Intervistë dhënë Shekullit

Janë 25 pyetjet që unë ua kam bërë të tjerëve për muaj të tërë (intervistat janë në arkivin e respublica-s). Shekulli kish idenë që të njëjtat pyetje “t’m’i bënte” mua. Rashë dakord. Më poshtë është intervista që është e publikuar sot në gazetën e Kokëdhimës. M. Nano .
1-Zoti ekziston, mund të ekzistojë, duhet të ekzistojë apo nuk ekziston?
Nuk e di. Nuk jam i sigurtë. Mund të egzistojë. Ndoshta dhe duhet.
2. Gjuha shqipe ju duket e pasur, e varfër, apo si të tjerat?
Të gjithë ekspertët e gjuhës, sidomos ca që unë i vlerësoj, janë të idesë se gjuha shqipe është si të tjerat. Mua, si përdorues i gjuhës, nuk më duket kështu. Janë huazimet që kemi bërë nga gjuhët e huaja (dhe s’e kam fjalën vetëm për fjalë, terma e idioma të veçanta, por edhe për struktura sintaksore, s’ka gjë se dhe ndonjë strukturë e jona s’do ish keq të huazohej nga të tjerët), që e kanë bërë gjuhën tonë më të plotë e që ia kanë rritur fuqinë shprehëse.
3. Njerëzit janë esencialisht të mirë, apo janë esencialisht të këqij?
Në këtë pikë jam me Hobbes-in, Freud-in, etj: njerëzit janë esencialisht të këqinj.
4. Do të ishit dakord që fëmija juaj të merrte pjesë në lojën televizive “Big Brother”?
S’do ish nevoja të isha dakord unë. Do ish mjaft të ishin dakord ata vetë. Por unë nuk do t’i inkurajoja, afërmendsh.
5. Harmonia ndërfetare në Shqipëri është një legjendë apo një realitet i bukur?
Është një realitet. Por i brishtë, jo i bukur. Është shumë i brishtë. Këtë realitet e kemi, dhe e kemi patur, peshqesh prej faktit që besimet fetare i kemi mbajtur larg ekstremizmave. Dhe do ta kemi këtë realitet për aq kohë sa do dimë t’u tregojmë vendim ekstremizmave fetare. Në momentin që ekstremizmat fetare do fitojnë terren, atëherë do na duhet të bëhemi gati ta vajtojmë harmoninë mes feve. E vetëm dreqi e di se ç’vjen më pas. Edhe unë e di.
6. Shihni ndonjë unitet të qartë kulturor midis Shqipërisë e Kosovës?
Po, sigurisht. Por po kështu shoh qartë diferenca kulturore, të cilat, sipas meje, e bëjnë bashkimin kombëtar në këtë moment jo vetëm të pakëshillueshëm, por edhe jo të mundur. Hë për hë një Shqipëri e bashkuar në një shtet të vetëm demokratik, nënvizoj ‘demokratik’, nuk do të funksiononte.
7. Mendoni se në botën e sotme demokratike (mund të) bëhen vrasje për arsye shtetërore?
Po, e mendoj. Dhe e besoj. Dhe ligështohem. Por në botën demokratike nuk llogaris Shqipërinë, ku vrasjet bëhen për arsye pu-shtet-ërore. E bëhen faqe botës. Meqë ra fjala, nuk do doja të ikja nga kjo botë pa marrë veh se ata që kanë urdhëruar vrasjet e 21 janarit 2011, dhe ata që u janë bindur urdhërave, janë ndëshkuar për këtë krim që kanë bërë.
8. Fan Noli udhëhoqi një grusht shteti apo një revolucion demokratik në vitin 1924?
Ishte një grusht shteti. Për fat të keq, ‘zhvillime demokratike’ nuk pati as pas grushtit të shtetit. Noli nuk arriti të bënte as zgjedhje, që do ta legjitimonin atë grusht shteti. S’merret vesh pse. Por .... ky fakt nuk e lëndon personazhin Fan Noli, ashtu si nuk do ta lartësonin kushedi se çfarë ca bëma të ndritura politike. Politika ka qenë një aksident në jetën e Nolit.
9. Ajo që komunistët e kanë quajtur “Lufta Nacionalçlirimtare”, ka qenë sipas jush edhe luftë civile?
Po, kjo është një gjë e dokumentuar, tanimë. Por komunistëve u mbetet, pa diskutim, dhe kurora e luftës kundër nazi-fashizmit. Këtë kurorë ua kanë dhënë dhe kundërshtarë të tyre, si – po përmend dy ‘të mijtë’ në këtë rast – Abaz Ermenji e Xhelal Staravecka. Them ‘të mijtë’, ngaqë janë skraparlinj.
10. Nëse do t’ju kërkonin të veçonit ndonjë arritje të diktaturës komuniste pesëdhjetëvjeçare, çfarë do të thoshit?
Kompaktësimi kulturor i shqiptarëve ishte një arritje. Shqipëria e vitit 1939 ishte tërësisht tribale; ajo e vitit 1990 nuk ishte më e tillë. Si për dreq, tani po rilindin ca afermacione e rivendikime të natyrës tribale.
11. Sikur të kishit jetuar në vitet e Luftës së Dytë Botërore, do të rreshtoheshit me partizanët, me Ballin Kombëtar, apo do të qëndronit asnjanës?
Këtë pyetje e kam përfshirë në pyetësor enkas për të marrë vesh një lloj vetshqyrtimi dietrologjik të të intervistuarëve. Ju doni të dini ‘vizionin’ tim dietrologjik? Po ua them: Do dilja partizan. Gjë e besueshme, apo jo? Unë jam partizan edhe pa pasur asnjë luftë. Unë edhe kur flej gjumë, jam partizan. Unë nuk rri dot pa mbajtur qëndrime e pa i mbrojtur këto qëndrime.
12. Largimi i Ahmet Zogut nga Shqipëria në prill të vitit 1939 është një gjest i qortueshëm apo i kuptueshëm?
I qortueshëm. Absolutisht. Ndonjë precedent që përmendet për ta justifikuar ikjen e Zogut nuk mban. Për më shumë se një arsye.
13. Do të ishit dakord të përkthehej në gjuhën shqipe “Mein Kampf” i Adolf Hitlerit?
Është përkthyer, tanimë. E s’ka ndodhur hataja.
14. Cili është njeriu më i rëndësishëm, me të cilin ju keni bërë një fotografi?
‘Të rëndësishëm’ e kam pasur në kuptimin “me ndikim, me pushtet, me famë”. Në këtë kuptim, nuk e di. Nuk kam të tilla. Apo kam? Ndoshta me Ismail Kadarenë? Ndoshta me Franjo Tuxhmanin? Ndoshta me ish-presidentin italian, Ciampi? Ndoshta me ndonjë tjetër? S’e di.
15. Çfarë ishte në të vërtetë ajo që ndodhi në vitin 1997?
Lëre mos e pyet? Një marrí e jona kolektive, që u provokua nga Sali Berisha, dora vetë. Ju kujtohet Sali Berisha? S’e mbani mend? Eh, keni të drejtë. Kanë kaluar shumë vite. Burrë i poshtër ka qenë. Një maskara autentik.
16. Mendoni se do të ishit në gjendje të vrisnit një njeri në rrethanat, kur ky njeri kërcënon jetën tuaj apo të të dashurve tuaj?
S’e di. Do duhej t’m’i jepnit këto rrethana. Por .... faleminderit; vetëm këto rrethana nuk i lus. Kurrë. E kush do t’i luste?
17. Ne shqiptarët jemi europianë me titull të plotë?
Me titull të plotë? Jo. Ndonjëherë mendoj se nuk jemi fare europianë. Ndonjëherë? Në fakt, mendoj më shpesh se sa ndonjëherë.
18. Në cilën ngjarje të madhe të historisë botërore do donit të kishit qenë protagonist?
Do doja të kisha qenë në ‘entourage’-in e Jezu Krishtit e të Muhametit, për të marrë vesh në vetë të parë se kush ishin këta personazhe, ndikimi i të cilëve në histori nuk ka të krahasuar me të tjerë; e nuk ka për të pasur.
19. Me cilin personazh të historisë së Shqipërisë do kishit dashur të bënit një bisedë të gjatë e të shtruar?
Janë shumë. E nuk është e thënë të jenë personazhe ‘të mëdhenj”. Fjala vjen do kisha dashur të bëja një bisedë, ndoshta jo të gjatë, me atë klerikun mysliman, që iu hodh në qafë i përlotur Gjergj Fishtës, kur ky i fundit mbajti një fjalë kundër qasjeve sektare në Kongresin e Manastirit.
20: Cili është libri që po lexoni?
Është një libër mbi kontributet e katolikëve, sidomos atyre të Mirditës, në historinë e Shqipërisë. Autor është Ndoc Gjetaj. Ka aty gjëra kureshtare mbi jetën e shumë prej tyre, që nuk i kam ditur.
21. Cili komb europian ju ndjell më shumë me historinë e me kulturën e vet?
Kombet e mëdha të kontinentit, Franca, Gjermania, Italia. Por dhe kombi tjetër përtej La Manshit.
22. Si do reagonit, sikur të merrnit vesh se djali/vajza juaj është homoseksual(e)?
Do shock-ohesha fillimisht, prej scoop-it. Por më pas do isha njeriu, që ata do kishin më pranë. Nëse do më donin pranë, kuptohet.
23. Keni frikë nga vdekja?
E dua jetën. E dua më shumë se sa e do një i poshtër. Por vdekjen nuk e kam makth. Kurrë s’e kam pasur.
24. Ç’është Atdheu?
Një gjë s’ia honeps Atdheut: që është i njëjti si për mua, ashtu dhe për ca të tjerë, me të cilët, teksa s’do doja të kisha asgjë të përbashkët, kam Atdheun të tillë.
25. Çfarë mendimi keni për zgjedhjen e presidentit?
Kjo është pyetja juaj, që s’ka qenë në pyetësorin tim. E keni futur ju. Çfarë mendimi kam? Është e vetmja gjë, për të cilën s’mund të mendoj më. Mendoja para se të zgjidhej. Tani u zgjodh. Spektakli ka përfunduar. Sipari ka rënë. The end.
Comments
Nuk e di Muc, po je tej mase

Nuk e di Muc, po je tej mase p***some per te qene skrapali.

RRESPEKT, po me R tmadhe.

Pergjigja e pyetjes 24 eshte
Pergjigja e pyetjes 24 eshte me gjetura dhe me e veshtira. Kush e mendon pak me thelle, kjo eshte dilema a te gjitheve kudo ne bote. Eshte nje pergjigje indirekte ndaj nacionalizmit, semundja me e keqe e dy shekujve te fundit dhe virusi shkaterrimtar, krahas fese, i cdo gjeje te perbashket qe ka mundur te krijoje njerezimi deri me sot.
Pergjigja per te qenit

Pergjigja per te qenit partizan eshte me interesantja. Sigurisht kjo e ben te vecante Mucin. Ka kaq shume "intiligjente" ne vendin tone, por kaq pak njerez me fuqi morale si Muci. Nga kjo pikpamje ai eshte nje force e natyres, nje nga ato krijesa te rralla qe kane dicka gati mbinjerzore. Te tjeret perfundojne qe ta perdorin inteligjencen e tyre per te rrafshuar personalitetin e e vet deri ne dicka pa vlere, deri ne vetasgjesim. Muci nuk e perdor kurre inteligjencen e vet kunder vetvetes. Eshte i mrekullueshem.

Por pyetja me interesante qe e kam lexuar me vemendje prej te gjithe te intervistuarve eshte ajo mbi 97. Deri tani nuk kam lexuar asnje pergjigje te kenaqshme, edhe pergjigja e Mucit nuk me duket e plote dhe thelbesore. Nje maskara i vetem, sado maskara i madh qofte nuk arrin te beje i vetem gjith' ate baterdi.

Pyetje 17 - z.Nano, ju nuk

Pyetje 17 - z.Nano, ju nuk mund te thoni se cfare jane a nuk jane shqiptaret. Besoj ju merzit politika, por kjo eshte tjeter gje. Pergjigjuni pyetjes per identitetin shqiptar e mos e zevendesoni me 'hile' me identitetin politik :)

Përshëndetje zoti Nano një

Përshëndetje zoti Nano një intervistë me vlerë sa për atë anadollakun turk keni shumë të drejtë

18.Në cilën ngjarje të madhe

18.Në cilën ngjarje të madhe të historisë botërore do donit të kishit qenë protagonist?

Kesaj pyetje do ti jepja te njejten pergjigje, vetem se jam gati i sigurt se do te isha perballe dy mashtrimeve me te medha te historise se njerezimit.

Nuk te merr njeri seriozisht

Nuk te merr njeri seriozisht po mos na rruj trapin tashi

E kupton mor pall qe te

E kupton mor pall qe te gjithe ta kane vene vizen??!! Boll me loqe na ler rehat te lexojme ndonje gje rehat. koqe kandari

Kam shumë respekt për ju Z

Kam shumë respekt për ju Z Mustafa. Më dukeni si një personazh hero, i ditur, i dashur, i sinqertë dhe i besueshëm, parimor, pa haritshëm etj. Por çe do ka pakë të tillë. Them se jeni i realizuar, por nuk besoj se je i lumtur.

Mustafa, per ate punen e

Mustafa, per ate punen e gjuhes shqipe, duhet te bindesh se ti ke probleme serioze me te. Ti shpesh here mendon italisht dhe shkruan shqip. Perpiqu, dreqi e mori, te mendosh shqip dhe nese nuk ia del, perpiqu te veteperkthehesh ne shqip. Fjala vjen, nuk thuhet ne shqipe: per te marre vesh "ne vete te pare", si ne italishte "in prima persona". Sikur te mos e kishe kete te mete, per mua do te ishe nje nder publicistet e pakte shqiptare te denje per kete emer.

Ju ndjek vazhdimisht neper

Ju ndjek vazhdimisht neper labirinthet e shkrimeve dhe analizave tuaja dhe ne 90% te tyre jam plotesisht dakort. Por me vjen shume keq qe keni kaluar ne deshperim pasi nuk po e heqim prej 21 vjetesh nga skena nje monster qe po merrr ne qafe nje popull te tere. N.q.s. gjithe inteligjenca do te deshperohej dhe do te terhiqej (aq me keq qe per disa perfitime do i lepinte b...en ketij lloj regjimi te percudnuar qe eshte krijuar tek ne) atehere cduhet te beje populli i thjeshte.

Per gjuhen shqipe. Keni

Per gjuhen shqipe. Keni mendim te gabuaar sepse vec te tjerave ashtu si shqipet kane aftesi te jashtzakonshme per te mbijetuar historise se pergjakshme te fqinjve grabitqare, edhe shhqipja ka aftesi te jashtzakonshme ne sintaksen e saj per te perthithur te gjitha gjuhet e botes. Mos u cudit pasi anglishtja ka mbi 60% te fjaleve te saj te marra nga gjuhet e tjera. tjetra, shqipja eshte me e vjeter se greqishtja (lexo per kete fakt Cavallo Sforzza) e tje e tj e tje.

Per vitin 97. Ishte viti titan mbi gjithe vitet e historise shqiptare, eshte fjala per ato vite kur ka shperthyer urrejtja popullore kunder padrejtesive dhe imoraliteteve te pushtueseve dhe sundueve ne Shqiperi. Nuk eshte cmenduri kapja rob e kryeministrit, largimi i terbuar i exponenteve te rregjimit fashist berishian tek padronet e tyre fqinj apo te larget, doerezimi i dy Mig-ve ne Itali, perpjekjet per organizimin e veriut kunder jugut. Muci, historia e '97-s kurre nuk do te mbyllet si histori cmendurie e shqiptareve e provokuar nga Berisha. Germo Muci, germo ne kete histori aty do te gjesh "qenin e ngordhur" qe perhapi edhe eren e ndyre mbi historine e ketij viti titanesh "anonime".

Shkruaj per here te pare tek Respublika dhe uroj qe gazeta juaj te behet tribune demokracie.

Ju kam ndjekur dhe kam respekt mes te tjerave sidomos per antikonformizmin tuaj. Suksese!

Add new comment