Një këndvështrim matematikor i rezultatit të zgjedhjeve të 14 majit

Postuar në 23 Maj, 2023 18:22
Arsen Zlatiçanin – Universiteti i Shkodrës

 

Përtej këndvështrimeve politike të rezultateve të zgjedhjeve lokale të 14 majit të cilat kanë edhe karakter relativ, këndvështrimi matematik jep disa konkluzione me karakter më absolut dhe më të qëndrueshëm në lidhje me rezultatin e tyre. Analizën e rezultatit të zgjedhjeve të 14 majit do ta bazoj në dy pika;  pari mbi dobësinë e rezultatit në vota në çdo qendër votimi përballë efektit të nenit 162 të Kodit Zgjedhor, i cili relativizon mjaft votën e zgjedhësve dhe dyti një konstatim mbi shpërndarjen e votave të partisë Socialdemokrate e cila dhuroi një rezultat spektakolar jo vetëm në qarkun e Shkodrës por edhe në mjaft zona të tjera të Shqipërisë.

Neni 162 i Kodit Zgjedhor përcakton formulën e D’Hondt për shpërndarjen e mandateve për subjektet politike që konkurojnë në zgjedhje (lokale apo parlamentare). Kjo formulë ka një veti matematikore që dy apo më tepër subjekte konkuruese kur konkurojnë më vete marrin më pak ose njësoj mandate sesa kur i bashkojnë votat e tyre. Pra edhe teorikisht ndarja e votave mund të kontribuojë vetëm në zvogëlimin e numrit të mandateve për subjektet konkuruese të një spektri politik. Dy tabelat e mëposhtme që bazohen në rezultatin e zgjedhjeve të 14 majit e ilustrojnë këtë:

Nga tabela.1 vërejmë se Partia Socialiste do të ketë 754 këshilltarë në këshillat bashkiakë në rang vendi ndërsa partitë e djathta 617 këshilltarë gjithsejt. Nga tabela.2 në rastin e unifikimit të votave të djathta vërejmë që Partia Socialiste do të kishte 671 këshilltarë në këshillat bashkiakë në rang vendi ndërsa partitë e djathta 773 këshilltarë gjithësej. Ky ndryshim drastik nuk është aspak në ndikimin e votave të zgjedhësve por vetëm pasojë e nenit 162 të Kodit Zgjedhor. Normalisht që kombinime me partitë mund të bëhen në shumë mënyra, por tek rastet e shqyrtuara dua të theksoj dominimin që ka sistemi zgjedhor në raport me vullnetin e zgjedhësve dhe se sa shumë e relativizon atë.

Për të përforcuar këtë konkluzion, me rezultatin e zgjedhjeve të lokale të 14 majit, do të marr rastin sikur këto zgjedhje të ishin parlamentare.

Nga dy tabelat e mësipërme vërejmë që vetëm në varësi të konfiguracionit të subjekteve politike lëvizja në mandate është e madhe. Nga tabela 3 kemi që në rastin e zgjedhjeve parlamentare PS+PSD do kishin nje fitore me 93 - 47 me të djathtën e përçarë, ndërsa në rastin e unifikimit të votave të së djathtës (tabela.4) , PS+PSD do kishin fitore minimale 71-69 me të djathtën e bashkuar. Ndërkohë, votat e zgjedhësve në çdo qendër votimi nuk ndryshojnë aspak.

Si matematicien mendoj që hartuesit e Kodit Zgjedhor duhet të kishin patur më tepër parasysh efektin e çdo vote në mandate dhe jo “lojërat politike” të partive ashtu që ata të arrijnë objektivat e tyre në zgjedhje duke neglizhuar vullnetin e mijëra apo edhe dhjetëra mijëra votave. Dhe kjo vetëm si pasojë e neneve të kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor që e lejojnë këtë mundësi.

Në lidhje me pjesën e dytë të artikullit në zgjedhjet e 14 majit, përshtypje të veçantë bën rezultati i Partisë Socialdemokrate. Kjo parti në qarkun e Shkodrës pati rezultat impresionues, madje jo vetëm në Shkodër, por edhe në disa qarqe të tjera të vendit arriti sukses të veçantë. Me 86 284 vota apo 6.42% të votave të vlefshme kjo parti rriti në mënyrë të ndjeshme rezultatin prej 35 745 votash apo 2.25% të votave të vlefshme nga zgjedhjet e vitit 2021. Më detajisht kemi rezultatin e partisë Socialdemokrate nëpër qarqet e vendit.

Por po të shihet mbeshtetja e PSD nëpër qendrat e votimit që ndodhen afër njëra tjetrës brenda një njësie administrative, bën përshtypje shpërndarja e votave. Rezultatet jane mjaft ndryshe edhe pse qendrat ndodhen afër njëra tjetrës. Një përshkrim për këtë e bën tabela e mëposhtme për lagjen “Ndoc Mazi” në qytetin e Shkodrës :

Ky fenomen nuk ndodh vetëm në ndonjë zonë të izoluar, por është i përhapur në një numër të madh të zonave në të gjithë vendin. Për të treguar këtë fenomen, grafiku i mëposhtëm paraqet dispersionin e përqindjeve të votave për Partinë Socialdemokrate në çdo njësi administrative të vendit.

Aty ku dispersioni është i madh kemi luhatje të forta të votave për PSD. Për shembull po te marrim njësinë administrative Katundi i Ri në bashkinë e Durrësit, kemi qendra votimi me afro 400 vota të vlefshme ku PSD ka marrë 63.3% të votave (në vitin 2021 PSD në këtë qëndër votimi kishte vetëm 0.2% të votave) dhe ka qëndra votimi me afro 300 vota të vlefshme ku PSD merr diku 2% të votave. Ky fenomen ndodh aty ku dispersioni i përqindjeve të votave për PSD është i lartë, siç mund të shihet nga grafiku.2.

Në ato njësi administrative ku dispersioni është më i ulët nuk është se PSD ka stabilitet votash në qendrat e votimit, por ka përqindje të ulët votash prandaj edhe dispersionin e ka të ulët. Jo vetëm që nëpër njësi administrative PSD ka luhatje të forta votash por nuk ka as konsistencë me zgjedhjet e vitit 2021. Pra popullariteti i PSD është rritur në mënyrë kaotike nëpër qëndrat e votimit pothuaj kudo. Ky fenomen ka ndodhur deri diku (ndoshta në një masë më të vogël) edhe me Lëvizjen Socialiste për Integrim në zgjedhjet e viteve të kaluara. (shiko http://www.respublica.al/2017/08/01/nga-supermazhoranca-e-vjet%C3%ABr-te...).

Përshkrimi i mësipërm mendoj se mjafton për të konstatuar problemin më një artikull edhe pse për efekt të plotë mund te paraqisja qindra qendra votimi me rezultate statistikisht kaotike.

Gjithsesi, dikush mund të akuzojë subjektet politike për blerje votash apo presione lokale nga strukturat partiake, dikush për individualitet ekstrem të votuesve apo veçori të zgjedhesve tanë që nuk vërehen në statistikat zgjedhore të vendeve tjera. Pa bërë aludime mbi faktet e paraqitura më sipër, si matematicien theksoj që nuk është çudi që sondazhet e kompanive prestigjioze gabuan rëndë me parashikimin e rezultateve, sidomos në bashkinë e Shkodrës në veçanti. Sa të kemi rezultate jo logjike të zgjedhjeve, do kemi edhe gabime ekstreme në sondazhe apo në vlerësime paraprake të rezultateve. Ndryshe nga shumë vende tjera, besoj se do kemi surpriza në çdo zgjedhje të ardhshme, sepse e vetmja gjë e parashikueshme do jetë paparashikueshmeria e rezultateve.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Ka nje gabim ne llogaritje qe eshte aq ashiqare sa duhet te besoj se eshte bere kastile. Ne tabelen nr. 4 shperndarja e votave ne total dhe % ka marre ne konsiderate gjithe spektrin e djathte, duke konsideruar te tille LRI dhe PAA etj. Ndersa tek e majta ka marre vetem PSD e PS. Kjo ka cuar ne mosmarrjen ne konsiderate te 6.9% te votave. Nese nuk do ishte kjo menyre llogaritje per zgjedhjet lokale partite e majta do ishin te gjitha ne koalicion.Kjo do conte ne rezultatin final 43 % per te djathten e co. dhe 57% per te majten. Aritmetika nuk eshte opinion. Pas 10 vjetesh konsumimi ne pushtet eshte deshperues ky rezultat.

Submitted by X (not verified) on

Raporti vota per mandat eshte kryesori. Ne qofte se njeres parti i kushton 10 mije vota mandati e tjetres 5 mije vota atehere shihet qe sistemi zgjedhor funksionon keq. Persa i takon Tom Doshit dihet qe ai blen vota diku po e diku jo. Si shume te tjere. Shkurt jemi vend i lodhur, pa orijentim. Ne dore te matrapazeve.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.