Mbi "politikën" e provokimit

Postuar në 06 Mars, 2017 15:28

Italishtja ka një fjalë shumë të përshtatshme për ata që premtojnë shumë e bëjnë pak, në mos asgjë: Farabolano. Edhe në shqip fjala duket sikur përligjet mirë: të jep përshtypjen e një tullumbaceje që çahet për të lëshuar vetëm ajrin që mban brenda duke u lëshuar me nxitim drejt tavanit ku përplaset e mandej bie në tokë.

Kjo fjalë në politikë mund të ilustrojë ata që preferojnë politikën e provokimit bashkë me artistët e saj. Provokimi është një si biçim arti më vete. Kërkon skenën, dekorin, momentin dhe frazën e duhur në mënyrë që të riprodhojë një audiencë të paqenë duke “magnetizuar” veshët e vëmendjes së çastit. Duke dhënë një shfaqje që i ngjan ngatërresës që bëjnë fëmijët që mendojnë se bubullima është e rrezikshme e jo rrufeja.

Kryeministri shqiptar Edi Rama qëndron në krye të listës së politikanëve shqiptarë për farabolanizëm. Programi që ai premtoi para se të vinte në pushtet kumbonte siç duhej për veshët e një shoqërie të lodhur dhe pse jo të druajtur nga fakti se Sali Berisha mund të vazhdonte të qeveriste ende. Mjafton të përmendim tre premtime për të rrokur, në dritën e qeverisjes së tij, këtë aspekt demagogjik: ulja e TVSh-së për mallrat e shportës nga 20% në 6%, ulja e TVSh-së për energjinë nga 20% në 6% dhe një politikë të jashtme të bazuar mbi filozofinë “zero probleme me fqinjët”.

Për dy të parat jemi dëshmitarë dhe pësues të gjallë të së kundërtës. Dhe për këtë nuk kemi nevojë për artimetikën e Facebook, pasi paguajmë çdo muaj.

Politika e Jashtme e kësaj qeverie konfirmon në mënyrën më të qartë këtë diferencë mes punës dhe fjalës. Shqipëria sot që flasim ka disa probleme verbale e reale me fqinjët, qasja ndaj të cilave, më shumë se korrigjimit dhe ndryshimit të raporteve, i ka shërbyer imazhit të kryeministri të Shqipërisë. Aksush nuk di të thotë ndonjë arritje të politikës sonë të jashtme në këto vite: me Greqinë u bënë disa takime zyrtare, u fol për grupe pune për çështjen e detit, u zmadhua në maksimum loja e fjalëve për çështjen çame, por në fund, ne sot nuk kemi ndonjë gjë konkrete në dorë. Asnjë marrëveshje, asnjë dokument, asnjë propozim. Problemet kanë lindur nga zhurma e deklaratave në Facebook e jo nga riformulimi i qëndrimit të Shqipërisë.

Të mos ngatërrohemi: është një gjë të propozosh një dokument të ri që synon të zgjidhë probleme dhe krejt tjetër kur mikson propozime të caktuara me narrativa historiografike që në Ballkan ndryshojnë nga fshati në fshat e jo më mes shteteve.

Në raport me Maqedoninë kemi një provokim të pastër me Platformën e partive Shqiptare, e hartuar në Tiranë dhe parashutuar në Shkup e cila vetëm sa ka përkeqësuar situatën. Mund të pranohet se përpjekja është qëllimmirë, parë nga perspektiva jonë, pra e të drejtave, por ha shumë diskutim fakti nëse kjo është një rrugë për zgjidhjen e disa problemeve që kanë shqiptarët aty. Deri në zgjedhjet e fundit, Edi Rama denjoi të takonte Ali Ahmetin vetëm njëherë në Pogradec, për të hyrë në veprim në mënyrë të zhurmshme sapo doli rezultati i zgjedhjeve. Është krejt artificiale dhe megallomane që të kërkosh të drejta që partitë shqiptare në Maqedoni i kanë vetëm si proteza elektorale.

Marrëdhënia me Turqinë është ndër më komiket. Shembull i qartë se çfarë ndodh ku raportet diplomatike prevalohen nga simpatitë dhe raportet personale. Asnjë nuk di të thotë se si ka mundësi që marrëdhënia e Edi Ramës me Erdogan është ku e ku më e ngushtë sesa marrëdhëniet mes dy vendeve. Qeverisja socialiste nisi me bujë dhe me vizita në Ankara, takime dhe premtime për Traktate. Ca kohë më pas u fol për miliarderë dhe miliarda nga Turqia që do të mësynin në Shqipëri se Turqia do të jepte ekspertizën e vet në bujqësi, energji etj.. Sot që flasim “tullumbacja është çarë” dhe jemi në pikën ku një kompani turke si Kurum falimentoi apo u largua, nuk ka ndonjë investim serioz nga ky vend, përflitet goditja e investimeve të grupit Gulen dhe kur edhe ndonjë kompani aktuale në treg thuhet se është shitur. I palëkundur dhe në forcim të vazhdueshëm është vetëm raporti Rama-Erdogan.

Po të hidhemi në Serbi, aty gjejmë maksimumin e talentit të vërtetë të kryeministrit: një zhaurimë e vërtetë me drone e takime, me deklarata e poza, me ecje në këmbë nga Presheva në Kosovë. Orgazëm e vërtetë politike e marketuar si arritje historike. Shembull i qartë sesi shqiptarët, “këta italianë pa Versaçe” po oksidentalizojnë Ballkanin me liderin e tyre të ri, që dikur në ndonjë konferencë për shtyp tentoi të kontrabandonte edhe titullin “lider i Ballkanit” si për ndonjë realitet gjeopolitik.

Gjithë kjo paradë tingujsh, lajle lulesh dhe ceremoniali prej indigjenësh që kanë ndezur zjarrin në pritje të ndonjë miku nga përtej detit, e bën fare të kuptueshme “psenë” e atij provokimit më të ri që zuri vend dje në bulevard. Kur kryeministri kaloi pranë tendës së protestës së opozitës e për së dyti, u kthye për të përshëndetur protestuesit. Dikur në vitin 2013, Berisha doli në ballkonin e kryeministrisë dhe me dy gishtat lart i ftonte deputetët socialistë që të protestonin më fort. Por më shumë sesa provokim ai ishte mesazh politik i një njeriu që kishte kaluar 8 vjet në opozitë dhe ishte larguar me armë nga pushteti. Ky i djeshmi ishte thjesht dhe vetëm një provokim pa asnjë dobi, një demonstrim personal dhe jo force. Një kujtesë për kufizimin gjeografik të protestës brenda çadrës. Një shprehje e paprecedentë e mungesës së respektit për një formë proteste që u aplikua së pari në Shqipëri nga ky kryeministër.

Sigurisht që nuk ka arsye të tregohemi nihilistë dhe të mos njohim disa punë, apo disa arritje. Që janë të tilla edhe përmes artikulimit, apo Politikës së Fjalës. Por qeveria dhe koalicioni i kanë mveshur vetes atributet e një kabineti që po bën Rilindje dhe kjo e fundit është në vetvete proces transformues, më parë sesa të jetë zhurmues. Që këtej zë fill edhe leximi real i qeverisjes, perceptimi dhe mandej që këtej, pra te punët, duhet të llogaritet edhe dhënia e votaës.

Fjala plazmon realitetin – kjo thuhet shpesh. Por në një vend si Shqipëria, nuk duhet lejuar që politika e spoteve publicitarë dhe e Llafeve të plazmojë si realitet një gënjeshtër, faturën e së cilës e paguajmë të gjithë. Meqë ra fjala për këta lloj shitësish, italishtja ka sërish një fjalë tjetër: Patacaro. Ndoshta është koha që edhe shqipja të mbrohet me disa fjalë të vetat.

Comments

Submitted by tomi (not verified) on

Burra qe e mbajne veten per shtetare dhe sillen si te jene ciliminj ne klase te pare. Shume i bukur shkrimi.

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Une jan shue kurioz te di me cfare do te merret Edvin Rama, kur mbas pak muajsh nuk do te jete me Kryeminister. Tashti qe edhte mesuar te luaje me lodren Kryeministri, si do te beje ky çilimi me trup burri kur t'ia marrin lodren?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.