Udha e shkronjave dhe shtegu i Djallit

Postuar në 31 Gusht, 2013 04:14
Koloreto Cukali

Para se të dal në temë, do bëj nja dy xhiro jashtë teme. Është verë, dhe ne prodhojmë prapë shumë ngjarje. Problemet, nuk shkojnë kurrë me leje te ne. Po të vësh re, çdo problematikë, bluhet e konsumohet fort për disa ditë, maksimumi një javë, dhe harrohet sapo hapet një diskurs tjetër. Nuk ka nevojë shumë për të kuptuar se debati publik nuk pjell thuajse asgjë, as reforma, as politika qeveritare, as ndryshim të sjelljes institucionale, as dorëheqje e as hetime. Kam frikë se Rama nuk lexon publicistikë më prej kohësh, ndërsa Berisha lexon jo për të kuptuar problemin por atë që e ka shkruar. Nga institucionet e tjera të shtetit, e kotë të presësh. Pra, prodhojmë ngjarje, por veç sa për “muhabet” e jo për të zgjidhur gjë. Jemi si ajo makineria që pret dru me furi në pyll, dru që kalben se askush nuk vjen t'i mbledhë. Kjo makineri, është media.
Diskursi i hapur nga Baton Haxhiu mbi sjelljen e Top Channel me të majtët në pushtet në raport me sjelljen e Klanit në pushtet me të djathët, është një debat i mprehtë. Ky debat u mbyll për pak ditë, dhe si normalisht u kalua tek prerja e druve të tjera. Unë mendoj se ky debat është thelbësor. Madje më shumë, është një debat për jetë a vdekje. Jo se të tjerat, nuk kanë rëndësi - Basha që zëvendëson Berishën; LSI në një qeverisje rilindjeje; SHQUP-i si abuzimi i fundit i pushtetit; kisha në Përmet si faktor lufte i Greqisë; fashistët e Agimit të Artë që recitojnë poezi në kishat e Himarës - por, janë (edhe) nënprodukt i makinerisë.
Dolëm në temë. Armiku më i madh i qytetarit. Media.

Media si armik

Në librin “Viti ‘97” Mero Baze shpjegon sesi u krijua lajmi për paratë që dilnin me gomone nga Shqipëria, një lajm i paverifikuar dhe i dalë prej pushtetit me ndihmën e gazetarëve mbështetës. Pavarësisht se në libër shpjegohet se ky lajm është i rremë, akoma në psikën tonë jemi të bindur që paratë e Vefa-s dilnin me gomone jashtë shtetit. A mos e kam përdorur me ekzagjerim cilësimin “armik”? Fundja, po të lexosh “makinerinë që pret dru” ne jetojmë mes armiqsh. Media, vetëm veten e vet nuk e konsideron armik.
Asgjë nga këto që kanë ndodhur në këto 23 vjet (koha e Enverit do të meritonte një konsideratë më vete, lidhur me median) nuk ka ndodhur pa pasur bashkëpunimin, ku të heshtur ku bërtitës, ku pjesëmarrës e ku miratues, ku të blerë e ku të marrë me dhunë të medias. E vërteta, fshihet dhe deformohet, dhe gjella jonë mediatike funksionon (siç është thënë më parë) përmes gjysmë të vërtetave. Gjysmë të vërtetat - janë armiku më i madh i së vërtetës, më shumë dhe se injoranca.
Kjo ndodh, sepse media mbahet me para dhe paraja bën ligjin në mungesë të ligjeve.

Media dhe paraja
Para disa vitesh, kur punoja në radio, dhashë informacion për një ngjarje në lidhje me bankat që e dinte gjithë Tirana, por që censurohej gjithandej. Vetëm e përmenda ngjarjen, por kaq mjaftoi që Banka të pezullonte reklamat në radio, të kërkonte pushimin tim nga puna, madje, të betohej se unë nuk do punoja më në këtë qytet. Për disa vjet, emri im nuk dilte në titrat e produksioneve televizive, nga frika e hakmarrjes së Bankës. Banka, mund të kishte zgjedhur të më hidhte në gjyq nëse e kisha cënuar diku, por jo, zgjodhi armën e arrogancës.
Rasti im është gjithsesi i parëndësishëm para presioneve që bëjnë “ata me lek” ndaj mediave. Në rastet më të mira, “bankat” e mbushin një media me reklama për ta censuruar çdo lajm. E keni vënë re që kur ndodhin grabitje në një bankë, të qëllon mos ia lexosh dot emrin Bankës përkatëse në asnjë media? Banka nuk preferon të trembë klientët e saj! Sa hetime gazetarësh ka mbi abuzimet e kompanive celulare? Thuajse asnjë. Tërë media mbahet me paratë e telefonive. Që, për ironi janë paratë e publikut që ka të drejtë të informohet. Por, pushteti i koroporatave është vetëm njëra pjesë e manipulimit të së vërtetës. Ka individë super-të pasur që nuk lejojnë të dalë asnjë fakt rreth tyre, larg qoftë të bëhen investigime.
Dosjet me krime të përbindshme flenë në sirtarët e kryeredaktorëve të gazetave a TV-ve, e nuk kanë për të dalë kurrë. “Ata me lek” kanë aq pushtet (shpesh të dhunshëm) sa ta bllokojnë gazetën në shtypshkronjë e të mos e lënë të dalë në tezga.

Gazetarët - Tunxhët

Kam punuar disa muaj në një gazetë të përditshme. Aty, gazetarët paguheshin me dy bordero: “paratë e bankës” e “paratë e dorës”, dmth, paratë e deklaruara e ato të padeklaruara. Dhe ju prisnin që media të denoncojë evazionin fiskal? Apo prisni që gazetarët e trajtuar si skllevër, të dhunuar nga porositë e shefave e nga dhuna e “atyre me lek” të gjurmojnë për ju të vërtetën?
Dhaskali dhe Tunxhi, një dyshe bardh-e-zi e kinemasë socrealiste, janë dy krijesa në një Udhë Shkronjash. Nëse duam të bëjmë një paralelizëm thjeshtëzues, Dhaskali do duhej të ishte gazetari, por në të vërtetë, gazetari shqiptar, sa vjen e bëhet një tunxh i paskrupullt në një udhë mbijetese. Gazetarët janë klientë të forcave politike apo të individëve të veshur me pushtet e para. Në kohë zgjedhjesh qëllon të shohësh të njëjtën figurë non stop në një ekran. E pra, “figura”, e ka blerë nën dorë prezencën e vet. Madje më keq, ai mund të diktojë edhe që kundërshtarët e tij të mos shfaqen në atë ekran.
Nëse gazetari tenton të ruajë integritetin e vet e të emisionit, nuk do ishte çudi t’i vinte pronari i medias e ta urdhëronte ta bënte. Po nuk u shite ti, shitet ai sipër teje. Po t’i dinin adresën Zotit, edhe atë e blenin. Dhe e i kanë bërë aq para. Numri i madh i TV-ve dhe gazetave mbahet vetëm me favore financiare të pahetuara. Le të flasim pak për tempullin e të vërtetës, median.

Tempulli i farisejve

Mungon një investigim shtetëror mbi financimet e mediave. Mungon, sepse, askujt nuk i intereson. Pushteti dhe opozita, drejtuesit e mediave, pronarët dhe bizneset janë të interesuara të bëjnë lojërat e tyre të fshehta për të “bërë sa më shumë lek”. Informacioni, edhe pse janë media, nuk del jashtë. Lëveret (lexo: paratë) e pista lahen brenda shtëpisë. Ka gazeta që shiten me 200 kopje. Askush nuk investigon si mbijetojnë. Nga u vijnë paratë. Gazeta të mëdha botojnë tirazhe të mëdha, dhe shesin vetëm gjysmën, sepse raportojnë para donatorëve apo politikanëve vetëm tirazhin por jo shitjet reale. Kjo dëmton mbi të gjitha mediat që përpiqen të mbahen vetë, të pavarur. Mision i pamundur.
Transparenca financiare është shpëtimi i vetëm për publikun. Transparenca e audiencës është shpëtimi i vetëm për vetë median. Kur të publikohen çdo javë shitjet reale dhe audienca reale e programeve TV apo radio, vetëm atëherë do mund të priten paratë informale apo të pandershme që sponsorizojnë media apo gazetarë të caktuar. Kush mund ta bëjë këtë? Sigurisht, ata që nuk u intereson. Mazhoranca e djeshme dhe ajo e nesërme.

Rama dhe media

Para zgjedhjeve, po përpiqesha t’i tregoja dikujt se Berisha ka në dorë mediat. Mora t’i numëroja, kush ishte me pushtetin e kush me opozitën. Tek numërimi ngeca. Më dilnin më shumë media që mbështesnin opozitën!
Nuk dua të jem paragjykues. Dua shumë që maxhoranca e re të mund të kapërcejë traditën (edhe të vetën) dhe të bëjë një Shqipëri tjetër. Por, dëshira nga shpresa, e për më tepër besimi, janë larg. Nuk mund të harroj sesi u zhduk nga ekranet Kreshnik Spahiu (pavarësisht se kush është e çfarë bëri), pasi u konfliktua me opozitën. Një pushtet i tillë është i frikshëm. Nuk do e dimë kurrë sa para janë derdhur në media dhe nga kush para e gjatë fushatës. Akoma nuk dimë sa do të paguhet Toni Bler. As nga do vijnë paratë. Nuk do e dimë kurrë deri në çfarë niveli na manipulojnë. Ky sistem manipulimi ka vetëm një rrugë shpërndarjeje: median. Ajo është armiku. Është armiku, sepse është bërë palë me pushtetin. Pushteti korrupton. Tanimë ato kanë krijuar një pushtet absolut.
Z.Rama nuk besoj se lexon gazetat, dhe e kuptoj përse. Pushteti absolut (e nuk e kam thënë unë) korrupton në mënyrë absolute.

revista KLAN

Comments

Submitted by besa (not verified) on

Nje shkrim shume realist ! E pergezoj autorin per guximin dhe qartesine logjike

Submitted by Anonim (not verified) on

Shkrim i mire! Dhe i guximshem!

Submitted by Zapbone (not verified) on

Asnje imazh e reputacion te mire nuk ka terbimi! Po mua aq me ben. Dhe pothuaj qe ne komente gjithmone kam terbim e zemerim, me mediat trushplase e manipuluese, e sidomos me gazetare te shpifur e te shitur qe, i bejne gjerat me ndergjegje duke sheqerosur e sherbetuar njerin krah te politikes, duke manipuluar. Terbimi e zemerimi qe leshon vetetima ne erresire dhe te ngre nga gjumi e te prish rehatin per dimrin qe te gjen gjithe brima ne shpirt e ne cati, dhe Cukali flet plot terbim e zemerim, e deri ketu e con fuqine e vetetimes ne shkrimin e tij per politikanet, e per ne qe lexojme. shkruan si nje stuhi plot gjemime dhe gjarpernj te zjarrte per te te shkundur o njeri, e ne qofte se e ke lekuren e holle qe e ndjejne vetetimen mire, te pastron mjegullen manipuluese. po shkruan dhe per lekuren sholle qe te ndjeje freskun e rrymes se eres e te ben te orjentohesh duke kthyer koken ne drejtimin e duhur per te shikuar dimensionin e te vertetes.

Submitted by Alpinisti (not verified) on

Z. Cukali,

meqenese eshte transparenca ne pergjithesi dhe ajo financiare ne vecanti thelbi i problemit, c'mendoni sikur te fillonit te jepnit shembullin personal, dmth. te ResPublica-s, duke i shtuar rubrikave ne balle te faqes edhe te tille si "Donatoret tane" dhe "Kush jemi ne". Per momentin me ngjan, se po luani "good cop, bad coop", sidomos me te nenshkruarin/en Zh., qe perpiqet te na mbushe mendjen se i gjithe populli mezi po e pret pushtetin e ri popullor e se dalengadale po na vjen behari. Pyes, cili eshte trendi qe definon qellimin e R.P., ky i juaji apo ai i Zh.?

Submitted by respublica (not verified) on

Z. Alpinisti,

Respublica ka disa kontribues, një ndër ta jam edhe unë. Nuk jam unë ai që duhet të flasë për të tjerët, por blogu i iniciuar dhe formatuar nga M. Nano ka si parim të qenit i hapur ndaj diversitetit. Besoj se kjo është një  vlerë që i mungon shumë mediave mono-kromatike shqiptare, dhe shpresoj që shumë prej jush vijnë në këtë blog jo për të gjetur të vërtetën e fundit, po pikërisht prej një vlere si kjo.

Askush nuk ka monopolin e së vërtetës, (aq më pak unë), por ka vetëm mënyra qasjeje ndaj saj, dhe besoj kjo është ajo që ju turbullon :)

Sa për donatorët, nuk kam informacionin e mjaftueshëm për t'ju përgjigjur, por jam i bindur se z. M. Nano nuk do ta kishte problem ta ndante këtë informacion me ju, nëse ia kërkoni.

K. Cukali

Submitted by Alpinisti (not verified) on

Z. Cukali,

falemnderit per pergjigjen. Nga toni kuptoj se ju paska ngacmuar komenti im, edhepse s'e kisha per qellim. Qellimi im, si edhe i shkrimit tuaj, eshte transparenca ne pergjithesi dhe ajo ne shtyp ne vecanti. Nuk e kerkoj une si Alpinist kete, por opinioni publik - te pakten ne nje vend normal duhet ta kerkonte. Perqasja transparente nuk turbullon, por qarteson individin dhe shoqerine. Prandaj edhe shume portale lajmesh, bllogje, think tank-esh etj. permbajne nje rubrike te tille si "Kush jemi ne", "Qellimi yne" ose "Donatoret tane", per te shperndare mjegullen e thashethemeve. Per mua ky perben standard transparence, te cilin une e pres por nuk e kerkoj nga media, e as me shkon ndermend t'ia kerkoj personalisht M. Nanos. Kjo eshte nje ceshtje, per te cilen media e pergjegjshme i pergjigjet publikut pa e pyetur ky i fundit fare. Kush s'e ben, terheq nje tymnaje pas vetes.

Vijme tek pyetja gjithnje e me interesante se  perse "vijme" ketu. Jam i sigurt se e njihni fatin e popullaritetit te gazetave shqiptare, ndricimin dhe renien e shume prej tyre ne 23 vitet e fundit. Prandaj jeni te vetedijshem se edhe ResPublica nuk perben perjashtim, sa me shume qe kthehet ne nje medium qeveritar. Ne kohe oponence, media mund te terheqe vemendjen e opozitareve por edhe te te interesuarve ne pergjithesi, por si mediua proqeveritare fillon e behet e llogaritshme, prandaj edhe e panevojshme: monotone perkunder diversitetit qe permendni. Ne kete kuptim, tek ResPublica diversiteti mund te nenkuptoje shume autore, analiste, komentatore, por persa i perket informacionit dhe opinioneve ajo ka kohe qe ka mungese te theksuar ngjyrash. Ne kete kontekst, besoj se ju vjen edhe juve mire qe AKOMA merrni dhe iu pergjigjeni kritikave. Ne momentin kur kritiket s'do t'ju lexojne me, kurse gjithe te tjeret do t'ju thone bravo, do ju duhet t'i shkruani vete.

Submitted by Bard (not verified) on

"Injoranca eshte me afer te vertetes sesa paragjykimi"--a mund ta modifikojme e ta themi "Injoranca eshte me afer te vertetes sesa te qenit i shitur"? --Megjithate, edhe kjo duhet marre me rezerva; shumica e gazetareve mainstream jane "shembuj ekselente te injorances qe shendrrohet ne argument"-per te cituar dike qe e njohim, dhe kjo mund te shquhet lehte prej citimeve te tyre, narrativave te sterperdoruara per te mbrojtur çdo kauze. Ka gazetare qe zene ekranet e televizioneve qe mund te mos kene lexuar as edhe nje liber te sakte keto 10 vitet e fundit, s'dine ç'behet neper dynja e zhgerryhen ne gjeratoren e politikes lokale sikur kjo politike te ishte qendra e universit. Mjafton te permendesh Andrea Stefanin, si shembull te gazetarit qe ka njezet vjet qe thote te njejtat gjera, per te kuptuar perse gazetat shesin vetem nga 200 kopje....

Submitted by reformer (not verified) on

tezen se media ose gazetaret jane te varur nga kapitali ne kapitalizem (shyqyr zotit ja arritem edhe ne kesaj dite), me duket se e kam lexuar tek Lenini, po se po tek Marksi dhe Engelsi.

por nuk dua te them me kete se Koloreto nuk ka zbuluar ndonje gje te re. perkundrazi, bravo i qofte se mundohet gjithmone ta kape demin nga briret dhe te ngreje probleme kapitale. ajo qe te zhgenjen pak eshte fundi i artikullit, ku profetizohet se gjerat do te vazhdojne ne te njejten menyre edhe me socialistet ne pushtet. pastaj kur e shikon se artikulli eshte botuar ne Klan e kupton pse tehu i analizes, i cili fillimisht eshte drejtuar tek ringjallja, madje pse te mos themi RILINDJA e medias permes profesionalizmit, ajo kthehet ne klishene e zakonshme partite-paraja dhe mediat. Por te mos presim qe edhe gazetare te ndergjegjshem, te lire dhe te pavarur te na beje Edi Rama. Kjo eshte me te vertete te kerkosh shume, i dashur Koloreto!

Parate na i jep pronari, ndergjegjen e kemi ne dore ne! Nese pronari na paguan per te mos pasur ndergjegje dhe ne e pranojme kete kusht,  faji eshte i te dyja paleve!

Submitted by Astrit (not verified) on

Keto pop-art referencat nga filmat e njohur te nje vendi qe nuk kishte asnje akses per shprehje te tjera kinmatografike ne vitet '70-80 jane plotesisht te tejkaluara dhe te lodheshme. Komentatoret dhe gazetaret do te benin me mire te mbanin debatin ne binaret e nje diskutimi  standard intelektual dhe pa treguar gallata dhe barcaleta. Keto gjera sa e bejne leximin e artikullit me te lodhshem - dhe ne rastin tim bene qe nje lexues te mos kishte durim te lexonte deri ne fund...

Submitted by Daj Ceni (not verified) on

Plotesisht dakord me ju Astrit per sa i takon referencave. Para ca kohesh ishte edhe nje tjeter referuar fimit Radiostacioni. C'te thuash? Kultura e gjere e autoreve.......

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.