Gjuha si simbol i identitetit të Hebrenjve të Sefaradit

Postuar në 03 Qershor, 2024 11:14
Maria Angeles Gallego

 

Sjellja gjuhësore e hebrenjve të Sefaradit, si në al-Andalus, ashtu dhe në mbretëritë e krishtera, dallohej nga pjesa tjetër e popullsisë në aspekte të ndryshme, por që e kishin origjinën e tyre në të njëjtin fakt themelor: në vetëdijen e tyre të bashkësisë së krijuar nëpërmjet lidhjes fetare. Nuk mund të harrojmë se në Mesjetë, shenja kryesore e identitetit të një individi ishte përkatësia e tij fetare, përmbi çdo lloj faktori tjetër si gjinia apo klasa shoqërore; si në rastin e hebrenjve, ashtu dhe në atë të dy feve të tjera të mëdha monoteiste: kristianizmit dhe islamit. Në rastin e myslimanëve dhe të hebrenjve ekzistonte, përveç kësaj, një element thelbësor që lidhej me përdorimet e tyre gjuhësore: ekzistenca e një gjuhe të shenjtë në të dyja traditat fetare, domethënë, arabe dhe hebraike respektivisht.

Për myslimanët arabishtja është gjuha që zgjodhi Zoti për të dërguar mesazhin e tij, Kuranin, sikurse pohohet dhe në vetë Kuranin1, dhe ky përfaqëson fjalën e Zotit në kuptimin e mirëfilltë, domethënë, fjalët që Ai vetë zgjodhi për të përcjellë mesazhin e tij tek njerëzit. Prandaj dhe përkthimet e Kuranit në gjuhë të tjera kanë pak vlerë për një mysliman, që gjithmonë do të synojë t'i afrohet tekstit të tij të shenjtë në formën origjinale në të cilën e zbuloi Zoti.

Nga ana tjetër, arabishtja ushtron një ndikim të dukshëm mbi popullsitë myslimane me gjuhë të tjera amtare, normalisht duke eksportuar alfabetin e saj dhe një pjesë të rëndësishme të leksikut të saj siç ndodh, për shembull, me persishten, një gjuhë jo semitike që, megjithatë, përdor alfabetin arab dhe mbështetet në huazimet e shumta leksikore të kësaj gjuhe. Ndikimi i arabishtes në gjuhët e bashkësive myslimane jo arabishtfolëse ka ndodhur në raste të shumta përgjatë Historisë, ndonëse shumë prej tyre janë latinizuar në kohën moderne, si proces i ngjashëm me atë të oksidentalizimit të shoqërive të tyre. I tillë është rasti, për shembull, i turqishtes apo i suahilit2.

Për hebrenjtë hebraishtja është gjuha e tyre e shenjtë, pasi është gjuha në të cilën u transmetuan Shkrimet (Torah), dhe meqë bëhet fjalë për gjuhën e patriarkëve të hershëm të Izraelit, ndonëse nuk ekziston një lidhje aq e drejtpërdrejtë me hyjninë si në rastin e Islamit. Sidoqoftë, karakteri i shenjtë që ka hebraishtja për hebrenjtë ka patur një impakt gjuhësor të ngjashëm me atë të arabishtes në bashkësitë myslimane. Kështu, për shembull, edhe pse përkthehet në gjuhë të tjera, një hebre do të synojë gjithmonë ta lexojë Torah në gjuhën origjinale dhe do të jetë i familjarizuar me të nëpërmjet shërbimeve sinagogale dhe liturgjisë, pavarësisht se cila është gjuha e tij amtare.

Nga ana tjetër, hebrenjtë përgjatë Historisë kanë zhvilluar variante specifike të gjuhëve që përdornin zakonisht, siç janë jidish (varianti hebraik i gjermanishtes), judeo-spanjoll (varianti hebraik i romancave të gadishullit) apo judeo-arabe (varianti hebraik i gjuhës arabe), evoluimi i të cilave është specifik në çdo rast të veçantë ndonëse ndajnë një sërë karakteristikash të përbashkëta. Këto tipare të përbashkëta rrjedhin jo vetëm nga rrethanat historike që shoqërojnë popullin hebraik si emigracioni apo izolimi shoqëror, por dhe janë ngushtësisht të lidhura me natyrën e shenjtë të gjuhës hebraike. Sikurse ndodh me gjuhët islamike, ato që ne i njohim si gjuhë hebraike zakonisht janë të lidhura me gjuhën e shenjtë të judaizmit nëpërmjet përdorimit të alfabetit hebraik në formën e tij të shkruar, si dhe nëpërmjet adoptimit të termave dhe fjalorit të gjuhëve hebraishte dhe arame3.

Gjuhët e hebrenjve të al-Andalus

Ndër të gjitha bashkësitë hebraike të Gadishullit Iberik dallohen për begatinë shoqërore dhe veprimtarinë e tyre kulturore bashkësitë hebraike nën sundimin islamik, domethënë, andaluze, veçanërisht në periudhën e përfshirë midis shekujve X dhe XIII. Apogjeu kulturor që përjetuan hebrenjtë e al-Andalus në atë etapë njihet si "Koha e Artë” dhe përbën një kuadër të aftë për të shqyrtuar qëndrimet e hebrenjve në lëmin gjuhësor, për nga pasuria e dokumentacionit të shkruar që është ruajtur. Le të shohim, pra, gjuhët që përdorën dhe si i përdorën:

Arabishtja/Hebraishtja-arabe 

Arabët që mbërritën në gadishull më 711 përbënin një pakicë brenda ushtrisë pushtuese, të përbërë në pjesën më të madhe nga berberë, dhe vazhduan të jenë një pakicë gjatë gjithë Historisë së al-Andalus. Gjuha e tyre, megjithatë, u shtri dhe u vendos mbi çdo gjuhë tjetër në të gjithë zonën islamike, njësoj sikurse kishte ndodhur paraprakisht në territoret e tjera të pushtuara në Lindjen e Mesme dhe në Veri të Afrikës. Procesi i arabizimit masiv i nënshtrohet arsyeve të ndryshme. Nga njëra anë, arabishtja ishte gjuha e elitës së pushtetit dhe e administratës së shtetit islamik, gjë që e bënte të domosdoshme njohjen e saj për ata që donin të përparonin në shoqëri apo, thjesht, të ndjeheshin të integruar brenda shoqërisë së re që pushtuesit arabë po krijonin në territoret që ishin nën pushtetin e tyre. Ajo ishte, përveç kësaj, gjuha e shenjtë e islamit dhe, si e tillë, shoqëronte në mënyrë të natyrshme procesin e kthimit në islame të popullsive të pushtuara.

Prestigjit si gjuhë e fesë dhe e pushtetit politik, duke filluar nga shekulli i IX i duhet shtuar edhe fakti se ajo u kthye në bartësen gjuhësore të kulturës më të përparuar të momentit, jo vetëm për vetë kontributet e myslimanëve por dhe për të gjithë dijen që gjatë pushtimit dhe në vitet e mëpasme kishin përmbledhur, sintetizuar dhe ripërpunuar nga popuj të ndryshëm si persë dhe indianë dhe, mbi të gjitha, nga bota greke klasike. 

E vërteta është se qysh nga fundi i shekullit X shoqëria andaluze, njëlloj sikurse kishte ndodhur me rajonet e tjera nën pushtetin islamik, ishte një shoqëri në pjesën më të madhe e arabizuar ndërsa gjuhë të tjera si romance (spanjishtja e gadishullit) apo gjuha berbere ishin reduktuar në gjuhë me përdorim të kufizuar midis grupesh të caktuara të popullsisë. Të dhënat që ekzistojnë mbi hebrenjtë e al-Andalus qysh nga kjo epokë na tregojnë se ata bënin pjesë në popullsinë plotësisht të arabizuar, jo vetëm në nivelin e gjuhës së folur (domethënë, arabishtja dialektale andalusí) por gjithashtu në lëmin e gjuhës së shkruar, domethënë, të gjuhës arabe klasike, ndonëse është e vërtetë që ky nivel i dytë gjuhësor konstatohej vetëm midis shtresave të popullsisë që kishin akses në kulturë.

Këtë njohje të thellë të gjuhës arabe e evidentojnë fakte të ndryshme: në planin shoqëror vërejmë, për shembull, pjesëmarrjen aktive të hebrenjve në oborrin islamik andalusi si vezirë apo sekretarë, një funksion për të cilin ishte thelbësor zotërimi i gjuhës arabe klasike. Nga ana tjetër, në fushën kulturore shquhet prodhimtaria shumë e pasur shkencore e autorëve hebraikë andalusi në gjuhën arabe, ndonëse e përshtatur me veçoritë kulturore hebraike, brenda variantit që e njohim si hebraishte-arabe.

Midis oborrtarëve të shumtë hebraikë me një njohje të gjuhës dhe kulturës arabe që ishte e barabartë me atë të një myslimani të kulturuar në mos më e madhe, dallohen dy raste në veçanti: Hasdai ben Shapruti (rreth 910-975) dhe Shemuel ibn Nagreja (993-1055). Hasdai ben Shapruti i shërbeu kalifit të Kordovës Abd al-Rahmani III si mjek në fillim dhe, më pas, si ambasador dhe përgjegjësi më i lartë i doganave4. Njohja e tij e thellë e gjuhës dhe e kulturës arabe shfaqet në kryerjen e të gjitha atyre funksioneve administrative dhe shtetërore, që e detyronin të mbante letërkëmbim dhe të priste udhëheqës nga i gjithë rrafshi islamik dhe madje jo islamik. Për më tepër, Hasdai bashkëpunoi në një detyrë me vështirësi të jashtëzakonshme: në përkthimin nga latinishtja në arabisht të Materia Medica të Dioscoridesit, një nga veprat farmakologjike më të vlerësuara dhe me përdorimin më të madh në Mesjetë.

Kjo vepër kishte ardhur në al-Andalus në greqishten origjinale, si dhuratë e perandorit të Bizantit Konstantini VII Porfirogenetos për kalifin e Kordovës. Meqenëse nuk ekzistonte asnjeri në al-Andalus që të kishte aftësi për ta përkthyer nga greqishtja në arabisht, perandori Konstantini dërgoi murgun Nikolla që ta kthente tekstin në latinisht, gjuhë nga e cila Materia Medica u përkthye më në fund në gjuhën arabe, me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të Hasdai ben Shaprutit.                   

Rasti i dytë më i shquar si vezir hebre është ai i Shemuel ibn Nagrejës5. Sipas traditës hebraike hyri në oborrin e mbretërisë (taifa) së Granadës për dhuntitë e tij si kaligraf i gjuhës arabe, aftësi për të cilën u punësua nga Ibn al-'Arifi, veziri i mbretit të Granadës dhe i cili, dalëngadalë, filloi t'i kërkojë detyra të tjera me rëndësi të madhe dhe e bëri njeriun e tij të besuar. Pak para se të vdiste, Ibn al-'Arifi i rrëfeu Habusit, mbretit te Granadës se ai ishte udhëhequr nga këshillat e Shemuel ibn Nagrejës dhe i sugjeroi që ta punësonte. Kështu veproi edhe Habusi duke e shndërruar kësisoj Ibn Nagrejën në vezir të oborrit të Granadës. Por nivelin e tij më të lartë të pushtetit dhe të influencës në oborr e pati më vonë kur, me vdekjen e Habusit (1038), mbajti anën e djalit të tij Badis, i cili do të dilte fitimtar pas grindjeve midis dinastive.

Gjatë qeverisjes së Badisit, Shemueli gëzoi besimin e tij të plotë dhe një pushtet që tejkalohej vetëm nga ai i vetë sovranit. Jo vetëm që kryente detyra administrative dhe qeveritare, por edhe, gjë që është shumë e habitshme, arriti të marrë pjesë në fushatat ushtarake të Badisit kundër mbretërive të tjera - taifave, domethënë, duke mbajtur anë në grindjet e disa qeverive myslimane kundër të tjerave. Shemuel ibn Nagreja u shndërrua në shembullin e hebreut erudit dhe shumë të aftë, si në kohën e tij ashtu dhe për brezat e mëpasëm.

Aftësitë e tij gjuhësore në veçanti ngjallën admirimin si të bashkëfetarëve të tij ashtu dhe të myslimanëve. Kështu, për shembull, historiani mysliman Abu Marwan Ibn Hayyani (shek. XI) i referohej atij me këto fjalë:

Ky njeri i mallkuar, edhe pse Zoti e kishte mënjanuar nga udha e drejtë [domethënë, që nuk ishte mysliman], ishte një nga njerëzit më të përsosur. Zotëronte dituri, tolerancë, mirëkuptim dhe inteligjencë. Kishte karakter të qetë, të vendosur, dinak dhe finok. Kishte vetëkontroll dhe natyrë të këndshme. Dinte kur t'i bënte gjërat, i mashtronte armiqtë e tij dhe e largonte urrejtjen falë mirëdashjes së tij. Sa njeri i jashtëzakonshëm! Shkroi me të dy pendët [në hebraisht dhe arabisht] dhe tregoi interes për njohjen e të dy letërsive. Ishte i apasionuar pas gjuhës arabe dhe e hulumtoi atë, studioi letërsinë dhe ekzaminoi rrënjët e saj. Gjuha e tij e fliste arabishten rrjedhshëm dhe dora e tij e shkruante me lehtësi. E kishte zakon të shkruante në këtë gjuhë si në emrin e tij ashtu dhe në emër të zotërisë së tij, duke përdorur kur ishte e nevojshme lutjet ndaj Zotit - I lavdëruar qoftë! - dhe bekimet për profetin Muhamed - Zoti e bekoftë dhe e shpëtoftë! -. I thurte lavde fesë islamike dhe përmendte me radhë meritat e saj, dhe në ato që hartonte nuk linte rast pa u paraqitur si shkrimtar mysliman.

U dallua në njohjen e shkencave matematikore të të parëve, shquhej në astronomi, dinte gjeometri dhe logjikë. Në artin e dialektikës ua kalonte të gjithë atyre që merreshin me të. Meqë ishte njeri i zgjuar, ishte fjalëpak, e urrente shpifjen, gjithnjë ishte i zhytur në mendime dhe ishte koleksionist i madh librash"6.

Një shekull më vonë, kujtimi i këtij njeriu të jashtëzakonshëm vazhdon të ruhet i gjallë madje dhe në bashkësitë hebraike në jug të Francës. Kështu, për shembull, një nga përkthyesit më të mëdhenj nga arabishtja në hebraishte, Jehudah ibn Tibboni (rreth 1129 - rreth 1190), e porosit të birin të studiojë arabisht dhe të matet për këtë me Shemuel ibn Nagrejën dhe me djalin e tij Jehosef:

Dije që burrat e mëdhenj të popullit tonë e arritën madhështinë e tyre dhe shumë virtyte vetëm në sajë të aftësisë që kishin për të shkruar në arabisht. E ke parë atë që nagid [Shemuel ibn Nagreja], bekuar qoftë kujtimi i tij, tha mbi madhështinë që arriti falë asaj gjuhe [...]"7.

Familjariteti i hebrenjve me kulturën arabe dhe me gjuhën arabe klasike shfaqet gjithashtu në veprat që hartuan me karakter shkencor të tilla si vepra mjekësore, filozofike, astronomike apo gramatikore, që nuk ishin në qarkullim të përgjithshëm por bëhej fjalë për shkrime për përdorim të brendshëm në gjirin e bashkësisë hebraike. Për këto shkrime, hebrenjtë përdornin një arabishte më pak të ngritur sesa arabishtja klasike, ndonëse pa arritur të jetë një regjistër dialektal apo i gjuhës së folur.

Ndonëse këtë lloj arabishteje të mesme e përdornin edhe myslimanët, motivi ishte i ndryshëm pasi në rastin e një myslimani bëhej fjalë për mosnjohje apo pakujdesi, meqenëse ideali i tij gjuhësor ishte gjithmonë t'i afrohej sa më shumë të qe e mundur gjuhës klasike të Kuranit dhe të Arabisë beduine, në ndryshim nga hebrenjtë, që kishin gjuhën e tyre të shenjtë (hebraishten) dhe trashëgiminë e tyre kulturore (botën biblike), duke i dhënë arabishtes një përdorim instrumental. Përveçse përdornin një arabishte me regjistër jo klasik, hebrenjtë e shkruanin atë me alfabet hebraik dhe fusnin huazime leksikore të hebraishtes, duke ndjekur shembuj të sjelljes gjuhësore të njëjta me bashkësitë e tjera hebraike të diasporës dhe që u kanë dhënë shkas varianteve gjuhësore si jidishi, hebraishtja-spanjolle apo hebraishtja-persiane.

Në hebraishten-arabe8 (emër me të cilin i referohemi këtij varianti të hebraizuar të gjuhës arabe) shkruan veprat e tyre mjekësore, filozofike dhe gramatikore disa nga intelektualët më të mëdhenj hebrenj të Mesjetës si Maimonidesi, Yonah ibn Yanahi apo Shelomoh ibn Gabiroli.

Hebraishtja

Shumë shekuj para rilindjes së saj si gjuhë e Shtetit të Izraelit, gjuha hebraike u përdor nga populli i vjetër izraelit dhe qëndroi për një periudhë që konsiderohet klasike midis viteve 1000 dhe 200 para Krishtit, sikundër ka mbetur e pasqyruar në tekstin biblik. Në një stad të mëvonshëm (200 para K. - 500 pas K.), hebraishtja u gjend nën ndikimin e gjuhëve të tjera, sidomos gjuhës arame, dhe është gjuha që mbetet e formësuar në shkrimet e rabinëve, si Talmudi dhe Mishna. Kjo lloj hebraishteje, e njohur si hebraishte rabinike apo hebraishte mishnaike, qe një gjuhë e folur deri në shekullin e III, por duke filluar nga kjo datë doli nga përdorimi ndonëse vazhdoi të jetë një gjuhë thelbësore në bashkësitë hebraike të shpërndara nëpër botë, për vlerën e saj të shenjtë brenda judaizmit.

Luante një rol qendror në zhvillimin e jetës fetare si gjuhë e liturgjisë dhe e dokumenteve ligjore që lidheshin me fenë siç ishin kontratat martesore (ketubot), por para së gjithash dhe mbi të gjitha, ishte gjuha e tekstit të shenjtë, objekt jo vetëm devotshmërie, por dhe leximi të vazhdueshëm dhe studimi midis hebrenjve të të gjitha kohërave dhe vendeve.

Hebrenjtë e al-Andalus, njësoj si pjesa tjetër e bashkësive, përdornin hebraishten me funksionin e gjuhës fetare dhe të tekstit të shenjtë por, duke filluar nga shekulli X, bënë një hap para dhe zgjeruan funksionet e saj, duke i dhënë një jetë të re, në një fenomen të pashoq deri në rilindjen moderne në Shtetin e Izraelit. Në al-Andalus, gjuha hebraike filloi përsëri të përdorej si gjuhë letrare, përtej kontekstit fetar. Qysh nga fundi i shekullit të X dhe, veçanërisht, në shekujt XI dhe XII, nisi lulëzimi i poezisë dhe i prozës hebraike që njihet si Koha e Artë, për plejadën e autorëve që doli nga kjo lëvizje dhe për cilësinë dhe sasinë e prodhimtarisë së tyre letrare.

Ky fenomen arriti të zhvillohet në sajë të një faze paraprake studimi dhe analize të gjuhës hebraike, gramatika e së cilës për herë të parë u studiua në thellësi dhe u shpjegua në fund të shekullit të X, në territoret andaluze9. Analiza dhe kuptimi i sintaksës dhe morfologjisë së gjuhës biblike u mbështet në zhvillimin e studimeve që kishin kryer arabët për gjuhën e vet, me të cilën hebraishtja ruan ngjashmëri të shumta pasi i përkasin të dyja familjes së gjuhëve semitike. Duhet pasur parasysh se, ndonëse hebrenjtë nuk kishin reshtur kurrë së kuptuari përmbajtjet e tekstit të tyre të shenjtë, funksionimi i brendshëm i hebraishtes ishte për ta në një pjesë të madhe i panjohur pasi ishte një gjuhë që kishte reshtur së përdoruri si gjuhë e folur qysh nga shekulli i III. Arabët, megjithatë, ndonëse kishin zhvilluar variante gojore të gjuhës arabe klasike apo arabishte e vjetër, mund ta kuptonin dhe ta përshkruanin atë me lehtësi duke qenë se vazhdonte ekzistenca e saj si gjuhë e gjallë dhe me përdorim të përditshëm.

Shkaqet e zhvillimit të kësaj rilindjeje letrare në gjuhën hebraike janë të llojeve të ndryshme ndonëse shquhet, para së gjithash, faktori nacionalist. Të shkruarit e poezisë dhe prozës letrare në gjuhën hebraike n ë vend që të bëhej në arabisht, siç ndodhte në shkrimet me karakter shkencor, udhëhiqej nga dëshira për të treguar krenarinë për vetë gjuhën e bashkësisë hebraike dhe theksohej vlera e saj estetike duke e përdorur në shprehjen artistike më të vlerësuar të epokës: në poezi. Përballë krenarisë së myslimanëve për gjuhën arabe, të konsideruar prej tyre si gjuha më e përsosur dhe që Zoti e zgjodhi për t'u dërguar Mesazhin e tij njerëzve, hebrenjtë donin të tregonin bukurinë dhe krenarinë për gjuhën në të cilën ishin përcjellë Shkrimet e tyre të shenjta. Prodhimtarisë së shkëlqyer poetike të myslimanëve në gjuhën arabe, hebrenjtë i kundërvënë poemat e tyre hebraike, në ato ku çuditërisht, përdorin metrat, gjinitë dhe motivet e poezisë arabe, por duke shtuar elementë të gjuhës dhe të tekstit biblik.

Të gjithë shkrimtarët e mëdhenj dhe personazhet e elitës hebraike andaluze kanë shkruar si në hebraishten-arabe, ashtu dhe në hebraisht veprat e tyre për qarkullim brenda bashkësisë hebraike, në të njëjtën kohë që përdornin arabishten klasike si mjet komunikimi brenda rretheve myslimane10. Dy vezirët e mëdhenj të përmendur paraprakisht, Hasdai ben Shapruti dhe Shemuel ben Nagreja, janë shembulli më i qartë i kësaj paqëndrueshmërie gjuhësore. Të dy ishin oborrtarë të mëdhenj që silleshin me lirshmëri të plotë në fushën arabo-islamike, por që nga ana e tyre u shquan si mecenatë të kulturës në gjuhën hebraike. Hasdai zë një vend thelbësor në fillimin e studimit shkencor të gjuhës biblike dhe në zgjimin e letërsisë hebraike andaluze pasi ai ishte promotori i parë i madh i kulturës hebraike në al-Andalus. Bleu libra, porositi vepra dhe poema në gjuhën hebraike, dhe solli në Kordovë mjeshtërit hebrenj më të njohur të kohës si Mosheh ben Hanoku, nga Italia, apo Dunash ben Labrati, nga Fesi. Mori si sekretar personal Menahem ben Saruqin, filolog i shkëlqyer dhe autor i njërit prej fjalorëve të parë të gjuhës hebraike. Atij i ngarkonte Hasdait përpilimin e të gjithë letërkëmbimit të tij në hebraisht. Përveç këtyre veprimtarive, Hasdai ishte një promotor aktiv i shkëputjes së bashkësisë hebraike andaluze nga qendrat tradicionale të Lindjes, në një lëvizje të ngjashme me pavarësinë politike dhe kulturore që mbështesnin drejtuesit myslimanë të al-Andalus përballë bashkëfetarëve të tyre të perandorisë abbasi, me kryeqytet Bagdadin.

Shemuel ibn Nagreja përfaqëson, sikurse Hasdai, atë anë të eruditit hebre poliglot, njohësit të thellë të traditës kulturore arabo-islamike dhe në të njëjtën kohë mecenat dhe promotor i kulturës hebraike në gjuhën hebraike dhe në hebraishten-arabe. Shemuel ishte, përveç kësaj, edhe ai vetë filolog dhe poet hebre. Aftësitë e tij si kaligraf dhe njohuritë e tij mbi arabishten klasike befasonin dhe vetë myslimanët, siç kemi parë dhe më parë, në citatin e historianit Ibn Hayyani. Në anën e tij si shkrimtar përdorte si hebraishten-arabe ashtu dhe hebraishten, duke ndjekur shembujt e zakonshëm midis hebrenjve të kësaj epoke: veprat me karakter shkencor, në rastin e tij konkret veprat gramatikore mbi gjuhën hebraike, i shkruante në hebraishte-arabe, domethënë, duke përdorur një regjistër të arabishtes të afërt me arabishten dialektale, me citate të shumta dhe fjalor biblik, dhe të shkruar me alfabet hebraik në vend të alfabetit arab. Si poet hebre, megjithatë, përdorte gjuhën hebraike. Të gjitha kompozimet e tij poetike hebraike ndjekin, siç ishte zakon, metrat dhe gjinitë e poezisë arabe të myslimanëve, veçanërisht të orientalëve, ndonëse ndeshim thuajse në të gjitha vargjet referenca, lojë fjalësh apo citate që vijnë nga Shkrimet.

Kështu, për shembull, në njërën nga poemat e tij të para luftarake, bazuar në fushatën e Granadës kundër ushtrisë mbretërore, Taifës, së Almerisë nga e cila dolën fitimtarë të parët, Shemuel bën një interpretim të betejës ku fitorja shndërrohet në një shprehje të mbështetjes së Zotit për popullin e tij të Izraelit, duke treguar kështu identifikimin e bashkësisë hebraike me synimet dhe fatin e dinastisë që mbretëronte. Elementët e ndryshëm të betejës marrin një veshje biblike nga dora e këtij poeti të jashtëzakonshëm. Zuhayri, mbreti i Taifës së Almerisë, me origjinë sllave, del në poemë si Agag, mbreti i mundur nga Sauli në Psalmet (1Sa 15,8), sllavët që bëjnë pjesë në ushtri identifikohen me popullin e Amaleqit (1Sa 15,8) dhe të krishterët me Edomin si pasardhës të Perandorisë Romake, së cilës hebrenjtë i referoheshin qysh në kohët e lashta me këtë emër. Përsa u përket mercenarëve arabë që bëjnë pjesë në ushtrinë e Almerisë, ata përmenden si "bijtë e Qeturahit" (Gen 25,1), meqenëse në traditën rabinike Qeturah identifikohet me Agar, nënën e Ismaelit, patriarkut të arabëve.

Gjithashtu, siç ishte e zakonshme në poemat hebraike, në të gjithë tekstin futen aluzione dhe citate biblike.Shihni, për shembull, fragmentin e mëposhtëm ku Shemueli akaparon protagonizëm dhe e lidh fillimin e betejës me armiqësinë që kishte ndaj tij veziri i taifës së Almerisë, Ibn Abbasi. Kur ky i kërkon mbretit të Granadës që ta heqë qafe vezirin e tij çifut, Badisi refuzon kategorikisht, gjë që nënkupton shpallje lufte, sipas versionit letrar që ofron Shemueli për këtë betejë:

Përballë kësaj11 u zemërua kundërshtari im, këmbënguli
në shpifjen e tij, u armiqësua me të dhe e kapi tërbimi;
Nuk pushoi derisa mblodhi ushtarët e tij:
Amaleq, Edom, dhe bijtë e Qeturahit.
Për më tepër Zoti kishte përgatitur prej kohësh për rënien e tij
një gropë të hapur në qytetin e gurrës.
Shpejtoi ritmin e marshimit të tij, duke nxituar
si një shpend që shkon kaluar dhe shfaqet me krahë ere12.

Më pas, kur tregon rrjedhën e betejës, Shemueli ndërthur me mjeshtëri motive dhe figura të poezisë arabe orientale me aluzione episodesh dhe emrash biblikë. Vijnë nga poezia arabe, për shembull, figura e tërmetit në përshkrimin e betejave dhe ajo e errësimit të diellit nga pluhuri që ngrihej gjatë luftimit. Gjithashtu tek poetët arabë klasikë si al-Mutanabbi haset krahasimi i trokthit të kuajve me lëvizjen e gjarpërinjve që rrëshqasin mbi tokë, o krahasimi i shigjetave me pikat e shiut apo me bletët (nga zhurma që bëjnë, e ngjashme me atë të shigjetave kur lëshohen).

Dridhej toka nga themelet,
Sikundër Gomorra (Ge 19,24 dhe De 29,2213) mbetej e rrafshuar
Fytyra të bukura ngjyrëtrëndafili 
bëheshin si fundi i një tenxhereje.
Dita, mbërthyer nga errësira dhe terri [JI. 2,2],
dielli, njësoj si zemra ime, i nxirë;
zhurma e trupave, si ajo e Saddajit [Ez 1,24], si ajo e detit
dhe e dallgëve të tij kur shpërthen stuhia;
Toka në mbrëmje lëkundet
mbi kolonat e saj, si e dehur.
Kuajt rendnin galop dhe rrotulloheshin
si nepërkat e nxjerra nga strofka e tyre,
Sikur shtizat e hedhura të ishin
rrufe që mbushnin ajrin me dritë,
Shigjetat, pika shiu,
dhe shqytat, shosha;
Harqet, si gjarpërinj në duart e tyre
duke vjellë bletë nga goja e tyre14

I biri i Shemuel ibn Nagrejës, Jehosef ibn Nagreja, pasoi të atin në detyrën e vezirit dhe, sikurse dhe ai, ishte një letrar i madh dhe mbrojtës i letërsisë dhe i shkencave hebraike. Sipas Moseh ibn Ezra (rreth 1055-1135), autor traktatesh letrare hebraike, "në kohën e tij u dyfishua lavdia e shkencave dhe e shkencëtarëve dhe perandoria e poezisë dhe e poetëve15. Njësoj si i ati, thurte vargje si në gjuhën arabe ashtu dhe në gjuhën hebraike: "Pas gjuhës hebraike, njohuritë më të mëdha i kishte në gjuhën arabe, mbi leksikun e saj, mbi poezinë dhe zéjelet e saj, mbi historinë, kronikat dhe veprat e saj, i shtyrë nga nevoja për t'i shërbyer pushtetit të cilit i detyrohej dhe nga punët e principatës që i ishin ngarkuar"16. Megjithatë, Jehosefi zgjoi midis myslimanëve kritika të egra që e rritën urrejtjen ndaj hebrenjve të Granadës. Në këtë ambient tashmë të ndezur u botua një poemë e Abu Ishaq de Elvira kundër vezirit hebré, që gëzoi popullaritet të gjerë. Kjo poemë u bë me sa duket shkaku i progromit të vitit 1066 kundër bashkësisë hebraike të Granadës, ku u vra vetë Jehosefi.

Gjuhët e hebrenjve në Mbretëritë e krishtera

Hebrenjtë e Spanjës së krishterë marrin protagonizëm shoqëror dhe kulturor brenda kontekstit të Gadishulli Ibarik duke filluar nga shekulli XII. Pikërisht në këtë periudhë ndodh një ndryshim thelbësor në politikën islamike në lidhje me hebrejtë, pas ardhjes në fuqi të dy dinastive afrikanoveriore, almoravidet dhe almohadet, me prirje më kufizuese dhe më ortodokse se qeveritarët e mëparshëm myslimanë. Asokohe, ndodh një lëvizje dyndjeje e hebrenjve andaluzë drejt rajoneve të tjera të botës islamike, si dhe drejt mbretërive të krishtera të veriut të Gadishullit Iberik dhe jugut të Francës. I lidhur shumë ngushtë me këtë fenomen është zgjimi kulturor i bashkësive hebraike në territoret e krishtera duke filluar nga shekulli i XII, si dhe riprodhimi i modeleve andaluze të bashkëpunimit me pushtetin politik. Figura e oborrtarit hebré bëhet e njohur në mbretëri të ndryshme të krishtera duke filluar nga kjo periudhë, si administrator, përkthyes apo sekretar, midis funksioneve të tjera. Ndër aftësitë për të cilat ishin veçanërisht të vlerësuar radhitej edhe ajo e të qenit njohës të gjuhës arabe dhe të shoqërisë andaluze në tërësinë e vet, duke u shndërruar falë kësaj në bashkëbisedues midis të krishterëve dhe myslimanëve.

Rasti më i shquar i oborrtarit hebré në këtë kontekst të krishterë është ai i Abraham bar lija (vdiq rreth vitit 1136), astronom dhe matematicien në shërbim të Mbretit të Aragonës Alfonsi I Luftaraku. Bar Ijja kishte një njohje të thellë të kulturës arabe, që e fitoi gjatë asaj periudhe të jetës së tij që kaloi në territoret islamike, me sa duket në Hueska të Banu Hudëve. Misioni i tij si këshilltar i mbretit dhe funksionet e tij administrative në Mbretërinë e Aragonës qenë pajtuar, njësoj si në rastin e paraardhësve të tij andaluzë, me mbrojtjen e interesave të bashkësisë hebraike dhe marrjen nën patronazh të të gjitha veprimtarive kulturore të lindura në gjirin e saj.

Abraham bar ljja ishte gjithashtu autor i traktateve të ndryshme të matematikës, astronomisë, astrologjisë dhe filozofisë17. Megjithatë, ndonëse përfshin në punimet e tij dijen e zhvilluar midis arabëve, i shkroi të gjitha veprat e tij në hebraisht, gjë që nënkupton një ndryshim thelbësor në krahasim me shprehitë gjuhësore të bashkëfetarëve të tij andaluzë. Përballë ndarjes së funksioneve që kishte vendosur paraprakisht midis hebraishtes-arabe për shkrimet shkencore apo me përdorim jo letrar dhe hebraishtes si gjuhë e poezisë dhe regjistrave që lidheshin me fenë, duke filluar nga ajo kohë hebraishtja zë këtë fushë shtesë.

Ajo që befason në këtë ndryshim të shprehive gjuhësore është se anon nga hebraishtja dhe jo nga gjuha e re e folur nga hebrenjtë, domethënë, gjuha romance, apo nga gjuha e shkruar e mjedisit të tij: latinishtja, paralelisht me përdorimet e saj gjuhësore në territoret islamike. Ndër arsyet për të mos përdorur latinishten, mund të mendojmë se, si në rastin e arabishtes klasike, ekzistonin paragjykime karshi një gjuhe ngushtësisht të lidhur me një fe konkrete, në këtë rast kristianizmin. Nëse arabishtja klasike identifikohej me Kuranin dhe ishte gjuha e islamit në shkallën më të lartë, latinishtja ishte ngushtësisht e lidhur me fenë e krishterë, dhe mbi të gjitha, me Kishën si gjuhë e liturgjisë dhe e shkrimeve teologjike. Alternativa tjetër ndaj hebraishtes do të kishte qenë gjuha romance, me më pak ngjyrime fetare dhe gjuhë e folur nga hebrenjtë në territoret e krishtera. Ky ndryshim, megjithatë, nuk ndodhi në Gadishullin Iberik veçse në disa shkrime të veçuara në periudhën para Dëbimit. Megjithatë, pas vitit 1492, qe pikërisht romance apo, më mirë, romance e përshtatur me traditën hebraike që e njohim si hebraishte-spanjolle, judezmo, ladino apo sefardí, gjuha që fitoi praktikisht në të gjithë regjistrat e gjuhës së shkruar, midis hebrenjve sefardi18.

Ekzistenca e varianteve hebraike të gjuhës romance është e dokumentuar vetëm në disa shkrime të veçuara, ndër të cilat shquhet Poema de Yo³ef (fillimi i shekullit XV), me autor të panjohur. Në mostrat e pakta të hebraishtes-romance që janë ruajtur, gjejmë karakteristikat e mirëfillta të gjuhëve hebraike, të përmendura më parë për hebraishten-arabe: përdorimi i alfabetit hebraik, prurjet leksikore të hebraishtes dhe largimi nga norma e shkruar i pjesës më të madhe të popullsisë. Hebrenjtë e Spanjës së krishterë u shquan përveç kësaj nga pikëpamja gjuhësore si përkthyes, veçanërisht brenda asaj që njihet si Shkolla e përkthyesve e Toledos. Morën pjesë aktivisht në përkthimin e teksteve arabe në romance, shpesh herë në formë gojore, në bashkëpunim me një të krishterë që përkthente me shkrim versionin e tij romance në gjuhën latine apo në gjuhën romance të standardizuar. Falë këtij procesi u përcollën në Oksidentin e krishterë vepra themelore të karakterit filozofik dhe shkencor, disa që vinin nga tradita klasike greke, si dhe kontributet origjinale të autorëve myslimanë.

Një tjetër proces i rëndësishëm përkthimi, me bazë si në gadishullin Iberik ashtu dhe në Jug të Francës, u zhvillua brenda bashkësisë hebraike për konsum të brendshëm. E kam fjalën për përkthimet, nganjëherë në formë sinteze, e veprave më domethënëse që hartuan autorët hebraikë të al-Andalusit në hebraishten-arabe. Një pjesë e madhe e këtyre punimeve nënkuptonin një kontribut thelbësor në shkenca të ndryshme, veçanërisht brenda traditës hebraike (traktate gramatikore mbi gjuhën hebraike, interpretime biblike, etj.), por rezultonin të paarritshme për bashkësitë europiane për arsye të pengesës gjuhësore. Për këtë ekziston qysh nga fundi i shekullit XI një ndërgjegjësim i qartë për nevojën që kjo dije të mund të transmetohej tek i gjithë judaizmi dhe jo vetëm te bashkësitë e rrafshit islamik. Vepra kaq të rëndësishme si “Udhërrëfyes i ndërdymëve” i Maimonidesit apo traktatet e ndryshme gramatikore të Yonah ibn Yanahit, u bënë pjesë e këtij korpusi të veprave të përkthyera në gjuhën e përbashkët të hebrenjve, domethënë, në hebraishte, duke u bërë pjesë e trashëgimisë hebraike universale.

Konkluzione

Hebrenjtë e Sefaradit, si në territoret e krishtera ashtu dhe në territoret islamike, mbajtën gjatë Mesjetës qëndrime gjuhësore të ngjashme, që e kishin burimin në vetëdijen e tyre të bashkësisë së krijuar nëpërmjet lidhjes fetare. Pesha specifike e gjuhës hebraike si gjuhë e shenjtë ndjehet në mënyra të ndryshme: nga njëra anë, ruajti si një e gjuhësore të ngjashme, që e kishin burimin në vetëdijen e tyre të bashkësisë së krijuar nëpërmjet lidhjes fetare. Pesha specifike e gjuhës hebraike si gjuhë e shenjtë ndihet në mënyra të ndryshme: nga njëra anë, ruajti si një e drejtë e saj ekskluzive disa regjistra të jetës fetare si liturgjia.

Nga ana tjetër, la ndikimin e vet në përdorimin e gjuhëve të tjera nga hebrenjtë, që përdorën alfabetin hebraik për të shkruar si në arabisht ashtu dhe në romance për shkrime të konsumit të brendshëm, si dhe përfshinë fjalor dhe madje disa struktura gramatikore të gjuhës hebraike. Ndërkaq, ndërsa ekziston në përdorimet gjuhësore hebraike një gjurmë e qartë e traditës së saj kulturore dhe fetare, është e lehtë të vërehet gjithashtu ana tjetër e monedhës ku bëhet i qartë pranimi dhe përshtatja e saj me mjedisin kulturor dhe gjuhësor. Kjo dukuri e fundit qe shumë më e theksuar në mjedisin e kulturës arabo-islamike, që hebrenjtë e asimiluan dhe e përshtatën me traditën e tyre duke i dhënë jetë apogjeut letrar që e njohim si Edad de Oro, si koha e artë e letërsisë.

1. Thënie të qarta shfaqen në vargjet e mëposhtme: Kurani 16:103, 26:198, 41:44  
2. Proceset e ndryshimeve alfabetike janë studiuar nga Hans H.Wellisch, The conversation of scripts, its nature, history and utilisation (New York, c1978)
3. J. Fisherman, “The Sociology oj Jewish Languages from a General Sociolinguistic. Point of View”, en Readings of Sociology of Jewish Languages. Joshua Fishman (ed) (Leiden: Brill, 1987), f.3-20.  
4. Jeta dhe rrethanat shoqërore e politike të Hasdai ben Shaprut janë përshkruar nga Eliyahu. Ashtor, The Jews of Moslem Spain, vol. 1 (Filadelfia, 1973), 155-227.
5. Shihni studimin hyrës për jetën dhe veprën e tij te Angel Sáenz-Badillos - Judit Targarona, Úžmu'el ha-Nagid. Poemas I: Ngab fusha e betejës: Granadw 1038-1056. Botimi i tekstit hebraik, hyrje, përkthim dhe shënime (Kordovë, 1988)
6. Citat i Ibn Hayyan, i përcjellë nga Lisan al-Din ibn al-Jatib, al-Ihata fi ajbar Garnata, bot. Muhammad Abd Allah Inan (Kairo 1973-1977), vëll. I, f.446-447. 
7. Marrë citati nga përkthimi anglisht i Israel Abrahams, Hebrew ethical wills (Filadelfia, 1926).
8. Mbi hebraishten-arabe dhe karakteristikat e saj gjuhësore, shih María Ángeles Gallego, hebraishtja-arabe mesjetare. Botimi, përkthimi dhe studimi gjuhësor i Kitab al-taswi'a i gramaticienit andaluz Yonah ibn Ganah, (Bernë, 2006), f. 17-47. 
9. Mbi lindjen e gramatikës hebraike dhe gramaticienët hebrenj të al-Andalus, shihni A. Sáenz-Badillos - J. Targarona Borrás, Gramaticienët hebrenj të al-Andalus (shek. X-XII) (Kordovë: el Almendro, 1988).
10. Mbi shpërndarjen e funksioneve të gjuhëve të ndryshme të përdorura nga hebrenjtë në al-Andalus dhe në Spanjën e krishterë, shihni M. A. Gallego, "The languages of medieval Iberia and their religious dimension". Medieval Jewish, Christian and Muslim Culture Encounters in Confluence and Dialogue, 9,1 (2003), f. 107-139
11. Domethënë, refuzimi i Badisit për të dorëzuar vezirin e tij hebré.
12. Marr përkthimin e kësaj poeme të Sáenz-Badillos -Targarona Borrás, Poemas I, f.6-7
13. Citatet biblike në kllapa katrore janë shtesë e autores.
14. Sáenz-Badillos -Targarona Borrás, Poemas I, f. 8.
15. Moše ibn 'Ezra, Kitab al-muhadara wal-mudakara, botim dhe përkthim i Montserrat Abumalham Mas, vēll. II, (Madrid, 1986). f.72.
16. Ibid. f. 72.
17. S. Sela, "Abraham bar Hiyya's astrological work and thought". Jewish Studies Quarterly 13, 2 (2006), f. 128-158.
18. Disa studime të përgjithshme janë si më poshtë: 1. M. Hassan, "Spanjishtja sefardi (hebraishtja spanjolle, ladino)", në Gjuha spanjolle, sot, botimet M. Seco and G. Salvador (Madrid: Fondacioni Juan March, 1995), 117-40; D. M. Bunis, "The Language of the Sephardim: A Historical Overview," en Moreshet Sepharad: The Sephardi Legacy, vëll. 2, bot. H. Bernart (Jerusalem: Mag-nes, 1992) 92-126; M. Lazar (1971), Ladino, Enciklopedia Hebraike. Jerusalém: Keter, vëll. 10, f. 1342-50. 

Fragmenti është shkëputur nga libri "Arbëria - Sefaradi: në pasqyrën e tjetrit", botim i Agjencisë Spanjolle të Bashkëpunimit Ndërkombëtar.

Comments

Submitted by Aqif (not verified) on

Pergezime Redaksise per kete shkrim.
Dy here kam vizutuar Seville, Grenada dhe Cordoba
Me cudit fakti se sa intelegjent dhe madheshtore kane qene arkitektet arab te asaj kohe, pikturat dhe ndertimet e xhamive dhe te pallateve jane sikur te jene printuat ne 3D me kompjuter.

Sot, debilizmi Saudit vehabist e ka zhytur pothuajse boten sunite te gjithe ne mjerim, kur vjen tek qasja e mendimit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.