Për një drejtësi “të njerëzve tanë”

Postuar në 16 Qershor, 2016 14:26

Sot u shfaq para mediave ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri. Pas tij në uniformë qëndronte Haki Çako,i qeshur dhe jo me çehre të prishur si në rastin kur e shkarkuan si “Zhukovi në ajër”; ishte edhe Ardian Çipa, i akuzuar rëndë nga përfaqësues të opozitës. Sajmir Tahiri konsumoi teatrin e radhës para qytetarëve, por kësaj radhe pa akuza për gjyqtarët, ndaj të cilëve ai dhe Edi Rama çfarë nuk thanë këto ditë. “Rruga jonë për të reformuar sistemin e drejtësisë, për të garantuar integritetin dhe pastërtinë e drejtësisë sapo ka nisur. Ashtu si beteja jonë për t’u bërë bashkë me shqiptarët për të garantuar që ligji të jetë një dhe i barabartë për të gjithë sapo ka nisur”, tha Tahiri.

Duke patur parasysh kërcënimet që u bënë këto ditë, hapur dhe fshehur ndaj gjyqtarëve dhe gjyqtarit Aliaj, termi ‘reformë’ që përmend Tahiri në prani të Haki Çakos dhe Ardian Çipës, merr një tjetër kumbim. Është fjala për reformën që do sjellë drejtësinë në “Drejtimin e duhur”, për një drejtësi që mund t’u besohet “vetëm njerëzve tanë”, një drejtësi larg duarve të tjera, e cila “na lë rehat” dhe na “siguron imunitet”.

Nuk është spekullim të interpretosh kështu këto fjalë të një ministri që promovon narko-Shqipërinë dhe që thuajse ka pranuar se ka përgjuar në shkelje të ligjit. Ai përfaqëson një polici të Haki Çakos dhe Ardian Çipës, një polici pa versione zyrtare për ngjarje të bujshme, një polici që dëshmon në bllok pro një deputeti; një polici që në jo pak raste “pëson defekt në kamerat e sigurisë”. Është një polici e “Ditës së Kukuvajkës”, e punonjësve në uniformë që “kthehen me fytyrë nga muri” me sy në tokë e me veshë të zhurmuar. Nuk është ekzagjerim të thuhet se shfaqja që ofroi shtetasi Sajmir Tahiri që kryen detyrën e ministrit të Brendshëm, është në thelb konfirmim i fitores së bandës në uniformë, e cila sot, ka dhënë mesazhe të shumëfishta.

Kjo fitore është ndoshta rrjedhojë e negociimeve të tjera, atyre që kryhen në vetë të parë nga kryeministri, i cili është i detyruar “të mos e lëshojë njeriun e tij”. Edhe nëse ky ka kthyer ndonjëherë antenat e përgjimeve në drejtimin e gabuar. Është një negociatë e cila është paguar nga të gjithë ne, si një konçesion ndaj shantazhuesit të radhës që është në koalicion. Është paguar në natyrë, me tendera, me ndonjë pozicion, me kush e di çfarë. Dhe siç mund ta dimë të gjithë kjo negociatë në Shqipëri NUK DËSHTON KURRË. Ajo madje s’ka nevojë për ndërmjetësimin e të huajve, të cilët ndoshta nuk janë aq naivë sa të mos kenë informacion se çfarë po ndodh. Ose të paktën të dinë mendimin e kryeministrit për gjykatësin e sotshëm që ka zhbërë vendimin e gjykatësit Aliaj.

Në kushtet e rrëgjimit definitiv të çdo morali që qëndron poshtë një procesi institucional e politik, një rol këtu e fiton vetiu opozita. U fol dje për mbledhje të Këshillit Kombëtar të Sigurisë etj.. Cilado qoftë mënyra e reagimit apo veprimit, edhe për interesin e vet, por edhe për atë të gjithëve, opozita shqiptare të paktën formalisht nuk mund të pranojë hyrjen në zgjedhje me këtë polici shteti dhe këtë ministër. Përndryshe do të legjitimojë çdo alibi. Është një polici që bën të pasigurtë çdo qytetar për mënyrën sesi veprojnë drejtuesit e saj, për mënyrën sesi sot kërkuan të japin mesazhe. Opozita nuk duhet të heqë dorë: me forcën që ka të sqarojë deri në fund të vërtetën e përgjimit që Sajmir Tahiri ka kryer duke futur turinjtë në privatësinë e njerëzve. Le të jetë kjo një e drejtë minimale e qytetarëve në këtë negociatë ku ndahen paratë publike.

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.