Pamundësia për të ëndërruar (kundër hegjemonisë)

Postuar në 31 Korrik, 2011 03:55
Arbër Zaimi

Ndërsa zhvillimi teknologjik ka bërë që mass-media, përcjellësi që lidh botët e brendshme të kujtdo me shumëkënd të evoluojë prej shtypshkrimit te fotografia bardh-e-zi, e më pas te ajo me ngjyra, pastaj te zëri nëpër radio, pamja në lëvizje (video), e gjer te tre dimensionet që mund t’i shohim në kinema – me aftësinë tonë për të ëndërruar ka ngjarë e kundërta. Dikur ëndërrat duket se kishin më shumë ngjyra, më shumë dinamikë e i qaseshin më tepër realitetit, ndërsa sot duket se ëndërrohen ëndërra të printuara në seri, si bartëse të një propagande të hapur, të thjeshtë e naïve, sepse të pandërgjegjshme. Duket sikur jemi në gjendje të ëndërrojmë vetëm kitsch, për të përdorur një këndvështrim interesant që dikur Walter Benjamin ua hodhi shoqërive të përparuara teknologjikisht.

Sot, kur një ideologji fondamentaliste e tregut dominon gjithë globin, ndërkohë që besohet pa skepticizëm e dyshim në “një dorë të padukshme”, ndërsa nuk hezitojmë t’i japim gjithçkaje një vlerë këmbimi (gjer edhe pasionit, idealit, besimit, besnikërisë, dijes, miqësisë e solidaritetit) ëndrrat e individit dhe të shoqërisë duken të tredhura. Janë kryesisht ëndrra hedonistësh konsumistë, që duan të kenë pará, duan të kenë njerëz nën hyqëm, të kenë prona materiale si shtëpitë a makinat, jomateriale si statusi social (ofiqet shkencore), apo njerëzore (të kenë në dispozicion partnerët më sexy, më fit, më fun dhe më smart që ofron tregu).

Kjo paaftësi për të ëndërruar nuk përjetohet fshehurazi e me turp, përkundrazi përbën një vlerë të trupëzueshme, për të cilën mund edhe të mburresh publikisht. Gjer edhe ata që duhet t’i japin shkëndijën nistore ëndrrave, pra të përkundërtit e aktualitetit – opozitarët, edhe ata gjenden po aq të gëlltitur në veshtullinë e përgjithshme (nuk e kam fjalën për afaristët apo pronarët, sepse nuk jam as i pari as i fundit që e them, po secili afarist e secili pronar është pushteti, e në thelb e ka të pamundur të jetë opozitar)

Fjala vjen, le të shohim ç’thotë Edi Rama në një intervistë të publikuar ditët e fundit në ‘Shekulli’: “…[a]lternativa që vendi do prej nesh nuk është ideologjike, po pragmatiste, një alternativë zgjidhjesh për problemet e rënda të vendit dhe jo dogmash që kanë vdekur bashkë me ideologjitë”. Rama pra beson se nuk ka më vend për dallime ideologjike mes forcave, ai beson se i vetmi realitet i mundshëm është liberal-demokracia kulturore dhe neoliberalizmi ekonomik. Me sa duket, nuk është shumë i update-uar me debatin politik që ka përfshirë tash sa vjet filozofë, sociologë, ekonomistë e politologë anekënd botës. Mirëpo Edi Rama natyrisht që nuk përfaqëson gjithë opozitën, as atë zyrtare.

Brenda në PS ka figura të tjera politike që do të mund të artikulonin atë që Rama refuzon ta shohë. Psh. ç’thotë Pandeli Majko, në një intervistë të gjatë të dhënë në “Shqip”, ku ndër të tjera merr përsipër të hedhë poshtë Marx-in me një të rënë të kalemit, me të njëjtin vullnet që një shok i imi i shkollës në vitin e parë gjimnaz rrekej të vërtetonte gabim ligjin e Bohr-it? Majko thotë: “[N]uk besoj se do bëjmë “zbulime” në këtë kongres. Shoqëria shqiptare është në pikën e ngopjes nga idetë e reja”. E më pas Majko vazhdon të na bindë se si në traditën tonë mbretëron urtësia e maturia, se si nuk bën të zhbëjmë të kaluarën, se si neomarksizmi është i dhunshëm dhe dogmatik (sic!), e të tjera. Natyrisht që Majko di për Marx-in aq sa ç’mund të di unë për aplikimet inxhinjerike, po kjo pak rëndësi ka. Në fjalët e tij dallohet kryekëput interesi që “të ndryshohet gjithçka me kusht që gjithçka të qëndrojë njësoj”. Përshtypje të ngjashme lë edhe leximi i propozimeve të socialistit kritik (ndaj Ramës) Arben Malajt. Malaj kryesisht duket i shqetësuar për shpërndarjen e pushtetit brenda në PS, për kapacitetin angazhues në institucione edhe jashtë, po edhe ai duket i ngjitur pas parimeve të pranuara “botërisht” nga kushdo. As ky ekonomist i diplomuar në Harvard nuk duket si përcjellës i debatit teorik, qoftë dhe në fushën e vet, fjala vjen teoritë e ekonomisë zhvillimore të Ha Joon Chang-ut, apo nobelistin Stiglitz që në mes të SHBA-së antikomuniste e titullon artikullin e tij të fundit “Kriza ideologjike e Kapitalizmit Perëndimor”, e që nuk heziton të kritikojë dhe Obamën dhe ersatz-kapitalizmin e krijuar prej të majtës së kastruar, që privatizon fitimet dhe nacionalizon humbjet. Stiglitz nuk është i vetmi nobelist modern që e mendon ngjashëm… Gjer edhe institucionet mainstream të politikës e ekonomisë globale, FMN dhe Banka Botërore duket se po reflektojnë mbi gabimet që kanë bërë në ngritjen e ideologjisë së tregut total kohët e fundit, por ne jo. Duket se bëhet aktuale shakaja ironike e Blendi Kajsiut – edhe bar do të hamë, edhe parimet e tregut të lirë s’kemi për t’i shkelur!…

Mos ndoshta kërkoj aty ku s’duhet fuqinë për të ëndërruar politikisht? Mos vallë PS-ja, ashtu si dhe PD-ja ka për objektiv vetëm pushtetin, e s’kanë as interes as nge të merren me diskutime, kritika e teori? Le të kërkojmë gjetiu, te mendimi i lirë, te analistët kritikë. Nuk dua të merrem me ata që kritikojnë Ramën se pse s’është aq i paskrupullt sa Berisha, pse s’vret e prêt, e pse nuk e merr Metën që të fitojë. Për mua, ata që bëjnë të këtilla analiza janë antiberishistë të zëshëm, por berishistë të fshehur, barriera të zhvillimit e shpeshherë sharlatanë të ndërgjegjshëm.

Le të marrim analistin që respektoj më tepër, Fatos Lubonjën, një njeri i pakomprometuar në idetë e bindjet e veta, analist që ende lexon teori. Në shkrimin e tij “Nga na vjen ‘gjeni’ vetëshkatërrues” Lubonja ndër të tjera shkruan: “…[d]uhet ngjizja e një fryme të re, që do të bënte që ajo që është e rëndësishme për komunitetin, të jetë në harmoni me atë që është e rëndësishme për individin e jo në kundërshti. Si të arrihet kjo pa rënë në lëvizje komuniste apo nacionaliste të cilat, siç ka treguar historia, kur kanë marrë përsipër të bëhen garant të interesave të komunitetit, kanë shkatërruar interesat e individit?”. Lubonja ngjan tepër i merakosur për “privaten” apo për individualen. Aq i merakosur, sa që nuk e vë re se gjendemi në një regjim ku idiosinkracia e privatit sundon, në një regjim total që qeveriset prej kultit të individuales (që është ndryshe nga kulti i individit, po jo edhe aq ndryshe). Edhe Lubonja ka frikë nga ëndrrat, frikë e injektuar prej një diskursi imponues kulturalist. Ai thotë se s’bën të jesh nacionalist – ndërkohë që pa atdhe, pra pa territor material, ekonomik, kulturor e qytetar as që mund të ketë politikë (as të majtë e as të djathtë) e as që mund të ketë liri. Ai thotë se s’bën të jesh komunist, se komunizmi shuan individualen – siç ka treguar historia – ndërkohë që ideja e së përbashkëtës, apo e commune-s, respublica-s apo e polis-it janë idetë e vetme filozofike për të cilat ia ka vlejtur të angazhohesh, gjatë gjithë historisë. Ka një problem logjik te argumenti historik i Lubonjës, kur thotë që dy tezat janë provuar si të tmerrshme e të pasakta në të shkuarën. Ai e di mirë që gjithçka në të shkuarën e njerëzimit, është provuar si e tmerrshme dhe e pasaktë, po të gjykosh ashtu (a posteriori). Edhe krishterimi, edhe ateizmi, edhe eurocentrizmi, edhe kozmopolitizmi, edhe pacifizmi… etj. Madje dhe anti-ideologjizmi si ideologji e re sunduese. Por na lidh fjala e Beckett-it: “Failed once, fail again, fail better!”. S’do të duhej të kish as komunitete, as njerëz hiç po t’i tuteshim dështimeve të shkuara.

Ekstrem i mainstream-it

Anders Breivik, shkruante se ishte kundër nazizmit, kundër komunizmit e kundër islamizmit (tingëllon ngjashëm me anti-izmat e ideologjisë së sotme). Ishte edhe kundër racizmit, pro-izraelit dhe anti-palestinez. E përshkruante veten si kulturalisht konservator (pra të ruajmë këtë që kemi, se mund të bëhet më keq), dhe ekonomikisht liberal (dora e padukshme e tregut – pavarësisht krimeve të saj të dukshme). Breivik ishte përfaqësues i mainstream-ideologjisë, asaj që e sheh çdo lloj ëndërrimi për të ardhmen si të rrezikshëm e të kundërshtueshëm. As ai nuk ishte në gjendje të ëndërronte. Prandaj nuk u gjente dot zgjidhje problemeve që norvegjezët vendas kanë me imigrantët e ardhur, probleme që janë reale e faktike, por që kërkojnë një zgjidhje që e ndryshon realitetin, e jo që operon brenda tij.

Njerëz si Breivik, në gjendje të përgjumur, por të aktivizueshëm lehtë hasen goxha në publikun që pëson mesazhet anti-ëndërruese të ideologjisë hegjemone. Janë ata që e ndjejnë “problemin”, e shohin atë, e urrejnë dhe duan ta luftojnë, po nuk janë në gjendje të imagjinojnë asgjë që të mos jetë e zhyer dhe e zhgërryer në po atë “problem”, janë ata që shohin pas çdo mendimi kritik një "porositës", janë ata që shohin pas secilës protestë një yshtës e pas secilës lëvizje një eminencë gri, që konspiron. Ndoshta realiteti i dikton këto frikëra si aktuale dhe materiale, mirëpo të jemi të qartë që mund të ketë kritikë, protestë e lëvizje dhe pa patur pas zullumin e llumin që ka PD-ja, PS-ja, mediat e ndryshme private, polet e pushtetit ndërkombëtar apo kombëtar, apo dhe individët e suksesshëm të kësaj shoqërie të sëmurë (ia vlen të shtrohet edhe pyetja e Philip Dick: "Cili mbërrin të jetë i suksesshëm në një shoqëri të sëmurë?").

Për të gjetur zgjidhjen na vyen imagjinata dhe aftësia për ta shkëputur veten prej aktuales – por duke qenë gjithnjë realistë – se nëse kridhemi për not në përditshmërinë aktuale e të ideologjizuar, zhytemi e mbytemi e s’kemi për të dalë kurrë.

Comments

Submitted by A.G (not verified) on

Edhe per te enderuar s'mundemi,s'te lene zhurrmat...Endrrat s'qenkan me per te gjallet...

Submitted by Iskra (not verified) on

Autori nuk e ka keq, dhe nuk e ka per endrra te lizes ne boten e cudirave. Ai thjesht thote qe politika ka per detyre qe te ngjalle perspektiva per te ardhmen, perspektiva qe jane pak me njerezore dhe shpresedhenese se sa thjesht "shporrja e berishes". Me sa duket, Arbri mendon se keto perspektiva duhet te jene ne thelb ekonomike, duhet te shkundin e te trazojne pushtetin e "pronareve". Me pelqen fakti qe nuk le pa permendur atdheun, qe eshte me i rendesishem se gjithcka, se eshte themel i gjithckaje.
Me duket me kembe ne toke si shkrim, gjynah qe s'eshte ne politike ky djale (po marr te mireqene faktin qe nuk zhgenjen edhe ky si te tjeret, jo se nuk eshte e mundur, po se jam e lodhur duke mos pasur shprese tek asnjeri). Megjithse, ndoshta me mire keshtu, do humbiste shume po te ishte ne PS, me kete fare PSje qe kemi, se PD as qe behet fjale.

Submitted by ledio (not verified) on

c'eshte kjo pa lidhje, nga rama te majko te malaj te lubonja te breivik. pershesh.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.