Parashutë italiane për Sajmir Tahirin, Edi Ramën dhe përgjimin. Italianët kujtojnë “imunitetin”. Europol ndryshon njoftimin

Postuar në 19 Maj, 2016 16:29

Sot ka qenë ditë e mirë për qeverinë shqiptare. Sidomos për kufizat e inkriminuara mediatikisht të saj, ministrin e Brendshëm, Sajmir Tahiri dhe kryeministrin Edi Rama. Lajmi i parë i mirë erdhi nga televizoni Top-Channel, i cili ishte shërbyer me një letër të drejtorit të Policisë italiane, për pajisjen përgjuese. Nëse një ditë më parë, analisti Andrea Stefani bënte pretencën apo avokatin në “Dita” kur pyeste pse nuk flet Interforza, Top-Channel jep verdikitin kur shkruan se “debati u mbyll”.

Çfarë thotë letra e drejtorit të Policisë Italiane?

“Në letrën dërguar Adriatik Llallës, Drejtori Përgjithshëm i Policisë italiane, Alesandro Panza, konfirmon atë që tha ministri Tahiri se marrëveshja për trajnimin e policisë shqiptare për këtë pajisjes, është firmosur në datën 9 qershor të vitit 2007 nga ministri i asaj kohe i Punëve të Brendshme, sot Presidenti i Republikës, Bujar Nishani”, nis raportimin TCh. Një përpjekje për të shpëtuar ministrin që u mek në Komisionin e Sigurisë dhe i cili fare mirë, nëse kishte dijeni për këtë letër, nuk kishte pse të shqetësohej. Këtu:

pjesë nga fjala e ministrit dje në Komisionin Parlamentar të Sigurisë, ku nuk duket fare kjo shpresë për mbylljen e debatit. Më tej në letrën që i drejtohet Prokurorit të Përgjithshëm kryepolici italian sqaron se: “Është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi në luftën kundër kriminalitetit, mes Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë. Artikulli i tretë i kësaj marrëveshjeje parashikon që palët të bashkëpunojnë, mes të tjerash, në aktivitete të fokusuara në formimin dhe trajnimin në luftën kundër kriminalitetit në të gjitha format e saj. Me vënien në zbatim të kësaj marrëveshje, në 11 mars të 2016 janë nisur në Tiranë dy operatorë të specializuar nga forcat e policisë italiane me detyrën për të zhvilluar aktivitete ne për trajnimin e policisë lokale. Në këtë pikë, personeli italian merr me vete, për aktivitet stërvitore të cituara, një autoveturë me në ekuipazh një aparaturë të quajtur ‘IMSICATCHER’, modeli Vortex i prodhuar nga kompania Ercom, e instaluar në brendësi të makinës. Ky aset stërvitor rezulton i konfiguruar në mënyrë të tillë që mos të ketë mundësi të zhvillojë asnjë aktivitet gjurmues, as trafiku zanor, as tekst mesazhe. Ky konfigurim, i cili nuk është i modifikueshëm nga operatori, nuk lejon as gjurmimin e trafikut të datave”, raporton televizioni në fjalë që referon se “pajisja është futur nga një port. Operatorët e forcave të policisë italiane, qe kanë sjellë me vete aparaturën me qëllimet e sipërpërmendura, janë pritur në portin e Durrësit nga zyrtarë të policisë shqiptare”. Aparatura trajnuese ka qenë gjithmonë në zotërim të operatorëve italianë dhe e ruajtur, kur kjo nuk përfshihej në aktivitete formuese dhe trajnuese, në zyrën ndërlidhëse italiane në Shqipëri, në brendësi të Ambasadës Italiane në Tiranë. Me këtë pajisje janë trajnuar 5 operatorë të policisë shqiptare, me aktivitete të zhvilluara në qytetet e Tiranës, Elbasanit dhe Vlorës, dhe se sipas tij, aktiviteti trajnues nuk do të mund të kishte mundësi të kryente shkelje të asnjë lloji, nga personeli i policisë italiane i punësuar”.

Deri këtu pala italiane ka marrë përsipër çdo gjë për të cilën është akuzuar ministri i Brendshëm, i cili nuk i pati për asnjë çast argumentet në fjaë. Arsyen e di mirë vetë ai. Në finale, letra jep edhe epilogun interesant: “Gjithsesi, në fund policia italiane i kujton Prokurorisë shqiptare se në zbatim të marrëveshjes, ajo gëzon, në bazë të artikullit 8, imunitet nga juridiksioni civil, penal dhe administrative për çdo veprim të bërë në ushtrimin e funksioneve të tyre(http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=326994#k1). Për të gjitha këto do të duhet të japë përgjigje Prokuroria e Përgjithshme e cila ka hapur hetimin penal. Dhe do të jetë përfundimi i këtij hetimi, vetëm ai, që do MBYLLË DEBATIN. I cili meqë ra fjalë është një mundësi e mirë për opozitën që të negociojë diçka, siç ndodh përherë.

Nisur nga raportimet e djeshme në Komisionin e Sigurisë, hetimi ka nisur nga informacionet e përcjella nga SHISH, që ka referuar siç tha Visho Ajazi, hyrjen e një pajisjeje të paregjistruar. Edhe sikur raportimi verbal i Ajazit të jetë i tillë vetëm për të provokuar këtë skandal, hapja e hetimeve nga Prokuroria, provon formalisht padijeninë për ekzistencën dhe operimin e kësaj pajisjeje. Për të cilën, siç kujton policia italiane, “në bazë të artikullit 8, imunitet nga juridiksioni civil, penal dhe administrative për çdo veprim të bërë në ushtrimin e funksioneve të tyre”. Deri atëherë do të duhet të pritet përfundimi i hetimeve nga organi i akuzës.

Europol me dy njoftime për rastin “Balili”

Këtu: http://www.respublica.al/2016/05/17/europol-asnjë-rol-i-policisë-shqiptare-në-hetimin-e-trafikut-ndërkombëtar-të-drogës-ku, është lajmi i publikuar më 17 maj për operacionin e Europol për kapjen e 17 të dyshuarve për trafik droge. Siç shihet në screen shotin e njoftimit, SHQIPËRIA, pra POLICIA SHQIPTARE, NUK FIGURON NË NJOFTIM. (foto). Sot në Parlament, kryeministri Edi Rama, u kapardis si kaposhi në thekër kur bëri thirrje për “update informacioni” të Europolit, i cili në të njëjtin njoftim, sot ka përfshirë edhe Shqipërinë. Duke qenë se fotoja e njoftimit të parë disponohet dhe mund ta shohë kushdo dhe se në njoftimin e UPDATE-UAR https://www.europol.europa.eu/content/17-detained-operation-against-alba..., Europol, nuk lajmëron për ndryshimet në tekst, mund të pyesim: çfarë ka ndodhur që Europol befas u ftillua për rolin mbështetës të Shqipërisë? Mos vallë edhe këtu kanë dhënë një dorë miqtë italianë, që sipas artikullit 8, apo ndonjë të ngjashmi, KANË IMUNITET? Atë imunitet që se gëzon dot më asnjë këtu brenda? Për këtë përgjigje me siguri duhen analistë seriozë që njëkohësisht dinë të bëjnë pyetje të vështira,  por fakt është se Europol ka ndryshuar njoftimin, njësoj si ndryshohen komentet – që fshihen – në profilin e Facebook të Edi Ramës.

Comments

Submitted by Populli (not verified) on

"Artikulli i tretë i kësaj marrëveshjeje parashikon që palët të bashkëpunojnë, mes të tjerash, në aktivitete të fokusuara në formimin dhe trajnimin në luftën kundër kriminalitetit në të gjitha format e saj."?!
A mund të na sqaroni se kush ka të drejtë t'i bëj interpretim kësaj dispozite, ta zgjerojë, apo ta ngushtojë atë? Ku flitet në këtë marrëveshje për sjelljen e pajisjeve të përgjimit në Shqipëri? Nëse pala italiane ka qenë në rregull me ligjin shqiptar gjatë veprimtarisë së saj, për sjelljen e përdorimin e kësaj pajisje, përse e rivendikon imunitetin? Përse i është dashur ta mbulojë këtë makinë me imunitet, nëse qëllimi ka qenë i sinqertë?
Pavarësisht të gjitha këtyre gjërave, futja e asaj pajisje në mënyrë ilegale nuk mund të shmang përgjegjësinë për asnjë person (të paktën shqiptar) që ka lidhje me të. Nëse italianët e fshehën, duke përdorur imunitetin diplomatik, ata shtetas shqiptarë që kanë pasur dijeni dhe kanë punuar me këtë pajisje në kuadrin e "trajnimit", kanë pasur paraprakisht detyrimin që ta denonconin rastin tek kryeprokurori, sapo të binin në dijeni të faktit që ka hyrë një pajisje e tillë, ashtu si bëri kreu i ShISh-it.
Për aq kohë sa kjo marrëveshje nuk bën fjalë për trajnim me pajisje përgjuese. Askush nuk ka të drejtë që kuptimin e fjalës "trajnim" ta zgjerojë edhe për ato pajisje për të cilat nuk e ka të drejtën ligjore që t'i fusë në territorin shqiptar dhe t'i përdorë pa lejen e kryeprokurorit (çka do të ishte e domosdoshme edhe në rastin kur kjo marrëveshje do ta parashikonte shprehimisht këtë lloj trajnimi.).

Submitted by Prof. (not verified) on

Kush eshte autori DIGITAL i ketije dhkrimi ?
Sikur e ka shkruar lartmadheria e tije shkelqesia e larte Sali BERISHA.
Ju te redaksise sikur keni filluar te shkelni asnjanesine, ne ekuilibrat e brishta politike, ne vendin tone te drobitur
Une keshtu mendoj.
Qofsha i gabuar.

Submitted by redaksia on

Autori i shkrimit quhet: Skerdilajd Zaimi. 

Sali Berishen mund ta pyesesh vete nese e ka shkruar apo jo. Nuk ke pse vjen ketu e pyet per Saliun.

Dhe nuk kemi bere gjekundi njoftim se nuk do mbajme qendrime ne emer te "asnjeanesise". 

Submitted by marakana (not verified) on

Jeni nje media pa dinjitet dhe pa integritet. Perndryshe nuk do te botonit shkrime pa autor.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.