Zgjidhjet kushtetuese për krizën
Që në shekullin XIII, në Angli u konfirmua e drejta e publikut për të detyruar mbretërit që të heqin dorë nga froni, si rrugëdalje dhe rrugëzgjidhje e krizave politike. Ky institut i të drejtës publike vepron rëndom në çdo vend demokratik, nga ajo kohë e deri më sot, në ndryshimin e ekzekutivëve jo të përgjegjshëm. Ka mbi dy vjet që shoqëria shqiptare përballet çdo muaj me skandale të njëpasnjëshme të qeverisjes socialiste dhe Kryeministri i vendit nuk tundet nga përgjegjësia për t’i hapur rrugën sovranit, në gjetjen lirisht të rrugëkalimeve sistemuese institucionale, drejt një pushteti me sovranitet të justifikuar ligjërisht, të besueshëm, të përgjegjshëm dhe të edukuar. Kriza ka arritur kulmin me Opozitën në Bulevard, me bojkotin total të institucioneve prej saj dhe me kokëfortësinë e Kryeministrit, që refuzon, me kokën lart dhe mjekrën përpara, për gjetjen e zgjidhjeve extra vetvetes së tij. Me këmbënguljen tipike të një politikani kokëfortë stepash, ai po orvatet të krijojë klimën e çmendur për të zhvilluar zgjedhje pa opozitën.
Si është e mundur që vë- mendja e të gjithëve për zgjidhjen e krizës politike, të stopimit të mekanizmit institucional të rinovimit të elitës drejtuese të vendit, është përqendruar te koka, humori, normat e racionalitetit të një njeriu të vetëm: Kryeministrit të vendit, zotit Edi Rama?!
A ekzistojnë brenda sistemit parlamentar shqiptar, mekanizma përgjegjshmërie dhe elemente konvencionale, zhbllokues të krizave parlamentare?
A kanë parashikuar konstitucionalistët e vitit 1998, pengesa ligjore për të ndalur mendjet diktatoriale në Ekzekutivin Shqiptar? Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, edhe kështu e shformuar dhe përçudnuar siç e kanë bërë, ruan në vetvete, në frymën e saj, mekanizma të mjaftueshëm për të zhveshur nga pushteti, të gjithë kryeministrat e vjetruar legjitimë dhe brenda mandatit, të cilët, në një moment çmendurie, paranoje, dhe mungese përgjegjshmërie, kanë:
A. deformuar balancën institucionale, duke ulur në minimumin historik rolin e arbitrit të Gjykatës Kushtetuese;
B. kanë dëmtuar rëndë sigurinë shtetërore dhe nuk përgjigjen para Këshillit të Sigurisë Kombëtare;
C. kanë deformuar dhe falsifikuar veprimtarinë e Këshillit të Ministrave si organ kolegjial;
D. kanë bërë pakt mossulmimi me krimin e organizuar;
E. kanë shkelur ligjin mbi depolitizimin e Policisë së Shtetit, duke e vendosur nën kontrollin e plotë të Ministrisë së Brendshme, institucion i parregulluar me ligj;
F. nuk kanë vepruar për mbrojtjen e privacy së qytetarëve, madje kanë ndërtuar një sistem përgjimi të programuar, të drejtuar nga hierarkia më e lartë e Policisë së Shtetit, duke prekur liritë e garantuara nga Kapitulli i Dytë i Kushtetutës dhe Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut;
G. kanë uzurpuar lirinë e shtypit përmes mediave klienteliste dhe gazetarëve të ngritur në mbrojtje të marrëzisë së zgjedhjeve pa opozitë, kanë lënë qëllimisht të pambrojtur akademikët dhe profesoratin shqiptar, duke shmangur aprovimin e Statusit Mbrojtës, Tenureshipin e Profesoratit Shqiptar, të imponuar nga Ligji, duke vendosur nën presion politik dhe pasiguri, botën intelektuale shqiptare;
H. Nuk kanë krijuar kushtet për zhvillimin e zgjedhjeve të lira, gjë që nënkupton: vendosjen e barazisë së trupit zgjedhor në nivel territori, krijimin e mundë- sive të barabarta për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë së regjistrit të gjendjes civile të vitit 1991, për të votuar, pavarësisht ku ndodhen; kanë stimuluar një mobilizim të tipit fashist të parasë ilegale të gansgterizmit, të militantizmit politik të prejardhun komunist dhe mobilizimit organizativ të masave ish-kooperativiste.
Kur pavarësisht gjithë kësaj veprimtarie, vepruese dhe mosvepruese antikushtetuese, përgjegjësit kryesorë të ekzekutivit nuk denjojnë t’u përgjigjen interesave publike të transparencës, të ripërtëritjes së demokracisë dhe parlamentarizimit, në konformitet me kushtetutën, në pikëpamje ligjore, për Opozitën mbeten këto rezerva procedurale veprimi:
1. Mocioni i mosbesimit, i cili duhet të bëhet në kohë;
2. I propozohet Presidentit të Republikës të kërkojë shpjegim, me zë dhe me shkrim, ndaj Kreut të Ekzekutivit, për llogari të interesave publike, për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me detyrat e mungueme sipas rendit të rëndësisë në aspektin e sigurisë së rendit kushtetues;
3. Hapja e procedurës për Impeachment në Parlament, mbi bazën e provave;
4. Ndjekja e procesit të hetimit nga ana e institucionit të pavarur të Prokurorisë së Përgjithshme, për të gjitha këto çështje, dhe posaçërisht mbi falsifikimin e aktivitetit të Këshillit të Ministrave si organ kolegjial, imponuar nga sistemi zgjedhor proporcional regjional i zgjedhjeve (procedim i filluar para një muaji dhe ende i pafinalizuar dhe informuar në publik).
Uzurpatorët e pushtetit demokratik, dhunuesit e kartës së lirive dhe komplotistët që po orvaten të kryejnë grushtin final të zhveshjes së Republikës nga fitoret e pluralizimit, konkurrencës së lirë dhe gjithëpërfshirjes, duhet të vendosen para përgjegjësisë, duhet të ndalen, të detyrohen të largohen dhe Publiku duhet të sqarohet.
Ka ardhë momenti që ata që nuk e duan të ardhmen e këtij vendi, t’i vendosin gishtin kokës.
Duke u thënë “jo” parimeve të një republike demokratike, mbajtësit e pushtetit po dënojnë vetëm të ardhmen e vendit dhe kjo kosto është shumë e madhe për ardhmëninë në paqe të Shqipërisë. Publiku duhet të kuptojë që Neronët mbretërojnë kudo njëlloj, pikturohen me të njëjtën ngjyrë, janë të gjithë të zinj, pavarësisht ngjyrave me të cilat lyejnë pallatet dhe realitetin varfanjak.
Atë që votimi i përgjithshëm ka bërë me lirinë dhe sovranitetin e vet, nuk mund ta prishin endërrimtarët e ndërtimit të një diktature socialiste me koperturë demokratike. Sot jemi në rastin kur një pjesë e ngushtë e shoqërisë ka përvetësuar të drejtat e Kombit në tërësi. Para se Kombi të ngrejë krye për të rrëzuar establishmentin, pjesa përfaqësuese e tij duhet të shfrytëzojë të gjitha mundësitë që të jep kushtetuta, parlamentarizmi dhe pjesa e mbetur e Shtetit të së Drejtës.
Nuk duhet të harrojmë se Shqipëria e vitit 2017 është një vend, kur pjesa e vetëdijshme që mendon dhe vetëvepron qartësisht është në minorancë dhe për të përmbysur me votë këtë establishment, është e nevojshme të bindet për të menduar drejt për të ardhmen e fëmijëve të vet, kooperativizmi tradicional i dyndur në Tiranë, forcë rezistuese konservatore e socializmit të djeshëm dhe tifoze fanatike e rilindjes antidemokratike. Thelbë- sore në këtë proces të përmbysjes me mekanizma institucionalë të endërrimtarëve të rindërtimit të shtetit komunist të gjyshërve të dhunshëm dhe shtypës, mbetet rihapja e kanaleve ligjore për votimin e emigrantëve dhe fëmijëve të tyre, që sollën përmbysjen e vitit 1991 dhe 1992.
Zgjidhja e krizës duhet të ndodhë, për hir të një Shqipërie të ndershme, të drejtë, gjithëpërfshirëse, demokratike, dinjitoze, ku edhe Rilindësit e Dhunës, mos ta ndiejnë më veten të përçmuar dhe etiketuar, por t’u binden rregullave të shtetit ligjor për të gjithë njëlloj, parimeve të një shteti me administratë të të gjithë qytetarëve, të shpërndarë drejt në territor dhe në strukturën kulturore e politike të Nacionit, sikurse e kanë ndërtuar Etërit Themelonjës 1912, 1921.
"Panorama"
Comments
A harrove?
O zoti Romeo...po cila eshte zgjidhja e ketyre problemeve? PD e Saliu ne pushtet qe jane gjeneza
e shume prej tyre? Apo Ristani e Basha?
Add new comment