Fatos Lubonja: Manipulimi me dëshminë ndaj babait, sulm i Edi Ramës
Fatos Lubonja ka reaguar pas publikimit të një dokumenti, në të cilin thuhet se ai ka dëshmuar kundër të atit. Lubonja thotë se po manipulohet me këtë fakt dhe po sulmohet egërsisht nga Edi Rama me anë të Henri Çilit, pse ai është kundër qeverisë. Ja si e shpjegon Lubonja, të vërtetën e tij, me atë që ka ndodhur në burg, në një shkrim për gazetën "Panorama":
Manipulimi me dokumentin që kanë nxjerrë është në tre plane; së pari, ai nuk niset të kërkojë të vërtetën e Fatos Lubonjës në raport me të atin dhe Kadarenë në atë proces, por të denigrojnë Fatos Lubonjën, së dyti, me faktin se dokumentin e kanë nxjerrë nga konteksti dhe së treti, edhe vetë tekstin e kanë deformuar dhe interpretuar sipas interesave të tyre.
Përsëris, e vërteta është se unë jam arrestuar në të njëjtën kohë (Korrik 1974) së bashku me babain, xhaxhain dhe burrin e hallës, pasi Sigurimi, nëpërmjet agjentëve të tij dhe teknikave operative të përgjimit, arriti të zbulojë të fshehura në shtëpinë e xhaxhait në Tiranë disa armë të babait së bashku me shkrime të tij e të mijat që përbënin “agjitacion propagandë armiqësore”. Pra, që këtu bie sedërgjia sikur unë, nuk paskam gjetur kënd tjetër në këtë jetë për të denoncuar që të marr favore, por njeriun më të dashur, tim atë.
Ne kemi qenë së bashku, për shtatë muaj nëpër qeli të ndryshme në një proces të tmerrshëm hetimor, të drejtuar nga famëkeqët Nevzat Haznedari e Koço Josifi pa asnjë të drejtë njerëzore si avokati, takimet me familjen e të tjera si këto. Ndonëse shkrimet i kishte fshehur im atë, mora përsipër se e kisha bërë unë dhe kështu mbeti. Por ndërkaq, pas arrestimit tonë, gjatë kontrollit në shtëpinë time në Tiranë, kishin gjetur një letër me shkrimin e tij që ma kishte dërguar nga Lezha, ku ishte i dëbuar asokohe, që u bë drama e gjithë hetuesisë sime. Pjesa e parë e saj ishte një reagimi i tij ndaj lajmit që i kisha çuar unë nga Tirana nëpërmjet vëllait pas sëmundjes së infarktit që diktatori kishte kaluar në dhjetor 1973.
Im atë përdorte nofkën ”dajarja”, të cilën e përdornim kur flisnim për të në shtëpi, duke e etiketuar si “imbecil paranojak”, “narçizist mizerabël” që i është “prishur me kohë ekuilibri i trupit dhe mendjes” etj. Mjaft të lexoje përmbajtjen e kësaj letre për të kuptuar se në ç’gjendje u ndodha. I pyetur se për cilin bëhej fjalë, u thashë një herë një emër e pastaj një tjetër që nuk korresponduan asnjëri me personin që u kishte dhënë im atë. Ndërkaq sa në sajë të teknikave operative të përgjimit që ata kishin vendosur në shtëpi, si dhe nga spiuni, të cilit i isha hapur në birucë, ata e dinin se për cilin bëhej fjalë. Pasi më thanë se im atë e kishte pranuar dhe ishte varur pa gjyq, jo pushkatuar, dhe se edhe të gjithë njerëzit e familjes ishin brenda dhe e pohonin, e pranova se bëhej fjalë për Enver Hoxhën.
Përveç kësaj prove shkatërruese, ata kishin materiale nga dosja e përpunimit që më kishte hapur Sigurimi qysh para një viti, me bashkëpunëtorë dhe përgjime, nga dëshmitarë që i thirrën me hir dhe pahir të flisnin për aktivitetin tonë “armiqësor”, si dhe analizat e tre ekspertëve: ai i romanit, ai i ditarëve dhe ai i poezive. Ndër këto më të rëndat ishin deponimet e Mihallaq Luarasit, që ishte arrestuar e dënuar afro një vit më parë. Mes të tjerash, ai kishte thënë edhe se im atë i kishte dhënë faqe të romanit tim, që m’u gjet i fshehur, i shkruar sipas “rrymave të romanit të ri francez që Todi i lavdëronte”. Madje kishte treguar edhe diçka nga përmbajtja edhe se si ishte vazhdimi sipas çka i kishte thënë im atë. Kjo provonte se im atë kishte dijeni edhe për shkrimet e mia.
Përballë këtyre provave që m’u dukën të pakundërshtueshme me moshën dhe pjekurinë që kisha në atë kohë (23 vjeç), nën kërcënimet se po të mos pohoja gjithçka dija, do të më fusnin në dhomën e torturës, u rezistova presioneve rreth akuzës për terror që donin të na shtonin lidhur me armët e gjetura, por pranova, duke u hequr sikur po u thosha gjithçka, disa nga akuzat. Por u përpoqa t’i justifikoj çfarë kisha thënë e shkruar, dhe veçanërisht, pse im atë kishte shkruar një letër të atillë, jo me urrejtjen e thellë principiale që kishim për atë regjim dhe atë diktator, por me pakënaqësira personale të miat e të tim eti ndaj vendimeve të paekuilibruara apo disinformimit të Enver Hoxhës. Gjithsesi dokumentet nuk pasqyrojnë saktë fjalët e mia, por një versionin ku këtyre u shtoheshin interpretimet rënduese të hetuesve, gjë që ka qenë në stilin e hetuesisë së asaj kohe.
Më pas, arrita të kuptoj se im atë ishte gjallë, pasi i dëgjova zërin teksa e çonin në banjë dhe nuhata se mund të kishte thënë se letra bënte fjalë për dajën tim, ngase më pyetën një ditë nëse daja kishte qenë i sëmurë. Arrita të shkëmbeja me të edhe një pusulle që ma bëri të qartë se ai s’i kishte pranuar akuzat. Atëherë ndërrova version duke u thënë se ishim keqkuptuar për dajaren. Për të mos më lënë të konkordoj me të, nuk më bënë as akt ballafaqimi që parashikohej nga procedurat, madje atë e ndanë nga ne të tre dhe i bënë proces më vete, ku unë kam thënë versionin e keqkuptimit për dajaren.
Me përvojën, pjekurinë dhe forcën psikologjike që fitova më vonë, sigurisht nuk do të kisha rënë në ato gracka ku kanë rënë shumë të arrestuar, madje duke pranuar edhe gjëra të paqena që i kanë çuar në pushkatim. Këtë e provon hetuesia e dytë ku kam refuzuar të firmos çdo dokument që nga urdhri i arrestit, si edhe gjithë qëndrimi im në burg, që u bë shkak të ridënohesha e të lirohem nga burgu vetëm me grupin e fundit të të burgosurve politikë më 17 mars 1991”.
Marrë nga gazeta "Tema"
Comments
Kadare ka filluar te
Kadare ka filluar te oksidohet...
Add new comment