“Trapi” i Umberto Bossi-t me diplomë shqiptare

Umberto Bossi ka qënë deri para pak ditësh udhëheqësi “plot’hir” dhe i padiskutueshëm i partisë Lidhja e Veriut (Lega Nord) në Itali. Një ndër shtyllat e forta të aktivitetit politik të partisë Lega Nord ka qënë lufta ndaj korrupsionit dhe përqëndrimit të pushtetit qëndror në Romë. “Roma ladrona” (Roma hajdute) ishte bërë një shprehje e përditshme në gojën e çdo mbështetësi të Lega-s. Mjaft votues shikonin tek Lega një mënyrë për të luftuar korrupsionin e madh me natyrë “jugore italiane” e madje, nëse kjo luftë do të ishte e pafrytshme, një mundësi ndarjeje përfundimtare nga shteti italian për të krijuar shtetin fantomatik padan.
Kur plasi skandali korruptiv i kësaj partie dhe kur dolën fakte të abuzimeve të Bossi-t dhe familjes së tij pati një thyerje të madhe të kohezionit të kësaj partie dhe një zhgënjim të elektoratit të saj, bashkë me një turbullim ndjenjash kundrejt udhëheqësit. Disa “kocka të forta” e mbrojnë akoma, të tjerë kërkojnë me ngulm largimin e tij. Fakte skandaloze dalin përditë në pah dhe krijojnë një pështjellim të madh në opinionin publik italian pasi duket sikur asnjë parti, sado “puritane” të paraqitet, nuk i reziston dot korrupsionit.
Një detaj interesant në përfshirjen e Bossi-t në politikë ka të bëjë me politikën e tij “etnografike”. Shumë i lidhur pas elementevë etnografikë të “popullit lumbard”, siç preferonte t’i quante ai mbështetësit e tij, ai i përdorte mjeshtërisht ato në funksion të suksesit politik. Jo vetëm kaq, një kujtesë e kohëve të arta mbretërore të lumbardëve i futi në kokë idenë e “mbretërimit familjar” në politikë. Ndoshta mund të ketë luajtur rol edhe emri i tij: “Umberto”! Këtu fillon edhe komedia e tij politike që i solli pashmangshmërisht fundin politik.
Bossi ka një djalë që quhet Renzo Bossi. Pa asnjë ndjesi përbuzjeje apo ofendimi për të, ai është krejt idiot. Aq idiot është Renzo i shkretë, sa babai i tij Umberto, e quan publikisht pa pikë problemi “trota”. “Trota” është një fjalë që në shqip përkthehet me fjalën “troftë” por në kontekstin italian ka kuptimin, pak a shumë, “trap”. Ndoshta ka qënë kjo mënyrë humori e Bossi-t për t’u hedhur hi syve njerëzve pasi ai, duke e ditur sa idiot është djali i tij, e ka mbështetur tej mase në një karrierë politike të rrufeshme. Ky injorant i pashkollë bëhet, pak kohë pasi ka kaluar moshën 20-vjeçare, këshilltar rajonal i Lombardisë me një rrogë 10.000 euro në muaj. Për të kuptuar diferencën, për lexuesit, vërej se pensioni minimal në Itali është rreth 470€ në muaj. Mirëpo “trapi” i Bossi-t kishte një problem: ishte pa diplomë universitare dhe ky fakt nuk përputhej aspak me nivelin tejet të lartë politik. Në këtë pikë vjen në ndihmë solidariteti shqiptar dhe Renzo Bossi, nga “trap” i thjeshtë, bëhet “trap me diplomë shqiptare”.
Në fakt, gazeta italiane “Corriere della Sera” në versionin e sotëm “online” dëshmon me argumenta të pakundërshtueshme se ai është paisur me diplomë në një universitet privat shqiptar. Unë, në argumentimin tim, nuk nisem nga fakti nëse ai ka marrë ose jo një diplomë të rregullt nga ana proceduriale e juridike, por nga fakti se “trapi” nuk ka patur nivelin intelektual për të marrë një diplomë në Itali dhe kjo gjë duhet të na bëjë të mendojmë seriozisht për vlefshmërinë reale të diplomave shqiptare.
Ndërkohë që në Itali ka mbi 15.000 studentë universitarë shqiptarë që kërkojnë një diplomë që vërtetë vlen, “trapi” vjen nga Italia e merr diplomë shqiptare. Kohët ndërrojnë e bashkë me to edhe zakonet.
Comments
Zotni APN: ne zonat ku eshte

Zotni APN:

ne zonat ku eshte perdorur fjala "trap", konsensusi ka qene i plote per origjinen e fjales: i thone mender teje, asaj gjese mbi te cilen je ulur tani qe po lexon, po qe se po e lexon kete.

Dmth. "trapi" ne balle te shkrimit eshte pak problem, pak si rende bie

"Trap" ne kuptimin e

"Trap" ne kuptimin e zhargonit eshte ashtu si thote parakomentuesi. Ne kuptimine pare eshte nje perrua e ngushte dhe i pjerret, zakonisht ne rreze te maleve qe nuk ka uje gjithe kohes, por ne kohe me rrebeshe sjell shume uje perzier me peme, gure e gjithfare gjerash qe sjell nga mali. Eshte i zhurmshem, i frikshem, por sapo pushon stuhia, pushon edhe rrjedha. Nga ky kuptim ka ardhur edhe kuptimi i zhargonit, qe do te thote qe ben shume zhurme ne kohe te papershtatshme, por ne kushte normale sdi cfare te tregoje.

E ke degjuar shprehjen "E

E ke degjuar shprehjen "E kalon lumin me trap?". Nuk e ditke, zoteri.

Nje artikull informativ shume

Nje artikull informativ shume i vlefshem. Shpresoj ta lexojne shume te rinj shqiptar dhe te bojkotojne nje sistem te felliqur si ai qe ndiqet nga disa universitete private shqiptare. Turp per trapin po sigurisht Kristali nuk ndahet me faqe te bardhe. Le te kthehemi tek vlerat e verteta sepse sic thoshte Nietzsche : njohim cmimin e cdo gjeje por s'njohim vleren e asgjeje.

Te rinjte shqiptare e lexojne

Te rinjte shqiptare e lexojne kete artikull dhe kaq! Nuk guxon njeri te ngreje zerin dhe te luftoje per cka ndodh ne universitetet shqiptare e sidomos ato private. Edhe ato te ashtuquajtura shoqata dhe organizata studentore apo te tjera mbrojtese te studenteve dhe arsimit shqiptar egzistojne vetem me letra ne gjykate se me vepra lene per te deshiruar! Te gjithe jane te varur politikisht dhe mbrojne interesat opozitare apo pozitare qe nuk kane fare lidhje me arsimin dhe politikat e tij. Thone se te rinjte jane ata qe e cojne perpara nje vend, ne Shqiperi ndodh e kunderta: studentet jane pjesa e heshtur e shoqerise qe pranon faktet ashtu sic jane, duke pertypur cdo padrejtesi dhe mosfunksionim te strukturave! E cfare mund te presim nga sudentet e nga rinia? Pikerisht asgje!

Nofken 'trota' une do ta

Nofken 'trota' une do ta perktheja 'gjysem opinge', eshte me e pershtatshme dhe ruan te njejtat nuanca komike te termit italian.

Persa i perket Renzo-s, mund te them: Beme baba te te ngjaj. Vete Umberto Bossi ne rini kish genjyer gruan te tij te pare duke i thene se ish diplomuar si mjek dhe biles dilte cdo mengjes me canten nen krah gjoja per te shkuar ne pune...

Jemi ba me kohe "discount" i

Jemi ba me kohe "discount" i ilegalitetit ne Europe po sektori i diplomave na mungonte deri me sot.....

Bukur ,shume bukur !

Boll ma vetem me import-eksport kurvash/droge/kallashikovesh e pasaportash falso qysh sot ne Tirane paskemi edhe filialin e "Kultures kontrabande"

Add new comment