Të përndjekurit, për çfarë lloj ndihme kanë nevojë?!
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/2159_article-2215878-1570a6a7000005dc-671_634x430-300x203.jpg?itok=jq1URhic)
Ministri i Mirëqënies Sociale, Erjon Veliaj, është angazhuar së fundi dhë në shpërndarjen e ca ndihmave, kryesisht ushqimore, për familjet e ish-grevistëve të urisë në rradhët e të përndjekurve nga ish-regjimi komunist. Nuk dua ta paragjykoj ministrin, pasi as kam arsye e as kam nevojë; gjesti tij shërben vetëm si një ngacmues për një lloj qasjeje tjetërfare ndaj kësaj kategorie. Mundet të kenë dhe nevojë për ushqime; madje të jenë në kufijtë e mbijetesës, e për këtë duhen ndihmuar në çdo formë, por kursesi nuk duhet të shihen si nevojtarë të rëndomtë; ose të përfshihen në shtresat e margjinalizuara. Problemi i tyre është tejet kompleks.
Eshtë në të vërtetë një lëmsh që nuk i gjendet filli. Ishin të kompaktësuar në fillim, e shiheshin si një yllësi e shndritshme në qiellin e demokracisë shqiptare. Por të parët e nuhatën lojën që po bëhej me ta, për t`i lënë ashtu, të varur nga kocka qeveritare pa shumë pretendime; për t`i përçarë e për t`i zhvlerësuar si faktorë politik. Ndaj dhe pas rebelimit studentor e grevës së tyre të urisë, të dytët pas tyre ishin ata, të përndjekurit, që u ngritën kundër Berishës në mandatin e parë, duke ngrënë dhe ca shkopinj të mirë gome kurrizit. Fati i tyre dihet: u bënë lëmsh mes shoqi-shoqit; u ndanë në disa lloj shoqatash; zëri i tyre nisi të mpakej, e kush eci para, eci o për shkathtësi të vet, ose për flirtim me politikën, në sensin e nënshtrimit e shërbimit total ndaj saj, pa asnjë skrupull.
Tek e fundit, ata janë pjesë e kësaj shoqërie, dhe deri diku kanë atë lloj fati që ka patur e gjithë shoqëria. Vështirë se mund të shihen si të veçuar, ndonëse bëjnë diferencën në vuajtje. Për këtë arsye, ata nuk do donin asgjë më tepër së një politikëbërje të drejtë, që më pas të jetonin në një shoqëri të drejtë, tek e cila të rigjenin të drejtën e humbur dhe ata. Pra, nuk është çështje ndihmash: një kg sheqer, një grusht miell, dy shishe vaj, ca makarona; një kavanoz reçel; një palë tuta sportive, një xhup nike apo një palë këpucë me qafa; apo qoftë dhe një apartament a një bursë studimi. Eshtë çështje drejtësie! Ne nuk kemi mbërritur në pikën ku jemi, për shkak të qeverisjeve pa aksione humanitare; por prej qeverisjeve që nuk kanë ditur , ose më keq akoma, nuk kanë dashur që të qeverisin më drejtësi.
Marrë nga DITA
Comments
Une mendoj se greva e urise u
Une mendoj se greva e urise u keqtrajtua nga te dy palet e politikes. Qeveria Berisha e injoroi dhe e akuzoi dhe Partia Socialiste shfrytezoi anen e renduar psikologjike te disa prej tyre duke futur ne menyre kriminale shishe me benzine per t'i ofruar publikut pamje makabre. Ne fund humbesit mbeten te perndjekurit politike dhe e fituar mbeti politika.
Ministri Veliaj vijon filmin me skena amvisash. Por asnje prej nesh nuk do preket nga perrallat qe na tregojne. Dicka eshte e sigurt ne thellesi te shpirtit te cdo shqiptari: Me keto vagabonda qe tallen me jeten dhe gjakun e popullit, Shqiperia do vazhdoje te ngjaje me nje kenete te qelbur.
Add new comment