Berisha, ky kamikaz me tabletë dixhitale...
Thirrjes së Sali Berishës të së enjtes në Kuvend “Shqiptarë armatosuni!” i parapriu postimi në Facebook-un e tij një ditë më parë. Të mërkurën, pra, ai e nis kështu publikimin e tij: “Më tha një burrë nga katundet e Durrësit se i ka thënë një kushërira e tij...”.
Ja i plotë postimi i tij që rrëfen për një “histori” mbushur me të pëgëra kundër Ministrit të Brendshëm: “Përshëndetje, para 1 muaji më tha një burrë nga katundet e Durrësit. Kushërira e tij punon në konvaleshencë të ministrisë së Brendshme në Durrës si pastruese. Ka pastruar një ditë në mëngjes dhomën e Tahirit në konvaleshencë gjatë verës. Ishte tmerruar. Drogë të vjella shoshe e të dhjera mbush dhoma. I kishin thënë pastro e qepe se të ha dreqi po fole. Ta tregova këtë që ta dish. Kurse një ekip urgjence me doktorë të besueshëm kishin ardhur për ta sjell në vete Tahirin. Një nga mjekët kish marr paralajmërim që pe ç’pe këtu mos fol.”
A duhet t’i besojmë kësaj historie që shkruan Sali Berisha? A mund t’i besohet dikujt, qoftë ai edhe ish president apo ish kryeministër, që e nis fjalën e tij me: “Më tha… se i ka thënë”? Në këtë rast kemi të bëjmë me një thashethem të pastër dhe për këtë fjalë, Fjalori i shqipes jep këtë shpjegim:“THASHETHEME - Fjalë të pathemelta, zakonisht të këqija, për dikë a për diçka, që pëshpëriten e përhapen nga njerëz llafazanë e shpirtvegjël, të cilët marrin nëpër gojë të tjerët për t'i njollosur dhe nuk e kanë ndjenjën e përgjegjësisë.” Dhe po aty: “THASHETHEMEXHI - Ai që merret me thashetheme, njeri i thashethemeve. Thashethemexhinjtë fshihen si minjtë.”
Por, problemi nuk qëndron vetëm në atë nëse duhet besuar apo jo një thashethem. Le të themi ç’të duam ne, njerëz të prirur për t’i përfillur si 100% të vërteta ato, ka pasur e do të ketë gjithmonë. Unë mendoj se ia vlen që të ndalem dhe të shpjegoj gjuhësisht anën kriminale të tyre dhe rrezikshmërinë e personit që i fabrikon. Sidomos kur ato publikohen pa kurrfarë hezitimi nga njerëz që kanë audiencë maksimale si Sali Berisha. Do të përpiqem pra të shpjegoj gjuhësisht pse thashethemi i së mërkurës në Facebook-un e tij është më i rrezikshëm nga thirrja antikushtetues e së enjtes “Shqiptarë armatosuni!”. Prej këtej do të kuptojmë edhe pse ajo i parapriu një ditë më parë asaj...
***
Kujtdo i ka rënë në sy, se jo vetëm në postimet e tij në Facebook, por edhe gjatë ligjërimeve të tij publike në foltoren e Parlamentit apo para kamerave, Sali Berisha përdor shumë shpesh foljen: “Më kanë thënë”. Gjithashtu, duke folur për çështje të ndryshme, jo rrallë, fut në mes edhe këto shprehje: “Po, po. Poo. Ja! Ja ku ua them unë juve këtë!.. Mos u çuditni hiç juve!” Ky pohim i beftë, që ndodh mes ligjërimit të tij pa e pyetur kush, në vështrim të parë, duket se nuk ka asnjë lidhje. Vetëm në vështrim të parë ama, se një rol jo vetëm stilistik, ato fjalë e kanë. Ato, si të gjitha “fjalët parazite” si psh: “kupton apo jo”, “domethënë”, “që thua ti”, etj, i shërbejnë folësit për të lidhur mendimet, kur ai e ka të vështirë për të vijuar kumtimin në mënyrë të rrjedhshme. Ky ves stilistikor, përdorimi i “fjalëve parazite” prek edhe njerëz të kulturuar kur bisedojnë ose tregojnë me emocion një ngjarje me histori disi të ndërlikuar, të pabesueshme për dëgjuesin. Por veç kur bisedojnë ama. Nëpër foltore publike përdorimi i tyre është kurdoherë i papranueshëm. Ndërsa fjalët: “Po, po. Poo. Ja! Ja ku ua them unë juve këtë!.. Pritni! Mos u çuditni hiç juve!” nuk janë “fjalë parazite”. Ato dëshmojnë për një logjikë të paqartë dhe të çakorduar të folësit dhe kanë për synim diçka më shumë se një funksion thjesht gramatikor. Ato shërbejnë si mjete lidhëse për të shitur si të vërtetë një dëshmi, që kumtuesi Sali Berisha në këtë rast, do ta servirë si të tillë përpara dëgjuesve. Por, ai vetë, e ka me të dëgjuar. Gjithmonë e ka me të dëgjuar, se në çdo rast atij ia kanë thënë të tjerë, që edhe atyre ua kanë thënë ca të tjerë. Rastin, kur denoncimin atij ia ka thënë drejtpërdrejt një “dëshmitar okular” nuk egziston as tek “njeriu dixhital”. Pra, Sali Berishës, i takon merita se, me kontributin e tij në dixhitalizimin e thashethemit, pasuroi stilistikën e shqipes. Prej tij dhe askujt tjetër, kemi sot termin e ri që duhet ta studiojë stilistika jonë: “Thashethemi dixhital”. Kjo emërtesë e re linguistike ka në vetvete dy leksema: “Thashethemi” dhe “dixhital”.
Siç vihet re, e para buron prej një stili të rëndomtë bisedor ndërsa e dyta, “dixhital”, marrë nga fusha e teknologjisë. Vetëm një njeri si Sali Berisha ka mundur që t’i bëjë bashkë dhe t’i artikulojë gramatikisht “thashethemin” (presupozojmë rastin se ai e ka dëgjuar vërtetë rrugëve dhe nuk është intrigë e vetë atij) me fjalën më të fundit të shkencës, “dixhitalizim”. Dhe kur ndodh që sistemi dixhital, si psh kamera e Artan Hoxhës më 21 janar të 2011-s, ia dekonspiron thashethemin, si në rastin e “çadrave pistoletë” , ka të tjera “fakte”. Fshihet filmimi i serverit të brendshëm të Kryeministrisë se "mjaftojnë" vetëm tabulatet e celularëve të gazetarëve “komplotistë” që jepnin e merrnin me atë “kodosh” President për t’i bërë “puçin”. Por, ndërsa teknologjia e përparuar dhe shpikja e “thashethemit dixhital” i përkasin viteve të fundit, kur shkenca bëri para dhe produktet e saj u futën edhe në Shqipëri, teknologjia e thashethemit u instalua shumë më parë në debatet e politikës sonë.
Është pikërisht Sali Berisha që me teknologjinë kriminale të thashethemit ka 25 vjet që sulmon publikisht kundërshtarët e tij politikë. Po t’i vëresh me kujdes atyre që dëshmon Izet Haxhia, kupton se, thashethemin, këtë armë të rrugës, Sali Berisha e ka kombinuar me intrigën e pastër dhe nuk e ka kursyer edhe ndaj të tijve brenda PD-së. Kështu i dëshmoi pulikisht në sy atij edhe deputeti Erion Braçe një të enjteje në Parlament. Ato dëshmojnë se kemi të bëjmë me një personalitet të çrregulluar me dashje dhe që, po me dashje, i ka ikur pa kthim përgjegjësisë për ato që thotë. Ai nuk ndalet. Ai është ambientuar me ushtrimin e këtij krimi… Që ai është i vetëdijshëm në këto veprime kriminale e dëshmon stilistika e tyre. Stili i thashethemit në gojën e Sali Berishës është gjuhësisht perfekt dhe pikërisht këtu qëndron edhe rreziku më i madh i tyre. Psh, ai, akuzat e tij i nis gjithnjë me pyetjen “A e dini ju more?”. Është gjithmonë folja e vetës së dytë “e dini” që e zhbën, e zhduk logjikisht presupozimin (hamendësimin, dyshimin) dhe e paraqet si të vërtetë të padiskutueshme dëshminë vijuese të kumtuesit. Prandaj ligjërimet e tij të akuzave nisin gjithnjë në formën gramatikisht më djallëzore: “A e dini ju se?..”. …Dhe më tej, njerëzit që e dëgjojnë folësin në fjalë, habiten kur mësojnë se psh: “A e dini ju more zotërinj se “X”, kunati i “Y”, i ndan paratë e krimit me “Z”? Nuk e dini? Por ja! Po, poo. Ja ku ua them unë!”... Pastaj vazhdon në stilin e tij “degë më degë” për të dalë tek kokrra e rrenës së tij të dashur, që, kinse, iu kujtua atë çast.
Është akuza, që ai pa e nxjerrë ende nga goja, në fakt, e di se do t’i lerë gojëhapur dëgjuesit, prandaj dhe nuk harron të ndërkallë brenda edhe fjalinë thirrore: “Mos u çuditni hiç juve!”. Dhe i gjithë ky tip fjalimi publik, befas mbyllet nga fjali të tipit: “Unë ç’është e drejta, për hir të së vërtetës, nuk e di. Unë nuk e njoh personin. Në memorjen time nuk rezulton ta kem takuar ndonjë herë, por mue më kanë thanë…” Pastaj, ajo që më së shumti mbetet në fund të thashethemit dixhital, është ajo që e gjithë bota dëgjon. Është kumti vrastar që futet, mu si një mi i ndyrë, gjer në shtrat: “Po, po. Poo. Mos u çuditni hiç juve! Ja, ja u them unë juve këtë. “X” dhe “Z” bashkë me paratë e krimit ndajnë edhe shtratin... Po, poo.” Bash, për këtë kumt vrastar të thashethemit, që godet padrejtësisht mbi zemrat e fëmijve, motrave, vëllezërve, prindërve, gjithë rrethit familjar dhe shoqëror të personit të cilit i adresohet, Prokuroria duhet të kishte ndërhyrë me kohë sipas ligjit. Nuk ka asnjë arsye pse njerëzit të jenë të pambrojtur nga goditjet vrasëse të thashethemeve të thashethemexhiut dixhital Sali Berisha. Është e pafalëshme që të tolerohet pafundësisht nga ligji një gojë-qenef dixhital, që megjithëse i kaloi të shtatëdhjetat, vazhdon të vrasë si taleban zemra njerëzish. Këtë radhë, objekt i sulmit të tij, është Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Është pikërisht ai që mori mbështetjen e plotë mu në Shtëpinë e Bardhë të Amerikës, për të lidhur me hekura ca kriminelë me imunitet si puna e tij.
Si ta kuptojmë gjuhën e tij kur thotë se “Saje qorrit i kanë cofur morrat!”? A thua vërtetë mori ndonjë morr nga Obama, kur e takoi ministri ynë dhe ne qorrat nuk ia vemë re? Apo kemi të bëjmë me një metaforë për “morrat amerikanë” të FBI-së? Apo kumtuesi i tyre është trembur si dreqi dhe kërkon të na mbushë mendjen me kumtin se është i pavërtetë thashethemi, që “Adriatik Llalla, këllëfi mbrojtës i tij, po del avash avash jashtë loje dhe ai do të mbetet zbuluar”?.. Krahasuar me historinë e paraardhëses së Llallës, me thashethemin “lavire bulevardi” për të, kur aja tentoi të hetonte 21 janarin, të çon në këtë përfundim. Për çdo njeri, ajo ka kohë që bën ”Muu!”. Aty të nxjerr edhe çdo vështrim me metoda gjuhësore i atyre që nxjerr nga goja apo shkruan në Facebook thashethemexhiu dixhital. Por Berisha me deklaratën e së enjtes i bëri të tepërta ato. Tek ajo thirrje bombë kuptohet përfundimisht se “thashethemi dixhital” ka mbetur arma e fundit e këtij kamikazi të trembur nga Byroja e Hetimit që firmosi me FBI-në Saimir Tahiri.
Thashethemnaja dixhitale e djeshme me Kashar e Rrugë Kavaje, me Milin e Partisë dhe Edvinin e Shullazit, me Saje qorrin dhe babanë e tij kontrabandist, me Baren, Xhutën, Brukën, etj, ishin “degët” ku Sali Berisha do të kapej për të prekur “mollën - minë”: “Shqiptarë armatosuni!” Në thirrjen e tij antikushtetuese nga foltorja e Parlamentit për armatosjen e popullit, thashethemexhiu dixhital Sali Berisha tregoi se është i trembur gjer në palcë. Ajo thirrje e tij tregoi se ai është i tmerruar nga Reforma në Drejtësi dhe sidomos nga firma që ai “Saje Qorri” hodhi atje në Amerikë. Me thirrjen e tij nga foltorja e Parlamentit: “Shqiptarë armatosuni!” në panik ai jo vetëm dëshmoi se është gati t’i rivejë zjarrin Shqipërisë si më ’97-n dhe mos t’i dorëzohet drejtësisë, por këtë radhë, thashethemexhiu dixhital, vuri në provë edhe Prokurorin Adriatik Llalla. Pas kësaj, a do ta lidhë ai të çmendurin që tregon se është kamikaz? Apo do ta humbë rastin për t’ia lënë këtë punë Byrosë së Hetimit?
Për mua personalisht, po të kemi parasysh se sa e vështirë është që të gjendet kush për ta ndjekur pas një të çmendur, dëmi shoqëror i këtij krimi është më i vogël se vrasjet shpirtërore që u ka bërë ndër vite njerëzve të pafajshëm thashethemexhiu Sali Berisha. E keqja më e madhe qëndron në atë që, nëpërmjet publikimit të thashethemit, shoqëria jonë është ambientuar me këtë krim. Krimin i tmerrshëm i shpifjes, kur del nga goja e Sali Berishës ka 25 vjet që përfillet si kushtetues?!. Po Prokuroria jonë çdo të bëj? Do të vazhdojë të mbajë këtë qëndrim, apo do ta vendosë pas hekurave në një qeli, pa atë tabletën dixhitale, që të shpëtojnë njerëzit edhe nga Facebook-u i tij vrastar? Dhe, meqenëse sipas Prokurit tonë Adriatik Llalla, të publikosh thashetheme nuk qenka krim, po ia lejoj vetes edhe unë t’i drejtohem njëherë atij si “njeriu dixhital”: Do ta lidhësh këtë radhë gojë-qenefin dixhital, apo do ta lesh të lirë dhe do të mbështesësh thashethemin se je “këllëfi mbrojtës” i Berishës?
Comments
Jemi nje popull i vogel. Kemi
Jemi nje popull i vogel. Kemi nevoje per dashuri mes njeri tjetrit, sic e kemi pasur ne shekuj. Tani qer presim qe te futemi ne Europe si kandidate na behen thirrje per lufte civile?1 Qe te vrasim njeri tjetrin?! Teper absurde! Nuk e kuptoj kete logjike te shtrember?! Faleminderit Ilir!
I vog;l ke per te mbetur
I vog;l ke per te mbetur perderisa degjon te cmendurit si Sali Berisha dhe nuk degjon te mencurit..
Urime Ilir, por ti kot
Urime Ilir, por ti kot lodhesh. shqiptaret prandaj vujne se nuk ka dal nje burr qe ta lidhi te cmendurin Sali Berisha.
Bukur. je njesh.
Bukur. je njesh.
Kot lodhesh me Sali Berishen
Kot lodhesh me Sali Berishen o Ilir Mborja. Ai eshte armik i shqipetareve dhe fatkeqesi e tyre qe nuk e kuptojne.
Na lodhen e sterlodhen dokrat
Na lodhen e sterlodhen dokrat e drejtesise.
Kur do te vije dita qe, kjo toke, te nxjerre nje tjeter Avni RUSTEM, per te vene drejtesine ne vend, me mjetet demokratike qe kerkon c'do dite Berisha ? . . .
A do te vije valle kjo dite ?
Te shpresojme ?
Edhe une ate them,duhet nje
Edhe une ate them,duhet nje Avni Rustem,se per te tjeret ai rron 100 vjet,ose Zoti befte derman per ne.
TE TE JU RROJ SHULLAZI"""""""
TE TE JU RROJ SHULLAZI""""""""""""""""""""""""""""""""
DHE FRROKU, FRROKU, NDOKA, DOSHI, PRENGA, TAHIRI, ETJ
Add new comment