Testimi, “teslimi” dhe trishtimi i mjekëve tanë

Postuar në 23 Janar, 2015 05:26
Isuf Kalo

E keni dëgjuar shprehjen “të jam bërë teslim”? Unë e kam dëgjuar së pari në fëmijëri nga nëna ime e ndjerë. Ajo e përdorte kur donte të më siguronte për përkushtimin absolut të saj në shërbim të më të mirës sime. “Teslimi” si akt abnegacioni i heqjes dorë nga vetja për ta vënë atë vullnetarisht në shërbim të njerëzve ose kauzës që adhuron, përbën pa dyshim një akt sublim prekës. Prandaj nënat janë të pakonkurrueshme në dashurinë që ofrojnë.

Teslimi si obligim etik

Arsyeja pse po e përmend është se më vonë, pa e kuptuar, “teslimi” i saj u bë shembull dhe inspirim për mua si mjek, për “teslimin” ndaj të sëmurëve që më besonin shëndetin dhe jetën e tyre. Pa dyshim përkushtimi e dashuria për njerëzit është në themel të mjekësisë si profesion, si shkencë, si art dhe si mision. Si shkencë ajo është ende jo ekzakte, por me një dinamizëm marramendës në progresin e zbulimit të të fshehtave dhe hapësirave të reja të saj. Ajo fillimisht qe thjesht shkencë biologjike, por tani është edhe shkencë sociale, komunikative, menaxheriale dhe filozofike. Fillimisht ushtruesve të saj u kërkohej të ishin më së pari humanistë të devotshëm. Kështu i donte Nënë Tereza: “Jepni bashkë me kujdesin edhe zemrën”. Dhe “nuk ka rëndësi sa bëni” – porosiste ajo. ­”Rëndësi ka sa dashuri e mirësi vini në to”. Pra, çmonte para së gjithash “teslimin” ndaj të sëmurëve. Kjo nënkupton që dështimet apo gabimet e pazotësitë e tyre profesionale justifikoheshin dhe u faleshin. “Mjekët, – thoshte Mark Chasin, – e ushtrojnë profesionin sipas moralit kristian, që ‘çdo gjë më falet, përderisa e kam ofruar kujdesin me gjithë zemër e me qëllim vetëm të mirë’”. Veprimtaria e profesionit mjekësor ushtrohej bazuar në besimin apriori që popullata kishte në ndershmërinë, humanizmin dhe aftësitë e tyre për të bërë më të mirën e mundshme për ta. Dy të parat mendohej se garantoheshin nga një betim, që mjekët detyrimisht bënin që në lashtësi në momentin e diplomimit, i njohur si i Hipokratit, kurse aftësitë e tyre profesionale mirëbesoheshin bazuar në diplomën e studimeve që ata dispononin për këtë profesion.

Një “qeverisje” jo si të tjerat

Në kontekstin klinik, profesionit mjekësor i është akorduar në mirëbesim një autonomi eksepsionale për vendimmarrjet diagnostike e mjekuese dhe për vetërregullimin e kodit etik brenda saj. Pra, që shteti, ministria, drejtoria administrative të mos fusë hundët në to. Ajo quhet “qeverisje klinike” dhe përfaqëson “pushtetin profesional mjekësor”. Në Angli “Clinical Governance” është institucionalizuar me një strukturë të posaçme, që udhëheq profesionistët në veprimtarinë klinike konform standardeve, udhërrëfyesve dhe protokolleve dhe në dinamikën e kualifikimit të tyre të pandërprerë. Në fakt, vetëqeverisja dhe autonomia e vendimmarrjeve klinike përbëjnë sharmin apo mjaltin që i josh studentët në profesionin mjekësor. Prandaj dikur thuhe “Po nuk u bëre dot mbret, bëhu mjek”. Fjala qe për pushtetin dhe ligjshmërinë absolute të vendimmarrjeve të profesionistëve jetëshpëtues. Por si individë mjekët nuk do të thotë se janë as engjëj, as njerëz pa interesa, virtyte e të meta si bashkëqytetarë të tjerë. Prandaj, për ta rregulluar veprimtarinë e tyre në harmoni me interesat shëndetësorë të popullatës, ata janë organizuar në urdhra e shoqata profesionale dhe kanë përcaktuar “brenda familjes” dhe kornizave ligjore të drejtat, por edhe detyrimet specifike të tyre, si ato etike, edhe ato praktike të

ushtrimit të këtij profesioni delikat. Autonomia profesionale mjekësore është jetike. Ajo eviton që veprimtaria e tyre të varet, të ndikohet apo të manipulohet prej pushteteve të tjera, çka potencialisht mund të krijojë rreziqe e dëme të mëdha. Tragjedi të tilla ndodhën gjatë nazizmit me eksperimentet mjekësore monstruoze në kampet e përqendrimit dhe në regjimet totalitare të tjera me pseudodiagnozat psikiatrike apo krime e trafiqe mafioze të mbuluara nën diktat me petkun mjekësor.

Profesion nën presion

Por pushtetet e tjera, sidomos në vendet me demokraci jo të konsoliduar, nuk e gëlltisin dot lehtë këtë autonomi. Presioni i tyre ndaj profesionit krenar (“kryeneç”) mjekësor është i fortë për ta nënshtruar e vënë nën zgjedhë. Ato synojnë ta mercenarizojnë atë duke rekrutuar e privilegjuar mes tyre lakej të mundshëm për t’i vënë në shërbimin e interesave të tyre politikë, ekonomikë, partiakë apo influencialë. Synohet që profesionit mjekësor të mos i njihet ose t’i anashkalohet statusi e autonomia specifike dhe të futet në një thes me profesionet e tjera të kontrolluara e komanduara nga shteti dhe politika. Pra të bëhet “teslim” me imponim i interesave pragmatikë të pushtetit politik. Kohëra dhe limite të reja Justifikimet e ndërhyrjeve agresive të pushteteve të tjera ndaj “ishullit autonom mjekësor” janë kryesisht ato ekonomike, menaxheriale e financiare. “It’s the economy stupid” pati thirrur Klintoni, duke theksuar kështu prioritetin e qeverisjes së tij. Shëndetësia kushton gjithnjë e më shumë, ndërkohë që po ashtu shtohen me vërtik çdo vit ambiciet, potencialet dhe mundësitë reale të saj për të bërë shumë më tepër në shërbim të shëndetit të njerëzve. Buxheti i mjekësisë shtohet progresivisht, po kështu shtohet oreksi i politikanëve për t’i pasur në dorën e tyre nën kontroll e përdorim ato. “Janë shuma tepër të mëdha për t’ua lënë vetëm ju doktorëve në dorë që të bëni çka doni e ëndërroni me to”,­më pati thënë në konfidencë një ekspert i huaj. Kështu u futën si menaxherë drejtues informaticienë, ekonomistë apo politikanë brenda “ishullit të shenjtë” mjekësor, persona jo të këtij profesioni, të cilët përpiqen të marrin edhe drejtimin e tij. Ata si “homo economicus” nuk kanë si ta njohin “teslimin” as si koncept, as si ndjesi, as si “lëng shpirtëror”, e as si vlerë morale. Për ta mjekësia është një punësi që mund të kryhet që nga zyra si cinovnikët bolshevikë të dikurshëm. Por kjo nuk i pengon ata që me kollare dhe jaka të bardha të shndërrohen në komandues, predikues e kontrollues të veprimtarisë së bluzave të bardha.

Terma e mekanizma të tjerë

Përpjekjet për “ekonomizimin e shëndetësisë” sollën në veprimtarinë e institucioneve mjekësore, ashtu edhe të vetë profesionistëve si individë kërkesa e terma të rinj, si: performancë, cilësi, siguri, kosto, eficiencë, kostoefektivitet, akreditim të papraktikuara ose të shpërfillura më parë në mjekësi. Kështu lindën nevojat për matjen e tyre me mjete, tregues dhe metoda specifike për to pa i lënë më tej në mirëbesim. Falë tyre institucionet dhe profesionistët mund të vlerësohen dhe të shpërblehen sipas rezultateve dhe aftësive reale, të verifikuara të tyre. Edhe Betimi i lashtë i Hipokratit u rishikua. Kërkesa e dikurshme minimale “Para së gjithash mos dëmto” u maksimalizua nga vetë shoqatat mjekësore në vitin 1994, me kërkesën që “ofrimi i kujdesit me cilësinë më të mirë të mundshme të jetë obligim etik i profesionit mjekësor”. Kolegji i mjekëve anglezë në botimin e tij të vitit 2005 “Profesioni mjekësor në botën që po ndryshon” ridefinoi ndryshimet paralele të etikës dhe të drejtave të mjekëve. Nigel Crips theksoi se “duhet të vendosen standarde jo vetëm në veprimtarinë profesionale brenda institucionale, por edhe ato të etikës, moralit, të vlerave e të sjelljes me pacientët”. Në këto zhvillime ka reaguar edhe mjekësia jonë. Matja e performancës, cilësisë dhe sigurisë të institucioneve me anë të akreditimit u iniciua në Qendrën Kombëtare të Cilësisë. Cilësia individuale e profesionistëve të mjekësisë me anë të krediteve në Qendrën e Edukimit në Vazhdim, kurse aspektet etike në Urdhrin e Mjekut me anë të kodit të ri etik. Pistat e hapura me to janë pa dyshim më të sigurtat ku duhet vazhduar. Mjekët të parë nga Marcel Prusti Besimi dikur naiv ndaj zotësisë profesionale të mjekëve, bazuar te diploma universitare, u vu gjithashtu në pikëpyetje. Marcel Prusti, bir mjeku, pat vërejtur se “mjekët besojnë dhe i zbatojnë me zell të rejat e shkencës së tyre, ndonëse pas çdo 5 vitesh i ndërrojnë ato si të pasakta me të tjera më të reja”. Prandaj edhe te ne u krijuan mekanizma të rinj verifikues për të; si stazhi i praktikës së detyrueshme e pas mbarimit të fakultetit, provimi suplementar shtetëror dhe licencimi në urdhrat profesionalë. Më pas, certifikimi i institucionalizuar për çdo specialitet apo aftësi të re të fituar, dhe kryesorja, përfshirja në ciklin e edukimit profesional të vazhdueshëm me anë të sistemit të kreditove, e drejtuar nga Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim. Kjo mundëson edhe rilicencimin dhe ricertifikimin sistematik të çdo profesionisti mjekësor tonë sipas kritereve profesionale të rregulluara europiane dhe kuadrit tonë ligjor specifik. Me brezat e fundit të mjekëve tanë të rinj që kryen stazhin dhe kaluan provimin shtetëror, pas diplomimit, praktikisht u vu në bazë bashkëkohore edhe formimi i duhur mjekësor. Një det i gjerë literature e shkruar dhe e ekspozuar në konferenca e kongrese kombëtare e ndërkombëtare, si edhe në internet, bën të mundur për ta shkëmbimin e shpejtë të informacionit dhe të përditësimit. Pa dyshim që mekanizmi më efikas i perfeksionimit profesional të mjekëve mbetet pasioni, sedra dhe përkushtimi individual. Fatmirësisht, një numër i madh i tyre në vendin tonë janë shquar në çdo kohë si poliglotë, për gjerësinë e kulturës së përgjithshme të tyre dhe si njohësit më nga afër të aspekteve sociale dhe shpirtërore të njerëzve tanë.

Si një rrufe në qiell të pastër

E tillë u ndje kërkesa e beftë e Ministrisë sonë të Shëndetësisë për të testuar dijet e mjekëve tanë. Ajo u shfaq në kuadrin e “test­najës”, që po praktikohet për herë të parë te ne, e nisur me arsimtarët. Nuk kam koment për fushat e tjera, por më duhet ta shpreh mendimin mosmiratues e madje habinë time për aplikimin e saj në mjekësi. Kjo qoftë si koncept, qoftë si mekanizëm vlerësimi, qoftë për mënyrën apo procesin e deritashëm të prezantimit në publik. Si koncept, testimi i tillë është i kundërt me “teslimin”, angazhimin vullnetar shpirtëror dhe etik profesional të mjekëve, i cili u krijon atyre krenari dhe prestigj. Testimi i imponuar nën diktatin e autoritarizmit ministror, përkundrazi, si shprehje mendësie dominuese për nënshtrimin e autonomisë profesionale mjekësore, u krijon atyre pasiguri, zhgënjim e trishtim. Jo për kalueshmërinë e testit, por për arrogancën dhe shpërfilljen e demonstruar nga zyrtarët më të lartë të shëndetësisë tonë ndaj tyre. Edhe si mekanizëm vlerësimi, testimi i propozuar duket i cunguar e kanceralesk. Sepse synohet të matet dija, pra vetëm njëri komponent i aftësisë mjekësore, e cila është shumë më komplekse. Do maten fjalët, por jo rezultatet as veprat. Jo jetët që kanë shpëtuar, as diagnozat e sakta, as hallet e zgjidhura, as falënderimet që kanë marrë. Nuk do maten kreativiteti, të rejat që kanë praktikuar, as intuita klinike e tyre, aq e çmuar në këtë profesion. Dhe as dhimbjet e vuajtjeve e humbjeve njerëzore, që ata i mbartin me vete pa faj si Krishti kryqin kudo që shkojnë, madje dhe në familje e shtëpi. Kështu, kirurgu që ka shpëtuar qindra jetë, mund të mbesë në testim po nuk iu përgjigj pyetjes teorike apo retorike të improvizuar nga nëpunës të Ministrisë! Çka padashur na kujton Shvejkun me pyetjet e pakuptimta befasuese të tij, jashtë çdo konteksti me realitetin. Po strukturat ekzistuese ku vanë?! Ndërkohë, të lë pa frymë neglizhimi total i strukturave drejtuese dhe atyre të burimeve njerëzore ekzistuese në institucionet tona shëndetësore. Mos janë shpallur si të armikut? A nuk e kanë për detyrë, a nuk paguhen ato edhe për analizimin dhe monitorimin çdo vit të performancës dhe progresit teknikoprofesional të stafit të tyre? Apo janë vetëm për të lyer muret, prishur kioskat dhe blerë aparatura me tender?! Mos vallë e gjithë kjo strukturë do kthehet në kohën zero? A kanë kontrata pune individuale mjekët me drejtorin e tyre? A janë të fiksuara në të detyrat, të drejtat e tyre çdo vit, përfshi edhe ato të progresit profesional, dhe a ekzistojnë stimuj apo penalizme në rast mangësish të tyre? A kanë institucionet një politikë të shkruar dhe një fond të posaçëm për të mbështetur dhe monitoruar mirëpërdorimin, pasurimin dhe rritjen e vlerave të burimeve njerëzore ekzistuese? Nëse jo, pse jo? Dhe pse vonohen të vendosen? Nëse po, pse nuk fuqizohen, por anashkalohen duke kërkuar alibira me zgjidhje “ekstratereste” ekstrainstitucionale? Aftësimi i mëtejshëm i mjekëve tanë nuk mund të kryhet i centralizuar me dorë të fortë prestidigjitatorësh nga lart. Ai kërkon programim dhe mbështetje, me gjithë përfshirjen e harmonizuar të mekanizmave dhe strukturave ekzistuese që nga poshtë

Test i mjegullt

Pretendimi që testi kryhet për të vlerësuar njohuritë e quajtura “bazë” dhe inventarizuar nevojat e edukimit të tyre, është po aq i mjegullt. Pa thënë asgjë, cili e çfarë kriteresh do vlerësohen? Do jetë uniform ai për mjekët me të njëjtin profil, por me të dhëna moshe, stazhi e kushte krejt të ndryshme pune? Në fakt, këtij testimi i dihen që më parë rezultatet. Mjekët në sitën abuzive të tij do ndahen në “nisheste, miell dhe krunde”. Disa shumë të aftë, disa mesatarë e disa të dobët. E pastaj çfarë? Ç’do bëhet me këta të fundit? Fillimisht u tha që do flaken. Pastaj u tha jo. Na duhen! Pse u duhen vallë? Për t’i fajësuar e treguar me gisht për pazotësi? Ky do ishte cinizëm dhe padrejtësi. Sepse, në fakt, ata më së shumti janë viktima dhe jo fajtorë. Janë lënë si Dr Jonici i Çehovit pa mbështetje për vite apo dekada, pa stimuj, pa mjete e literaturë për kualifikimin e tyre. Apo Ministria do justifikohet duke ua hedhur fajin pazotësisë së atyre për dështimet e saj?

Një fllad i ri

Projekti i testimit solli megjithatë diçka të vyer. Solli një fllad të ri për reformën tonë shëndetësore. Ai erdhi nga poshtë, jashtë ngjyrave partiake nga më të rinjtë. Fillimisht me shqetësimet e bëra publike të një mjeke të re, dr. Anikës, e pastaj nga shumë mjekë të tjerë, të cilët prekin dhe përjetojnë çdo ditë zhgënjimet e ëndrrave të tyre profesionale, çka i shtyn të përballen me kurajë qytetare me ata që vendosin për ta nga lart në zyrat ministrore. Reagimi i tyre me një peticion kundra testimit, i mbështetur nga Urdhri i Mjekut, nga Avokati i Popullit dhe profesorati e sindikatat kundra testimit, është risi. Ai përfaqëson një gur të ri kilometrik në rrugëtimin e demokratizmit të brendshëm të shëndetësisë sonë. Fjala është për komponentin “soft” të reformës, atë të vizionit, mendësisë dhe vlerave njerëzore e profesionale jo materiale. Thelbin e tij e përbën kërkesa për reformimin e hallkës më të domosdoshme, asaj të lidershipit vendimmarrës, sepse ai sot – i centralizuar, autarkik sipas modelit “Zoti Unë” – nuk përputhet me modelin bashkëkohor të qartësuar nga Carson F.Day në vepren “Excepsional Leadership: Critical competences for Health Care Executives”. Vlerat e kompetencat që ai i quan aty esenciale të tilla, si krijimi i konsensusit, fryma e ekipit, transparenca e vendimeve, komunikimi vizionit, “inteligjenca emocionale”, stimulimi i kreativitetit dhe “listening like you mean it”, për fat të keq munguan jo vetëm në këtë projekt, por edhe në atë të Check­up­it apo vendimmarrje të tjera nga lart. Prandaj vlerësoj se “testimi” jo vetëm nuk u shton dot mjekëve tanë aftësi dhe as “teslim”, por përkundrazi, u ka krijuar atyre trishtim, zhgënjim dhe indinjim. Si i tillë mendoj se ai duhet të ndalet në dobi të krijimit të një fryme të re konsensuale, partnershipi, sinergjie dhe respekti të ndërsjellë mes profesionistëve tanë të mjekësisë dhe lidershipit në krye të saj.

 

Isuf Kalo

“PANORAMA”

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.