Të varfërit e paturpshëm

Ndërkohë që po i shesin energjinë dhe telekomunikacionin e Kosovës, përkatësisht KEK-un e PTK-në, në marrëveshjen 15 pikëshe Thaçi-Daçiç thuhet që dialogu politik do të vazhdojë për energjinë dhe telekomunikacionin. Pika 13: “Diskutimet për Energji dhe Telekomin do të intensifikohen dhe përfundohen para 15 qershorit”. Kësisoj, lumi Ibër po bëhet kufi ndërmjet Serbisë hegjemoniste dhe Kosovës së privatizuar, kufi ku takohen Serbia e Daçiqit dhe privatizimi i Thaçit.
Nga okupimi duket se kaluam te privatizimi. Çlirimi ishte një çast. Punëtorëve në KEK që janë te Distribucioni dhe Furnizimi, para disa javëve u ka ardhur një letër që praktikisht i fton ta pranojnë korporatën Limak-Çalik si pronar të ri. Teksti që e nënshkruan punëtorët quhet “Formulari i deklarimit të punëmarrësit për bartjen e kontratës së punës nga KEK në KKDFE”. Aty thuhet që punëtori me emrin e mbiemrin e tij, pozitën dhe numrin e caktuar personal e atë të punës, me kontratën e filan date e me filan numri, deklaron se “nëse, si pjesë e procesit të shthurjes apo privatizimit të mandatuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, me vendimin 04/36 të datës 17.09.2008, dhe vendimin 03/38 të datës 02.10.2008, KEK-u bën bartjen e afarizmit të shpërndarjes dhe furnizimit në Kompaninë për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KKDFE), dhe posedoj kontratë valide të punës me KEK-un në kohën e transferimit, përmes kësaj pajtohem me transferimin e kontratës së punës në KKDFE me kushtet dhe termet e njëjta pa ndonjë njoftim tjetër shtesë.” Pasojnë data, vendi dhe nënshkrimi i punëtorit. Në vitet ’89, ’90 e ’91 kur shqiptarët dëboheshin masivisht nga puna, atyre ju vinte një këso letre që i pyeste nëse e pranojnë Serbinë, përkatësisht udhëheqjen e re si rezultat i masave të dhunshme!
E kemi parë qysh privatizimi shpunëson e varfëron. Në rastin më të mirë të thonë që vendi i punës të ruhet edhe për tri vjet të tjera pas shitjes. Por, çfarë të bëhet mandej? Ku të shkojnë punëtorët pas atyre tri vjetëve? Apo, ndoshta, të presin liberalizimin e vizave si zëvendësim për azilin politik në vitet e ‘90-a?!
Varfëria dhe papunësia janë bërë tiparet themelore sociale të Kosovës. Shumica dërrmuese e popullsisë janë ose të varfër ose të papunë. Njëmend ka të papunë që s’janë të varfër, por ama ka edhe të varfër që s’janë të papunë. Dhe, numri i të varfërve që janë të punësuar është shumë më i madh sesa i të papunëve që s’janë të varfër.
Shtrenjtimi i përgjithshëm i çmimeve e sidomos ai i artikujve ushqimorë, rritja e shpenzimeve me rritjen dhe shtimin e familjeve, pjekuria e të rinjve që i bashkohen korpusit të të papunëve, të gjitha këto, përbëjnë trysninë mbi ata që tashmë janë të punësuar me paga të ulëta ose të mesme. Kjo trysni i hedh të punësuarit e këtillë me shpejtësi nën pragun e varfërisë. Ata me shumë vështirësi e kanë gjetur një vend pune të cilin tash kollaj mund ta humbin. Nuk punojnë për t’u ngritur por për të mos rënë duke u përjashtuar, andaj durojnë edhe çfarëdo shfrytëzimi shtesë e poshtërimi të përditshëm.
Sigurisht që papunësia është problem themelor ekonomik në Kosovë, mirëpo edhe punësimi vetvetiu nuk ta siguron daljen nga varfëria. Paga e ulët apo mesatare me të cilën duhen ndihmuar edhe anëtarë të tjerë të familjes (edhe kur nuk shoqërohet nga borxhi prej ndonjë kredie me kamatë të lartë) paraqet konditë të mjaftueshme për ta garantuar varfërinë. Pra, teksa të varfrit s’gjejnë dot punë, të punësuarit s’është aspak e thënë të mos jenë të varfër. Kur varfërohesh sadopak në Perëndim, kjo do të thotë shumë, mirëpo jo edhe në Kosovë ku mbretëron mjerimi dhe pragu përcaktues nuk është ai i jetës së dinjitetshme por i mbijetesës së zhveshur.
Paqen e brishtë sociale në Kosovë e mirëmbajnë dy faktorë – njëri ekonomik e tjetri kulturor. Faktori ekonomik janë dërgesat e bashkatdhetarëve tanë nga e gjithë bota për familjet e të afërmit e tyre. Me atë gjysmë miliard euro në vit që hyn në Kosovë ne blejmë kryesisht mallra të importit duke i nxjerrë me shpejtësi ato para jashtë vendit. Kështu, remitancat e zvogëlojnë varfërinë pa e zvogëluar papunësinë. Vetëm orientimi dhe realizimi i prodhimit do ta zvogëlonte papunësinë. Mërgata e cila dikur ishte vetë mundësia për luftën çlirimtare, tani është shndërruar në kushtin e paqes sociale në Kosovë. Nëse dje s’do të kishte luftë pa mërgatën, sot nuk mund të ketë paqe pa mërgatën.
Faktori kulturor është turpi i të varfërve. Mjafton të endesh rrugëve të cilitdo qytet apo fshat të Kosovës dhe po komunikove, e nganjëherë edhe vetëm po shkëmbeve shikimin me cilindo të varfër, sakaq e kupton se turpi atij ose asaj ia mund indinjatën. Të varfrit gjithsesi janë të zemëruar por edhe më shumë se kaq, ata ndihen të turpëruar për gjendjen e tyre. Kjo është arsyeja pse të varfrit në Kosovë më parë vrasin veten sesa dikë tjetër. Turpi i vetëdisiplinon të varfrit në Kosovë. Dhe, të tjerët aq shumë mësohen me këtë gjë saqë të varfrit që janë përplot pezm e pa fije turpi disi shpallen, dhe mandej edhe duken, si të çmendur. Ata që janë të zemëruar e të gatshëm të shpërthejnë janë të rrezikshëm për rendin e gjërave. Për të mos u parë shkaqet politike dhe socio-ekonomike ata patologjizohen dhe shpallen të sëmurë. Ata s’mund të kenë arsye (sic.), prandaj trajtohen si iracionalë kërcënues.
Në Kosovën e mbërthyer nga korrupsioni qeveritar, pazaret me Serbinë dhe privatizimi i publikes, njerëzit e varfër gjithsesi janë të ndershëm. Të pasurit në Kosovën e varfër do të duhej të ndienin turp e jo të varfrit. Shumica e milionerëve në Kosovë janë në një mënyrë apo tjetër të lidhur me regjimin në fuqi, kështu që turpi i të varfërve është dyfish i gabueshëm e i dëmshëm. Vuajtja e zemërimi është i të varfërve, kurse turpi duhet të jetë i të pasurve. E jo turpi i të varfërve, ndërsa keqardhja (në rastin më të mirë) e pezmi (në rastet e tjera) i të pasurve.
Prandaj, të varfrit janë gjithmonë më zemërgjerë. Nga ajo pak që kanë, japin një pjesë dhe e masin atë me këndvështrimin e pranuesit dhe s’iu duket gjë e madhe ajo që dhanë. Në anën tjetër, të pasurit edhe kur japin shumë më tepër, kjo gjë është shumë më pak sesa në rastin e mëparshëm, porse ata e masin kontributin e tyre me thjerrëzën e pranuesit të varfër dhe ju duket se bënë një gjë madhështore. Filantropia është privatizim i solidaritetit.
Po, pra, të varfrit e paturpshëm (të punësuar o të papunë). Aty, dhe me ta, merr hov zgjidhja për të gjithë.
Add new comment