Varrezat e Bathores dhe fundi i botës

Vdekja është një ndër gjërat më serioze në jetë. Sa është hijerëndë, aq është e mistershme, pasi përballë saj ka pak fjalë e mendja njerëzore ndalet paksa për të reflektuar kur përballet me të. Këtë po mendoja sot ndërsa më ra telefoni dhe po prisja që të më thërrisnin për të kryer një kremtim funeral. Ishin të afërmit e një zonje të moshuar të famullisë sime këtu në Kamëz. Telefonata për çudinë time nuk kishte për qëllim kryesor vetëm që të më thërrisnin për varrimin, por edhe për një problem tjetër që ndërkohë kishte nxjerrë krye. Varrmihësi i bashkisë, d.m.th. përgjegjësi i funeraleve, i kishte thënë se nuk ka vend, ose më mirë se të vetmet vende të lira ishin njëri bri kanalit, me rrezikun që mund ta merrte uji varrin në rast reshjesh të shumta dhe tjetri afër vendit që është lënë për të bërë ceremonitë fetare. Të afërmit po më telefononin për të më kërkuar leje ta vendosnin afër kryqit në varrezat e Bathores, pasi varrmihësi i bashkisë i kishte thënë që duhet t’i marrin leje priftit. Jam i bindur se çdonjëri do të kuptonte kotësinë e kësaj pyetjeje që do të thotë të vësh në siklet dikë, sepse më thoni pak çfarë do të thotë prifti në këtë rast? Jo, mos e varrosni aty!? Përveç kësaj, gojët e liga flasin se varrezat në Bathore shiten e po ato gojë të liga thoshin se edhe ky varr afër kryqit ishte i shitur, por gjithsesi duhej marrë mendimi i Kishës për të mos krijuar incidente. Dhe nuk është fjala për shitje me faturë të rregullt me TVSh. Gojët e liga thonë se jepen para nën dorë. Në Shqipëri rëndom thonë se ka korrupsion në shumë hallka të jetës së vendit, por korrupsioni me të vdekur është ai më mjerani. Funerali dhe varrimi janë aktet e fundit që i bëhen një njeriu mbi këtë tokë e imagjinoni pak të varrosesh me korrupsion, varrim i korruptuar. E pse kjo? Sepse në Bathore nuk ka më vend për varreza dhe ato pak vende të sajuara si mo-zo-ma-keq (mos-o-Zot-ma-keq) ruhen për shkëmbim komercial. Në një nga bashkitë më të mëdha në vend varrezat janë kthyer në një ankth për banorët e saj. Një vizitë në varrezën e Bathores të krijon menjëherë idenë e kaosit total në të cilën jetojnë të vdekurit aty ose më mirë të gjallët që duhet të ecin në ato varre për të nderuar të afërmit e tyre. Është e pamundur të shkosh në varrin e dikujt pa t’u dashur të kalosh përmbi varret e të tjerëve. Sa e ngjashme është vdekja me jetën nganjëherë! Të shkelësh mbi të tjerët për të arritur aty ku do ti, pa pyetur për asgjë ose sepse nuk të lënë rrugë të tjera. Qytetaria e një qyteti në mënyrë të veçantë shihet te varrezat. Të kujdesesh për çastin e fundit të jetës, do të thotë një jetë e jetuar mirë. Por edhe të kujdesesh për të tjerët në çastin e fundit të jetës, tregon dashuri ndaj tyre. Varrezat e Bathores vetëm shprehje e dashurisë dhe nderimit nuk janë. Aty të duket sikur sheh të vdekur që kacafyten për kufijtë dhe kangjellat, të cilët nuk kanë lënë asnjë pëllëmbë tokë përreth vetes që të tjerët të ecin të lirshëm. Aty, mes tyre ajo pjesë e përbashkët e res publica nuk ekziston. Varreza e Bathores duket si emblema e mostolerancës dhe shtrëngimit në të cilin jetojmë e që na shoqëron deri në vdekje e përtej saj. Unë them që nuk ekziston në botë një varrezë e tillë si ajo e Bathores
Megjithatë, për zonjën e nderuar të famullisë sime lejen e dhashë ose më mirë nuk u bëra pengesë, pasi toka aty është e bashkisë dhe ajo e administron. Por shija e hidhur e cila kishte kohë që përsillej në mendjen time aty u përmbush. Tashmë edhe ajo copë e fundit tokë e lirë në ato varreza afër kryqit u dha për varrosje. Në fund të fundit çfarë mund të thosha unë? Toka na përket të gjithëve e aty një ditë do të shkojmë të gjithë. M’u duk sikur ai varr ishte fundi i asaj varreze. E ndërkohë mendova për fundin e botës e përrallat e shumta që thuhen në këto ditë. Për një çast me ironi mendova që, nëse do të vinte përnjimend me datë 21 dhjetor fundi i botës, do të zgjidhte një problem të madh në Bathore, pasi nuk do të ekzistonte më problemi i varrosjes së trupave të vdekur. Por ngaqë jeta do të vazhdojë edhe pas 21 dhjetorit (pasi atë moment nuk e di askush, as engjëjt në qiell) e gjithashtu edhe vajza e një mikut tim që këto ditë është e shqetësuar, pasi ka ditëlindjen më datë 21 do të festojë edhe shumë e shumë ditëlindje të tjera të bukura, atëherë varrezat dhe banorët e Kamzës e Bathores kanë nevojë për më shumë vend dhe më shumë dinjitet.
MAPO
Comments
Nuk ka lidhje kjo qe po
<p>Nuk ka lidhje kjo qe po shkruaj me temen e artikullit por gjithesesi po e shkruaj. Dje pashe emisionin Jamais Vu ku ishte i ftuar Z. Gjergj Meta dhe intervista ishe shume interesante vetem se kam nje verejtje per Z. Nano, ne vend te George Carlin te kishte zgjedhur ndonje video te Christopher Hitchens i cili eshte me thumbues dhe serioz. George Carlin duke qene komedian Z. Meta nuk do ta kishte marre seriozisht edhe pse Carlin kishte te drejte plotesisht per çfare fliste ne ate video.</p>
une jam nje e krishtere, qe
<p>une jam nje e krishtere, qe shkoj cdo te diele ne meshe. me keqardhje them se prifterinjte e famullise time jane njerez per tju qare hallin. ndonjehere pyes veten dhe tim shoq se pse ZOT<u>I pranon njerez te tille, per ta na treguar rrugen e drejte. duhet ta pranoj se ky ehste prifti me i denje qe njoh,sikur te ishie te ishin te gjithe te tille</u></p>
Dom Gjergji eshte ne rralle
<p>Dom Gjergji eshte ne rralle te pare njeri i rralle. E nuk ka pse mos me qene dhe prift i rralle!</p>
z. Gjergji per katedralen
<p>z. Gjergji per katedralen duhet te deklaroj sa eshte vjedhur nga rrok Mirdita, s bashku me kompanine italiane dhe administratoren shqiptare. Gjithashtu te komentoje te gjitha theniet qe Rrok Mirdita ka qene agjent i UDB. Pastaj te beje filozofin.</p>
Add new comment