftëse e tashmja është si surrati i tyre”. Kush dëshiron të njihet me thellë me esetë e Michnikut mund të lexojë librin e tij të mrekullueshëm të botuar në shqip “Në kërkim të sensit së humbur”. Ne duhet të kthehemi në realitetin shqiptar ku policia e kujtesës, kjo vepër e mendjes së shprishur, siç pohon Michnik, që nuk ka asgjë të përbashkët me dënimin e krimeve konkrete të dikaturës komuniste dhe ca më pak të ideologjisë dhe mekanizmave që i dhanë jetë asaj, ka shënuar nëpër vite bëma komplekse, të patreguara mirë akoma, deri çnjerëzore e antikombëtare, gjoja me alibinë e ndarjes nga komunizmi.
Jehona më e fundit e hedhjes në veprim të kësaj policie të pagjasë është një ngjarje e vogël në pamje të parë, por domethënëse në thelb. Fjala është për dorëheqjen e Artan Hoxhës si kandidat për President i Republikës në momentin kur kishte zyrtarizuar me dyzet firma deputetësh kandidaturën e tij. Sipas disa mediave, shpjegimi që ka dhënë zoti Berisha në grupin parlamentar për këtë dorëheqje është se kur ka qenë në shkollë të mesme zoti Hoxha ka shkëmbyer informacion me një oficer të sigurimit!? Në një apologji të botuar pak ditë më vonë në gazetën "Mapo", zoti Hoxha ka treguar se në moshën shtatëmbëdhjetëvjeçare është vënë në shënjëstër të operativit të shkollës apo lagjes për rekrutimin e tij, por ka arritur ta përballojë këtë moment të vështirë me ndihmën e familjes duke mbajtur një qëndrim pasiv dhe për rrjedhim është braktisur nga operativi një vit me vonë për inaktivitet. Pas më shumë se një çerek shekulli, kur destini e futi me një këmbë në zyrën e Presidentit të Republikës, zoti Hoxha është shfaqur i habitur që operativi e paska regjistruar dhe, më tej akoma, nuk e paska çrregjistruar emrin e tij nga lista e bashkëpunëtorëve. Ai ka dhënë disa hamendje realiste për këtë veprim, përfshirë dëshirën e operativit për të mos i bërë keq djaloshit që njihej si talent i rrallë në matematikë. Ajo që tërheq vëmendjen në apologjinë e Hoxhës është angazhimi i tij në një betejë ligjore për t'u çrregjistuar nga regjistri i vjetër i ish-sigurimit meqënëse, siç deklaron, nuk ka patur asnjë aktivitet dhe për rrjedhim nuk ka patur e nuk ka arsye të mbahet i regjistruar. Për ketë qëllim ai ka premtuar të verë në lëvizje bashkë me institucionet dhe organizatat e të drejtave të njeriut një procedurë ligjore trasparente, të vlefshme për qindra mijëra raste të ngjashme. Unë e inkurajoj zotin Hoxha në këtë nismë. Natyrisht, duke shprehur këtë inkurajim, unë, i kthjellët akoma, sërish pohoj se çdo i huaj apo çdo njeri që nuk ka jetuar minimalisht një vit me helmet, ligësinë, mendjengushtësinë dhe marrëzitë shqiptare, do të habitej deri në moskuptim me betejën që po ndërmerr Artan Hoxha për t'u çrregjistruar nga një listë e vdekur e një shërbimi që nuk ekziston më, siç është ish-Sigurimi i shtetit. Një listë e vdekur, por që "nuk duhet të vdesë kurrë", sipas mendësisë se lustratorit dhe përndjekësit "misionar", që na tregon Adam Michnik në esenë e tij. Në këtë kontekst, si është vendi bëhet kuvendi dhe Hoxha është i justifikuar për atë që ka ndërmend të bëjë.

Sidoqoftë, problemi është më i thellë se sa një nismë për vetpastrim, që Hoxha kërkon ta bëjë me një procedurë të re, ndërsa të tjerë para tij e kanë bërë me vendim gjykate të formës së prerë. Rasti në fjalë ngërthen disa pikpyetje kyçe për atmosferën politike të vendit ku jetojmë dhe kërkon zgjidhje të një rrafshi më të gjerë se zgjidhjet personale.
E para, kush mund të shpjegojë në këtë vend pse mbahet në arshivën e shërbimit sekret edhe pas tridhjetë vjetësh një rregjistrim fiktiv i pavullnetshëm, apo një dosje pa aktivitet, si këto që reklamon zoti Artan Hoxha në apologjinë e tij? Ka patur dhe ka rregulla, norma dhe dispozita të qarta ligjore për ruajtjen dhe asgjësimin materialeve të çdo arshive. Në rastin e ish Sigurimit dje dhe SHISH-it sot, sipas avokatit të ndjerë Nazif Beshani që ka shkruar shumë për këtë temë, ka qenë dhe është praktikë ligjore të ruhen në afate të caktuara materiale që kanë vlerë për sigurinë kombëtare, materiale që kanë të bëjnë me agjentë aktivë brenda dhe jashtë vendit. Kam përshtypjen se të dhënat e rastit Hoxha apo të ngjashme me to, nuk futen në asnjë kategori ligjore të ruajtjes. Por futen në "kategorinë" antiligjore të shantazhit, duke shfrytëzuar natyrën e mbyllur që ka një marrëdhenie me shërbimet sekrete, të cilat në fakt kot do të quheshin sekrete nëse nuk mbajnë sekrete. Kjo jona është një republikë, e cila, nën komplekset e shtetarëve apo nën vogëlsinë e shtetarucëve të vet, mban një dispozitiv shantazhi, që nuk mund të përdoret për asgjë tjetër veçse për të shantazhuar, për t'u mbyllur gojën e për t'u shkelur liri të tjera mijëra e mijëra njerëzve që me dhunë apo me vullnet, u regjistruan nga shërbimi sekret i vendit të tyre si informatorë, si agjentë apo si strehues përgjatë një periudhë dhe rregjimi shtërngues, të cilin shumica dërmuese e këtyre njerëzve e mohuan me votë të lirë në zgjedhjet demokratike pas vitit 1990.

E dyta, kush e përdor dhe si e përdor këtë dispozitiv shantazhi, regjistrat, shënimet dhe shkarravinat ku, siç kemi parë në rastet e pakta të shqyrtimeve gjyqësore, gjen ngatërresa dhe sajime të denja për penën e Mark Tuenit. Çfarë ndodhi realisht në momentin kur Hoxha ishte zyrtarizuar si kandidat? Shpjegimet e tij për këtë moment të rëndësishëm të kontekstit shoqëror që paraqet rasti në fjalë janë ende evazive. Në parantezë, ai konsumoi sipas meje dy gabime përjashtuese. E para që pranoi kandidimin me biseda mirëbesimi, në një terren të minuar, pa patur në krah një akt trasparence me publikun; e dyta që u tërhoq nga gara pasi ishte zyrtarizuar si kandidat. Ngjarjet pasuese rrodhën në atë mënyrë sa në një lexim sipërfaqësor të duket se Artan Hoxha u kandidua për t'u djegur. Unë i kam zët leximet sipërfaqësore dhe përfundimet e lehta, prandaj nuk besoj në to, por Artan Hoxha duhet të hedhë më shumë dritë mbi momentin e tërheqjes. Si erdhi dhe pse erdhi pikërisht në atë moment informacioni i para njëzet e shtatë-tetë vjetëve? Mbi ç'bazë ligjore dhe si mund të verifikohej në rrethanën e dhënë vërtetësia dhe pesha e informacionit në fjalë, kur nuk kemi ligj dhe as organe të ngritura me ligj për të bërë një gjë të tillë?
E treta, ka të bëjë me pretendime për të ndërmarrë veprime në përputhje me një ligj të Pastërtisë së figurës që është zbatuar dhe ka pushuar së funksionuari në edicionin e parë nga viti 1996 deri në vitin 2003 dhe është hedhur poshtë nga Komisioni i Venecias dhe Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë në edicionin e dytë në vitin 2009. Paradoksalisht, këto pretendime u shqiptuan edhe nga përfaqësues të PS, parti e cila ka votuar kundër ligjit që rrëzoi pastaj Venecia dhe Kushtetuesja. Është e kuptueshme që opozita do të ishte kundër çdo kandidati të njëanshëm të Berishës dhe në këtë aspekt kandidatura e zotit Artan Hoxha nuk bënte përjashtim. Opozita, në varësi të qëndrimit që do të mbante, kishte fakte të mjaftueshme për ta kundërshtuar Artan Hoxhën, veçanarisht për avokatinë ngulmuese që ai u ka bërë ngjarjeve të 21 janarit dhe zgjedhjeve të 8 majit. Por pretendimi i disa opozitarëve për të zbatuar një ligj që nuk ekziston është përtej lajthitjes. Kujt ia kërkonin verifikimin e zotit Hoxha zotërinjtë e PS-së, kur dhe po të kishte ligj, tagrin e verifikimit e ka komisioni përkatës, vendimi i të cilit mund të apelohet në gjykatë nga i verifikuari dhe vetëm pas vendimit negativ të gjykatës përndjekësit e rinj mund të festojnë "damkosjen" e të verifikuarit! Sali Berishës ia kërkonin? Apo e kërkonin ashtu, partizançe, të dalë ku të dalë?
Askush nuk mund të gjykohet për çfarë i ka ndodhur, por për çfarë ka bërë. Ky është një koncept themelor që ndan një botkuptim të shëndoshë europianist, nga konceptet libreske, malinje, apo edhe fëminore për lustracionin si për spiunin e klasës që padit shokët te mësuesi kujdestar. Nga ana tjetër, ata që u vunë në fokusin e sigurimit, por ia dolën të mos përdoreshin nga Sigurimi, kanë treguar me shumë forcë sesa ata që për një rastësi, apo ngaqë ishin bij sekretarësh, deputetësh dhe zyrtarësh të regjimit nuk u vunë në këtë provë.

Si përfundim, në sistemin "Berisha-Meta-Rama" të zgjedhjes së Presidentit të Republikës, erdhëm në këtë përfundim: Një person që ka fituar në të ritë e tij medalje ari si nxënës i shkëlqyer, që kishte një gjysh të pushkatuar nga regjimi dhe mbarë familjen të persekutuar për këtë shkak, që ishte dërguar në fakultetin e gjeologji-minierave ku çoheshin rëndom djemtë dhe vajzat me njolla në biografi, që nuk kishte të drejtë as të lavdërohej në gazetën "Studenti", siç nënvizonte në një shkrim të tij publicisti Mero Baze, që ka qenë natyrshëm një themelues i degës së PD-së në qytetin e Durrësit, që ka mbajtur qëndrimet e tij përgjatë këtyre viteve të tranzicionit, pra ky njeri e pa veten përballë policisë së kujtesës për një incident që i kishte ndodhur në shkollë të mesme dhe mjerisht vendosi të tërhiqej për t'i hapur rrugë zgjedhjes së Bujar Nishanit, pranuar në Partinë e Punës kur po fillonte apo kishte filluar era e perestrojkës. Policia e kujtesës është "ok" me ish-komunistët. Që të jemi të qartë, mua kjo historia e pranimit të Nishanit në Partinë e Punës nuk më thotë ndonjë gjë, nuk harroj se shumica e njerëzve e kishin si festë të pranoheshin në atë parti, personalisht do më vinte turp të përdorja sot fakte të tilla për të motivuar një qëndrim timin pro ose kundër, kur më dalin e me teprojnë argumentet që kanë të bëjnë me kulturën, integritetin dhe sjelljen e sotme të zyrtarëve që bëjnë karrierë në qeveri dhe në shtet. Por kushdo e kupton se me subjektivizmin, lajthitjen dhe ligësinë e saj, Policia e Kujtesës ka provokuar një akt të papërtypshëm hipokrizie dhe padrejtësie. Artan Hoxha duhet të ta vazhdojë edhe për këtë shkak betejën që ka premtuar.

Shënim: Do ti sugjeroja zotit Hoxha që në projekt-aktin eventual të çrregjistrimit, përveç atyre që nuk kanë bërë aktivitet në shërbim të qëllimeve kriminale të ish sigurimit, të përfshihen edhe të gjithë ata që nuk kanë bërë kërkesë me shkrim për t'u bërë spiunë, siç bënin pretendentët për t'u pranuar në parti.

Shkrimi u botua sot ne gazetën Shqiptarja.com
sg/shqiptarja.com

Comments

Submitted by Tani97 (not verified) on

Zoti Prec, ke ndonje fiksim te vjeter me kete ceshtjen e spiunit?

Nuk shoh ndonje arsye te forte per t'i dhene kurajo z. Hoxha ne kete nisme te tijen. Ai eshte i lire ta ndjeke dhe ti je i lire ta pasosh, por edhe ne lexuesit online jemi te lire te te themi qe e ke gabim. Nga sa doli gjate zgjedhjes se Presidentit, u kuptua qe Artan Hoxha paska vuajtur kete akuze edhe gjate viteve 1993-1994 nga Berisha dhe paska qene ky motiv per pushimin e tij nga posti i Ministrit. Se pari duhet nisur nga ky fakt. Kemi mundesi ta verifikojme? Beso se ti e ke kete mundesi, dhe do te kishte qene e udhes qe ta verifikoje perpara se te shkruaje artikullin. Psh. Mustafa Nano kur foli ne Top Channel kundra z.Hoxha u bazua pikerisht ne kete fakt, dhe garantoi qe e kishte te verifikuar. Ashtu sic u nenkuptua nga kerkesa e z.Tahiri po ate dite ne sallen e parlamentit. Dhe duke pare terheqjen e Berishes (qe besoj se jemi dakort se spara terhiqet) na vjen te dyshojme se akuza ishte e sakte. Atehere, nqs. pranojme qe Hoxha eshte pushuar si minister pikerisht bazuar mbi kete akuza (te qenin spiun) nuk kemi se si te mos pyesim z. Hoxha pse nuk u ankua ne ate periudhe. Sidomos qe Berisha e persekutoi Hoxhen edhe pas pushimit nga puna ne historine e "drurit te arres". Le te kujtojme lexuesit qe ne kete histori Ruli, Uka dhe Hoxha kercenoheshin per arrest nga Berisha. Dhe ndaj Artan Hoxhes (i cili nuk gezonte imunitet, ndryshe nga dy te tjeret) u pre edhe urdheri i arrestit. Dhe iku me nje fryme nga Shqiperia per ne Itali pikerisht me urdher arresti te prere ndaj tij. Dhe asnjehere nuk e pame Hoxhen te kujtoje kete periudhe persekutimi te tijen nga ana e Berishes ne artikullin e tij sqarues. Sidomos duke pasur parasysh se si Berisha u nis ne kete persekutim me akuzen e spiunit te sigurimit.

Keshtu qe, perpara se ta kurajosh ne nismen e tij, kerkoji z. Hoxha te sqaroje kete histori. Ka me interes per lexuesin sesa ajo qe ti kerkon qe ai te beje. Ndoshta ajo nisme ka me interes per ty personalisht...

Submitted by BP (not verified) on

tashme akuzat e pastrimi i emrit ngelen problem personal i  A.H. nese shkon deri ne fund ai krijon nje precend qe mund ti sherbeje dhe dikujt tjeter. Do jete gje me vlere.

Problemi eshte ky [paraleli me Namik D. tek presidenti i I-re pas 1990] mund te mos shkoje krejt, por Artani u perdor. Ai kete kur se kuptoi ,e pranoi. Kur e pranoi, e humbi...dhe e ndjeu megjithese nuk qe ne gjendje ta artikulonte, e sot prape nuk e pohon. Ne nje ane, me veten e tij, ka rreshqitur; te ndjehesh i perdorur ne nje forme kaq banale apo ta marresh vesh kete me vone eshte nje ndjenje cfilitese.

A.H. Hyri ne nje arene per te cilen nuk pati as staturen e as pritshmerine nga askush, ne anen e me anen si hyri...punet shkuan keshtu. Ky fakt e vec ky te ben te shantazhueshem ne rastin me te mire [nga ata qe te vene] e lehtesisht te injorueshem nga ata te cileve je supozuar tu "presidentosh mbi koke"  kjo shkon -by default- e pastaj...puna e Sigurimit [ne tablone e madhe kjo] eshte vecse nje garniture, e cila tashme duhet te ngelet problem personal i te nderuarit A.H. Ka marre mjaft rreshta publicistike kjo tashme.

Me mire ta fusim tek "yesterday's news" Po ashtu A.H. i uroj ta zgjidhe kete hall personal, ndoshta duhej zgjidhe shume me pare sic thote dhe artikulli. Ne fund.

Submitted by Notar Ciftelia (not verified) on

Ish-spiune te Sigurimeve Sekrete te te gjitha vendeve ish-komuniste bashkohuni !

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.