Për blogger-in Rama

Postuar në 28 Shtator, 2011 04:48
Arbër Zaimi

Nuk ka asgjë të keqe në një politikan që i hedh mendimet e veta në blog, apo që kontribuon në publicistikë. Përkundrazi, kjo është një sjellje e lavdërueshme politike, që së paku dëshmon se politikani nuk është automat, ai zotëron aftësinë për të shkruar. Kjo aftësi nuk është për të mos u marrë parasysh, duke njohur analfabetizmin funksional të shumë pushtetarëve e parlamentarëve tanë. Së dyti, marrja pjesë në diskutimin publik përmes shkrimeve në blog a në gazetë vendos koordinata politike për një politikan, tashmë kushdo që dëshiron t’i qaset mendimit të atij politikani, e ka mundësinë ta gjejë atë të shkruar e të botuar. Kësisoj, publikimi i mendimeve e opinioneve të politikanit përbëjnë dhe një lloj besëlidhjeje të vetë atij, me shprehjen që boton. Në të ardhmen, do të mund t’i kërkohet llogari për devijime, kundërthënie, inkoherencë apo mashtrim.

Shkurt muhabetit, nuk jam nga ata që e shohin publicistikën e Edi Ramës si diçka problematike, përkundrazi, e shoh si një aktivitet që do të duhet ta praktikonin edhe politikanë të tjerë. Zhvendosja e diskursit politik prej universit oral drejt atij të shkruar do të ndikonte sado pak në rritjen e nivelit intelektual të politikës, se edhe ai pushtetar mjeran që s’di të ndërtojë fjali e fraza, do të detyrohet të punësojë një staf që nuk gëzon vetëm aftësi intuitive për korrupsion, po që di edhe të mendojë edhe të sistemojë mendimet. Pas gjithë kësaj hyrje që synon të dëshmojë se nuk kam asnjë kritikë formale ndaj faktit që Rama shkruan e boton – natyrisht që i vjen radha ballafaqimit me atë që Rama shkruan.

Si cila Evropë?

Në blogun e tij, Edi Rama dy shkrimet e fundit ia dedikon paktit me dhjetë pika që ai i ofron Berishës, pakt i cili do të realizonte ëndrrën e kahershme shqiptare për ta patur Shqipërinë “si gjithë Evropa”. Pyetja normale që i vjen ndër mend kujtdo që ndjek sado pak median europiane do të qe: “Si cila Evropë”? Dakord, kuptohet lehtësia që ofrojnë klishetë në ndërtimin e komunikimit me një publik anonim e të paragjykuar, mirëpo “miti i Evropës”, tashmë është rrëzuar, ashtu siç janë rrëzuar shumë mite të tjera. Në mes të krizës globale nuk është më e vështirë që të shohësh me sy të lirë që ekzistojnë disa “evropa” p.sh., ato të qendrës (Gjermani, Francë, MB), dhe ato të periferisë (PIIGS etj., të cilat shërbejnë vetëm si treg i sigurt për prodhimet e ekonomive më të rëndësishme). Po ashtu ekzistojnë “evropat” e Veriut dhe ato të Jugut, diferenca mes të cilave ndonjëherë pret mes përmes vende, si në rastin e Italisë, po qartësisht dallohen kur bëhet analizë ekonomish në një aspekt kontinental. E sa i përket institucionalizimit të kapitalit, apo demokracisë, do të mund të ndanim “evropat” perëndimore dhe “evropat” lindore. Mund të dallonim modelin “Berlusconi-Sarkozy”, modelin “Merkel-Cameron”, modelin “Zapatero-Papandreou”, modelin “Putin & klonet e tij” etj. Po të ecnim pas fiksimeve gjeografike, Shqipërisë evropiane nuk i bie mirë hiseja, se është edhe e vogël, edhe në periferi, edhe në jug, edhe në lindje. Po të ecnim në linja kulturaliste, e të flisnim për mentalitete (pakundërshtueshmërisht evropiane) të Shqipërisë, Allahu na ruajttë, jemi edhe orientalë, edhe me shumicë myslimane, edhe ballkanas, edhe ish-komunistë e ish-otomanë.

Nuk do të më pëlqenin linja të tilla të të argumentuarit politik, ajo çka do të prisja nga Rama në këtë rast do të qe (përtej përdorimit të etiketave boshe siç është “gjithë Evropa”, apo “perëndimi”), një vizatim. Jo ndonjë tablo e detajuar, jo ndonjë perspektivë e llogaritur gjer në fund, po një skicë me karbon, me vija të trasha. Sa për të më dhënë idenë e së ardhmes sonë në këtë Shqipëri, që gjithsesi është evropiane pavarësisht pamundësisë së “gjithë Evropës”.

Ç’të vizatohet?

Ky vizatim, kjo skicë, në fakt nuk është gjë tjetër përveçse zgjedhja e një rruge të reformave të sistemit ekonomik e financiar. Cilin shembull do të ndjekim? Atë grek apo atë irlandez, atë skandinav apo atë zviceran, atë turk apo atë kroat? Apo (sipas të gjitha gjasave), një përzierje specifike që nuk do të na e sqarojë kush? Në këtë moment mendoj se është rasti që bloggeri Rama të bëjë një kritikë e një kundërshtim të politikës ekonomike liberale që e fshehur pas populizmave të Berishës e të Nanos ka lëshuar rrënjë në Shqipëri. Është koha që Rama të kthejë sytë drejt një paradigme ekonomike më sociale, më heterodokse, fjala vjen drejt atyre që Blendi Kajsiu i quan politika të shtetit zhvillimor, po edhe drejt një diskursi modern neo-kejnsian. Natyrisht që kjo nënkupton përfundimisht heqje dorë prej rrugës së tretë, mirëpo tashmë rruga e tretë nuk është më as “trendy”. Është për t’u përkrahur politika socialiste për heqjen apo uljen e TVSH për barna e për ushqimet themelore, madje në atë shportë unë do të shtoja dhe librat. Mirëpo politika të tilla nënkuptojnë një qëndrim etik që do të kufizonte përdorimin e makinave luksoze, veshjeve firmato apo bodyguardëve. Mbajtja e këtij qëndrimi nuk nënkupton absolutisht përzënien apo largimin e biznesmenëve prej kësaj partie, mirëpo natyrisht që e përkufizon një lloj sjellje të përgjegjshme shoqërore prej këtyre biznesmenëve, që të dallohen prej atyre të palës tjetër.

Ky vizatim gjithashtu duhet të tregojë se ç’pritet të ndodhë me drejtësinë. Vendi është në një situatë të mjerueshme sa i përket besimit tek funksionimi e tek pavarësia e institucioneve apo e pushteteve, e gjyqësori (prokurori përfshirë) është kthyer në hall më vete, në vend që të qe një instancë që zgjidh halle. Është me rëndësi të artikulohet qartë se cili është opsioni ramist për drejtësinë në Shqipëri – si do të trajtohet mafia, pasuritë e dyshimta të multimiliarderëve, krimi korporativ e ai shtetëror, korrupsioni, vjedhja e votave. Ndërkohë që e dimë të gjithë se këto fenomene janë të përhapura gjithandej, edhe nëpër “Evropë”, ne arrijmë ta bëjmë diferencën mes Italisë e Greqisë fjala vjen, ku mafia e korrupsioni pështillen me politikë e pushtet, dhe mes Gjermanisë apo Norvegjisë (fatlumturisht dhe Kroacisë), ku dënohen rëndë gjer edhe pushtetarë të nivelit të lartë të cilëve u zbulohen favorizime që këndej pari tingëllojnë të vockla e të parëndësishme, or po dhe dy a tri mijë euro për konsum ditor (akuzat e dikurshme të Priftit tingëllojnë po aq qesharake saç duken të rënda ato të sotmet… apo jo). Skica e socialistëve për drejtësi do të duhet të synonte të ringjallte shpresën ndër shqiptarë për një shtet që nuk bën kompromis me pushtetin e askujt kur vjen puna te zbatimi i ligjit. Kjo natyrisht nënkupton që edhe një pjesë e socialistëve të përfolur nëpër kabllograme (se gazetat nuk i beson më kush), t’i sqaronin hesapet me drejtësinë e me publikun…

Natyrisht që një vizatim i tillë është pak më impenjativ se sa draftimi i dhjetë “ofertave” për Sali Berishën. Mirëpo po të mësojmë nga historia, ato dhjetë kërkesa që synojnë të vendosin kompromis dhe rregulla loje, në njërën formë apo në tjetrën, Berishës i janë ofruar nga aktorë të ndryshëm në këto 20 vjetët e fundit. E bukura, madje, është që ai edhe i ka pranuar ato oferta, e ka shtrënguar dorën me ofruesit vendas e të huaj. Por karakteristikë e Berishës është pikërisht kjo, mosrespektimi i rregullave të lojës. Të qe Berisha burrë që lidhej për pakti, s’do të kish nevojë për këto dhjetë pika, boll është ai pakt që quhet kushtetutë e kuadër ligjor… Kështu që, në fund të fundit, mbase ia vlen më shumë të impenjohesh e të bësh një vizatim si ai më lart, se sa të ofrosh dhjetë a njëzet pika për një qeveri që po ta shohësh me vëmendje, nuk del as ajo jashtë të qenit “evropiane”. Evropiane si ato të Berlusconi-t, apo të Sarkozy-së. Në pastë ndonjë leksion që vjen prej atyre vendeve, është ai i mospërsëritjes së gabimeve të së majtës italiane apo asaj franceze… të majta që tashmë janë ndarë prej popujve, madje janë kthyer në denoncuese të avantgardës intelektuale e filozofike të atyre vendeve që bëjnë thirrje për radikalizim të programeve (sqaroj edhe një herë që radikalizim politik nuk do të thotë dhunë në rrugë, por ndërrim i krejt kursit ideor). Shpresoj që këto të mos tingëllojnë si “thirrje për revolucion përballë monitorit tim HP”, se nuk janë të tilla, janë vetëm kritika…

Pse kritikojnë vetëm Ramën?

Afërmendsh, të kritikosh monstrën do të thotë të mos i kesh punët mirë me logjikën. Kritika, që t’i qëndrojmë një interpretimi dialektik, është një qëndrim pozitiv, ajo synon përmirësimin, ose së paku rrëfen besimin tek mundësia për përmirësim.

Aktualisht në Shqipëri ka vetëm dy forca, e njëra prej tyre ka kohë që ka vdekur në frymë e në organizim, ka kohë që është kthyer në një klan që i shërben interesave të ngushta të Berishës. Nuk ka shqiptar, përfshi edhe vetë Berishën, që të mos e dijë çka është Berisha, çka është domethënia e tij. Të besosh te një Berishë tjetër më është e pamundur, del jashtë aftësive të mia për të qenë optimist. Ndërsa një PS tjetër, sipas gjasave, na qenka e mundshme, përderisa ende vijojnë kritikat që i drejtohen kësaj force politike. Natyrisht që kritikat janë të disa llojeve: ato idiote; ato të paguara; e ato logjike. Fatkeqësisht, shtypi ynë ua ofron vendin të triave, mirëpo shpresën e konfirmon ekzistenca e atyre të llojit të tretë. Kësisoj, në vend se të qaravitet se përse askush nuk kritikon Berishën e përse të gjithë “i turren” Ramës, mirë është që aparati politik i PS-së të fillojë të ndjekë linjën logjike të kritikave. Sepse me sa duket “gjërat” nuk janë bërë bash siç duhet, për sa kohë që Berisha është ende në pushtet, e për sa kohë opozita dhunohet në shesh e në parlament e më pas detyrohet t’i ofrojë edhe “pakte paqësorë” ndër blogje a ndër gazeta.

Comments

Submitted by Alban (not verified) on

Rrofsh Arber qe ndave me ne cfare kupton ti me fjalen Evrope dhe qe nuk ka lidhje fare me ate qe kuptonin studentat e '90-tes kur therrisnin : E duam Shqiperine si gjith Europa! Ah thenje frymezuese apo jo?! Mbase duhet te fillojme te pyesim me shpesh veten nga buronte gjith ai idealizem i mrekullueshem dhe si jemi katandisur ne nje shoqeri kaq te pamoralshme dhe cinike. Mbase kemi ende nje shans te fundit per ta realizuar endren e Shqiperise europiane ne mentalitet, ne shpirt ,ne komunikimin me njeri tjetrin dhe ne marredhenie me natyren e ketij vendi.

Submitted by Alban (not verified) on

...dhe nje gje te fundit: Arber eshte vertet gallate t'ju ndjekesh juve me cunat e tjere ne radio dhe eshte vertet gje e mire qe angazhoheni sadopak ne problemet e perbashketa te shoqerise. Por keni nje menyre te shkruari shume provinciale si pjesa me e madhe e publicisteve ne Shqiperi. Shkrime fare te pastruktuaruara. Me dukeni shume te shperndare ne temat qe prekni; hidhni shume teza pa i argumentuar fare. Dhe me nje prirje personalizuese (sidomos ne lidhje me Edi Ramen) shume neveritese.

Submitted by raimondi (not verified) on

Kjoaftesia per te shkruar e Rames tregon dobesine e tij --Sepse Rama mundohet te mbuloje dobesite e tij si politikan duke shkruar artikuj te ndryshem per tu hequr si  intelektual dhe ne ket emenyre genjen disa naive sic eshte edhe ky shkryesi ketu

--Kur je politikan duhet te kesh ide per zhvillimine e vendit . pastaj duhet te kesh disa njohuri baze per jurisprudencen  dhe kushtetuten e vendit., te kesh disa njohuri baze per historine e vendit tend dhe te fqinjeve  ,  te kesh  aftesine per te gjykuar drejt ,me common sense --Dmth te kesh aftesine e te arsyetuarit duke perdorur mendimin konceptual . Te dish te punosh ne Ekip , dmth te kesh disa njohuri nga diplomacia ,spese ne literaturen e diplomacise   gjen menyren se si te punosh ne ekip, etj

-------Te gjitha keto Edit i mungojne , dhe per te mbuluar keto difekte te medha qe ai ka , fillon e shkruan hartime

--Ne cdo qeveri te botes ne pergjithesi  fjalimet e politkanve i bejne speechwriters--Ndaj nuk ka shume rendesi ajo qe Edi  di te shkruaj

--Rendesi ka qe ai te dije te drejtoje si politikan ---Dhe kjo per fat te keq i mungon

Submitted by Anonim (not verified) on

Kur je politikan dhe pretendent per te drejtuar vendin,ne radhe te pare duhet te jesh serioz dhe jo te jesh qesharak me deklarime qesharake dhe ofenduese.Te jesh  11 vjet Kryetar Bashkie i Tiranes dhe te deklarosh se je i pastrehe,minimumi do te thote se je i paedukate.Do te thote se nuk ke respekt per njerezit.Sepse ka njerez qe edhe e besojne,e jo njerez dosido,por njerez qe predikojne perdite moral,pergjegjshmeri e patriotizem.Romane apo enciklopedi morali le te shkruaj Edi Rama,perderisa eshte ne fuqi nje deklarate e tij se eshte i pastrehe,per mua dhe shumicen e shqiptareve ai nuk meriton kurre te marre ne dore drejtimin e vendit.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.