Sulmohet Trump, kemi të bëjmë me një intelektual "ndryshe". Sulmohet Lu, kemi të bëjmë me antiamerikanë!!!

Postuar në 06 Shkurt, 2017 11:49

Sot në media janë publikuar dy reagime ndaj asaj që quhet sulmi ndaj politikës amerikane në Ballkan. Reagimi kryesor është i ish-diplomatit Shaban Murati në “Gazeta Shqiptare”, sipas të cilit goditja publike që po i jepet disa ambasadorëve amerikanë në Ballkan, pasqyron në fakt një skenar të dirigjuar nga ata që ai i quan “strategjistët e Kremlinit”. Serbia, Maqedonia, Republika Srpska dhe Shqipëria hyjnë në listën e këtij operacioni rus që është në fakt skenari i vetëm i analizave të Muratit.  

Reagimi i dytë, joserioz por present, është ai i Spartak Ngjelës që apelon për kundërvënie të shqiptarëve ndaj sulmeve të Ilir Metës dhe Adriatik Llalës, “dy njerëz të rëndomtë”, ndaj ambasadorit amerikan në Tiranë. Ngjela vazhdon me delirin e zakonshëm kur e prezanton veten si tribun i lidhjeve shqiptaro – amerikane, që janë sipas tij fataliteti i antishqiptarëve dhe projekteve të errëta të fqinjëve.

Asnjë nuk pranon të shtrojë për diskutim një çështje me më shumë rëndësi: çfarë përfaqëson ndryshimi politik në Shtëpinë e Bardhë për Ballkanin? Dhe a është politika e presidentit të ri amerikan shkaku që ka inkurajuar politikat për ndryshimin e raporteve të ndikimit në rajonin tonë? Nuk shtrohet ky diskutim pasi mesa duket në analizat e Tiranës “Amerika nuk gabon asnjëherë”. Madje ajo as edhe ka ndërmend të ndryshojë politikat e veta, pasi kështu na e do ne mideja. Që këtej edhe produkti i këtij të menduar linear: kur gjërat nuk janë mirë, problem janë rusët dhe miqtë e tyre antishqiptarë në Ballkan dhe në Rusi. Kuptohet kjo lloj analize ngrihet dhe funksionon mbi antiamerikanizmin konvencional të njerëzve si Meta, Llalla, Berisha, pra të korruptuarit që i janë bërë ferrë Shqipërisë. Në fakt një analizë e tillë do të duhet të bëhej edhe kur kryeministri shqiptar, Edi Rama, sulmonte në fushatë kandidatin republikan Donald Trump, meqenëse për Shqipërinë çdo gjë që vjen nga SHBA është e mirë. Por pakgjë u tha atëherë kur Edi Rama u kthye në Shqytar të qytetërimit Perëndimor dhe shumëçka, një batare po gjuhet tani për këtë antiamerikanizëm të…Adriatik Llallës!!!

Murati thotë se ka disa që duan të ndajnë qëndrimet e ambasadorit me politikën amerikane, diçka që është e vërtetë në plan formal. Por jemi dëshmitarë se asnjë prej zyrtarëve amerikanë, as ambasadori në Tiranë, nuk flet për çështjet e sigurisë me gjuhën e Presidentit Trump, njësoj sikundër është shumë e dukshme se garancia e proamerikanizmit shqiptar është vënë në diskutim me largimin e Barack Obamës nga Shtëpia e Bardhë. Dhe është po kaq evidente se personalizimi që Edi Rama i bëri raporteve mes të dyja vendeve kur sulmoi Trump, ka ndërlikuar një marrëdhnie që përndryshe mund të vijonte pa këto dyshime të tanishmet. Por ajo që është më e çuditshme është standardi i dyfishtë që përdoret: kur sulmohet Trump, kemi të bëjmë me një intelektual që shpreh mendimet e veta. Kur sulmohet Lu, kemi të bëjmë me antiamerikanë dhe lojë të Kremlinit. Kjo merr vlerë si analizë vetëm nëse do konsiderojmë si budallalëk me brirë atë që bëri Rama, por ja që analistët nuk para kanë qejf ta thonë këtë. Madje as Ngjela që dihet se është shpirt i lirë në këtë tokë vasalësh. Cila të jetë arsyeja vallë?

Comments

Submitted by Andreas (not verified) on

Nuk e di pse me krijohet pershtypja, qe e gjithe kjo levizje e Donaldit Lu kundrejt Llalles Adriatik, eshte nje skenar i mire menduar per te zhvendosur mardheniet shqiptaro-amerikane nga rafshi Rama-Trump, ku shqiperia del e telendisur dhe pa nje orjentim ne hapsire e kohe ne rafshin Llalla-Lu, ku shqiperia del ajo qe ishte para zgjedhjeve amerikane, pra me probleme te medha vetem aty ku i intereson qeverise te shohe probleme dhe amerika ajo qe sponsorizon zgjidhjen e problemeve, aty ku ambasada i shikon keto probleme.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.