Vendimi i KQZ/ Drejt referendumit për mbetjet

Postuar në 26 Qershor, 2012 05:42

Rezultatet e policisë shkencore se 70 për qind e kampionit të firmave të paraqitura për referendumin për plehrat ishin të falsifikuara, nuk do të ndikojnë në përcaktimin e fatit të kësaj nisme. Kjo pasi masa e firmave të dyshimta, pra të hedhura nga një dorë, nuk prekin numrin minimal prej 50 mijë firmash që nevojiten për të miratuar kërkesën e grupit nismëtar Aleanca Kundër Importit të Plehrave për mbajtjen e një referendumi të përgjithshëm, për shfuqizimin e një pjese të ligjit nr.10463, datë 22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”. Ndaj Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet që nesër të marrë vendimin për t’i thënë “PO” kërkesës së grupit nismëtar dhe për t’i dhënë mundësi shqiptarëve që të shprehen nëse duhet të lejohet importi i mbetjeve në vendin tonë apo jo.

Verifikimi

Pavarësisht pretendimeve të grupit nismëtar për mosmarrje të një vendimi brenda afatit ligjor nga ana e KQZ-së lidhur me kërkesën e tyre për mbajtjen e një referendumi të përgjithshëm për importin e plehrave, kjo e fundit duke pretenduar se është brenda ligjit, ka vendosur që nesër të mbajë mbledhjen ku të shqyrtojë dokumentacionin e paraqitur dhe të marrë vendimin përkatës për këtë çështje. Është vetë KQZ ajo që ka njoftuar dje mbajtjen e mbledhjes ditën e mërkurë, ndërsa në faqen e saj në internet  ka bërë publik dhe materialin e mbledhjes, ose thënë ndryshe dhe projektvendimin. Në këtë material bëhet një pasqyrim i të gjithë rrugës që ka ndjekur grupi nismëtar për mbajtjen e referendumit, që nga depozitimi i kërkesës, marrja e fletëve tip, mbledhja e firmave përkatëse dhe verifikimi i tyre. Që në fillim në këtë projektvendim sqarohet fakti se më datë 13.03.2012 trembëdhjetë prej nismëtarëve depozituan kërkesën së bashku me nënshkrimet e zgjedhësve për zhvillimin e referendumit të përgjithshëm, por nisur nga fakti se dokumentacioni ishte voluminoz dhe nuk mund te merrej në dorëzim nga KQZ, brenda datës 13.03.2012, nismëtarët depozituan në KQZ kërkesën tjetër nr.309, datë 13.03.2012, me anë të së cilës kërkonin që dokumentacioni të rrinte fizikisht në ambientet e KQZ-së, i siguruar brenda kutive të votimit, të cilat do të mbylleshin me kode sigurie. Si rrjedhojë, kërkesa e nismëtarëve nr.309, datë 13.03.2012, u pranua nga KQZ dhe marrja në dorëzim e të gjithë formularëve Tip  Model-01F (nënshkrimeve), sipas procesverbalit të dorëzimit nr.341, datë 30.03.2012, përfundoi më datë 30.03.2012. Kjo sipas KQZ-së përbën dhe datën prej nga ku duhet të llogaritet 90-ditëshi brenda të cilit KQZ duhet të japë një përgjigje për këtë kërkesë. Më pas bëhet e ditur se KQZ duke filluar nga data 30.03.2012, verifikoi nënshkrimet dhe saktësinë e dokumenteve të identifikimit të zgjedhësve, duke u bazuar mbi rregullsinë e dokumentacionit të paraqitur.

Nga verifikimi i dokumentacionit KQZ bën të ditur se rezulton se kërkesa për zhvillimin e referendumit është depozituar në përputhje me afatin e përcaktuar në Kodin Zgjedhor dhe se grupi nismëtar rezulton se ka paraqitur gjithsej 3798 Fletë-Tip, në të cilat janë 65 649 shtetas që kanë nënshkruar dhe 64 655 kopje të kartave të identitetit. Më tej KQZ në këtë projektvendim detajon se në 3798 Fletët-tip të depozituara rezulton se 8 438 firma kanë rezultuar me probleme, pasi, ose nuk janë plotësuar sipas kritereve që përcakton formulari i KQZ-së, ose mungon karta e identitetit, ose nuk përputhen numrat personalë të kartave të identitetit me numrat e dhënë prej firmëtarëve. Por jo vetëm kaq, pasi, siç shpjegohet edhe në relacionin shoqërues të këtij projektvendimi, KQZ bën të ditur se në vijim të verifikimit të nënshkrimeve dhe dokumentacionit përkatës, me sy të lirë u krijua dyshimi se shumë emra të zgjedhësve dhe nënshkrimet përkatëse të tyre ishin të plotësuara nga e njëjta dorë. Në këto Kushte KQZ, me shkresën nr.520, datë 12.06.2012 dërgoi duke bërë një përzgjedhje rastësore, nga qarqe të ndryshme, një pjesë të Modeleve-Tip pranë Institutit të Policisë Shkencore, për të bërë verifikim të specializuar të emrave dhe nënshkrimeve të zgjedhësve, për të cilat ka lindur dyshimi i falsifikimit. Sipas shkresës nr.2407, datë 22.06.2012 të Institutit të Policisë Shkencore rezulton se rreth 70% e nënshkrimeve të marrë si kampione janë të falsifikuara, të bëra nga e njëjta dorë.

Vendimi

Megjithëse në këtë projektvendim nuk bëhet e ditur se cili do të jetë verdikti i KQZ-së për këtë referendum, burime nga ky institucion bëjnë të ditur se me shumë mundësi pritet t’i hapet drita jeshile mbajtjes së referendumit të kërkuar. Kjo për shkak se numri i firmave të dala me probleme të konstatuara nga verifikimi është në atë masë sa nuk prek numrin prej 50 mijë firmash që kërkon ligji. Kështu shifrës prej 65 mijë firmash po t’i heqim masën prej 8438 firmash të konstatuara në shkelje, si dhe një numër të vogël firmash të dyshimta të hedhura nga e njëjta dorë, rezulton se më shumë se 50 mijë firma janë të rregullta dhe të mjaftueshme për të detyruar KQZ-në që të marrë një vendim pozitiv në favor të kërkesës së grupit nismëtar.

Tabelë

Grupi nismëtar ka depozituar gjithsej 3798 Fletë-Tip, në të cilat janë 65649 shtetas që kanë nënshkruar dhe 64655 kopje të kartave të identitetit.

Në 3798 Fletët-tip të depozituara rezulton se:

në 9 raste mungon nënshkrimi në rubrikën nënshkrimi i zgjedhësit;

në 1470 raste mungon atësia;

në 5 raste mungon ditëlindja;

në 3455 raste të dhënat në fletën tip nuk janë plotësuar me germa kapitale;

në 994 raste mungon karta e identitetit;

në 49 raste si dokument identifikimi është bashkëlidhur kopje e pasaportës jo biometrike e vjetër, 2 persona fotokopje të Letër Njoftimit të vjetër, 1 person fotokopje të vizës Shengen;

në 93 raste gjenealitetet emri/mbiemri/datëlindja të shënuar në fletën-tip janë të ndryshme nga të dhënat në kartën e identitetit;

në 246 raste nuk përputhet numri personal i identitetit me nr personal në dokumentin e identitetit;

në 4 raste mungon numri personal i identifikimit në formular

në 3 raste ka dublime emri dhe nënshkrimi i zgjedhësit është në dy formularë;

në 218 raste janë të datëlindjes më të vogël se 18 vjeç në datë 30.03.2012;

në 1889 raste është shënuar gabim numri personal i identifikimit.

Në total 8438 firma të pavlefshme.

(Mapo)

Comments

Submitted by nik (not verified) on

me nje fjale keto te referendumit kane mashtruar me me shume se 8 mije firma dhe pastaj duan te na mbushin mendjen se duan voten.

keta qe ne fillim po mashtrojne,e pse duhet ti besojme qe kane te drejte.

Submitted by luani (not verified) on

Nuk kemi nevoje per voten tende, meqe besoke se paskan fallsifikuar 8000 firma, dhe besoke KQZ-ne. Uroj ti hash plehrat me luge pas ca ditesh...

Submitted by luani (not verified) on

Athere, mua ktu me duket qe eshte arritur absurdi.
E para, si eshte e mundur qe jane 64655 fotokopje kartash identiteti dhe nuk qekan firmat? Dmth car ka bere Aleanca, ka vjedhur 64655 karta identiteti?
E dyta, nese 70% e firmave qekan te fallsifikume nga firmat e perzgjedhura ne menyre rastesore, athere i bie qe ka shume mundesi nga ana statistikore qe 70% e firmave totale te jene te fallsifikuara gjithashtu (sipas pseudoekspertizes). Nga kjo i bie qe fimra te pafallsifikuara ne total te jene 64655*(1-0.7)=19396.5, pra me pak se 50000.
E treta, te KQZ mire eshte me vene nje bombe, dhe te biem te gjithe rahat, se na hoqi trurin Ristan plehra.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.