Një "analist" dhe një "socialist" për të sqaruar pse opozita duhet mbajtur jashtë reformës zgjedhore

Postuar në 20 Janar, 2024 15:35

Në një opinion të publikuar dje nën autorësinë e dikujt që prezantohet si analist studiove televizive, thuhej se pjesëmarrja e opozitës së Sali Berishës në komisionin e reformës zgjedhore është e kushtëzuar nga faktori ndërkombëtar. Madje madje, ky analist që ka pamje shumë serioze, më serioze sesa tranzicioni shqiptar, thoshte se çështja e reformës zgjedhore është diplomatike, formimi i komisionit përkatës nuk ka vlerë politike dhe ligjore. Se kështu ka qenë madje gjithë kohës.

Sot është shfaqur një tjetër penë e rëndë për këtë temë. Toni Gogu i Partisë Socialiste, në profilin e të cilit në LinkedIn thuhet se i takon qendrës së djathtë konservatore. Pavarësisht kakofonisë së këmborave që tund njëri apo tjetri, mund të veçohet kjo nga ato që thotë z. Gogu:

Duhet të jemi të qartë! Papafingua nuk po bën betejë për reformën zgjedhore! Beteja e gjelave të opozitës bëhet jo për votimin në komisionin e reformës! Eshtë betejë mes tyre se cili do administrojë të drejtën e vetos që gëzojnë bashkëkryetarët e Komisionit.

Qëllimi është bllokimi, jo reforma! Çfarë presin gjelat e opozitës? Që Rama të verë në dispozicion votat e maxhorancës duke zgjedhur që t'i dhurojë të drejtën e bllokimit ndonjërit prej Papafingove të opozitës?

Eshtë e njëjta kulturë bllokuese tek të 2 grupet. Njëri grup kujton se po përdor muskujt dhe tjetri kujton se po përdor trurin kur abstenon pasi ka thirrur mbledhjen. Ne socialistet në këtë histori nuk i ndihmojmë dot

Pra z. Gogu flet këtu si socialist, në emër të socialistëve dhe i dërgon mesazhe opozitës së Berishës në kredenciale të larta përfaqësimi. Se me nder shekullit ku jetojmë, të jesh socialist qenka vlerë e madhe sot. Por ne dimë edhe se z. Gogu është një askush, një hiç politik, një zero ndër zerot e shumta në Grupin Parlamentar të Partisë Socialistë, llapës të kurdisur politikë që nuk thonë asgjë në politikën shqiptare. Në vendimmarrjen reale. E di edhe vetë z. Gogu këtë gjë, sikundër e di edhe ai analisti serioz shumë se brroçkullat që lëshon se në reformën zgjedhore Rithemelimin e bllokon Amerika nuk ngrenë peshë në asnjë kandar.

Reforma zgjedhore bëhet për rregullat e lojës në zgjedhje mes palëve që marrin pjesë në zgjedhje. Rithemelimi, pavarësisht se Sali Berisha duhet të kishte mbathur opingat e të ikte tashmë, mori më shumë vota nga të gjitha subjektet e opozitës në zgjedhjet e fundit dhe të deklarosh sot se ky realitet nuk ekziston, këtë vetëm një person me emrin Toni Gogu mund ta thotë. Ose ky analisti diplomatik.

Reforma zgjedhore është bërë përherë keq. Po kjo është e vërtetë. Dhe fakti që ka ndryshuar sa herë kanë mbaruar zgjedhjet e provon këtë gjë. Por kjo është njëra anë e problemit. Dhe asgjë nuk I jep të drejtë një shumice që të imponojë rregullat e lojës pa marrëveshje me palën kundërshtare. Dhe palë nuk të bën vula e mbajtur pa gjyq e pa gjykim, sikundër nuk të bën analist as dalja në ekran, as edhe politikan hyrja në Parlament me meritën e vetme se dikur hyre në rrezen e tekave të Edi Ramës.

Është një lloj takëmi këtu në këtë vend që e bind edhe veten shumë shpejt se duhet të mendojë si i thonë. Këtu hyn edhe z. Gogu mesa duket, që shkruan qesim në një tagër që as e ka e as i hyn kujt në punë. Thjesht dhe vetëm në hosananë e radhës për shefin e vet. Është e udhës, edhe si njeri i fesë që thonë se është, që zotëria të kujtohet dikur se heshtja është pasuri. Nuk ka nevojë ky vend as për helmin e fëlliqësirave që i ka me shumicë dhe kanë pushtetin, as të hiçmosgjëve fjala e të cilëve zhurmon po nuk thotë asgjë.

s.zaimi

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Gogu thote te verteten. Opozita nuk i fiton zgjedhjet ne ate situate ku ndodhet. Atyre vertet nuk u intereson fare-po fare reforma zgjedhore. Asnjerit prej tyre. As Sales as Bashes.Problemi eshte kush do kapi ekranet e televizoreve. Ata jane mjaftueshem te mencur per ta kuptuar se nuk jane alternative serioze dhe nuk perbejne problem per poziten as te ndare dhe as bashke. Duan thjesht te jene faktore. Dhe faktor eshte kush perfaqeson opozitenDhe per kete kane marre mesime nga mjeshtri i diktatit Saliu, i cili nuk e ka care koken kurre dhe as sot nuk i rref nese pd do te jete ndonjehere maxhorance. E rendesishme eshte ta kete nen hyqem qe te behet faktor politik. Kete po ben edhe Luli si cun i mire qe eshte.

Submitted by redaksia on

Dhe keta ndaj nuk e perfshijne Opoziten e Saliut, sepse i kane lexuar qellimet?! Po vula e Alibeajt cfare eshte? 

Submitted by Anonymous (not verified) on

"Se me nder shekullit ku jetojmë, të jesh socialist qenka vlerë e madhe sot. Por ne dimë edhe se z. Gogu është një askush, një hiç politik, një zero ndër zerot e shumta në Grupin Parlamentar të Partisë Socialistë, llapës të kurdisur politikë që nuk thonë asgjë në politikën shqiptare. Më vendimmarrjen reale."
Po te mos ishte i rendesishem pse e ke marre me kaq yrysh. Mos ja var. Nuk e meriton vemendjen tuaj.

Submitted by redaksia on

I tha njehere Edi Rama juaj Astrit Patozit ne nje takim: Astrit ti mendon se je vertet kryetar i Grupit Parlamentar te PD-se? Tani nuk beson kush se Edi Lideri ia tha kete z. Patozi se e mendonte te rendesishem. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.