Murdoch-Cameron-Kokëdhima-Rama-…
Kush ka ndjekur me kujdes dëshminë e Murdoch-ëve në Komisionin e Mediave të Parlamentit britanik nja shtatë-tetë ditë më parë, nuk mund të mos jetë fokusuar tek pjesa, që kish të bënte me rolin e pronarëve të medias, lidhjet e tyre me politikën e me gazetarët. Ishte pjesa më interesante e bisedës “hidh e prit” mes pronarëve të kompanisë News Corporation dhe anëtarëve të komisionit, e cila na jepte mundësinë të mësonim se ç’mendon politika britanike mbi median e mbi financuesit e saj, dhe ç’mendojnë këta të fundit mbi median vetë e mbi gazetarët. E vërteta është, se askush nuk e di me saktësi se ç’marrëdhënie kanë egzistuar realisht midis Murdoch-ut e kryeministrit (“hyra nga dera e pasme në Downing Street nr. 10, sepse kështu më thanë të bëja, por nuk ndenja shumë me zotin Cameron në takimin që patëm pas zgjedhjeve; më falenderoi për ndihmën që i kisha dhënë, dhe kaq”, u shpreh Murdoch senior); askush nuk e di, gjithashtu, se ç’marrëdhënie kanë egzistuar realisht edhe midis Murdoch-ut e gazetarëve dhe kryeredaktorëve (“flas me ta njëherë në javë, dhe i pyes se ç’ka ndonjë gjë, ç’ka ndodhur nëpër botë; me kryeredaktorin e gazetës Wall Street Journal flas më tepër, ngaqë jemi në të njëjtën godinë, por ai ndihet i lirë të bëjë punën e vet”, sqaroi pak a shumë Murdoch-u); por nga ia “ballafaqim media-politikë” në ambientet e Dhomës së Komuneve dolën në dritë ca qëndrime apo pikëpamje. Fjala vjen, gati të gjithë komisionerët, për shkak të një standardi moral të përbashkët, u befasuan njësoj nga fakti që Murdoch-u hyn nga dera e pasme, kur don të takojë kryeministrin (dhe insistuan gjatë, se pse është dashur të hyjë nga ajo derë), kërkuan të dinin se çfarë është biseduar mes tij e kryeministrave, mes tij e kryerdaktorëve e vartësve të tjerë. Po kështu Murdoch-u, bash për shkak të faktit që e njeh mirë këtë standard moral dhe ia ka frikën këtij standardi, endonëse po tregohet me gisht si macja e zezë e medias botërore, u përpoq të tregonte faqe botës se di të mbajë vendin e vet në marrëdhëniet me shtypin e gazetarët e paguar prej tij. Në teori, kuptohet. Në praktikë nuk dimë me siguri se ç’bën. E shumta, shohim mediat e tij, dhe arrijmë të marrim me mend atë që ndodh, dmth që kontrolli mbi mediat nga ana e pronarëve është një gjë që ndodh e që pranohet nga të gjithë; ose nga pothuajse të gjithë. Por pronarët, sa herë që munden, e fshehin këtë gjë; ashtu siç fshehin dhe marrëdhëniet klienteliste me pushtetin. Njerëzit me pushtet sillen në të njëjtën mënyrë. Dëshmia e kryeministrit përpara të njëjtit komision e tregon këtë gjë. Kjo tregon se opinionin publik e kanë frikë. Shtatë u venë.
* * * * *
Sa më sipër më erdhi në mendje, teksa dje vura re se Shekulli është duke u divorcuar nga Edi Rama. Nuk është se këtë e thosh Shekulli. Jo, thjesht dukej që ish kështu. Në faqe të parë numrit të pardjeshëm, i ish lënë hapësirë një interviste të Paskal Milos, nga e cila ish nxjerrë një titull i ngjashëm me “Rama të fut shkelmin, kur s’ka nevojë për ty” (duhet të jetë shumë e vërtetë kjo, pasi të gjithë ata që e kanë njohur të japin dëshmi të pafundme që vërtetojnë të njëjtën gjë), dhe nga letrat e lexuesve ishin zgjedhur vetëm ato që i binin Ramës; dhe i binin fort. Dje ish një intervistë e ngjashme me Skënder Gjinushin. Nga ana tjetër, këto ditë janë publikuar edhe shkrime kritike në adresë të Ramës (pardje nga Arbër Zaimi e dje nga Arben Rrozhani), por komentet nuk po i përzjej me gazetën. Si zor të gjesh këto kohë opinionistë të opozitës (Zaimi e Rrozhani janë të tillë; si dhe unë) të kënaqur me punën e Ramës. E prandaj le t’i lëmë opinionet e le të merremi me gazetën; më saktë, me Murdoch-un tonë; me saktë, me një nga Murdoch-ët tanë; me Kokëdhimën pra, i cili është Murdoch-u më pak i rëndësishëm këto kohë. Ka ca të tjerë këtejpari, që do të çudisnin dhe Rupert-in me fuqinë që kanë për të ndikuar në procesin e vendimmarrjes nacionale.
Por po mbetem tek Kokëdhima, i cili është mbajtur si një mik i ngushtë i Edi Ramës. E ka deklaruar vetë më shumë se njëherë që e ka mik. Duhet të ketë hyrë me mijra herë nga dera e pasme e bashkisë. Se mos vetëm ai! E kush nuk ka hyrë nga dera e pasme e asaj bashkie (dhe e kësaj kryeministrie, dhe e të gjitha ndërtesave të tjera) për të mbaruar punët e veta në këmbim të shërbimeve të premtuara apo të kryera. Aleksandër Frangaj ka hyrë nga dera e pasme e bashkisë edhe në momentet, kur tërë dynjaja bënin be e rrufe se Rama e Frangaj ishin bërë hasëm në variantin më kanunor të termit.
Por me Kokëdhimën ndryshon puna. Kokëdhima ka qënë dhe eminenca gri e Ramës. Ky i fundit nuk bënte asgjë pa u konsultuar me botuesin e njohur, gjë që provokonte xhelozi kudo në botën opozitare, mes gazetarëve, mes botuesve të tjerë, mes deputetëve, mes biznesmenëve, mes miqve të tjerë të Ramës, shumica e të cilëve, pasi e kanë mjelë, e kanë braktisur një ditë prej ditësh.
Është ky rasti i Kokëdhimës? Nuk e di. Dhe kjo nuk është se më intereson kushedi se çfarë. Në këtë mes (nëse ky divorc rezulton i vërtetë) rihapet një diskutim për herë të n-të. Ç’raport kanë e duhet të kenë botuesit me politikën? Pse duhet të hyjnë vazhdimisht nga dera e pasme? Çfarë janë në thelb bisedat që bëhen mes tyre e funksionarëve të lartë (kryetar qeverie, kryetar bashkie, etj)? Dhe ç’është më e rëndësishme – kjo e dallon më së shumti rastin shqiptar – ç’janë këto miqësi fluide të ngritura mbi baza të dyshimta, të cilat u prishkan sa hap e mbyll sytë pa na dhënë shpjegime?
Unë po ndaloj tek Kokëdhima, thjesht për t’i dhënë kuptim paraleles që hoqa me Murdoch-un në krye të shkrimit. Por ky “kalim ylberi” është gjëja më në modë në këtë vend. E kanë bërë të gjithë. Ja, thoni një emër publik çfarëdo, emrin e parë që ju vjen në mendje, dhe sakaq do t’ju vijë në mendje situata, në të cilën ai e ka kthyer pllakën. Pa u shpjeguar asnjëherë. E duke vijuar të shesë dëngla morale.
Në këtë arsyetim që po bëj, Edi Rama është viktima ideale, është njeriu fantastik për t’u braktisur (thashë pak më sipër që biznesmenët, apo të tjerët, e kanë mjelë, por mjelja ka qenë e është reciproke; edhe Rama, ashtu si Berisha, Meta, Basha, etj, i kanë mjelë të tjerët; gjinjtë e biznesmenëve, sidomos të botuesve, kanë shumë qumësht).
Do shpjegohet Kokëdhima? Apo do të shpjegohet Rama lidhur me këtë divorc? Asnjëri syresh nuk ka për t’u shpjeguar. Shpjegimet publike i bëjnë ata që kanë se ç’të humbasin në terma të imazhit.
Comments
E kam degjuar seancen e
E kam degjuar seancen e Murdock-ot ne komisionin parlamentar anglez,me shume vemendje biles.Kur ju be Plakut nje pyetje se cfare pergjegjesie ndjente,ai u pergjegj perafersisht,nuk i mbaj mend ne ligjerate te drejte,se nuk kam asnje pergjegjesi,tani po kuptoj se kam zgjedhur ne drejtim njerez te gabuar te cilet kane zgjedhur vartes te gabuar...Pra,cdo gje e gabuar.E pune e madhe,cfare i gjeti?!Mbylli nje gazete qe i zinte vetem nje perqind te aktivitetit,me nje llaf nga ne i shkulen nje qime...Ndikimi kush ish?C'hoqi mileti i shkrete?Te gjitha dolen ne pazar...Keshtu dhe me Murdock-un Kokedhima,qe une nuk do ta vleresoja te tille pasi ka shume te tjere qe e "meritojne" kete emer,dhe po kontribuojne me zell me te madh (vota e presidentit,etj),biles po i pergjigjen edhe ndonje argumenti te mediave te tjera per kete ceshtje me emisioni "speciale",ai perpiqet t'u leje te ardhmen e sigurt ne kapitale femijeve,pasi e di qe krah tij nuk eshte Murdoch-u i Ri,per ta mbrojtur e perkrahur...Me duket se ndryshojne interesat e te ashtuquajturve "Murdock" dhe pres qe dikush te nderhyj ne ndonje seance me ta me "kos","veze","akullore" apo mut...
Nuk besoj se largimi i
Nuk besoj se largimi i Kokedhimes demton Ramen. Perkundrazi, i heq çdo mundesi Berishes ta sulmoje ate. Por, po shkoi Kokedhima te Berisha, ç'do te ndodhe pastaj? Keta komunistet jane te papare
ky Kokedhima,me modelin e
ky Kokedhima,me modelin e flokeve alla Anshtajn, me te folurit gjysme gegerisht e gjysme toskerisht , me zerin e zvargur deri ne neveri , i duket sikur mbart tere urtesine boterore ...pffff.........e te mendosh se nuk iu paguan rrogat puntoreve edhe gjashte muaj....
sa ju ha meraku per rrogat e
sa ju ha meraku per rrogat e kokedhimes mor aman.. Me bast qe do dali njeri do ti permendi firgoriferin e durresit.. Hahaaahha, ca shqiperi gallate eshte ajo juaja
Jashtëzakonisht bukur
Jashtëzakonisht bukur z.Nano!Ndoshta është vërtet një marrëdhënie drejt divorcit...Dhe pyetja juaj z.Nano, e kërkon medoemos një përgjigje nga njeri prej dy protagonistëve.Unë mendoj se medja shqiptare në përgjithësi është e lidhur me 1000 fije misterioze me politikën...Siç del edhe në analizën tuaj..as ato nuk mund të bëjnë pa nbjera-tjetrën...opzita sot ka nevojë për një media të fortë..dhe ashtu sikur nëpër botën demokratike ato rrëzojnë edhe qeverinë..asahtu duhet të veprojnë edhe në shqipëri...Në daç të rrëzojnë qeverinë..por edhe të hedhin ''Nocdawn''lidershipin qoftë edhe opozitar kur ky nuk ka ndonjë bilanc të pasur me fitore...(Rasti i PS..me Ramën..)Përshëndetjet e mia Muçi!
Add new comment