Keqpërdorimi i një shkrimtari

Postuar në 18 Nëntor, 2023 21:09

Gazeta «Tema» tregton sot në faqen online një fragment nga panairi i librit ku «protagonist» është shkrimtari Ismail Kadare. Në të vërtetë e shoqja, Helena Kadare, ka bërë zëdhënësen e tij duke bërë këtë koment.

Absolutisht e sigurtë, për mua këtë optimizëm ma ka dhënë përherë Ismaili, sepse gjatë gjithë kohës më thotë se Shqipëria po jeton vitet më të mira të saj. Edhe pse i numëroj gjërat që nuk shkojnë, po kjo, po kjo? Pavarësisht nga këto ai ka ngulur gjithnjë këmbë për këtë, që jemi në kohën më të mirë, asnjëherë Shqipëria nuk ka qenë në një pozicion kaq të favorshëm ndaj botës

Këtë koment, mes disa të tillëve, gazeta e ka nxjerrë me titull kryesor të «lajmit» duke tentuar të sugjestionojë me një pohim të cilin ia kemi dëgjuar ta shprehë edhe kryeministri Edi Rama. 

Mund të kuptojmë sesi gazeta këtu shpërdoron një koment të Kadaresë për qëllime të tjera, ndërkohë që perspekiva e njërit dhe tjetrit dallon. Dhe cilësisht madje. 
E vërtetë, Shqipëria gëzon sot një pozitë të mirë ndërkombëtare, por në Perëndim. E krahasueshme me pozitn e saj në kohën e raporteve me BS-në, ndonëse ne sot po konsumojmë iluzionin politik se jemi në familjen tonë.

Perspektiva dallon sepse një shkrimtar mundet të deklarojë dhe vlerësojë si sukses pozitën tonë tani, pasi këtu vepron pretendimi programor i Rilindjes Kombëtare, shndërruar në ankth kombëtar, e që është Rikthimi në Europë. Por për një kryeministër hyjnë në ekuacion konsiderata të tjera, pasi fusha e përgjegjësisë është e ndryshme. 

A janë sot shqiptarët më mirë se kurdoherë tjetër ? A është Shqipëria vendi i ambicieve të tyre, i së ardhmes, vendi që më në fund është i tyri ? 

Si ta bëjmë bashkë këtë paradoks të një vendi të suksesshëm por vështirë të jetueshëm, veçse nëse nuk shqyrtojmë keqqeverisjen ? Padrejtësinë dhe pafuqinë e një njeriu të zakonshëm përkundrejt pushtetit ? Të jemi të sinqertë : Edi Rama nuk është diktator, as autokrat. Por ai ka dëshmuar se ambicien për ndryshim që deklamonte e kishte ambicie për pushtet, e më tej në ngasje për paranë publike ku korr e shin enturazhi i tij.

Shqipëria është një vend që nuk ka as shpresë politike pse opozita është tashmë shqipja dykrenore e korrupsionit i cili po gërryen një brez të tërë. Është kjo arsyeja pse janë kaq të dobishme huazimet e këtilla si këto të Kadaresë edhe pse shkrimtari është njëfarësoj bashkëfajtor kur konformon publikisht pikëpamjet e veta me ato të pushtetit. 

s.zaimi

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

O vlla duhen zhduk gjith kto komunistat me edi qypin ne krye. Populli po vdes per buke. Rrofte sal Berisha.

Submitted by Pizzicato (not verified) on

… këtu vepron pretendimi programor i Rilindjes, shndërruar në ankth kombëtar, e që është Rikthimi në Europë.
Mos i jepni Rilindjes merita qe nuk i takojne, ndonese Rama do i pranonte me kenaqesi edhe po ia quajtet pretendimi. Ai qe ju e quani , ankth kombetar i rikthimit ne Europe, misheruar edhe ne opusin e Kadarese, eshte shprehur qe ne thirrjet e kahershme te levizjes studentore te dhjetorit 1990 me parrullen „E duam Shqiperine si gjithe Europa“ dhe afrimi dhe integrimi europian ka qene objektivi i shpallur ne programet e te gjitha qeverive te mepasme. E meqe Europen ketu e gjetiu e identifikojne me Perendimin nje pozite e mire e vendit sot, qofte edhe e supozuar, do na clironte sadopak edhe nga ky ankth kombetar.

Submitted by esati (not verified) on

Autori mendon se Rama nuk eshte autokrat. Veshtire te kuptohet cfare definicioni perdor ai per autokracine. Nese ka nje problem me qeverisjet shqiptare ne keto vite eshte autokracia e shemtuar dhe vendimmarrja nga nje kryetar a president, pa pjesemarrjen e aktoreve tjeter normale te demokracise.

Submitted by redaksia on

Ke te drejte, por edhe jo. Mendoj une. Demokracia eshte pjesemarrje dhe angazhim. Kemi te gjithe dyshime sa e kemi ne te gjithe kete virtyt te domosdoshem. Ne fund te fundit parimi i kontrollit dhe balancimit eshte bere pikerisht pse njeriu ka ngasjen e pushtetit. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.