Të lidhesh në Prizren
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/6389_rama-thaci_2_4.jpg?itok=6Z1CQ76T)
Takimi më në fund u krye, ngjarja u ndoq mediatikisht, u firmosën marrëveshje, u shtrënguan duar dhe magjia e “misterit” u zgjidh. Me pak fjalë, megjithë komentet para, gjatë dhe pas mbledhjes dy-qeveritare në Prizren, ku futen ato të ngarkuara politikisht por edhe analiza e opinione njerëzish publikë që nuk shquhen për ndonjë reshtim të sforcuar politik, mund të nxirret një përfundim përgjithësisht i pranueshëm: Ky takim kishte padyshim një sfond përfitimi të kapitalit politik, dhe nuk mund të jetë ndryshe në një iniciativë prej dy politikanësh; por shumë mirë që u bë, qoftë dhe në rrafshin simbolik dhe në atë të përçimit tek fqinjët dhe ndërkombëtarët, të mesazhit të bashkëpunimit dhe bashkërendimit më të ngushtë të punëve mes dy shteteve shqiptare; mirë do qe të kishte më tepër substancë dhe konkretësi, çka zv.kryeministri i Kosovës Pacolli e kërkoi haptaz për mbledhjen e rradhës në Vlorë.
Ndërkaq, pas kësaj tentative për Lidhje të Dytë të Prizrenit (le të sqarojmë se as Rama e as Thaçi nuk e pretenduan këtë logo, por e aluduan kritikët e tyre), shohim se mbledhja në fjalë nuk ardhka në një mjedis shterp, si rrufeja në të kthjellët. Hashim Thaçi deklaroi se do të përgatisë takime të ngjashme, në bashkëpunim, edhe me Maqedoninë, Malin e Zi (në një të ardhme të arsyeshme, pse jo dhe me Serbinë, shtoi ai), ndërkohë që Edi Rama pat paralajmëruar edhe mbledhje të përbashkëta me qeverinë turke. Serbia nga ana e saj, bashkë me Maqedoninë po arsyeton për zyra konsullore e diplomatike të përbashkëta, aty ku është e mundur, qoftë dhe për të shkurtuar shpenzime; po kështu dhe me vende të tjera të ish Jugosllavisë, në modelin e vendeve skandinave.
Me fjalë të tjera, duket se në Ballkan ka ardhur një epokë deri më parë e paimagjinueshme, ku të gjithë duan të takohen me të gjithë, të bashkëpunojnë me të tjerët, të nxjerrin përfitime e të shkurtojnë shpenzime, gjithnjë në tryezën e bisedimeve dhe sallonet e marrëveshjeve. Nëse ky nuk është moment për t’u mbajtur mend e për t’u shënuar “me të kuqe në kalendar”, atëherë çfarë tjetër do të ishte për rajonin tonë historikisht sherrxhi?
Nëse fryma e atmosferës që përshkrova më lart, ja zbehu “lavdinë” mbledhjes së Prizrenit, atëherë punë e madhe. Por nga ana tjetër, dhe këtu kritikët apo skeptikët e takimit në fjalë kanë të drejtë, bashkëpunimi mes dy shteteve shqiptare dhe shkuarja drejt një hapësire unike ekonomike, çka është sfida e madhe e kohës teksa ecim drejt integrimit të plotë në BE, i ka shumë më të nevojshme hapat konkretë sesa “mbledhjet historike”. Dhe një hap konkret i tillë është linja e interkonjeksionit me Kosovën, ndërtimin e së cilës qeveria Rama e miratoi në dhjetor. Janë ende të freskëta, nën qeverinë demokrate, betejat e patates, çimentos etj. Një tjetër sektor që është shumë delikat, e si i tillë kërkon vëmendje të veçantë, është ai i sigurisë. Dalin herë pas here tituj në shtyp, por çështja mbetet gjysmë e zhytur në ujërat e temave të ndjeshme, dhe fjala është për luftëtarët e xhihadit që prej vendeve tona, por edhe Maqedonia e Bosnja, janë “eksportuar” në konfliktin e përgjakshëm sirian e rikthehen prej andej. Prej kohësh, dhe gjithnjë e më me forcë, ekspertë të sigurisë i kanë quajtur këta elementë “të paktë, por shumë të rrezikshëm”. Por rëndësi jo më të vogël kanë bashkëpunimet arsimore e kulturore, që s’mund të lihen thjesht në dorë të “tregut” a të iniciativave personale.
Që këto gjëra mund të bëhen edhe pa u shkulur vendit një qeveri e tërë për të shkuar e përqafuar tjetrën, kjo nuk do mend. Por rëndësi ka të bëhen, qoftë dhe me varakun e folklorit politik dhe simbolizmat e kërkuara me zor. Pikërisht këtu rrahin skeptikët: Që ngjarje të tilla të mos mbeten veç tek këto elementët e dytë.
Por ka edhe një problem tjetër, që po kalon në heshtje. Mbledhja e Prizrenit ngjan një iniciativë politike e dy kryeministrave Rama e Thaçi; Mero Baze e quan të arrirë politikisht mu sepse “ajo u realizua për shkak të komunikimit real politik mes këtyre të dyve, si dy aleatë që i besojnë njëri-tjetrit”. Vërtet me fjalë të kursyera, edhe ish kryeministri Berisha e përshëndeti takimin (por hodhi kunja për datën 11 janar, festa e Republikës nën diktaturë). Por nëse nuk kryhet një konsensus i madh mbipolitik në të dyja anët e kufirit, që ky bashkëveprim ndërqeveritar të shndërrohet në strategji konkrete dhe e palëvizshme kombëtare pavarësisht kryeministrave të rradhës, atëherë s’është bërë asgjë. Atëherë vërtet që 11-12 janar 2014 do të mbetet në histori si një uikend në Prizren.
Revista Klan nr.853
Add new comment